Pse e duam Njëshin, kushdo qoftë?!
Nga Ben Andoni, botuar ne Ballkanweb, 28 shkurt 2018
Është e çuditshme sesi ndodh që 33 vjet më vonë nga vdekja e Enver Hoxhës, liderit të para viteve ‘90, jemi sërish aq të dhënë pas Komunizmit, anarkisë dhe autoritetit të pakufizuar. Është e vështirë që të tre këto kategori t’i bashkosh në një dhe mbi të gjitha t’i aplikosh të treja. Por, ja që shqiptari i thjeshtë e do dhe autoritetin, edhe anarkinë, po pse jo dhe Komunizmin e modelit shqiptar. Kur ithtarëve jo të pakët i thua, se ajo kohë është e marrë fund, ke gati përgjigjen: E dimë, por sikur të ishte i gjallë ai, nuk do ndodhte kjo katrahurë! Ose, sikur të plasi dhe njëherë ‘97 dhe ta bëj Shqipërinë tepsi fare…Po pse të mos kthehet edhe njëherë Berisha? Ai, të paktën nuk ishte si ky. Ky, me të cilin identifikohet Rama, ishte ai që duhej të vinte pas të tmerrshmit Berisha dhe mezi pritej nga ata që kërkojnë ta heqin…Adhurimi për Njëshin është gati instiktive.
Në fakt, dashuria për Njëshin nuk është thjesht shqiptare, por duket si një trend që ka infektuar për vite të tëra dhe shumë popuj të tjerë. Sociologët, historianët dhe psikologët ende debatojnë për arsyet sesi Hitleri arriti të penetrojë deri në postin më të lartë në Gjermani dhe sesi e çoi me shumë bindje prej premtimeve popullin gjerman në atë katastrofë të frikshme, që rrënoi dhe shumë e shumë popuj të tjerë. Stalini është konfirmuar se e ka marrë me një farë dhelpërie postin e liderit të ish-BRSS, porse neglizhencën dhe neverinë që kishin ndaj tij Trocki, Zinovievi, Kamenievi dhe të tjerë ua shpërbleu me marrjen e jetës dhe me vendosjen e një regjimi sovjetik, që nuk kishte aq ndryshim nga ai fashist, që po pushtonte ngadalë dhe në mënyrë të vazhdueshme Evropën. Adhurimi ndaj forcës së tij u shpërblye me viktima të pafajshme të pafundme.
Po pse vallë të ndodhë gjithnjë kështu? Kapitalizmi, megjithë problemet dhe avantazhet, i ngjan një sistemi pa të cilin shoqëria nuk mund të zhvillohet, paçka se ai i pjell problemet në mënyrë ciklike. Jo thjesht krizat e stërmëdha në këto vite, që për pak kanë shkatërruar shtete, por edhe pasigurinë që imponon për njerëzit që e duan si strehë për të jetuar.
Në këtë mjedis, ku vetë sistemi është plot probleme, shpesh gjejnë vend ata që pastaj dalin si liderë dhe të ashtuquajturat Njësha. Për specifikën shqiptare, Njëshi është i lidhur veçmas konceptit gjeografik dhe me konsiderata fizike, shtuar edhe me tarafin, që ka mundësuar deri në arritjen në atë post. “Sikur të isha vetëm 20 centimetra më i gjatë, do të isha patjetër mbreti i shqiptarëve”, na vjen nga historia konfesimi i Eqerem Bej Vlorës, ndaj të dërguarit italian Pietro Quaroni, që është i çuditur sesi pinjolli i Vlorajve mund të shkoj deri ministër por jo më shumë, në një vend ku pakkush krahasohet me kulturën e tij.
Ahmet Zogu, i pashkolluar mirë, por ardhur nga një rajon që kontribuoi jo aq shumë për pavarësi dhe me cublliqet e tij arriti që të kapte të gjithë caqet e shtetit shqiptar, madje duke u vetëshpallur mbret, e duke e imponuar statusin e tij juridik në rendin e asaj bote. Kurse historia e Enver Hoxhës është më e thukët dhe më e thjeshtë. Erdhi si periferik në metropolin shqiptar, i anatemuar për jetën e shthurur dhe arriti që të bëhej lideri i një vendi, që thërriste vetëm emrin e tij në varfëri. “Menduan se kur e vendosën në krye të Partisë Komuniste, ai do të ishte i përkohshëm, por ai tregoi se jo vetëm i superoi por edhe u hëngri kokat një e nga e një”, do të shprehej historiani Bernd Fischer për Hoxhën.
Por, Njëshi me fuqinë, pseudo-dashurinë i imponohet turmës, që kujton se përmes autoritetit të tij do të ketë më pak sfida dhe më pak kaos në shtet. Dhe, kështu ndodh që pas diktatorëve ka gjithnjë shumë njerëz dhe lule. Autoriteti bind më shumë sesa Arsyeja. Logjika është e thjeshtë: Ata janë vetmit me të cilët identifikohet shteti. Por s’është vetëm populli i thjeshtë. Në Bashkimin Sovjetik të dashuruar me regjimin do të ishin deri poetët e saj. Pastërnak do të shprehet një çast për adhurimin e Majakovskit ndaj të fortëve: “I doja thellësisht poezitë e para të Majakovskit. Në sfondin e farsave të kohës, serioziteti i tij i rëndë, i rreptë, akromatik, ishte kaq i pazakontë! Ishte një poezi e skalitur magjistralisht, demoniake dhe në të njëjtën kohë tmerrësisht e dënuar, pikëlluese, pothuajse ndihmëlutëse…”. Fakt, por kështu e këqyr autoritetin një nga desidentët më të mëdhenj të kohës sonë.
Dhe, kështu, të gjithë dashurohen me të keqen e tyre, sepse pakkush e do sfidën e demokracisë, që do të vendosësh dhe të respektosh Ligjet e lojës së drejtë.
Kjo bën që njerëzit të rrahin duart për pushtetin, t’i thurin lavde dhe t’u binden politikanëve dhe Njëshëve, që përjetësisht i kanë çuar në qorrsokak. Për fat të mirë, popujt e arsyeshëm janë ndarë prej dekadash të tëra me këtë, kurse shqiptarët nuk po ndahen dot as në shekullin XXI. Jo më kot, mbetet arsyeja që Berisha dhe Rama janë kryefjala e çdo gjëje për të cilën flitet sot e kësaj dite në Shqipëri dhe sillen si padronë. Identifikimi me Njëshin e liderëve të vendit është detyra më e vështirë dhe jo mirëqenia dhe drejtimi sipas parimeve të demokracisë të vendit. Dhe, njerëzit e duan, kurse shqiptarët e adhurojnë…ndaj në histori përsërisim të njëjtat gabime.