Gjykata e Shqipërisë

Nga Florjan Kalaja, botuar në Panorama, 10 mars 2018

Neni 135 i Kushtetutës parashikon se pushteti gjyqësor në Republikën e Shqipërisë ushtrohet nga Gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë (në vijim GJL). Gjithashtu, parashikohet se Kuvendi mundet të miratojë me ligj gjykata të specializuara, por kurrsesi gjykata të jashtëzakonshme. Kushtetuta nuk është mjaftuar me pushtetin gjyqësor për dhënien e drejtësisë  dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Ajo i ka dhënë akses individit edhe në Gjykatën Kushtetuese (në vijim GJK), kundër çdo akti të pushtetit publik, me kushtin që më parë të jenë shteruar të gjithë mjetet juridike të mundshme dhe efektive të ankimit. Si të mos mjaftonin katër nivele gjykatash të brendshme për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, Republika e Shqipërisë është anëtarësuar në Këshillin e Europës, duke ratifikuar në vitin 1996 Konventën Europiane për të Drejtat të Njeriut (në vijim KEDNJ) dhe duke iu nënshtruar sakaq edhe juridiksionit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (në vijim GJEDNJ). Kushti i aktivizimit të juridiksionit të GJEDNJ është shterimi i të gjitha mjeteve efektive të ankimit në sistemin e brendshëm shtetëror.

Më tej, individi mundet të padisë shtetin shqiptar në Strasburg, për të kërkuar konstatimin e cenimit të së drejtës apo lirisë themelore dhe dëmshpërblimin apo rivendosjen e saj. GJEDNJ, ndër të tjera, shqyrton çështjen në kolegje apo edhe në Dhomën e Madhe të përbërë nga 17 gjyqtarë. Në Dhomën e Madhe GJEDNJ shqyrton çështjet, në të cilat vendos precedentët gjyqësor dhe jurisprudencial apo kur i ndryshon ato, të cilat afërmendsh kanë një rëndësi themelore për standardet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në hapësirën europiane. Fakt është që Shqipëria ka pasur 126 vendime të kolegjit të GJEDNJ dhe asnjë prej tyre nuk është gjykuar në Dhomën e Madhe.

Apriori, kjo do të thotë se të gjitha çështjet shqiptare kanë qenë të një rëndësie rutinë dhe asnjëra prej tyre nuk përbën precedent për zhvillimin e jurisprudencës së GJEDNJ. Fakt është që rreth ¾ e tyre është humbur nga shteti shqiptar dhe se vendimi i GJEDNJ në të gjitha këto raste ka qenë një kronikë e një lajmi të paralajmëruar. E paralajmëruar, sepse në të gjitha këto vendime, po të vërehet me kujdes, GJEDNJ ka ilustruar si precedentë vendime të dhëna nga ajo vite apo edhe me dhjetëra vite më parë. Në shumë raste, faji ka qenë i pushtetit ekzekutiv.

Përgjithësisht kjo ka ndodhur për çështjet e mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore apo administrative të kompensimit apo kthimit të pronave. Në disa raste të tjera faji ka qenë i pushtetit legjislativ, pasi ligjet e brendshme kanë cenuar standardet europiane e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në të gjitha rastet e tjera faji ka qenë i Gjykatave të Shkallës së Parë, Gjykatave të Apelit, GJL dhe GJK, të cilat, duke mos njohur të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme dhe jurisprudencën e GJEDNJ, nuk kanë dhënë drejtësi kushtetuese dhe konventore, por kanë dhënë drejtësi ligji dhe aktesh nënligjore.

Për më tepër, përveç përgjegjësisë së pushtetit ekzekutiv në mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, vlerësoj se edhe përgjegjësia e pushtetit legjislativ për keqbërjen e ligjit duhet të ndahet dhe të mbahet në fund nga gjykatat, përfshirë GJK, pasi, edhe pse i kanë të gjitha atributet dhe mbi të gjitha detyrimin kushtetues për të nulizuar ligjet duke zbatuar Kushtetutën dhe KEDNJ, kanë zbatuar ligjet dhe aktet nënligjore jokushtetuese dhe jokonventore, duke neglizhuar Kushtetutën dhe KEDNJ. Në këtë histori shqiptare nuk mundet të justifikohemi me shprehjen se edhe në shtete e tjera kështu ka ndodhur.

