Prof. Dr. A. Civici: Konflikti politik mund të cenojë trendin pozitiv të rritjes
Botuar në Monitor, 15 janar 2018
Flet Prof. Dr. Adrian Civici: Politikat ekonomike duhet të synojnë dy elemente thelbësore: rritjen e prodhimit dhe punësimit, si dhe transformimin e rritjes ekonomike në zhvillim dhe mirëqenie.
Tendencat e “sjelljes ekonomike” apo “reagimit ekonomik” janë të kushtëzuara nga prania dhe efektet e pritshme të një sërë faktorësh e politikash. Duke përjashtuar thellimin e konfliktualitetit politik që mund të bëhet faktor nxitës i një sërë fenomenesh negative ekonomike, 2018 pritet të jetë një vit “normal”, analizon Prof. Dr. Adrian Civici.
Rritja ekonomike pritet të vijojë në nivelet 3.5 – 4%, shifër plotësisht e mundshme për kapacitetet e ekonomisë shqiptare, papunësia mund të vazhdojë të ulet, duke qëndruar në intervalin 11 – 12%, ndërsa si shqetësime të mundshme të pritshme, Civici vlerëson dobësitë në thithjen e IHD, qartësimi institucional dhe financiar i kushteve dhe procedurave të realizimit të PPP, vështirësitë në realizimin e planit të të ardhurave buxhetore, fillimin e uljes së përqindjes së borxhit publik në raport me PBB, përdorimi eficient i investimeve publike dhe zgjerimi i kreditit bankar, reduktimi i informalitetit.
Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin që lamë pas?
Ekonomia shqiptare në vitin 2017 u ndikua nga 4 faktorë të rëndësishëm: mbyllja e marrëveshjes me FMN, që u vlerësua si e suksesshme dhe e frytshme për ekonominë dhe financat e vendit; zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të muajit qershor 2017, të shoqëruara me një situatë politike mjaft konfliktuale që ndikoi ndjeshëm në paralizimin e ekonomisë dhe bllokimin e shumë proceseve dhe politikave ekonomiko-financiare dhe sociale; tensioni i vazhdueshëm politik, i pasqyruar gjerësisht edhe në Parlament në lidhje me reformën në drejtësi; ndryshimi drastik i strukturës së qeverisjes dhe ndërtimit të Ministrive, agjencive e institucioneve të ndryshme shtetërore e qeveritare. Këta faktorë krijuan mjaft “frena” për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë 2017-s, duke topitur disa nga potencialet e saj më të rëndësishme.
Më konkretisht, do të nënvizoja se elemente pozitive ekonomike e financiare gjatë 2017-s mund të veçojmë: realizimin e një rritje ekonomike prej 3.7% që, gjithsesi, është një shifër pozitive, ecurinë e mirë të sektorit të turizmit, realizimin e disiplinës buxhetore edhe në një vit të vështirë elektoral, tendencat pozitive në punësim dhe luftën ndaj informalitetit, disa hapa përpara në procesin e integrimit dhe bashkëpunimit europian e ballkanik, vijimi i ngushtimit të deficitit tregtar, ecuria e suksesshme e investimeve në dy projektet madhore TAP dhe kaskada e Devollit, etj. Ndërsa si elemente negative do veçoja: topitja e konsumit të brendshëm dhe ulja e pagës mesatare në shkallë vendi, niveli i inflacionit nën 2%, niveli i dobët i kreditimit të ekonomisë, rritja e barrës fiskale, problemet e shfaqura në klimën e biznesit, sidomos me çështjen e pronave dhe korrupsionin e represionin fiskal, ngadalësia e realizimit të investimeve publike dhe zvarritja e mbarimit të disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, paqartësitë dhe debati i tensionuar politik për PPP dhe koncesionet, luhatjet në vënien nën kontroll të borxhit publik, rezultatet mjaft modeste në reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin e ekuilibruar territorial.
Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë më 2018 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe zhvillimet në tregjet e huaja në rritjen ekonomike të vendit?
Tendencat e “sjelljes ekonomike” apo “reagimit ekonomik” janë të kushtëzuara nga prania dhe efektet e pritshme të një sërë faktorësh e politikash. Duke përjashtuar thellimin e konfliktualitetit politik që mund të bëhet faktor nxitës i një sërë fenomenesh negative ekonomike, 2018 pritet të jetë një vit “normal”, ku pritet të shfaqen disa tendenca: vazhdimi i rritjes ekonomike në nivelet 3.5 – 4%, shifër plotësisht e mundshme për kapacitetet e ekonomisë shqiptare, papunësia mund të vazhdojë të ulet duke qëndruar në intervalin 11 – 12%, ruajtja e parametrave të deficitit buxhetor dhe borxhit publik, thellimi i masave dhe politikave antiinformalitet, përmirësimi në sektorin e energjisë dhe shërbimeve, përmirësimi relativ i situatës ekonomike e financiare në Eurozonë dhe BE, e cila pritet të japë efekte pozitive edhe në Shqipëri, thellimi i mëtejshëm i “Procesit të Berlinit” dhe atij të integrimit europian, etj. Ndërsa si shqetësime të mundshme të pritshme mund të evidentoj: dobësitë në thithjen e IHD, aq më tepër që nevojë imediate e ekonomisë shqiptare është zëvendësimi i dy prej IHD më të rëndësishme si TAP dhe kaskada e Devollit, të cilat përfundojnë gjatë vitit 2018, qartësimi institucional dhe financiar i kushteve dhe procedurave të realizimit të PPP, vështirësitë në realizimin e planit të të ardhurave buxhetore, fillimi i uljes së përqindjes së borxhit publik në raport me PBB, përdorimi eficient i investimeve publike dhe zgjerimi i kreditit bankar, reduktimi i informalitetit dhe shkëputja e aktivitetit ekonomik e financiar nga efektet e parave me origjinë të dyshimtë nga droga, kriminaliteti, pastrimi i parave, etj.
Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë?
Sfidat dhe shanset kryesore të cilat besoj se do t’i kemi përballë edhe në 2018, do t’i përmblidhja në disa drejtime kryesore: përfshirja sa më inteligjente dhe cilësore e ekonomisë dhe strategjive të zhvillimit ekonomiko-social, në proceset integruese e konvergjencën ekonomike në rajon dhe BE, përfitimi maksimal nga projektet dhe bashkëpunimi në kuadrin e “Procesit të Berlinit”, rritja e investimeve në degë e sektorë ekonomikë, me teknologji të lartë e inovative, çka nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës të paguara më mirë se vendet e punës në industrinë e fasonit, politika të miradresuara për reduktimin e varfërisë dhe ngushtimin e diferencave sociale e territoriale, e thënë ndryshe zbatimi i politikave të cilësuara si “rritje ekonomike gjithëpërfshirëse”, stopimin e ndryshimeve të shpeshta dhe shpesh të paargumentuara e studiuara të sistemit fiskal e tatimor, fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi që, me siguri, do japë efektet e saj edhe në çështjet ekonomike e administrative, përfshirë këtu dhe klimën e biznesit, e cila në shumë raste “infektohet rëndë” pikërisht nga korrupsioni, arbitrariteti dhe moszbatimi i ligjit, etj.
Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike në mënyrë që prosperiteti të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm për të gjithë?
Duke ndjekur sensin e pyetjes suaj, mund të them se pikërisht, një nga mangësitë e mëdha të politikave ekonomike dhe strategjive të zhvillimit të Shqipërisë ka qenë dhe “vështirësia për ta përkthyer rritjen ekonomike në punësim e mirëqenie gjithëpërfshirëse”. Fatkeqësisht, me gjithë rezultatet pozitive të pamohueshme, ka mjaft momente kur Shqipëria është klasifikuar në grupin e vendeve “me rritje ekonomike varfëruese”, që do të thotë në grupin e atyre vendeve që, megjithëse kanë rritje ekonomike pozitive, përsëri prodhojnë pabarazi sociale e territoriale, emigracion të jashtëm e migrim të brendshëm të fortë, etj. Në këtë këndvështrim, politikat ekonomike duhet të synojnë dy elemente thelbësore: rritjen e prodhimit dhe punësimit, dhe transformimin e rritjes ekonomike në zhvillim dhe mirëqenie. Në debatet dhe analizat e specializuara ndërkombëtare, dedikuar çështjeve të zhvillimit ekonomik e social, aktualisht dominojnë dy fjalë çelës që garantojnë suksesin: “ngritja dhe funksionimi i institucioneve gjithëpërfshirëse” dhe “rritja ekonomike gjithëpërfshirëse”. Mendoj se në të dy rastet, ne kemi shumë për të bërë për ta vendosur në shina të qëndrueshme zhvillimin tonë ekonomiko-social.
A po ndjek Shqipëria modelin e duhur ekonomik dhe a përbën rrezik riorientimi i likuiditeteve drejt sektorit të ndërtimit, sidomos në banesa?
Modeli ekonomik është nocion shumë i gjerë, ndërkohë që sfida jonë ka të bëjë me “modelimin e ekonomisë”, ose e thënë ndryshe me strukturën dhe masën e ndikimit të degëve e sektorëve të ndryshëm në PBB. Ka ardhur koha që të dalim përtej konstatimeve e sugjerimeve teorike tashmë 10-vjeçare për këtë çështje dhe t’i konkretizojmë ato në politika ekonomike e buxhetore konkrete. Besoj se tashmë e kemi përvojën negative të orientimit të likuiditeteve në mënyrë rastësore apo koniunkturore në drejtime të ndryshme si sektori ndërtimit, karburantet, restorantet e baret, etj. Duhet të jemi më të përgatitur për të ditur të lexojmë “sinjalet apo mesazhet e tregut dhe çmimeve” duke i përkthyer ato në investime cilësore eficiente dhe politika të zgjuara fiskale, menaxheriale e institucionale.