Çfarë përfaqëson dhe çfarë synon e djathta
Nga Fitim Zekthi, botuar në Mapo, 7 tetor 2017
Pas një zbehjeje të dallimeve ideologjike mes partive politike pas vitit 1990 dhe shfaqjes së një diskursi të ri në qendër të të cilit u vendos efikasiteti, pragmatizmi, teknokracia etj., sot është rikthyer sërish i fortë dhe i rëndësishëm dallimi ideologjik, mbajtja e qëndrimeve dhe hartimi i propozimeve mbi pozicionet e të djathtës dhe të majtës (brenda të cilave ka ngjyresa shumë të mëdha që përfshijnë rryma në secilin pozicion). Për shumë studiues ishte i pritshëm ky dështim i teknokracisë apo i periudhës ideologjike pasi demokracia funksionon mbi dikotominë pozitë-opozitë të cilat nuk mund të kenë propozime të tjera të tjera veç të majtës dhe të djathtës pavarësisht modifikimit që mund t’i bëjnë. Shqipëria gjatë këtyre 27 viteve pluralizëm e ka patur të theksuar në disa drejtime dallimin e majtë-e djathtë dhe në disa drejtime as që patur fare dallim të këtillë. Kjo ka ardhur për shkak të faktit që partitë kryesore janë krijuar në rrethana jo aq të natyrshme. Partia Socialiste u krijua nga ndryshimi i emrit të Partisë së Punës që kishte drejtuar e vetme vendin për 45 vjet duke shkaktuar një gjëmë kombëtare me shtetin totalitar që ndërtoi dhe Partia Demokratike u krijua si një parti që donte demokracinë dhe ishte kundër komunizmit. Sigurisht që Partia Socialiste do të ishte e mbushur plotësisht me majtizëm, madje me majtizëm të thekshëm, nga ai më radikali ndërsa Partia Demokratike do ta kishte të dobët ngjyrën e të djathtës megjithëse do të ishte një parti e fortë dhe e qartë antikomuniste.
Në kohën kur dallimet ideologjike po shfaqen të forta kudo dhe në kohën kur në Shqipëri ka nevojë dramatike të formulohet një propozim politik qartësisht i djathtë në mënyrë që të përballë me ide gjendjen në vend dhe partinë në pushtet ne po përpiqemi të shohim çfarë është e djathta, nga ku buron premisa që çon tek ajo, çfarë përfaqëson dhe çfarë synon e djathta. Duhet thënë se brenda të djathtës ka dallime të ndryshme të cilat e bëjnë shumë interesante atë vetë dhe debatin ideor brenda saj por ashti, rrashti dhe burimi është i njëjtë kudo në ngjyrat e saj. E djathta beson se një ligj natyror rregullon jetën e njeriut, shoqërisë dhe botës. Nën ndriçimin e këtij ligj natyror e djathta kupton qëllimin apo detyrat e qeverisë (me qeveri kuptojnë të gjitha degët e saj si ekzekutivi, ligjvënësi dhe gjyqësori) dhe kuptimin e tërë humanitetit tonë. Ligji natyror për të djathtën fillon me “idenë e një rendi natyror”. Ky rend natyror është zbuluar apo zbulohet nga njeriu por nuk krijohet prej tij. Ky rend natyror i jep trajtë dhe kufizon kuptimin e lirisë. Ky rend natyror i orienton njerëzit drejt një hierarkie natyrale të qëllimeve njerëzore. Këto qëllime, që janë familjare (kanë të bëjnë me familjen), politike, filozofike dhe teologjike, janë të përbashkëta për çdo njeri. Për idenë e djathtë qëllimi më i lartë është ai i zbulimit të së vërtetës mbi natyrën dhe hyjësinë e Zotit. Ky qëllim domosdoshmërisht e bën njeriun të jetë një qenie me të drejta individuale të kufizuara.
Pra, premisa themelore e idesë së djathtë është ajo e ligjit natyror, i cili gjendet në një rend natyror jo të krijuar nga njeriu. Nga kjo pikëpamje e djathta mendon se njerëzit, siç thuhet në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së, “janë krijuar të barabartë nga Zoti dhe janë të pajisur nga Ai me disa të drejta të patjetërsueshme”. Kur themi janë krijuar të barabartë nuk do të thotë se njerëzit janë njësoj, përkundrazi çdo njeri është një krijesë unike. Këtu lind një nga tiparet apo shfaqet një nga rrënjët bazë të së djathtës: kuptimi që ajo ka për natyrën njerëzore. E djathta duke menduar se njerëzit janë unikë dhe të krijuar nga Zoti, mendon se ekziston një natyrë njerëzore e cila është e pandryshueshme. Duke qenë se njeriu ka një natyrë njerëzore e cila nuk ndryshon atëherë e djathta mendon se njeriu është mëkatar, është një qenie e dobët e cila nuk ka për qëllim të ndryshojë botën por ka për detyrë të luftojë me veten në mënyrë që duke rregulluar të rregullojë shoqërinë. Kësisoj e djathta vlerëson përunjësinë, është kundër epshit për pushtet, është kundër përdorimit të çdo mjeti për të arritur qëllimin.
E majta mendon se nuk ekziston fare një “natyrë njerëzore”. Me anë të edukimit me njeriun mund të bëhet gjithçka sipas saj. Pra, njeriu duke mos patur natyrë është thjesht një produkt i rrethanave sociale dhe janë këto rrethana që në njëfarë mënyre janë përgjegjëse për të. Pra, njeriu ka për detyrë të rregullojë shoqërinë pasi duke rregulluar shoqërinë atëherë rregullohet çdo njeri. Pra për të majtën njeriu nuk ka një luftë për të bërë me veten, nuk ka një përgjegjësi për të mbajtur për mëkatet që bën (ai nuk bën fare mëkate) pasi ai nuk është përgjegjës. Në këtë kuptim e majta, duke dashur të ndryshojë tërë shoqërinë me anë të edukimit, pasi njeriu sipas saj mund të bëhet deri edhe absolutisht i mirë në një progres që nuk ndalet, mbron idenë e një shteti të madh që bën gjithçka, që zotëron gjithçka, që iu jep njerëzve atë që shteti mendon se ata duhet të kenë në mënyrë që të arrihet te shoqëria ideale që prodhon njerëz idealë.
Ideja e djathtë që thotë se njeriu ka një natyrë të tijën të pandryshueshme çoi në propozimin politik të djathtë për një shtet të vogël që ndërhyn pak në jetët e njerëzve, që mbron liritë dhe të drejtat themelore, që përkrah iniciativën e individit, që mbledh pak taksa, që nuk i mëson njerëzit se çfarë duhet të bëjnë, që nuk i çon njerëzit me zor në shkolla shtetërore, që nuk ka fare madje shkolla shtetërore etj. Një shtet i djathtë nuk përpiqet të ndryshojë natyrën e njeriut dhe as njeriun. Ideja e majtë që thotë se natyra njerëzore nuk ekziston, se njeriu mund të përmirësohet me edukim çon në propozimin politik se duhet një shtet i madh që di dhe kontrollon gjithçka, që mbledh shumë taksa, që nuk e vlerëson fare ekonominë private apo iniciativën e individit, që zotëron shkolla dhe që iu mëson njerëzve atë që ai do sepse vetëm shteti ka dijen e duhur për të edukuar njerëzit. Në qoftë se propozimet politike të së djathtës nuk do të kenë për premisë ligjin natyror dhe pandryshueshmërinë e natyrës njerëzore, atëherë në thelb nuk do të kemi të djathtë por variante të shtrembra dhe kaotike që herët a vonë do të prodhojnë probleme për atë dhe për shoqërinë.