Maxhoranca dhe Opozita, në rrugë pa krye

Nga Genc Burimi, botuar në Panorama, 29 janar 2018

Kemi të djathtën më budallaqe në botë”, është kjo një nga shprehjet politike që dëgjohet shpesh në Francë, por që s’është objekt i këtij shkrimi. Shprehja merr megjithatë një interes të veçantë po të imagjinohet si e vlefshme dhe për opozitat në Shqipëri. Vendi ynë po ashtu, ka ndoshta opozitat më budallaqe në botë. Që nga vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri, nuk ka ndodhur kurrë që një opozitë politike në Shqipëri të ketë rrëzuar qeverinë e maxhorancës me protesta. Kurrë. Edhe viti 1997, që mund të duket se bën përjashtim, ishte në realitet një kontekst lufte e mirëfilltë civile dhe rezultat protestash politike bulevardi.

Sa herë tentoi Berisha të rrëzonte me protesta qeverinë e socialistëve? Përveç një “Nano ik” dhe një 14 shtatori dramatik, asgjë tjetër s’do te mbahet mend. Sa herë tentoi Edi Rama më pas të rrëzonte qeverinë e Berishës? Por, përveç një emri restoranti “Krokodili” dhe 4 viktimave të pafajshme të 21 janarit, asgjë tjetër nuk mbahet mend nga ato përçapje sterile.

Në këtë brazdë protestash bulevardi, tipike të opozitave shqiptare, po rend kuturu si një dem i tërbuar dhe kjo e sotmja. Pa asnjë strategji, pa asnjë mësim nga historia, pa “dy pare mend”, siç e thotë proverbi. I njëjti konstatim vlen dhe për maxhorancën. Edhe ajo, është aq larg së qenuri si maxhoranca më e zgjuar në botë. Si çdo maxhorancë tjetër para saj, edhe kjo e sotmja ka të njëjtin lajtmotiv: integrimin europian të Shqipërisë. A thua se gjithë punët e tjera i kemi në vijë dhe na ka mbetur vetëm qershia mbi tortë, integrimi. Po pse jo? Mund të ëndërrosh të marrësh pjesë në një botëror futbolli edhe po s’pate një ekip të denjë për kompeticione të tilla. Por, po të shikosh nga e kaluara, asnjë maxhorancë nuk ka arritur të avancojë në dosjen e integrimit nëse s’është përpjekur të arrijë një minimimum konsensusi me opozitën parlamentare. Le të kujtojmë se me sa efikasitet i bllokoi opozita socialiste e Ramës negociatat e ish-Kryeministrit Berisha me BE-në duke mos votuar disa ligje thelbë- sore. Sikur çështjeve më delikate,që lipsin konsensus absolut me opozitën, siç ishte zgjedhja e prokurorit të ri apo siç është reforma zgjedhore, kjo maxhorancë t’u kishte kushtuar një të njëqindën e kohës që u kushtoi negociatave me ministrin e jashtëm grek për disa varre pa emra, sa hapa gjigandë do të kishte bërë vendi në rrugën e integrimit? Maxhoranca me naivitet kujton se një Ok i marrë nga Kotzias vlen më shumë se një Ok nga opozita vendase.

SITUATA LYP KOMPROMIS POLITIK

Ka vetëm dy mënyra për të dalë nga kjo situatë ngërçi dhe për t’i dhënë vendit një perspektivë politike krejtësisht të re në diapazon me normat europiane. Njëra është kompromisi që vetëm maxhoranca mund ta akordojë, tjetra është kriza politike e një kalibri për të provokuar zgjedhje të parakohshme. Le t’i analizojmë në detaje këto dy aspekte.

Zgjidhja e parë, kompromisi varet nga maxhoranca. Është ajo që duhet të bëjë disa gjeste me simbolikë të fortë politike për të ulur tensionet të paktën deri në datën e marrjes së përgjigjes nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave. Maxhoranca mund të japë sinjale konkrete në dy drejtime. Së par, në fushën e drejtësisë. Nevojiten gjeste në drejtim të opozitës, që do të kompensonin emërimin e njëanshëm të Prokurores së Përgjithshme. Do të nevojitej gjithashtu pa humbur kohë dhe “sakrifikimi” i Tahirit, duke i hequr imunitetin për t’ia vënë në dispozicion organeve të hetimit. Maxhoranca të lejojë po ashtu ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, të kryesuar nga opozita, për të zbardhur të vërtetat e hidhura të implikimit të Policisë së Shtetit në trafiqet e drogës. Në një vend perëndimor, arratisja e eprorëve të rëndësishëm të implikuar në skandale kaq të rënda, s’mund të kalonte në një heshtje të tillë. Përtej dosjeve të nxehta të drejtësisë, maxhoranca mund të veprojë pa humbur kohë dhe pa asnjë rezervë në fushën e reformës zgjedhore. Është normale që maxhoranca s’mund ta pranojë kurrsesi akuzën se ka blerë zgjedhjet me paratë e drogës. Por s’do të ishte aspak anormale, që maxhoranca, meqenëse dyshohet si hileqare, ta sfidojë opozitën duke pranuar çfarëdolloj reforme zgjedhore, që kjo dëshiron dhe të tregojë se nuk ka frikë nga asnjëlloj kodi i ri zgjedhor, nëse rregullat e lojës mbeten të njëjta për të gjithë. Sa më shumë e bllokon maxhoranca një reformë zgjedhore që i përshtatet opozitës, aq më shumë bëhet ajo shënjestër e dyshimeve më ekstremiste se po përgatit sërish një megavjedhje për zgjedhjet e ardhshme. Reforma zgjedhore t’i besohet për monitorim opozitës ashtu si në një duel ku më “i forti” ia lë zgjedhjen e armëve më “të dobëtit”. Duke vepruar kështu, maxhoranca ia lë këtë patate të nxehtë kampit përballë, brenda të cilit po ashtu ka ndasi të forta. Parti më të vogla opozitare si zgjidhja e Kokë- dhimës qartazi dhe me të drejtë akuzon partinë më të madhe të Opozitës, PD-në, se është për një reformë zgjedhore fasade, që nuk u heq partive të mëdha monopolin e numërimit të votave. Është në interes të maxhorancës të acarohen debatet ndërmjet vetë partive opozitare, duke u thënë “bini dakord se çfarë reforme zgjedhore doni dhe Partia Socialiste do ta votojë atë siç është”. Po ashtu, maxhoranca mund të bëjë gjeste karshi opozitës për qetësimin e situatës edhe në fushën ekonomiko-sociale. Ajo mund të rishikonte pa humbur kohë politikat për matësit e ujit, për TVSH-në për biznesin e vogël, për tarifat e universiteteve. Mund të verë si prioritet për punësim, kategorinë e shqiptarëve që dergjen kampeve për azil në Europë, nëse ata pranojnë të kthehen vullnetarisht. Mund të bëjë një hap të mençur mbrapa për projektligjin për mbetjet. Mund të shkojë deri aty sa t’i besojë opozitës, ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për të gjitha koncesionet, që ka dhënë që prej vitit 2013, në frymën jo të ndëshkimit, sepse vetëm drejtësia ndëshkon, por të përmirësimit të procedurave. Pse jo, të bëhet rregull që miratimi për çdo koncesion që akordohet, të jetë atribut i opozitës. Pasi, nëse opozita do të bënte dallavere me koncesionet, maxhoranca i ka gjithmonë mjetet ta hetojë atë. Por e kundërta nuk është e vërtetë. Në të njëjtën vazhdë, opozitës t’i besohet dhe një komision hetimor për dosjen e ARMO-s. Është e vështirë për maxhorancën, sidomos kur ka fuqinë absolute të bëjë të tilla kompromise në favor të opozitës. Por kur mendon lëshimet që arrinin dhe bënin dy superfuqitë gjatë Luftës së Ftohtë, për të evituar përplasjet ushtarake, rasti i zënkave maxhorancë–opozitë në Shqipëri duket anektodik. Nëse maxhoranca mendon dhe përpiqet sinqerisht për hapjen e negociatave, është në dorën e saj të bëjë “paqen e të urtëve” me opozitën, duke bërë lëshimet e mësipërme të paktën për gjashtë muajt në vazhdim, sa të marrim përgjigjen nga Europa.

