“Strategjia e re e Europës për Ballkanin e ka keqkuptuar dinamikën në rajon”
Nga Toby Vogel, botuar ne reporter.al, 22 janar 2018
Muajin e ardhshëm, Komisioni Europian do të miratojë një strategji të re të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Dokumenti, hartuar nga drejtoria për zgjerimin e Komisionit, kryesuar nga Johannes Hahn, po shqyrtohet nga departamentet e tjera dhe ka pak gjasa të pësojë ndryshime të mëdha. Pritet që të miratohet nga Komisioni më 6 shkurt.
Thelbi i strategjisë është që në rastin më të mirë Mali i Zi dhe Serbia të pranohen në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2025.
Por që të ndodhë kjo, Serbia do të duhej të arrinte brenda vitit 2019 “normalizimin e plotë të marrëdhënieve” me ish-provincën e saj, Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Hartuesit qartazi nuk kanë mungesë ambicie. Edhe para vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, kishte pak oreks nga pala serbe për kompromis mbi pyetjen kyçe të njohjes së pavarësisë së Kosovës; vdekja e tij më 16 janar mund të sigurojë një pretekst që serbët të vonojnë edhe më tej bisedimet, duke krijuar hapësirë për ide të rrezikshme të përçarjes.
Vënia e një date pranimi për dy kandidatët kryesorë është një kthesë e madhe për BE-në. Në dekadën e shkuar, pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në 2007, që shumë vende anëtare e panë si të papjekur dhe të nxitur nga afate artificiale, Komisioni shmangu vënien e datave.
Pse u ndje i detyruar të hiqte dorë nga kjo politikë, strategjia nuk e shpjegon – megjithëse një përgjigje e kënaqshme mund të jetë mungesa e një date pranimi mund të ketë shuar shpresat për anëtarësim të mundshëm, që strategjia aktuale e ngjall.
“Një perspektivë e besueshme pranimi është nxitja kyçe e transformimit në rajon,” thotë dokumenti.
Strategjia thekson se zgjerimi është “një investim gjeostrategjik në një Europë të fortë, të bashkuar, bazuar në vlera të përbashkëta dhe një mjet i fuqishëm për të promovuar demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave thelbësore”.
Më pas, strategjia thekson se BE-ja “duhet të mbetet e besueshme, e vendosur dhe e drejtë, ndërsa përmirëson politikat për të mbështetur procesin e transformimit në rajon”.
Kjo pranon se qasja aktuale është e pamjaftueshme për të ndihmuar vendet e Ballkanit në rrugën drejt demokratizimit të plotë.
Përdorimi i termit “transformim”, dhe në vend të termit reforma, është gjithashtu e rëndësishme dhe e mirëpritur.
Gjashtë shtetet e Ballkanit që janë kandidatë aktualë ose potencialë për anëtarësim në BE – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – sigurisht që kanë nevojë për transformim të thellë nëse dëshirojnë të bëhen demokraci të qëndrueshme.
Është shumë e saktë të theksohet në dokument se “forcimi i sundimit të ligjit nuk është vetëm institucional”, por “kërkon transformim shoqëror”.
Megjithatë, edhe këto pika të përgjithshme në programin e strategjisë e keqkuptojnë dinamikën e vërtetë në Ballkan.
Diskutimi i “transformimit” si një proces që po zhvillohet dhe që thjesht ka nevojë për më shumë mbështetje nga BE-ja është një keqkuptim serioz i situatës.
Shumica e reformave që po ndodh te vendet kandidate për në BE është “duke bërë gjoja” për hir të Brukselit.
Ka përjashtime edhe këtu – për shembull, Shqipëria është në mes të reformës në drejtësi dhe qeveria e re e Maqedonisë paraqitet si e përkushtuar për ndryshime transformuese.
Por, në vendet e tjera, kryesisht në Serbi dhe Kosovë, reforma ka tendencë të jetë sipërfaqësore ose e copëtuar ku angazhimi i elitave aktuale për anëtarësimin në BE apo për sundimin e ligjit është i dyshimtë. Bosnja, nga ana tjetër është e mbërthyer në harrëse pas-Dejtonit.
Strategjia e Komisionit përmend kapje të shtetit nga interesat personale dhe nga natyra thellësisht e korruptuar e politikës në të gjithë rajonin, por nuk ofron një mendim të ri si mund të trajtohet kjo. Në kushtet e tanishme, duket e dyshimtë që një perspektivë e besueshme pranimi të nxisë reforma, e jo më transformim në këto vende.
Ka dhe kleçka më të vogla në strategji. Për shembull, thuhet në mënyrë kategorike: “BE nuk mund dhe nuk do të hyjë në mosmarrëveshje dypalëshe.” Por kjo ka ndodhur – nga Qiproja e përçarë te mosmarrëveshja për ujërat territoriale ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë. Udhëheqësit e rajonit “duhet gjithashtu të luftojnë kundër narrativave nacionaliste dhe retorikës nxitëse” – por çfarë ndodh nëse ata nuk veprojnë? A do të reshtë BE-ja së trajtuari presidentin e Republika Srpska, Milorad Dodik, si lider të një vendi të pavarur? A do të ndërpresë bashkëpunimin me të fortët si Aleksandër Vuçiç i Serbisë?
Shembulli i Maqedonisë, ku BE-ja tani po merr lëvdata për rrëzimin e një regjimi të lig, tregon se në çfarë ujërash të errëta duhet një lider të zhytet përpara se BE-ja të ndërpresë lidhjet me të. [Mes skandalit të përgjimit, kancelari aktual i Austrisë, Sebastian Kurz, ndihmoi për fushatë Nikola Gruevskin, kryeministrin e atëhershëm.]
Në fund, mund të them se ky dokument strategjik nuk ka rishikuar siç duhet politikat, por propozon ndryshime relativisht të vogla ndaj qasjes aktuale, kombinuar me një kthim të politikës së para vitit 2007 të vënies së datave të pranimit. Ndërsa përmban shumë elementë të mirë për sundimin e ligjit, bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin, Komisioni ka dështuar sërish të zhvillojë një qasje të duhur strategjike për Ballkanin.