Reforma dhe kërkimi shkencor në arsim
Nga Pëllumb Karameta, botuar në Mapo, 20 dhjetor 2017
Tani që arsimi po përpiqet të pasqyrojë, njëherazi, hartën e një bote komplekse me trazira të vazhdueshme dhe busullën që i aftëson njerëzit të gjejnë rrugët e tyre, kërkimi në arsim është kthyer në çështje të praktikës. Kushdo që ndjek rrjedhën e reformave arsimore, sheh se si jetësohet ai në Finlandë, Singapor, Zelandën e Re, Kanada, Hong Kong etj. Sepse, sot e në të ardhmen, të rinjtë, shumë më tepër se më parë, që të lulëzojnë në një ekonomi të globalizuar dhe në shoqëri gjithnjë e më të ndryshme, do të kenë nevojë për një rreth të gjerë kompetencash (të kuptuara këto si rezultate/ rrjedhoja të trajtimit të saktë të situatave). Shumë do të punojnë në punë që ende nuk ekzistojnë. Shumë do të kërkojnë kapacitete të përparuara gjuhësore, ndërkulturore dhe sipërmarrëse. Në këtë botë gjithnjë e më komplekse, kur fushat specifike të dijeve rrezikohen të vjetrohen, krijimtaria dhe kompetenca (ajo për të nxënë, në veçanti) po llogariten gjithnjë e më shumë. Në vijim, gjithë sa shtjellohet, është ftesë modeste për t’i shndërruar horizontet e reja arsimore, nga peizazhe që nxitin kureshtjen, në programe të punës kërkimore dhe trajnuese. Kulmojnë atje kompetencat që ndërtojnë dhe demonstrojnë të rinjtë përmes nxënies (formale ose jo e tillë), një nga gurët e themelit të reformës në arsim. Për to flitet shumë në mjediset arsimore dhe universitare, por kërkimi shkencor ka shumëçka për të qartësuar dhe jetësuar.
Kërkimet e dekadës së fundit në botë pohojnë si të sigurt që, nëse duam të rinj kompetentë, ky koncept i ndërlikuar, i orientuar drejt veprimit efikas, i vlerësueshëm dhe që po quhet kompetencë, rezulton si domosdoshmëri; paçka, nëse do të vijojë të emërtohet kompetencë, apo do të shprehet me një term tjetër. Është kjo arsyeja pse nxënia që të aftëson për jetën, u bë kryefjala e reformës tonë kurrikulare. Me bindjen se, kur institucionet arsimore të lëvizin duke theksuar formimin kompetent, subjektet, përveç fjalës së mësuesit, pedagogut dhe teksteve të shtypura, do të nxënë më shumë për atë që kanë nevojë, përmes mjeteve digjitale dhe mediave. Ndaj, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dimë se çfarë roli ka luajtur shkolla në nxënien e gjërave që ajo synon (ose mosnxënien e tyre, nëse dëshironi). Këto dy tema do të jenë të rëndësishme, tani dhe në të ardhmen e afërt. Reforma e konsideron kompetencën forcën lëvizëse që shtyn përpara procesin e ndryshimit në arsim, ndërsa qasjen që formon të riun kompetent si fazën e parë, në përpjekjen për të thyer karakterin e fortë disiplinor që ka mbizotëruar tradicionalisht në institucionet tona arsimore. Nëse pranojmë që kjo qasje është një nga burime e suksesit të dëshiruar, nevojitet që përmes kërkimit të qartësohen gjërat që ndikojnë jo pak baraspeshën “përpjekje-sukses”.
Më së pari, kërkimi shkencor lypset të qartësojë plotësisht nevojën e zhvendosjes nga tradicionalizmi pedagogjik, çka kërkon ndryshimin rrënjësor në mendësi. Ndryshim që do t’i ndihmojë të rinjtë të zhvillojnë inteligjencat dhe të ndërtojnë kompetencat përmes veprimit, projekteve dhe përvojave të tyre. Sot, pa asnjë mëdyshje, konsiderohet e tejkaluar qasja që, si qëllim të nxënies, konsideron përvetësimin e përmbajtjeve lëndore “pa jetë”. Vendin e saj po e zë arsimimi që bazohet në situatat e kuptueshme të nxënies të cilat i ndihmojnë subjektet të ndërtojnë njohuritë e reja dhe të zhvillojnë kompetencat për jetën dhe punën. Arsimimi, tashmë, nuk është më çështje e mësimdhënies së përmbajtjeve lëndore formale (forma gjeometrike, zgjidhje e ekuacioneve, rregulla të sintaksës apo memorizimi i formulave etj.). Ai lidhet fort me identifikimin dhe zhvillimin ebankave të situatave përmes të cilave subjektet mund të ndërtojnë, të transformojnë ose të hedhin poshtë idetë apo njohuritë që lidhen me këto përmbajtje.
Në këto kontekste, shndërrimi i traditës kurrikulare kërkon që kompetenca, kuptimi dhe roli i saj, të zbatohet në të gjitha nivelet e strukturës së kurrikulit (zyrtar, i zbatuar dhe i përvetësuar); që mbikëqyrësit të orientojnë dhe të ndjekin me përparësi praktikat mësimore; që drejtuesit të kenë kuptim të qartë të institucionit arsimor dhe misionit të ri institucional të tij; që mësuesit/pedagogët të përfitojnë nga bashkëpunimi i ndërsjellë dhe të marrin pjesë gjallërisht, madje, deri në zhvillimin e kurrikulit. Në vend që të vazhdojmë, p.sh., të mendojmë për shkollimin parauniversitar të së nesërmes përmes lëndëve dhe orëve që u duhen kushtuar atyre, tani është koha për lëvizje të guximshme rreth organizimit dhe shtimit të kohës mësimore. Ndaj rimendohen kohët mësimore të lëndëve tradicionale, si: gjuhët, matematika dhe shkencat dhe shtohet kohë në dobi të temave të integruara, projekteve dhe veprimtarive praktike.
Jetësimi i gjithë sa më sipër dhe jo vetëm përmes kërkimit dhe praktikës, pa asnjë dyshim, kërkon zhvendosje të mëdha në mendësi; së pari, e mbi të gjitha, si t’i mendojmë nevojat e nxënësve/studentëve; përse duhen menduar si të tilla; si do ta dimë kur do jemi të suksesshëm në arritjen e gjërave etj.? Për plotësimin e këtyre nevojave, kërkimi shkencor do mund të qartësojë ndryshimin, të themi, të dijes nga njohuria, të objektivit mësimor (çfarë bën mësuesi) nga rezultati i nxënies (çfarë arrin nxënësi), të metodës nga metodologjia, të transmetimit të dijeve lëndore përmes konkretizimit me situata jetësore nga përdorimi i përvojave jetësore si pikënisje për situatat e nxënies etj. Më tej: përse nevojitet zhvendosja me urgjencë nga aftësia drejt kompetencës, nga mësimdhënia drejt nxënies, nga nxënia e përbashkët, drejt nxënies së personalizuar me plane individuale, që subjektet të zgjerojnë rrethin e përvojave përmes veprimtarive shkencore/artistike/sportive, me domethënie për ta etj.
Për të përballur thyerje të tilla në mendësi, mirë do ishte që në programet e kërkimit të Fakulteteve të mësuesisë, por dhe në planet e trajnimeve të çdo niveli, të zënë vend analiza dhe kuptimi i thellë i paradigmave të njohjes; i karakteristikave të modelit që po zbatojmë; njohja e gjithë sa ofrojnë kapacitetet tona; si dhe zbatimi i strategjive të ndryshimit arsimor në kushtet e kaosit dhe të evoluimit. Këndej – thekson kërkuesja sfiduese zelandeze Xhejn Gilbert (Jane Gilbert) – në vend që ta shohim dijen e tekstit shkollor si diçka që duhet zotëruar, ta shohim si atë proces ndërtues, si diçka që ndodh në kushte dhe marrëdhënie të veçanta. Në vend që t’i shohim të menduarit dhe nxënien si veprimtari individuale, t’i shohim si gjëra që ndodhin kur subjektet ndërveprojnë bashkë. Në vend që të përpiqemi t’i “dendim” ata me dije për të cilat nuk do të kenë ndonjëherë nevojë, t’u mundësojmë të ndërtojnë kompetencën për të punuar me të tjerët për prodhimin e dijeve të reja që zgjidhin probleme të mirëfillta jetësore. Në vend që të përpiqemi që secili ta matë veten me normat e vendosura (që, aktualisht, janë norma për një përqindje të vogël të popullsisë), të nxitim larminë dhe dallimet. Në vend që t’i bëjmë të gjithë njëlloj, ne kemi nevojë për një sistem arsimor që i ndihmon nxënësit të lëvizin lirisht në mjedisin e diskutimeve, të krijojnë dhe të shfaqin identitete të dallueshme (disa prej të cilëve mund të jenë identitete që askush s’i ka menduar më parë).
Rinovimi dhe thellimi i programeve kërkimore kthehet kështu në përparësi. Gjeneratat e reja kërkojnë një arsim që na frymëzon t’i rinovojmë pa reshtur nxëniet në shkollë dhe për arsimimin e bashkësive; një arsim që i përfshin dhe i frymëzon të rinjtë dhe familjet e tyre. Që nxit përpjekjet, aventurat dhe nxënien e pareshtur. Që ndez me kënaqësinë e thellë të zbulimit dhe të eksplorimit. Gjeneratat e reja lindin me përkushtimin për të nxënë; le ta njohim, t’i thurim lavde dhe ta mbrojmë këtë zell, por dhe ta ushtrojmë, ta forcojmë e zgjerojmë atë.