BOMBA E DJEGIES SË MANDATAVE

Në të kundërt, do i takonte opozitës të lëvizte. Por jo me protesta si ajo e së shtunës që nuk çojnë asgjëkundi. Nëse opozita do vërtetë një “bing bang”, domethënë largimin e kësaj maxhorance me zgjedhje të parakohshme, ajo ka vetëm një ‘xhoker’ në dorë. Djegien e mandatave. Të jetë e sigurt opozita, se pas një braktisjeje masive të Parlamentit, Europa do t’ia fuste këpucët në një këmbë Edi Ramës, që ky të gjejë një zgjidhje një orë e më parë, pasi është e paimagjinueshme për Europën të lejojë një vend kandidat të funksionojë për katër vjet me një Parlament gjysmak. Ky propozim është hedhur disa herë në klasën politike. Së pari, nga parti të tjera të opozitës, siç është rasti i “Zgjidhjes”, që e ka ngritur braktisjen e Kuvendit në një nga kushtet për t’iu bashkuar frontit opozitar të PD-së dhe LSI-së. Por, dhe nga vetë brenda radhëve të PD-së, ka qenë Sali Berisha që e ka përmendur variantin e djegies vullnetarisht të mandateve të deputetëve të opozitës, si mjeti i fundit për të “thyer” Ramën. Por as Basha, as Kryemadhi nuk duken të gatshëm të sakrifikojnë mandatet e deputetëve, duke shkaktuar një frustrim të kuptueshëm tek ithtarët e tyre. E megjithatë, këtë dy liderë duhet të japin shembullin se dhe ata janë të gatshëm të sakrifikojnë, të heqin dorë nga avantazhet që u jep të qenurit deputet, për të qenë më pas më të besueshëm kur u kërkojnë sakrifica militantëve për të mbushur sheshet. Partitë opozitare në Parlament, janë zhytur kështu në një diskurs kontradiktor: zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë legjitime, Kuvendi nuk është legjitim, por ama mandatet e deputetëve të tyre janë legjitime.

KONKLUZION

Në këtë shkrim, u përpoqa të hap disa perspektiva për daljen nga qorrsokaku ku duket se kanë hyrë bashkërisht, maxhoranca dhe opozita. Por gjëja më e mundshme që do të ndodhë, është një statu kuo, deri më 2019. Fushata e zgjedhjeve bashkiake, do të jetë një kapitulli i ri i një krize të re të ankthshme politike, nëse të paktën çështja e reformës zgjedhore nuk do të jetë adresuar gjatë kësaj kohe. Për sa i përket negociatave me BE-në, hapja apo moshapja e tyre, pas disa muajsh, nuk do te ketë asnjë domethënie konkrete për përparimin apo qëndrimin vendnumëro të Shqipërisë, ndonëse maxhoranca dhe opozita do ta politizojnë në maksimum këtë dosje. Vetë Europa mban zgjedhje më 2019, ato europiane, dhe Komisioni Europian do të bëjë ç’është e mundur që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë të hapen para 2019-ës. Arsyeja është se nëse partitë euroskeptike fitojnë maxhorancën në Parlamentin e ardhshëm Europian, ekziston rreziku që ai Parlament ekstremist të votojë një pezullim pa afat të proceseve të hapjes së negociatave për integrim në Ballkanin perëndimor. Në Francë, shefi i opozitës që ka zëvendësuar Sarkozinë, në krye të së djathtës franceze, u shpreh këto ditë, se partia e tij do të bëjë fushatë gjatë “europianeve” me sloganin “stop hapjes së negociatave me vendet e Ballkanit”. Koha nuk pret, ndaj Komisioni Europian po shpejton dhe po tregohet kaq “realpolitik” e dashamirës me Shqipërinë e Edi Ramës dhe me këtë të fundit. Është momenti që edhe opozita të përfitojë, duke vënë kushtet e saj, por jo duke kërkuar të pamundshmen. Edi Rama nuk bie me protesta, por, të paktën, të detyrohet me anë të Europës, që ai të lëshojë një reformë zgjedhore në favor të opozitës. Me shpresën kështu që të bjerë në zgjedhjet e ardhshme, pa u ndihmuar nga kodi elektoral aktual. Por dhe me kushtin gjithashtu, që opozita të paraqitet me programe të reja dhe me fytyra politikanësh të pakonsumuara, për të mos thënë të padiskredituara…

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi