Mjerimi intelektual i politikës shqiptare!

Nga Sherif Bundo, botuar në Panorama, 10 janar 2018

Përse i qëndroni larg politikës, ju profesorët dhe intelektualët? Çfarë prisni? Vërtet, ju keni një pozitë intelektuale të veçantë, falë punës, pasionit dhe përkushtimit tuaj, por për ju ka investuar gjithë shoqëria. Keni më shumë përgjegjësi për vendin”. Ishte një pyetje që më bëri një mik i vjetër, njeri i thjeshtë, por patriot dhe shumë i zgjuar. I zgjuar prej natyrës dhe prej arsimimit njëherësh. Nuk dija çfarë t’i thosha aty për aty. Ju përgjigja thjesht: ti e sheh se kush e bën politikën dhe se në çfarë mjedisi po luhet ajo? Por, as vetë nuk ngela i kënaqur nga kjo përgjigje që i dhashë.

DISA PYETJE

Në fakt, pyetja e mësipërme më bëri të mendohem gjatë dhe më vuri në një lloj reflektimi. Nuk bëhet fare fjalë vetëm për mua, personalisht dhe si individ. Pyetja shtron për diskutim në brendinë e vet një problem të madh filozofik, atdhetar, progresist, perspektiv dhe dobiprurës. Përse niveli intelektual i politikës së sotme shqiptare është kaq mjeran? Përse publiku ka sot, më shumë se asnjë herë tjetër, perceptimin më të keq për politikën dhe besueshmërinë më të ulët për të? Përse ka humbur shpresa e rinisë?

Përse, shumica absolute e të rinjve duan të largohen nga vendi? A është vërtet elita intelektuale shqiptare në rolin e vet elitar? Cili është idhulli i rinisë së sotme? Çfarë e frymëzon atë? Ngjarjet e ditëve, javëve dhe muajve të fundit të dëshpërojnë akoma më shumë. Niveli i diskutimeve dhe veçanërisht i fjalorit, është mjaft i ulët. Ka varfëri idesh dhe alternativash. Krahët politike i ngjajnë dy trenave, që ecin me shpejtësi në drejtime të kundërta.

Po t’i studiosh me vëmendje si sillen, si flasin dhe si punojnë, politikanët tanë të ngjajnë me specie jashtëtokësore. Ata duket sikur kanë për mision çdo gjë, vetëm interesat dhe shqetësimet e publikut jo. Në pamje të jashtme hiqen si kompetentë, në thelb ka një boshllëk të madh. Në bindjen time, vendi ynë ka disa linja, disa probleme qendrore, disa boshte strategjike, të paprekshme. Në disa drejtime, politika nuk duhet të ketë dallime, duhet të jetë e urtë dhe e bindur ndaj publikut dhe nevojës në rritje të mirëqenies së tij.

Nuk ka vend për dallime në të majtë dhe të djathtë, kur është fjala për integrimin në Bashkimin Europian, për çështjen kombëtare, kur është fjala për politikën e jashtme, kur është fjala për qëndrimin ndaj ekonomisë dhe modelit ekonomik të zhvillimit, kur është fjala për ndotjen dhe mbrojtjen e mjedisit, për qëndrimin ndaj tokës, turizmit, rregullit urbanistik të zonave urbane dhe rurale, për ujin e pijshëm, për brezin e tretë, për shkollën dhe spitalin publik, për kulturën dhe edukatën tatimore, kur është fjala për rritjen e mirëqenies, kur është fjala për strukturën e ekonomisë sonë, kur është fjala për qëndrimin ndaj biznesit, etj, tema që përbëjnë në fakt thelbin e qenies sonë kombëtare.

Në fakt, nuk ndodh kështu. Pozita dhe opozita janë komplet në pozicione të kundërta, edhe sikur të provokohet një diskutim i thjeshtë dhe teknik, si në se duhet apo jo të bjerë shi? Pse kështu? Pse kaq keq? Pse vjen çdo vit në rënie niveli intelektual i përfaqë- simit politik në vendin tonë? Përse, vërtet përse, kemi pasur nivel kaq të lartë të politikanëve të inkriminuar? Si ka mundësi që në listat e deputetëve të legjislaturës së kaluar, mbi 32 deputetë kishin rekorde kriminale?

Si ka mundësi që partitë politike dhe kryetarët e tyre gërmojnë në llumin e shoqërisë, dhe nga aty nxjerrin kandidatët e tyre, që i promovojnë për poste të larta apo për deputetë? Emra deputetësh, që dëgjohen për herë të parë kur botohen listat për deputetë. Nuk e përgjithësoj. Sigurisht, në politikë ka edhe një minorancë, njerëz të shkolluar dhe të ndershëm, por ata ndihen, janë dhe do të vazhdojnë të jenë në hije dhe pa zë. Nuk është klima e tyre. (Sigurisht te grupi i fundit nuk është fjala për ata që iu kaloi jeta duke u hequr zvarrë).

JO GOMARI PARA KALIT

Duhet t’i themi me zë të lartë të vërtetat e vërteta. Mentaliteti që dominon politikën shqiptare, është mentaliteti servil. Kjo sëmundje, që është përhapur jo pak, rrezikon të infektojë gjithë shoqërinë. Dominon mentaliteti, mos e kundërshto shefin. Në se kundërshton, ngele jashtë liste, je i humbur. Ka fituar terren një mendësi e tillë: Lëre, mos u merr me të. Ti nuk ke nivelin e tij. Ai është nivel mediokër, nuk e sheh çfarë fjalori përdor? Me këtë nivel do të përzihesh? Jo, të dashur miq! Jo, asnjëherë jo, të respektuar kolegë.

Mentaliteti, “hapini rrugën budallait”, po na çon në rrugë të gabuar, po na çon në greminë. Nuk bëhet fjalë për punët në shtëpitë dhe apartamentet tona, apo brenda familjes. Bëhet fjalë për politikën, për veprimtarinë publike të individëve. Bëhet fjalë për shtetin. Në se do vazhdojmë të heshtim, në se do të vazhdojmë t’i hapim rrugë çdokujt, në se do lëmë që për shkencën të flasin nivelet mediokre, për strategjitë e zhvillimit njerëzit pa kualifikim, për zhvillimin urban jo inxhinierët, për tatimet dhe taksat jo ekonomistët dhe financierët, për mjedisin jo biologët dhe ekologjistët, për turizmin “sharrëxhinjtë”, për prodhimet bio tregtarët e herbicideve, për rendin trafikantët, për drejtësinë kriminelët, e kështu me radhë, atëherë duhet të pranojmë që i jemi nënshtruar mentalitetit, “hapini rrugën budallait”.

Madje, këtë mentalitet, kemi lejuar të kthehet në filozofi qeverisëse. Sigurisht, intelektualët nuk mund të përdorin fjalor rruge, fjalor “të forti” dhe nuk mund të manifestojnë sjellje të pakultivuara. Nuk mund të kafshosh qenin që të kafshon. Por, gomari nuk duhet lejuar gjithnjë të dalë para kalit. Në botën intelektuale, në mjediset universitare, ka me dhjetëra dhe qindra intelektualë dhe profesorë dinjitozë, autoritarë dhe profesionistë shumë të mirë në fushat e tyre, të ndershëm, punëtorë dhe vizionarë. Ka me dhjetëra dhe qindra pedagogë dhe doktorë shkencash, të respektuar nga mjedisi ku punojnë dhe nga studentët nëpër auditorë.

Po kështu, ka me dhjetëra dhe qindra intelektualë të pavarur në media dhe në institucione të tjera, private dhe publike, artistë dhe shkrimtarë, mjekë dhe gazetarë apo publicistë. Ka me dhjetëra dhe dhjetëra biznesmenë të talentuar dhe organizatorë të aftë. Stop populizmit bosh dhe fjalëshumë. Stop politikës së fyerjes, me fjalor mediokër, pa ide, konfliktuale dhe ordinere. Stop lodhjes së publikut me politikën bajate. Stop medias që bën lajme vetëm me lëvizjet boshe të politikanëve, në intervalin nga Sheshi Skënderbej deri te sheshi Nënë Tereza, apo nga Lapraka në Sauk dhe nga Kombinati në Linzë. Pro njerëzve punëtorë dhe fjalëpakë. Një punë e mirë, thotë i madhi Sami Frashëri, flet më shumë se një mijë fjalë të bukura, por bosh.

JO ME DY FYTYRA NË KOMUNIKIMIN ME INTELEKTUALËT

Jam i bindur se nuk jam i vetmi që mendoj se në qëndrimin ndaj vlerave intelektuale dhe elitës në Shqipëri, ka gjithnjë dy pamje: nga njëra anë, shteti, në radhë të parë politika, është hipokrite ndaj saj! “E vlerëson” elitën më shumë për ta përdorur, në mënyrë herë servile, herë inferiore, dhe herë-herë arrogante apo djallëzore, për të abuzuar me përdorimin e saj. E përdor për fasadë, e përdor më tepër për ta shpërdoruar se sa për ta respektuar, për ta çmuar, për ta dëgjuar!

Duket sikur politika ka fobi botën intelektuale. Ndoshta nga që e ndien veten larg saj. Ndërkohë, për elitën e vërtetë, për elitën e diferencuar dhe të shkëputur si e tillë, të vetëdiferencuar, për elitën e bërë elitë me punë dhe talent, ka edhe një pamje tjetër: nderim dhe respekt të përkushtuar të publikut dhe të shoqërisë! Problemi është se elitat nuk krijohen lehtë dhe menjëherë! Shtresat intelektuale të një shoqërie dhe elitat e saj, janë produkti më biologjik i një sërë faktorësh, të shtrirë në kohë, në hapësirë dhe në masë!

Por, le të jemi pak më konkretë! Shteti është makina më e madhe dhe më e rëndë, që ka në dorë të projektojë, të realizojë, të nxitë, të mbështesë, të përkrahë, të inkurajojë dhe të prodhojë mjedisin ku kultivohen dhe promovohen vlerat intelektuale të një shoqërie! Mekanizmat dhe politikat që përdor shteti janë pafund, ndërsa inkubatorët e kultivimit janë dhe duhet të jenë të larmishëm. Në dhjetëvjeçarët e fundit ngjarjet kanë rrjedhur shpejt dhe vrullshëm! Shpejtësia e ndryshimeve, transformimeve dhe reformave ka qenë e madhe, ndonjëherë marramendëse!

Këto shpejtësi dhe ndryshime shkaktojnë turbullira, konfuzione, pështjellime dhe shpeshherë edhe drama apo trauma të mëdha shoqërore! Në vendet ku elita intelektuale ka qenë aktive, traumat shoqërore dhe ekonomike menaxhohen, efektet e tyre negative zbuten, dhe reformat kalojnë më lehtë! Në se ndryshimet e mëdha të pasviteve ‘90 u menaxhuan jo keq në vendin tonë, kjo ka ardhur për shkak të nivelit të lartë të angazhimit intelektual!

Në vitet e para, pas ’90, pati nga njëra anë, një nevojë urgjente për prezencën e mendimit dhe veprimit intelektual, dhe nga ana tjetër, një ftesë popullore për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e kultivuar intelektual të elitës shqiptare! Edhe në vitet e para të liberalizimit dhe ndryshimit të sistemit, lulëzoi sharlatanizmi, sidomos në qëndrimin ndaj pronës dhe ekonomisë. Por pati edhe një reagim të lartë intelektual. Shkalla e idealizmit ishte më e lartë.

Kjo është arsyeja pse pati shumë profesorë, akademikë, doktorë shkencash, personalitete të kulturës dhe artit që u përfshinë në politikë! U bënë deputetë, u bënë ministra dhe zëvendësministra, drejtorë dhe u angazhuan edhe në diplomaci! Nëpër korridoret e partive politike gatuhej veprimi politik dhe legjislativ me idetë e tyre. Intelektualët ishin aktivë, prodhimtarë, progresistë, atdhetarë. Sot dominon interesi, në mënyrë të verbër. Kjo është shumë e gabuar.

Shoqëria e tregut është vërtet shoqëri e bazuar te interesi dhe prona private, por edhe te profesionalizmi, te aftësitë, te meritat dhe te morali i lartë i shprehur nga forca e ligjit. Nuk është e thjeshtë qenia intelektual! Të qenit intelektual i vërtetë, në shërbim të së vërtetës, profesionit dhe vendit, ka një kosto. Kostoja është më e madhe, sa më shumë vlera intelektuale të ketë një person.

Intelektualët nuk janë ushtarë, që vihen në rresht nga çdo toger, mediokër. Por, intelektualët janë skllevër të punës dhe të ideve. Ata janë skllevër të së mirës dhe progresit! Për skllevër të tillë kanë nevojë shoqëritë tona, të prapambetura, të pazhvilluara dhe të paemancipuara. Në shoqëri të tilla, risku më i madh që u kanoset individëve, është risku i populizmit. Individë mediokër, që hiqen si modernë, megalomanë, herë nihilistë, herë anarkistë dhe herë radikalistë, shkelin me këmbë brishtësinë intelektuale.

Intelektualët janë të urtë. Urtësia, në kuptimin e zgjuarsisë, është virtyt. Ky lloj virtyti, nuk duhet as shpërdoruar dhe as nuk duhet marrë për dobësi. Disa shqetësime dhe deformime të mëdha mund të ishin evituar Pse u lejua përhapja e frikshme e kultivimit të kanabisit në vendin tonë? Pse u dëmtua kaq rëndë imazhi i vendit? Pse u bë me ngut dhe pa shumë eficiencë reforma e pushtetit vendor? Pse, sot, më shumë se dje, edhe mbas reformës së re të pushtetit vendor, disa zona periferike ndihen jashtëzakonisht të braktisura dhe të harruara?

Pse ka një dallim jashtëzakonisht të frikshëm midis shkëlqimit të luksit të të pasurve të Tiranës dhe mjerimit ekstrem nëpër fshatrat e thella të vendit? Në disa fshatra tona jetohet si në mesjetë. A kanë lidhje reforma e dobët e pushtetit vendor me menaxhimin e keq të territorit dhe me përhapjen e kanabisit? Pse u krijuan disa ministri, që sot nuk janë më? Pse u bashkuan disa ministri të tjera? Mbi çfarë studimi? Ku u bazua ky ristrukturim i qeverisë dhe nga e njëjta forcë politike? Pse këto kosto kaq të mëdha për këtë vend dhe shtet të rraskapitur?

Cilët janë intelektualët, specialistët, njerëzit e mençur të këtij vendi, që e propozuan një organizim të tillë? Pse u krijuan disa super dikastere, të vështira të menaxhohen kështu siç janë? Pse u propozua bashkimi i tatimeve me doganat? Pse të tilla janë në fakt të pafund. Ka mbi dy vjet që vendi, në fakt, nuk qeveriset, ose për të qenë më të saktë, eficienca e qeverisjes është shumë e ulët. Më është dukur më tepër lojë me pushtetin sesa formulë qeverisëse një riorganizim i tillë i ndarjes së ministrive. Faktorizimi që nuk buron nga një nivel profesional dhe intelektual i caktuar, prodhon kosto operacionale suplementare, të panevojshme dhe çorganizim administrativ, ulje të eficiencës.

Por këto ndryshime të shkaktuara për shkaqe të pajustifikuara, i kanë kushtuar shumë vendit. Shpeshherë vendimmarrjet i ngjajnë një spektakli, një pune sipërfaqë- sore, një pune në ngutje e sipër, më shumë një voluntarizmi të thjeshtë, se sa një arsyetimi racional, me përkushtim dhe përgjegjësi. Po qe se nuk fitohet besimi dhe nuk kthehet shpresa e qytetarëve, do vuajmë një dëshpërim të tejzgjatur. Dhe, personalisht besoj dhe konstatoj përditë që kemi rini të mrekullueshme, por të pamotivuar nga mjedisi, kryesisht nga politika dhe shteti.

Ka djem dhe vajza me potencial të lartë, të talentuar, të cilët duan më shumë vëmendje dhe shpresë. Rinia ndihet e zhgënjyer dhe zhgënjimi është dëshpërimi më i madh në këtë vend. E keni vënë re tonin e komunikimit politik? E shihni kulturën e debatit politik? Po hipokrizinë dhe fjalorin inatçor, e vini re? Mungesë dhe varfëri ekstreme të ideve dhe argumentit.

Mungesë e logjikës racionale, mungesë e analizës së vërtetë. Diskutime boshe, emocionale dhe të njëanshme. Vendime të rëndësishme politike, por të pambështetura në studime paraprake. Vendimet e një politikani janë publike. Ato ndikojnë në jetën e të tjerëve. Kur janë të pabazuara, vetëm irritojnë qytetarët. Kjo është arsyeja që sot, të dy krahët e politikës konsiderohen njëlloj. Të dy krahët kanë bërë, pothuaj të njëjtat politika dhe kanë përdorur të njëjtin standard. Përfundimi: Të pasurit janë bërë më të pasur, të varfërit, më të varfër.

Ekstremet sociale largohen përditë nga njëri-tjetri dhe kostoja e mbajtjes së tyre në ekuilibër është e lartë. Shtresa e mesme që mund të mbajë në ekuilibër ekstremet ndihet e pambështetur. Ligjin e bëjnë përsëri ata: oligarkët. Pesëmbëdhjetë/njëzet bizneset e mëdha diktojnë dhe këshillojnë ministrat dhe kryeministrat, e djeshëm dhe të sotëm. Të pranosh këshilla nga njerëz të suksesshëm është vlerë, ndërsa të qeverisës dhe marrësh vendime të diktuara nga një grup i vogël interesi, kjo është fatkeqësi, ky është kompleks.

Qeverisjet diktohen vërtet nga vullnetet, por të shumicave, të shprehura me votë. Ka një mani të politikanëve për ndryshime të shpeshta, të rrufeshme, të ligjeve, sidomos të atyre ligjeve që kanë të bëjnë me pronësinë, me tatimet dhe taksat, me kompetencat e strukturave të ndryshme qeverisëse, me jetën dhe aktivitetin e biznesit, etj! Ndryshimet janë aq të shpeshta, sa që profesionistët nuk arrijnë t’i përvetësojnë dhe zbatojnë. Pse kaq shpesh?

Ndryshimet e shpeshta nxisin destabilitetin dhe rritin riskun sistematik. Kjo ka të bëjë me tri rrethana: së pari, me faktin se ligjet hartohen në mënyrë sipërfaqë- sore, pa studime të thella dhe pa argumente të qenësishme. Thjesht mungon mendimi i kultivuar intelektual. Së dyti, ligjet hartohen shpejt e shpejt, emocionalisht dhe bazuar në interesa të grupeve, apo ligje klienteliste, për t’i shërbyer një rrethi rreptësishtë të kufizuar përfituesish.

Përsëri evidentohet mjerimi intelektual. Ligjet, së treti, nuk synojnë të shprehin interesa gjithë përfshirëse, afatgjata, por thjesht elektorale. Kjo mënyrë e hartimit të ligjeve, buron edhe nga një mendësi tjetër e pakultivuar: nga mentaliteti se historia fillon dhe mbaron me një qeverisje. Të gjithë thonë se kjo reformë, ky zhvillim, kjo politikë, ky trajtim ndodh për herë të parë në vendin tonë. A thua se vërtet historia fillon çdo katër vite nga zero? Pse mungon në mënyrë ekstreme respekti dhe vlerësimi për punën dhe kontributin e tjetrit? Sa shumë dëme i ka sjellë vendit një mendësi dhe filozofi e tillë politike! Përsëri, shpjegimin e gjej te mjerimi intelektual i politikës.

POLITIKA KA HUMBUR PUSHTETIN E FJALËS

Në politikë komunikohet me kunja. Dominon ironia. Ironia është varfëri ideore, është përpjekje mjerane për të dalë nga realiteti. Ironia nuk është provë e inteligjencës, por shmangie nga e vërteta. Është një mënyrë për të dalë nga një situatë e vështirë, që bazohet te brishtësia e natyrës njerëzore. Ironia është paaftësi, humori, karikatura, janë zgjuarsi dhe talent. Burrat e shtetit flasin troç, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Burrat e shtetit flasin rrallë. Burrat e shtetit e kanë fjalën të “rëndë”. Kryeministrat dhe ministrat janë bërë si spikerët e radios dhe të televizionit.

Mediat servile i mbushin edicionet vetëm me axhendën e kryeministrave dhe të ndonjë ministri. Një kryeministër i aftë, organizator i mirë, drejtues autoritar dhe vendimmarrës i drejtë, nuk flet shumë. Ai punon shumë. Puna e tij, flet një mijë herë më tepër se fjalët e lodhshme dhe fyerjet publike. Politikanët kanë humbur pushtetin e fjalës, e kanë shpërdoruar fjalën. Një nga arsyet pse ka rënë shikueshmëria e mediave, është se ato i janë shkëputur realitetit.

E kanë abandonuar jetën e vërtetë. Është stresuese të ndjekësh mëngjes, drekë dhe mbrëmje të njëjtët persona, edhe sikur të nxirrnin nga goja xhevahire. Në fakt, politikanët tanë prodhojnë mediokritete. Ky nivel mediokër buron nga fakti se njerëz me intelekt të ulët dhe me aftësi të ulët, menaxhojnë pushtet të madh. Kur i bën një të mirë një njeriu të mirë, shtohet mirësia, ndërsa kur i bën një të mirë një të ligu, shtohet ligësia. Kështu qëndron puna edhe me pushtetin: kur i jep pushtet një të afti, një të zoti, shtohet begatia, kur i jep pushtet një të paafti, shtohet varfëria, padrejtësia dhe fukarallëku.

Media ka harruar se në këtë vend ka njerëz të talentuar. Ato nuk e gjejnë dot studentin e ekselencës, punëtorin e palodhur dhe krijues, fshatarin e vuajtur, të ndershëm dhe të pambështetur, nënën edukatore dhe të përkushtuar, mësuesin idealist dhe prind të mirë, inxhinierin krijues dhe ndërtues, emigrantin fjalëpakë dhe korrekt, artistin që me talent përpiqet të pasurojë emrin e mirë të të qenit shqiptar, të nëpërkëmbur nga kriminelët dhe trafikantët, elektricistin e sakrifikuar, etj, etj, modele optimiste dhe progresiste. Për fat, janë shtuar shumë të rinjtë tanë, tashmë të diplomuar nëpër shkollat e vendeve të zhvilluara, që bëjnë karrierë të suksesshme. Të emocionon kontributi dhe përkushtimi i djemve të ekipit kombëtar të futbollit, ndërkohë që të dëshpëron, madje shumë, imazhi i politikanit.

PO VETË INTELEKTUALËT?

Po vetë intelektualët, në çfarë pozitash janë? Në çfarë raporti qëndron kapitali i tyre intelektual, me kontributin e tyre real? Sa aktivë janë intelektualët ndaj jetës së përditshme? A janë dakord ata me mënyrën se si po ecën shoqëria jonë? Para 20 vitesh, kur filluan privatizimet e sektorit shtetëror dhe liberalizimi ekonomik, heshtën intelektualët e fushës. Më vonë, lumi i kritikave ndaj këtyre politikave u bë i vrullshëm. Por, koha bëri të vetën. Kështu ndodhi me kioskat, me administrimin e bregdetit, me përdorimin e fondit të tokës bujqësore, me ndërtimet pa lejë, me mjedisin, me pyjet, me….. lista është e gjatë.

A nuk po ndodh edhe sot kështu? Edhe vetë intelektualët, sigurisht jo të gjithë, po mbyllen në guaskën e tyre. Ç’më duhet mua, pse të bie në atë nivel mediokër! Por, bëhet fjalë për fatin e vendit tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të mirëadministruar atë pasuri, që të parët tanë, qoftë edhe për shkak të paaftësisë, mosdijes apo varfërisë, na i lanë trashëgim të pastër, të virgjër. Ne po e shkatërrojmë në mënyrë përfundimtare. Më bën shumë përshtypje fakti që të rinjtë akademikë përpiqen maksimalisht aq vite, sa të mbrojnë doktoraturën. Pastaj bien në gjumë.

Gjumi bëhet më i thellë, me shtimin e eksperiencës, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta. Pse ndodh kështu? Ndodh kështu se nuk kanë motive të fuqishme, se nuk ka njeri vullnet t’i dëgjojë, se nuk përfillen nga politika? Nga politika e ditës, shumica e tyre e ndien veten të përbaltur. Politika nuk ka vizion afatgjatë për të ardhmen. Ajo merret me punë dhe angazhime rutinë. Në një farë mënyre ka humbur duke kërkuar të nxjerrë gurët që hedhin budallenjtë në pellg. Nuk afrohet një intelektual, në një mjedis mediokër! Por edhe ndër intelektualët ka mëkatarë.

Mëkatarët më të mëdhenj janë ata që qëndrojnë indiferentë dhe neutralë në kohë krizash morale të shoqërisë. Interesi personal i një intelektuali është një grimcë para fateve të vendit dhe të shoqërisë. Sot diskutohet shumë për konceptin e ri të menaxhimit publik dhe për përgjegjësitë publike. Sot flitet shumë për partneritetin privat/publik. Kjo temë ka pushtuar median, ka rrëmbyer politikën, ka përfshirë gjithë publikun. Ironia, qëndron në faktin që e përdorin si koncept dhe praktikë politikanë dhe qeveritarë, që nuk e kuptojnë as si teori dhe as si praktikë.

Shitet si reformë moderne, një praktikë huamarrëse. Në fakt ka nxjerrë shumë probleme në mjaft vende ky partneritet! Nuk dua të them se nuk ka vlera inovative përdorimi i tyre edhe në vendin tonë, por ka nevojë të debatohet. Ju kujtohet debati për të ndërtuar një partneritet të tillë për mbledhjen e TVSH-së? Është përfytyrimi më absurd i partneritetit privat publik. Nuk mund ti delegohen privatit, funksionet bazë të shtetit, si funksioni financiar, funksioni i rendit, gjykatat, ushtria, etj!

Po kështu ka filluar të diskutohet për incentiva të forta, në favor të bizneseve VIP, që investojnë shuma të mëdha në turizëm. Incentivat bota i përdor ose për të inkurajuar bizneset e reja, ose të rinjtë sipërmarrës, ose sektorët delikatë, ose shërbimet publike, ose ushqimet, librat, studentët, të moshuarit, etj! Pse nuk organizohen debate të hapura me intelektualë që i njohin këto teori dhe praktika? Pse politika bën politikë vetëm me një grup njerëzish të kufizuar?

Pse ka shumë demagogji dhe kaq pak progres? Ka edhe një arsye tjetër pse qëndron indiferente inteligjenca? Ajo i përket shtresës së mesme. Shtresa e mesme e shoqërisë është valvola që nuk lejon të shpërthejnë konfliktet sociale të dy ekstremeve, të varfra dhe të pasura, të shoqërisë. Por shtresa e mesme, po hollohet. Paguan më shumë tatime dhe taksa një nëpunës me pagë 120 deri 150 mijë lekë, se një biznes i suksesshëm 15-20 vjeçar në fushën e restoranterisë, të kafeneve apo në sektorë të tjerë. Pra, intelektualët janë të paguar keq, të lënë në harresë dhe që jetojnë dhe punojnë në mjedise jo inkurajuese. Mjerisht, kjo është e vërtetë.

MË NË FUND

Nuk dua të bëj moralizime. Për opinionin tim, në vendin tonë, e keqja duket sikur mund të mirën, nga që niveli intelektual i politikës ka rënë në nivele mediokër. Në dijeninë time nuk gjen intelektualë të inkriminuar, gjen politikanë të inkriminuar. Pushteti mbart me vete gjithnjë një virus, që kontaminon këdo që ka nivel të ulët intelektual dhe qytetar. Ky virus prek këdo që në jetë nuk ka dhënë provat e një aftësie dhe talenti të spikatur për të marrë përsipër përgjegjësi të mëdha dhe për t’u shërbyer interesave të larta.

Mbrojtja nga virusi i “të hyrit të vetes në qejf”, nga megalomania, nga arroganca dhe nga fudullëku, bëhet vetëm me të qenit qytetar dhe intelektual. Në se doni vërtetë të mirën e popullit, për të cilën betoheni përditë, ftoni sa më shumë intelektualë në mjediset ku merren vendime të rëndësishme për fatet dhe të ardhmen e vendit tonë të shtrenjtë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi