Rekomandimi dhe rrjetet po i japin fund meritokracisë

Nga Klementin Mile, botuar në Mapo, 3 mars 2018

Në një vend pa administratë publike autonome dhe profesionalisht të aftë nuk ka shanse të funksionojë demokracia, shkruante Luhmann. Po t’u besojmë fjalëve të qeverive që kemi patur në gjithë këto vite, kjo administratë autonome dhe profesionale do duhej të ekzistonte tashmë. Në ligjërimin qeveritar meritokracia vijon të theksohet si parim bazë për rekrutimin e nëpunësve në administratën publike. Madje, gjatë qeverisë së koalicionit Rama–Meta, pati edhe një projekt të kryeministrit Rama për të mbledhur CV-të e qytetarëve shqiptarë që kërkonin të punësoheshin në administratë, kombinuar me qëndrimin e qeverisë së atëhershme për t’i bërë ndryshime ligjit për statusin e nëpunësit civil. Në artikulimin publik të eksponentëve të qeverisë të dyja ato çështje kishin të bënin me marrjen në punë të më të mirëve, më të zotëve, më të talentuarve dhe largimin nga administrata të të paaftëve dhe të korruptuarve. Kishin të bënin, pra, me aplikimin e meritokracisë.

Për të gjithë ata që kanë kujtesë të dobët, le të kujtojmë se termi ‘meritokraci’ u përdor për të herë të parë në ligjërimin politik shqiptar nga kryeministri Nano në 1997. Që prej asaj kohe ka vazhduar të përdoret majtas dhe djathtas, nga Tirana dhe Brukseli, si parim ideal për të rregulluar funksionimin e administratës publike. E megjithatë, që prej asaj kohe nuk kanë reshtur raportet kombëtare dhe ndërkombëtare që akuzojnë qeveritë shqiptare për keqtrajtim dhe keqpërdorim të administratës, për rekrutime politike e nepotike, dhe për mungesë të sistemit të karrierës.

Dështimet e deritanishme me meritokracinë i sigurojnë këtij parimi një vend të merituar në programin e qeverisë, pasi vetëm kështu mund të realizohet politika e re apo rilindja shqiptare. Kjo me idenë për t’u dhënë shqiptarëve arsye të shpresojnë dhe besojnë se talentet e tyre do të vihen re, se shkollimi i tyre nuk do të injorohet dhe se etika dhe integriteti më në fund do të shpërblehen.

Kështu do të ishte, po të mos jetonim në një shoqëri rrjetesh. Teoricienë të mirënjohur si Manuel Castells dhe Harrison White na kujtojnë që në shoqërinë e rrjeteve nuk ka rëndësi thelbi i njeriut, esenca e tij. Kjo është një shoqëri postontologjike, ku nuk ka vlerë çfarë je në të vërtetë, çfarë talentesh të fshehura mbart, çfarë potenciali zotëron. Në shoqërinë e rrjeteve mund të kesh vlerë, mund të llogaritesh, vetëm nëse i shërben ekzistencës dhe funksionimit të rrjetit. Prandaj nuk duhet të habitemi kur njerëz që i konsiderojmë të patalentuar, të pazotë apo të paskrupullt arrijnë në pozicione prestigjoze, ndërkohë që të talentuarit dhe të moralshmit mbeten pa punë. Nuk duhet të habitemi nëse prej CV-ve dërguar kryeministrave si përgjigje do të kemi vetëm një mesazh standard falënderimi për interesimin. Nuk duhet të habitemi nëse pas ristrukturimit të administratës publike do të ruajnë postin ca nëpunës që vetëm punë administrative nuk kanë bërë apo që do të rekrutohen ca të tjerë që vetëm shtetit nuk do t’i shërbejnë.

Ata, eprorët dhe vartësit, që të gjithë së bashku do t’i shërbejnë rrjetit dhe nuk ka kuptim t’i fajësosh për këtë. As t’i gjykosh moralisht. As t’i zëvendësosh me të tjerë dhe të presësh mrekullira. Ashtu si rrjeta e merimangës që ka nevojë për nyjet dhe fijet, edhe rrjeti krijon pozicione dhe kanale komunikimi të nevojshme për ekzistencën e tij. Këto pozicione janë aty për t’u zënë nga kandidatët e përshtatshëm, nga ata që e meritojnë më shumë. Fatkeqësisht ata që e meritojnë më shumë mund të jenë ata që e respektojnë ligjin më pak. Kjo sepse ligji nuk është rrjet, por lëndë e parë për rrjetin, është insekti që dikur do të bjerë në rrjetën e merimangës.

Kryeministri Rama ka patur intuitën e duhur kur u shpreh se rilindja do të vinte nëpërmjet ndryshimit të sistemit, pasi është sistemi që i bën njerëzit dhe jo e kundërta. Por edhe sikur të mos vëmë aspak në dyshim sinqeritetin dhe vullnetin e tij për reforma sistemike, a nuk është edhe vetë kryeministri një pozicion i krijuar prej rrjetit? Si mund të lejojë rrjeti krijimin e një pozicioni që i rrezikon ekzistencën? Si mund të lejojë merimanga formimin e një nyjeje që i shkatërron rrjetën?

Repository


Dokumente të politikave publike dhe reformave të shtetit
English

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan