Italia, vendi europian ku populistët janë mazhorancë
Nga Ervis Iljazaj, botuar ne Mapo, 6 mars 2018
Zgjedhjet që u zhvilluan ditën e Diel në shtetin fqinj Italinë, përtej leximeve të shumta që mund të kenë, dhanë dy të vërteta të rëndësishme. E para, që Italia vazhdon të mbetet një sistem politik dhe një shoqëri e fragmentizuar, sepse nga këto rezultate, ashtu si shumë herë të tjera nuk doli një mazhorancë qeverisëse.
Deri më tani Italia, ka arritur të sigurojë përfaqësimin politik të shumë ndjeshmërive të asaj shoqërie, por nuk arrin dot të nxjerrë një qeveri të qëndrueshme për shkak të kulturës së saj politike. Për këtë arsye paqëndrueshmëria e qeverive italiane është një normë. Aq e vërtetë është kjo, sa që, që nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm Silvio Berlusconi në vitet 2001-2006 ka arritur të përfundojë mandatin e plotë qeverisës.
Lajmi i dytë që vjen nga vendi fqinj dhe më domethënësi, është fakti se, populistët apo euroskeptikët, Lega e Veriut dhe Lëvizja Pesë Yje, përbëjnë pothuajse gjysmën e shoqërisë italiane. Një fakt domethënës për sistemin politik atje, por edhe për vetë marrëdhëniet me Bashkimin Europian të Italisë, e cila është ekonomia e tretë e Eurozonës.
Një rezultat i tillë, ku populistët janë mazhorancë, është ndoshta rasti i parë që ndodh në vendet e rëndësishme europiane. Edhe pse në shumë shtete pati një rritje të forcave të tilla, si në Francë, Holandë, Gjermani apo Holandë, por në asnjë nga këto shtete forca politike populiste dhe euroskeptike nuk arritën në këto nivele si në shtetin italian.
Në këtë kuptim, ecuria e politikës italiane, por edhe vazhdimësia e Bashkimin Europian, nga këto rezultate është tërësisht e paqartë.
Dy humbësit e mëdhenj në zgjedhjet 4 Marsit në Itali, padyshim janë Berlusconi dhe Renzi, duke bërë të mundur reduktimin në nivele minimale të dy forcave politike të cilat konsideroheshin të moderuara dhe pro europiane. Për herë parë, në krahun e djathtë politik nuk drejton më lidershipi i Berlusconit, por ai i Matteo Salvinit, i njohur për politikat e tij kundër Europës dhe antiemigracion. Ndërsa, e majta merr rezultatin më të dobët historik të saj. Matteo Renzi e mori drejtimin e kësaj partie dhe në katër vite arriti ta çonte në maksimumin dhe minimumin e saj. Duke u përpjekur të krijonte një parti moderne drejt qendrës dhe ta largonte nga ideologjia tipike majtiste, nuk arriti të kuptonte gjenezën e saj. Partia Demokratike e Italisë është një parti e cila është formuar duke mbajtur brenda saj rryma dhe kultura të ndryshme, duke filluar nga katolikët e duke përfunduar te komunistët. Matteo Renzi nuk arriti të komunikonte me këto kultura brenda partisë së tij, por u përpoq të formonte një të tillë, e cila bazohej te lidershipi i tij i fortë. Për këtë arsye, dështoi, sepse shoqëria italiane është një shoqëri që nuk e promovon lidershipin e fortë që nga koha e regjimit fashist.
Kështu që, lajmi tjetër i rëndësishëm nga këto zgjedhje, është fakti se partitë e moderuara Forza Italia dhe Partia Demokratike, me rezultatet e arritura, janë pothuajse të parëndësishme në sistemin politik aktual italian.
Rezultati i këtyre forcave politike, ishte aq i dobët, sa që, edhe të dyja bashkë nuk mund të realizojnë një aleancë qeverisëse për mos ta lënë vendin nën drejtimin e populistëve. Aleancë e cila përflitej para zgjedhjeve, dhe mbështetej kryesisht nga Bashkimi Europian, por që rezultatet treguan se vullneti popullor nuk do të dijë për stabilitetin e tregjeve financiare apo për stabilitetin politik të vendit.