Dy qëndrimet e para të një Presidenti me staturë të fortë politike
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 13 dhjetor 2017
Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur për herë të parë mbi çështjen e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përgjithshëm, duke theksuar se kompetenca për mbarimin e mandatit ose jo të tij është e Parlamentit, por ai duhet të zgjidhet me konsensus politik, duke respektuar frymën e Kushtetutës. Bashkë me këtë qëndrim, ai ka shpjeguar se përse ende nuk ka firmosur propozimin e Kryeministrit për kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar.
Të dyja këto qëndrime, janë të parat të rëndësishme, që nga koha kur Ilir Meta u zgjodh President i Republikës. Në këtë kuptim ato marrin një rëndësi të veçantë politike, për të kuptuar se cila do të jetë qasja politiko-kushtetuese e Presidentit Meta.
Në këtë aspekt, të dyja qëndrimet që ai mbajti, pa hyrë në detaje nëse ishin të drejta apo jo, ishin qëndrime të një Presidenti me staturë politike të fortë, sepse që të dyja, njëra më shumë e tjetra më pak ishin në kundërshtim me qëndrimet zyrtare të mazhorancës. Megjithatë, ato ishin të dobishme për të ruajtur ekuilibrin institucional dhe politik të vendit.
Kjo marrëdhënie, me shumë mundësi, do të karakterizojë të gjithë mandatin e dytë të mazhorancës me institucionin e presidencës. Për nga natyra e tij, dhe pesha politike, Ilir Meta nuk do të jetë aspak një kafshatë e lehtë për t’u kapërdirë nga mazhoranca politike.
Që nga koha kur President ka qenë Sali Berisha, Republika e Shqipërisë ka patur në krye të atij institucioni figura politike me pak ose aspak peshë politike. Herë kanë qenë konsensualë dhe herë partiakë, por e përbashkëta e tyre është fakti se asnjëherë nuk kanë mundur të ndikojnë thelbësisht jetën politike me veprimet apo qëndrimet e tyre.
Me reformat kushtetuese, kompetencat e Presidentit të Republikës janë ulur ndjeshëm, megjithatë, roli i këtij institucioni varet shpesh nga personaliteti i njeriut që merr atë post dhe, personaliteti politik i Metës kalon përtej kompetencave formale që ka presidenca.
Shpeshherë rëndësia që ka Presidenti në Republikat Parlamentare varet nga konteksti politik. Nëse klima politike është bashkëpunuese, atëherë roli i tij kthehet në formal dhe ceremonial. Por, nëse klima politike, siç ndodh në shumicën e rasteve në vendin tonë, është konfliktuale, atëherë roli i Presidentit bëhet i rëndësishëm. Kompetencat e tij janë në formën e një fizarmonike, hapen dhe mbyllen ne varësi të situatës politike.
E rëndësishme është që të sigurohet ndarja e pushteteve dhe jo konfliktualiteti i tyre. Që institucioni i presidencës i përket një partie të ndryshme nga ajo e mazhorancës qeverisëse, kjo në pamje të parë mund të duket si e shëndetshme për balancimin dhe ndarjen e pushteteve, por nëse në krye të atij institucioni ndodhet një figurë dhe protagonist i fortë politik si Ilir Meta, atëherë kjo marrëdhënie rrezikon të kthehet në një konflikt, i cili dëmton në mënyrë të pariparueshme marrëdhëniet kushtetuese që duhet të ekzistojnë midis tyre, aq më tepër në një kontekst të tillë.
Eksperienca e zotit Meta mund të jetë shumë e vlefshme nëse vërtet arrin të dalë mbi palët. Precedentët me konflikte midis mazhorancës dhe institucionit të presidencës kanë qenë prezentë në politikën shqiptare. Mjafton të përmendim presidencën e fundit për të kuptuar se si respekti ndaj këtij institucioni është ulur në nivelet më të ulëta historike. Kështu që, të kesh në krye të shtetit një person i cili vjen nga një parti e ndryshme e asaj të mazhorancës nuk do të thotë automatikisht ndarje pushtetesh. Ndarja e pushteteve do të thotë secili në zyrën dhe në detyrat e tij, në të kundërt ajo kalon në një konflikt të parikuperueshëm.