Dy standarde për zbatimin e ligjit

Nga Florjan Kalaja, botuar në Panorama, 26 janar 2018

Ndërkohë që po hulumto ja në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese për të kuptuar qëndrimin e saj mbi zbatimin në kohë të vendimeve shfuqizuese të saj, konstatova se në dy muaj të ndryshëm të të njëjtit vit, të njëjtët gjyqtarë kishin vendosur ndryshe. Qëndrimet ishin diametralisht të kundërta dhe paqartë- sia në vend që të sheshohej, u thellua. Në librin që po përfundoja (Dilema Kushtetuese II) nuk kishte se si të mos e pasqyroja këtë kontradiktë të të njëjtëve gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke mos rrokur dot arsyet dhe pse-të e një ndodhie të tillë.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit organik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm mundet të shfuqizojnë aktet ligjore, nënligjore apo vendimet gjyqësore që ajo shqyrton. Sipas Kushtetutës dhe ligjit organik, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si rregull, nuk kanë fuqi prapavepruese dhe hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare. Megjithatë, ligji organik ka parashikuar se, si përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, vendimi shfuqizues i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi prapavepruese vetëm:

a) ndaj një dënimi penal edhe gjatë kohës që është në ekzekutim, nëse ai lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e ligjit ose të aktit normativ të shfuqizuar;

b) ndaj çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat, derisa vendimet e tyre nuk janë përfundimtare dhe të formës së prerë;

c) ndaj pasojave ende të paezauruara të ligjit apo aktit normativ të shfuqizuar. Rastet shkronja janë marrë sipas formulimit të ndryshuar të ligjit organik në fundin e vitit 2016. Megjithatë, formulimi ka qenë i njëjtë dhe se nga ndryshimet është ndryshuar përmbajtja e shkronjës “c”, duke u shtuar krahas togfjalëshit “i formës së prerë” dhe mbiemri “përfundimtar” dhe lidhëza “dhe”.

Pikërisht te ky ndryshim ligjor kuptova historinë kontradiktore të jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, që detyroi ligjvënësin të ndryshonte ligjin. Bëhet fjalë për çështjen nëse zbatohet apo jo një vendim i Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimi gjyqësor objekt ankimi individual kushtetues ka marrë formë të prerë dhe se megjithatë ndaj tij është ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë.

Thënë ndryshe, nëse gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe të dytë është zbatuar një ligj, i cili më vonë është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues, dhe vendimi i Gjykatës së Apelit, i cili është i formës së prerë, ankimohet në Gjykatën e Lartë, a mundet kjo e fundit të mos e marrë parasysh ligjin e shfuqizuar tashmë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo është e detyruar ta respektojë këtë të fundit? Para ndryshimeve ligjore të vitit 2016, ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikonte se vendimi i saj kishte fuqi prapavepruese për sa kohë vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë.

Ndërkohë, legjislatori ndërhyri në këtë parashikim dhe vendosi që, edhe pasi të ketë marrë formë të prerë vendimi gjyqësor, sa kohë që ai është objekt gjykimi në Gjykatën e Lartë, çështja do të zgjidhet sipas vendimit shfuqizues të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka fuqi prapavepruese për sa kohë një çështje po shqyrtohet në juridiksionin fillestar dhe rishikues të pushtetit gjyqësor. Sot, pas ndryshimeve ligjore, problemi ngjan të jetë i qartë. Por para ndryshimeve ligjore kjo normë zbatohej nga Gjykata Kushtetuese “edhe kështu, edhe ashtu”.

Problemin më të madh në këtë çështje e kanë pasur dhe e kanë ligjet procedurale, që nxitojnë të shquajnë vendim të formës së prerë vendimet që jep Gjykata e Apelit, edhe pse ndaj tyre lejohet ankim në Gjykatën më të Lartë, që do të thotë se në të vërtetë nuk janë vendime të formës së prerë. Megjithatë, për Gjykatën Kushtetuese parashikimi ligjor i gabuar nuk mundet të jetë justifikim, pasi ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe se ligji është kurdoherë objekt gjykimi i tyre.

Në Vendimin Nr. 12, datë 19.03.2015, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se, edhe pse ligji organik i saj përcaktonte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shfuqizon një ligj ka fuqi prapavepruese deri sa vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë, në të vërtetë duhet që edhe pasi vendimi gjyqësor të ketë marrë formë të prerë dhe është objekt gjykimi në Gjykatë të Lartë, kjo e fundit duhet të zbatojë në zgjidhjen e çështjes vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk mundet të zbatojë ligjin e shfuqizuar si antikushtetues, të cilin e kanë zbatuar sa ka qenë në fuqi Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit.

Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë një vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të marrë në dhomë këshillimi, për arsye se nuk kishte zbatuar, pavarësisht se rekursuesi nuk e kishte parashtruar në rekurs, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pas dhënies së vendimit të Gjykatës së Apelit kishte shfuqizuar një dispozitë në Kodin Penal, që parashikonte detyrimin apriori të gjykatës për të caktuar në disa raste dy dënime penale kryesore.

Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera, u shpreh se: “Pavarësisht se kërkuesi nuk e ka parashtruar në rekurs këtë fakt, për shkak se rekursi ishte ushtruar para hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kërkuesi nuk mund të ishte në dijeni të tij, Kolegji Penal ex officio duhej të kishte vlerësuar antikushtetutshmërinë e vendimeve të gjykatave të faktit, pasi çështja ishte ende në gjykim para Kolegjit Penal”. Nuk ka se si ky interpretim i zgjeruar, pajtues dhe kushtetues i kufirit ligjor “vendim gjyqësor i formës së prerë” nga Gjykata Kushtetuese të mos meritojë dafina. Por, në më pak se një muaj më vonë, gjithçka shndërrohet në të kundërtën e këtij interpretimi.

Në Vendimin nr. 17, datë 15.04.2015, Gjykata Kushtetuese mbajti qëndrimin se vendimi i saj që shfuqizon një ligj nuk mundet të ketë fuqi prapavepruese pas momentit që ligjet procedurale përcaktojnë se vendimi gjyqësor merr formë të prerë. Kjo do të thotë se Gjykata Kushtetuese vendosi krejt në kundërshtim nga ç’kishte vendosur në më pak se një muaj më parë, duke vendosur precedentin e paprecedentë që vendimi i ankimuar, por i formës së prerë, në Gjykatën e Lartë do të shqyrtohet sipas ligjit të shfuqizuar si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

Në këtë rast, kërkuesi kishte rekursuar vendimin e Gjykatës së Apelit, duke pretenduar në rekurs se ligji me të cilin ishte zgjidhur çështja e tij ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në dhomë këshillimi kishte vendosur mospranimin e rekursit, pavarësisht se çështja ishte zgjidhur sipas ligjit të shfuqizuar si antikushtetues.

Gjykata Kushtetuese argumentoi se: “Në përputhje me parashikimet e nenit 449 dhe 451 të KPC-së, vendimi i Gjykatës së Apelit është i formës së prerë dhe ushtrimi i rekursit ndaj tij pranë Gjykatës së Lartë nuk ka efekt pezullues… Gjykata e Apelit Tiranë e ka shpallur vendimin e saj përpara se të hynte në fuqi vendimi nr. 27/ 2010 i Gjykatës, i cili shfuqizoi dispozitën ligjore që lejonte kompetencën e drejtorit të AKKPsë për shfuqizimin e vendimeve të ish–KKKPsë. Duke qenë se kjo kompetencë e drejtorit të AKKP-së nuk ishte deklaruar antikushtetuese në kohën e gjykimit në Apel dhe në datën e shpalljes së vendimit nga Gjykata e Apelit, kjo e fundit ka zbatuar ligjin e kohës që ka qenë në fuqi.

Në këto kushte, bazuar në arsyetimin e mësipërm, Gjykata çmon se nuk ndodhet përpara cenimit të sigurisë juridike, në kuadër të procesit të rregullt ligjor. Për rrjedhojë, pretendimi i kërkuesve në këtë drejtim është i pabazuar”. Duke pasur parasysh se jurisprudenca kushtetuese është pothuaj amendament i Kushtetutës për çështjet që interpreton dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të pandryshueshme, nuk ka arsye të rrokshme për të sqaruar se pse të njëjtët gjyqtarë, nën të njëjtat rrethana dhe kushte, thonë një herë kështu dhe një herë ashtu (përveç gjyqtarëve të mbetur në pakicë në vendimin e dytë).

Akoma më shumë nuk rroket dot arsyeshëm se pse të njëjtët gjyqtarë në një vendim vendosin të bëjnë interpretim kushtetues, duke e pranuar ankimin individual kushtetues, dhe në më pak se një muaj ditë vendosin të bëjnë interpretim antikushtetues, duke rrëzuar ankimin individual kushtetues. Nuk ka asnjë arsye që të justifikojë dy standardet e zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës nga Gjykata Kushtetuese. E për të ndrequr këtë anomali, në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese interpretoi Kushtetutën dhe ligjin, protagonist u bë Kuvendi me ndryshimet e fundit të vitit 2016.

Krahas togfjalëshit “vendim gjyqësor i formës së prerë” u shtua edhe togfjalëshi “dhe përfundimtare”, për të krijuar idenë se, për sa kohë një çështje është në shqyrtim në juridiksionin fillestar dhe rishikues të pushtetit gjyqësor, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet me fuqi prapavepruese dhe se fundi i fuqisë prapavepruese i vendimit shfuqizues të Gjykatës Kushtetuese është atëherë kur pushteti gjyqësor ezaurohet. Megjithëse ndërhyrja ligjore ishte qëllimmirë, ajo nuk ishte zgjidhja e problemit kushtetues që ka Shqipëria me institutin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, që në të vërtetë nuk është i formës së prerë.

Ajo që duhet të ishte adresuar si zgjidhje, është ndryshimi i ligjeve procedurale, ku vendimi gjyqësor i formës së prerë të bëhej i formës së prerë dhe kështu ligji organik i Gjykatës Kushtetuese nuk do kishte arsye dhe nevojë të prekej. Kjo fabul ndodh gjithmonë kur vendimmarrësit nuk ndreqin shkakun, por merret me pasojën. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka dështuar të kryejë misionin e saj në këtë çështje do të duhet akoma të presim protagonizmin e radhës të Kuvendit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi