Kush do t’i bëjë bashkë shqiptarët?
Nga Mentor Nazarko, Konica.al, 1 dhjetor 2017
Takimi i dy qeverive sh qiptare në Korçë është një rast i mirë për të bërë një gjykim gjithëpërfshirës për përmasën e bashkëpunimit ndërshqiptar në këtë mijëvjeçar të ri. Për shumë arsye, e mbi të gjitha për rolin e saj inkadenshent në vitet e Rilindjes Kombëtare, Korça ishte vendi ideal për organizimin e kësaj mbledhjeje. Ajo ofronte simbolikën urbane, gjurmët historike, por dhe pozicionin e saj kyç në trekëndëshin Kosovë (Maqedoni), Shqipëri, Greqi, katër vende aspirante dhe anëtare e BE-së. Nëse doni, edhe për faktin se Korça është një vend prodhues patatesh, për të cilat u bë njëfarë lufte tregtare midis Kosovës dhe Shqipërisë para 5 vjetësh, dëshmi e mungesës së koordinimit mes dy vendeve.
Por përtej vernikut simbolik, cili në të vërtetë ishte bilanci i kësaj mbledhjeje? Ideja e një logu ndërshqiptar të qeverive në Tiranë dhe Prishtinë fillimisht u shestua prej intelektualit nga Tetova, Arbën Xhaferi, për t’u aktualizuar në vitin 2011 prej ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe më në fund për t’u përfshirë në axhendë prej qeverisë Rama, e cila prej 2014-s ka organizuar 4 takime dypalëshe. Kartolina e dy qeverive shqiptare në rajon dhe më gjerë është mbresëlënëse: shqiptarët merren seriozisht në rajon, vetëm nëse janë bashkë dhe jo nëse janë veç.
Bashkë ata i krijojnë frikë, shqetësim dhe respekt të tjerëve. Por kjo është kartolina. Për ta kuptuar vlerën e këtyre takimeve në planin praktik është një raport më i esëllt, i Vladimir Karajt për reporter.al, i ndërlidhur me patatafobinë si gjurmë e mosmarrëveshjeve shqiptare sipërfaqëson një realitet jo edhe aq rrahagjokës: bashkëpunimi ndërshqiptar lë shumëçka për të dëshiruar, sepse ai nuk ka njohur kurrfarë rritjeje.
Ndonëse vëllimi i bashkëpunimit ekonomik, veçmas eksport-importet, është pesëfishuar në dhjetë vjet. Krahas dështimit të kësaj iniciative, do duhet pranuar dhe zhvleftësimi i Rrugës së Kombit: pse ajo nuk e ka nxitur bashkëpunimin, veçmas në turizëm? Megjithëse qeveritë shqiptare kanë zhvilluar mbledhje të përvitshme, kurba e eksportit të Kosovës në Shqipëri (ose eksporti i Shqipërisë në Kosovë) ka njohur edhe luhatje dhe rënie të kohëpaskohshme.
Tirana dhe Prishtina u kanë prerë kërthizën plot 40 marrëveshjeve, por një pjesë e tyre janë veçse përsëdytje e njëra-tjetrës me ndonjë ndryshim kozmetik tekstual, dhe pjesa tjetër po realizohet me vështirësi. Të mbajtur shpesh në kurriz të njëra-tjetrës për të ardhurat doganore, apo për roamingun, asgjë nuk po ndryshon për lëvizjen e lirë..
KUSH MUND T’I BËJË BASHKË SHQIPTARËT?
Dhe pyetja e ditëve tona është: Kush do t’i bëjë bashkë shqiptarët? A duhen parë raportet Shqipëri-Kosovë si dy vëllezër apo në kongruencë binare: shteti “amë” karshi shtetit “bijë”? Përtej figurshmërisë metaforike që përftojnë këto pyetje e nënpyetje, çështja është vetë raporti faktik i forcave. Dhe kush mund të jetë amplifikues i bashkimit ekonomik, nëse jo shteti që ka staturë më të mirë ekonomike e pozicion më të mirë ndërkombëtar? Nuk mund të mohohen dot fërkimet latente mes dy vendeve, veçmas mes lidershipit në Tiranë e Prishtinë (dhe për ironi fotografitë nga takimet gjithmonë kanë të stampuar buzëqeshjen, serenitetin dhe përzemërsinë).
Është krejtësisht e qartë që elita politike në Kosovë nuk e duron dot një qasje “atërore” nga Tirana. Kjo është parë në rastin e vizitave të Ramës në Beograd. Prishtina e do me të drejtë protagonizmin përkundrejt Serbisë, por në fakt nuk po e kupton se kur Shqipëria dhe Kosova janë bashkë, të sintonizuara, atëherë ato merren më seriozisht edhe veç e veç. Problemi është se vëllezërit, apo shqiptarët në përgjithësi, nuk dinë të prodhojnë diçka serioze, diçka sistemike mes vedi.
As aparatet administrative që krijojnë të dy shtetet, nuk mund ta bëjnë këtë gjë. Duke përsiatur mbi krijimin e një hapë- sire të njësuar ekonomike, apo një commonwealth-i shqiptar, është evident fakti që ky realitet mund të hovizohet edhe nga një palë e tretë, interesimi ose mosinteresimi i së cilës do të ishte vendimtar në këtë proces. Dhe te secili mendja asocion sakaq te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat supozohet se mund të jenë mbështetëse të një realiteti të ri në Ballkan, ku shqiptarët do të llogariteshin si një tërësi.
Në fakt, politika e jashtme amerikane, veç- mas ajo për Ballkanin, nuk është se ka arritur të konsolidohet në lartësinë e dëshiruar. Politika e jashtme amerikane ende luhatet mes përkorësisë së Shtëpisë së Bardhë nën drejtimin e ri, e cila si rregull parapëlqen një qasje më të ftohtë e më të distancuar nga çdo lloj ndryshimi të beftë, e cila nuk kërkon përfshirje në shtetndërtimin ballkanik, dhe frymës më proaktive që promovon Departamenti i Shtetit kundrejt Ballkanit. Dhe në rrethanat kur shqiptarët do të duhej t’i linin të tjerët para “aktit të kryer”, përmes bashkimit dhe bashkërendimit të politikave, shfaqet “defekti” i tyre proverbial: mungesa e unitetit.
Në horizont nuk duket se do të dalë një fuqi sipërane, me sjellje prej “tutoreje”, dhe as nuk vërehet ndonjë disponim pozitiv nga palët e treta. Është i pamohueshëm fakti që gjatë tërë kohës ka pasur një buisje të trysnisë nga poshtë: dhe kjo më së miri shembullohet nga Kombëtarja shqiptare në futboll, e mbi të gjitha nga entuziazmi, pritshmëritë dhe shpresat që shkëndijon andej e këndej kufirit, veçanërisht te brezi i ri. E nëse politika don vota, takimet mes dy qeverive prodhojnë, por realitete konkrete ende jo. Një entuziazëm efemer që prodhon Kombëtarja nuk është i mjaftueshëm për një projekt serioz për të ardhmen.
BASHKËPUNIMIT NDËRSHQIPTAR I MUNGON SOFTUERI. PROGRAMI. PROJEKTET
Ideale do të ishte krijimi i një instituti me ekspertë me nam, i financuar me fonde qeveritare apo nga manjatë shqiptarë, që do të ideonte prospektet e bashkimit kombëtar, rrugët e sendërtimit të tij dhe epërsitë nga njësimi i hapësirave ekonomike, politike, institucionale, arsimore dhe shkencore. Me fjalë të tjera, një formulë që do t’i bënte shqiptarët më të fortë në një rajon gjithnjë e më konkurrues. Instituti do punonte mbi koncepte afatgjata, më afatgjata se një qeveri dhe mandati i saj.
Për fat të keq, qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë, mbase nga një kompleks i tepruar nga cimbisja e nervave të Bashkimit Europian, nuk kanë hedhur hapat e parë, siç është heqja e pengesave apo ndërkëmbëzave doganore e tarifore në shkëmbimet tregtare. Thjesht, tradita katërvjeçare e mbledhjeve ndërqeveritare Shqipëri-Kosovë vazhdon të jetë një histori e hidhur dështimi. Frika nga BE-ja mund të kapërcehet pikërisht duke ndjekur modelin e BE-së, apo duke përvijuar një model nordik apo të Beneluksit sa i përket institucionalizimit të bashkëpunimit ekonomik.
Në këtë drejtim, qeveritë shqiptare nuk arritën se nuk arritën të krijonin një lloj sekretariati të përhershëm që do të merrte përsipër organizimin e mbledhjeve ekonomike, piketimin e fushave të bashkëpunimit dhe gjetjen e zgjidhjeve praktike për çdo vështirësi.
LOJA E INTERESAVE, KONTROLLI SERB MBI EKONOMINË
Derisa mediat në Prishtinë raportuan me njëfarë ftohësie cinke të pashpjegueshme mbi takimet në Korçë, deklarata e fundit e ministrit serb nga Novi Pazari, Rasim Lajiç, meriton të analizohet në tërësinë e saj. Ai paralajmëroi se Kosova së shpejti do të heqë taksën ndaj miellit serb, që kishte vënë në vështirësi rreth 30 mullinj serbë që eksportojnë miell në tregun e Kosovës. Sipas tij, kjo gjë ka krijuar dhe çmim të lartë të miellit në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e mbi njëqind mullinjve në Kosovë më ankoheshin se prania e miellit serb në Kosovë dhe çmimet e lira të tij, ndonëse me cilësi të dobët, po e bëjnë thuajse të pamundur ekzistencën e operatorëve vendorë të prodhimit të miellit. Me përjashtim të ndonjë prodhuesi kosovar të fuqishëm që përdor miellin serb, të pajisur me media, dhe si pasojë me ndikim në politikën e Kosovës. I pajisur dhe me opinionbërësin e atashuar pranë politikës. Në fusnotën e këtij tregimi mund të shtohen edhe dhjetëra raste, secila më serioze se tjetra, të pengesave që vazhdon t’i shkaktojë Serbia në rrëgjimin e tregut të njësuar shqiptar, duke filluar prej pamundësimit të vijës së ndërkonjeksionit energjetik e deri te prodhimet agraro-ushqimore.
E ndërsa Serbia vazhdon të kontrollojë ekonominë e Kosovës, me monopolet e saj, që ndonjë zë i vetëm i kundërshton, mediat e Kosovës, njerëzit me ndikim të saj, maksimumi lavdërojnë pjesën protokollare të takimeve të dy qeverive dhe asgjë tjetër. Duke nxitur ftohtësinë e përgjithshme për takime që duhet të ishin historike.