Lodra e re e Pushtetit
Sipas Monitor, 11 nëntor 2017
Në pothuajse të gjitha herët, raportet ndërkombëtare i kanë dhënë demokracisë shqiptare statusin e një sistemi hibrid, i cili tenton të rrëshqasë drejt autoritarizmit. Gjithë këto vite kanë qenë të mjaftueshme për të vetëkorrigjuar defektet dhe për ta sjellë vendin në kushtet e një demokracie funksionale. Por koha duket sa nuk ka punuar për ne. Ndryshimet e pushtetit kanë sjellë të tjera trajta të shfaqjes së autoritarizmit.
Ditët e fundit ka një shqetësim të drejtë të disa grupimeve të biznesit dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që ndryshimet e taksave mund të ndodhin me vendim kryeministri dhe jo si ligje që votohen e mbikëqyren nga Parlamenti.
Ky është një rast i pastër i deformimit të sistemit dhe demokracisë. Dobësimi i Kuvendit dhe rrëmbimi i funksioneve të tij është goditje ndaj republikës që të kthen pas shumë shekuj,atëherë kur mbretërit ishin zotat e tokës mbi çdo ligj.
Ne ende nuk e dimë pasi nuk ka asnjë shpjegim publik, sepse duhet bërë diçka e tillë për t’i vendosur taksat pa ligj. Por e dimë fare mirë se ndërhyrja jo me ligj për taksat në mbretëritë e mëdha të kohës në Angli dhe Francë, ka marrë fund përgjatë shekujve 18-19. Më parë, në monarkitë absolute, vetëm Mbreti kishte autoritetin që të vendoste taksë.
“Unë jam ligji” thërriste Luigji XIV. Kjo që po bën sot Kryeministria është formë e tejkaluar, por që duket si një ambicie e për të ringjallur monarkët e për t’u rrëmbyer atyre skeptrin. A është kjo një çështje ambicie, ekspertize apo zgjedhjeje të gabuar ligjore dhe institucionale. Me dëshmitë e derisotme,vlerësojmë që Jo.
Sepse skeptri i Kryeministrisë ka nisur të përzgjedhë ata që duhet të qëndrojnë afër mbretit dhe të përfitojnë nga hija e tij. Nga ky skeptër shkarkohen disa e po përzgjidhen me një të trokitur disa të tjerë. Bien prefektët, në vend të tyre vijnë ish-ushtarakët, rrëzohen disa drejtorë e vijnë në turmë të tjerë. Edhe për taksat ky skeptër do të zgjedhë. Tek propozimet e reja për stimujt e ri fiskalë në turizëm,edhe FMN e ka paralajmëruar një rrezik të tillë (lexo në brendësi). Ajo thotë se e ka të paqartë se a do të përftojë publiku apo vetëm një grupim i vogël.
Pra kjo që po ndodh nuk lidhet vetëm me kënaqësitë që të jep përqendrimi i pushtetit, por me aftësinë që ky pushtet monarkik ka për të diktuar jetën dhe suksesin e të tjerëve. Dhe të mos kemi iluzione, se këto skema me mbretëri absolute, janë si mbretëritë në Mbretërinë e Bashkuar,Danimarkë apo Norvegji.
Thjesht kjo është një skemë qeverisje, që do të bjerë në kolaps sapo mbreti do të zbresë nga froni. Fatkeqësisht do të duhet t’ia nisim nga e para për të ndërtuar mbretërinë tonë të punës, drejtësisë dhe barazisë.