Parlamenti dhe përfaqësimi politik në Shqipëri
Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e ambasadës së Mbretërisë së Holandës ka realizuar monitorimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe të aktivitetit parlamentar gjatë sesionit shtatordhjetor 2017. Monitorimi do të vijojë edhe gjatë sesioneve të tjera deri në shtator 2020. Për herë të parë në Shqipëri ISP ka realizuar platformën online të monitorimit, www.deputetim.al, e cila mund të jetë në dispozicion të çdo qytetari që posedon një telefon ose pajisje android dhe Iphone, si dhe të atyre që kanë akses në internet. Portal ofron informacione cilësore mbi aktivitetin parlamentar, kryesisht mbi deputetët, angazhimin e tyre profesional, rolin në politikë, përfaqësimin politik dhe raportet e tyre me elektoratin, me partinë, si dhe me publikun. Risi e këtij monitorimi është gjithashtu përpjekja për të krijuar një sistem standard vlerësimi për nivelin e efikasitetit të punës së deputetëve, bazuar në një metodologji të qëndrueshme dhe përfaqësuese, si dhe duke rifreskuar pas çdo sesioni parlamentar. Në fund të legjislaturës qytetarët do të kenë mundësi të njihen me klasifikimin e deputetëve sipas nivelit të efikasitetit të punës së tyre. ISP ka kryer edhe më parë procesin monitorues të Kuvendit (vitet 2016-2017 në legjislaturën e kaluar) dhe ka përvojë me praktikat monitoruese, me bashkëpunimin me Kuvendin dhe në raportet zyrtare me deputetët. Projekti i ri na lejon të bëjmë krahasime dhe të dallojmë ndryshimet që kanë ndodhur edhe në raportet tona me deputetët e Kuvendin, si dhe me përpjekjet e objektit monitorues për të qenë më korrekt me Rregulloren e Kuvendit dhe me Ligjin mbi Statutin e Deputetit.
Këtu keni tekstin e plotë të këtij Raporti: