Marrëdhëniet e shtetit me krimin i shkëput vetëm reforma politike
Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 19 tetor 2017
Ngjarjet e ditëve të fundit që kanë tronditur politikën shqiptare dhe opinionin publik, tregojnë edhe njëherë se marrëdhëniet e krimit me shtetin shqiptar ngelen një nga problematikat më të mëdha të tranzicionit.
Dyshimet për implikimin e ish-ministrit të rendit dhe strukturave të policisë në trafikun e lëndëve narkotike, kërkojnë një reflektim të thellë dhe një reagim të fortë nga ana e qeverisë dhe opinionit publik.
Fillimisht, shpresa e shqiptarëve për të eliminuar njëherë e përgjithmonë këtë fenomen që po mban peng zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij në Bashkimin Europian, ishte Reforma në Drejtësi, duke qenë se krimi për t’u luftuar ka nevojë për vullnet politik, por mbi të gjitha për një drejtësi të pavarur politikisht, gjë të cilën nuk e kemi patur deri më tani.
Reforma në Drejtësi do të kenë një rol thelbësor për eliminimin e këtij fenomeni, nëse vërtet do të zbatohet ashtu siç është qëllimi i saj, por kjo reformë është e pamjaftueshme për të çrrënjosur njëherë e përgjithmonë marrëdhëniet midis krimit dhe politikës në Shqipëri.
Sigurisht që ajo do të këtë efektet e saj, të cilat kanë filluar të ndihen që tani, pa u zbatuar ende, qoftë edhe si frymë e përgjithshme. Mirëpo, këtij problemi duhet t’i shkojmë te burimi, te shkaku kryesor. Dhe shkaku kryesor është padyshim politika. Në këtë kuptim reforma politike është thelbësore nëse vërtet duam që të shpëtojmë shtetin shqiptar nga kthetrat e krimit.
Sepse politika është burimi i çfarëdo pushteti politik, edhe i pushtetit gjyqësor. Shumë prej organeve të drejtësisë kërkojnë aprovimin nga parlamenti.
Prandaj për të luftuar këtë fenomen duhet të shkojmë te burimi i së keqes.
Si mund të pretendojmë të reformojmë pasojën, që është një drejtësi e kapur, pa reformuar shkakun, që është një politikë e korruptuar?!
Një nga arsyet kryesore se përse politika shqiptare përdor krimin për të financuar fushatat e saj elektorale, është pikërisht problemi i mënyrës se si financohen partitë politike.
Reforma politike duhet të fillojë më së pari, nga ligji i financimit të partive. Politika, duam apo s’duam ka nevojë për të ardhura që të ushtrojë aktivitetin e saj. Në mungesë të tyre, i vjen gjithmonë në ndihmë krimi i organizuar.
Më tej duhet të vazhdojë, me mënyrën se si përzgjidhen kandidatët për deputetë, dhe me reformën zgjedhore në tërësi.
Ky sistem zgjedhor, i aprovuar me konsensusin e dy forcave politike kryesore, ka krijuar një nivel personalizimi të politikës që nuk është parë ndonjëherë më parë, duke i kthyer deputetët e Parlamentit të Shqipërisë në ngritës kartonash dhe asgjë me tepër. Parlamenti e ka të pamundur me ketë sistem të ushtrojë funksionin e tij kryesor, atë të kontrollit të qeverisë. Në këtë mënyrë ai është kthyer në një organ ratifikues të vendimeve dhe aksioneve të qeverisë.
Këto janë vetëm disa nga problematikat që reforma politike duhet t’i zgjidhë, në të kundërt, do të vazhdojmë ende të kemi fenomene të tilla për sa kohë që nuk kemi vajtur te shkaku i problemit.
Mirëpo që të aprovohet një reformë e tillë kërkohet një vullnet politik.
A mund të votojë kjo klasë politike një reformë që të rregullojë ata vetë?
Duket e pamundur. E vetmja shpresë, siç ishte rasti i Reformës në Drejtësi, është për fat të keq të kthejmë sytë edhe njëherë nga aleatët tanë ndërkombëtarë.