Shkeljet e KEDNJ nga ana e Shqipërisë nuk mundet të krahasohen me shkeljet e përsëritura dhe kronika të paralajmëruara që vijnë nga Italia, Franca, Gjermania, Rusia, Turqia apo edhe Mbretëria e Bashkuar. Ndryshe nga këto shtete, Shqipëria e vendos statusin ligjor të KEDNJ në të njëjtin nivel me Kushtetutën, ndaj nuk mundet të ketë krahasime apo justifikime. Kjo do të thotë se për gjykatat shqiptare të pushtetit gjyqësor dhe GJK është e patolerueshme, që nuk kanë zbatuar në zgjidhjet e çështjeve të tyre standardet e vendosura më parë nga GJEDNJ mbi çështjet jurisprudenciale të shtruara për zgjidhje para tyre.

I vetmi shpjegim që mundem t’i jap këtij fakti është që as Gjykatat e Shkallës së Parë, as Gjykatat e apelit, as GJL dhe as GJK nuk kanë qenë të informuara për zhvillimet e së drejtës ndërkombëtare të Këshillit të Europës dhe jurisprudencës së GJEDNJ. Të mos përditë- sohesh me këto njohuri bazike, është sikurse të gjykosh duke mos njohur ligjin. Akoma më fatal është fakti që nuk ka asnjë gjyqtar syresh të proceduar dhe as të shkarkuar për shkakun që Kushtetuta ndër dhjetëvjeçar ka parashikuar si shkak legjitim për shkarkimin e gjyqtarëve, konkretisht pamjaftueshmëria profesionale. Ky është një paradoks shqiptar i shpjegueshëm vetëm me arsyen fatalitet se “kjo është Shqipëria”.

Është e nevojshme të sjell në vëmendje të lexuesit disa nga rastet flagrante të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të konstatuara nga GJEDNJ kundrejt Shqipërisë dhe që për gjyqtarët e shkallës së parë, të apeleve, GJL dhe GJK nuk ka pasur asnjë që nuk shkon kur i kanë gjykuar. Ndërkohë që Italia ishte gjetur me shkelje dhjetëra herë që prej vitit 1980 mbi të drejtën për proces të rregullt ligjor, për nga mënyra se si rregullohej në ligj gjykimi dhe rigjykimi i të pandehurit në mungesë në procesin penal, Shqipëria si model në hartimin e Kodit të Procedurës Penale merrte ndër vite pikërisht këto dispozita dhe gjykatat i zbatonin mekanikisht ato edhe pse pa ia vënë ndonjëherë në diskutim drejtësinë kushtetuese.

Dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XXI, GJEDNJ gjeti të njëjtat shkelje si në rastin e Italisë edhe Shqipërinë. Ndërkohë që ndër dhjetëvjeçarë të fundit të shekullit të XX, GJEDNJ kishte vlerësuar se e drejta për proces të rregullt ligjor në procesin civil përfshin edhe fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor, GJL dhe GJK arsyetonin shkencën e mospërfshirjes së fazës së ekzekutimit të vendimit gjyqësor nën mbrojtjen e garancive të së drejtës për proces të rregullt ligjor. Në fillimin e shekullit XXI, pikërisht çështja e parë e Shqipërisë në Strasburg, GJEDNJ konfirmoi në të disatin rast jurisprudencën e saj disadekadëshe.

Ndërkohë që GJEDNJ kishte mbajtur qëndrimin se e drejta për gjykatë detyron atë të zgjidhë çështjen në themel dhe jo t’i shmanget këtij misioni, e për më tepër duke vendosur se refuzimi i ankimit individual nga GJK-ja shqiptare për arsye se nuk ka kuorum vendimmarrës përbën shkelje të aksesit në drejtësi, GJK-ja, pa u shqetësuar dhe me ndërgjegje të qetë dhe me dhjetëra herë të përsëritur, ka vendosur në të njëjtën mënyrë përgjatë dhjetë vjetësh nga vendimmarrja e GJEDNJ.

Edhe pse GJEDNJ në shumë raste ndër dhjetëvjeçarë ka gjetur shkelje të aksesit në drejtësi për shtetet që garantonin imunitet diplomatik absolut ndaj padive civile, GJL me Kolegje të Bashkuara unifikon praktikën gjyqësore, duke vendosur në vitin 2011 se imuniteti juridiksional është absolut. Edhe pse GJEDNJ që pas viteve ‘90 ka konsoliduar qëndrimin se në rast të gjetjes me shkelje të KEDNJ shteti duhet të krijojë mekanizma në ligjet procedurale për rihapjen e proceseve gjyqësore të mbyllura me vendime gjë të gjykuar, GJL nuk pranonte deri në vitin 2013 të rishikonte vendimet gjyqësore të formës së prerë kur sipas së drejtës ndërkombëtare duhet të rishikoheshin, duke nxjerrë si argument se ligji nuk e lejon dhe duke mos kërkuar shfuqizimin e ligjit në GJK.

Edhe pse GJEDNJ ka standarde të konsoliduara për efektivitetin e ankimit, gjyqësor apo kushtetues dhe të drejtës së aksesit në gjykatat me juridiksion rishikues, GJK që prej hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të Reformës në Drejtësi, e përdor afatin ligjor të ushtrimit të ankimit individual kushtetues si mjet ligjor për të mos shqyrtuar çështjet. Si këto raste ka plotë të tjera, aq sa me të drejtë mundet të mendosh se Gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit, GJL dhe GJK nuk e kanë ushtruar detyrën kushtetuese dhe nuk kanë mësuar ta bëjnë detyrën edhe pasi janë gjetur në gabime edhe pse në mënyrë të përsëritur.

Ndodhur para këtyre rasteve flagrante që përsëriten rutinë vit pas viti, duket sikur gjykatat shqiptare të pushtetit gjyqësor dhe GJK janë mjete kontrolli dhe garancie joefektive. Sinjali i parë dhe më i rëndë erdhi në fillimin e vitit 2018, ku GJEDNJ vlerësoi se, pas dështimit të shtetit për të respektuar një vendim gjyqësor, nuk mundet të pretendohej më se gjykatat shqiptare ishin mjete efektive kontrolli dhe ankimi, duke zhvleftësuar sakaq tri shkallët e pushtetit gjyqësor dhe GJK, duke marrë çështjen vetë në shqyrtim dhe duke e zgjidhur sikur të ishte e vetmja gjykatë e Shqipërisë.

E ardhmja nën këto shembuj nuk është me dritë për katër nivelet e gjykimit shqiptar, gjyqtarët e të cilave e marrin rrogën nga pasuria e Republikës çdo muaj. Edhe mendësia e të gjykuarve në gjykatat shqiptare në fillim të hetimit, gjykimit penal apo gjykimit të padisë administrative apo civile, nis me idenë se drejtësia do të vihet në Strasburg ku i jepet secilit haku, duke vlerësuar se konsumimi i Gjykatave të Shkallës së Parë, Apelit, GJL dhe GJK janë vetëm detyrime për t’u hequr qafe në mënyrë për të mbërritur sakaq te portat e së vërtetës dhe të vetmes portë ku shtetit shqiptar i tregohet vendi.

GJEDNJ në këtë mënyrë, që nga viti 2002, po ndez shpresat edhe pse të largëta të çdo të gjykuari, duke u projektuar kështu si e vetmja gjykatë e vërtetë e Shqipërisë. E ndërsa për GJEDNJ kjo mundet të konsiderohet sukses, për Gjykatat e Shkallës së Parë, Gjykatat e Apelit, GJL dhe GJK, kjo duhet të konsiderohet dështim.

    Repository


    Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
    English

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan