Katalonja trondit Spanjën dhe Europën
Sipas mediave, 2 tetor 2017
Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont tha se krahina spanjolle fitoi të drejtën për të formuar shtetin e saj pas një referendumi kontradiktor që u trazua nga dhuna.
Presidenti katalanas tha se tashmë është hapur dera që Katalonja të shpallë në mënyrë të njëanshme pavarësinë dhe festa në rrugë nuk ka munguar.
Fjalët e Puigdemont u mbështetën edhe nga shifrat e votimit, pasi 90% e votuesve mbështetën pavarësinë, raporton Top Channel.
Pjesëmarrja në referendum ishte 42,3%, një shifër që, sipas ekspertëve, ngre pikëpyetje për vlefshmërinë e tij, pasi nuk mori pjesë as gjysma e popullisë me të drejtë vote.
Këto shifra padyshim që nuk i bëjnë përshtypje qeverisë spanjolle, e cila tha se nuk e pranon referendumin që më herët, madje përdori edhe dhunën për ta ndaluar atë, megjithëse nuk ia doli dot.
Duke zbatuar urdhërin e Gjykatës Kushtetuese, policia spanjolle përdori shkopat dhe plumbat e gomës kundër njerëzve që donin të votonin, duke plagosur mbi 800 prej tyre, si dhe sekuestroi kutitë e fletët e votimit në dhjetëra qendra votimi.
Evropa nuk mbështet pavarësinë e Katalonjës, por rrudhi buzët ndaj veprimeve të Spanjës, ndërsa shumë ekspertë thonë se me dhunën e ushtruar, Madridi i dha leje për pavarësi krahinës së pabindur.
Protesta ndaj dhunës së policisë u zhvilluan jo vetëm në Katalonjë, por në shumë qytete të tjera spanjolle, ndërsa nuk mungojnë as grevat e organizuara për të martën për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Lideri katalanas Puidgemont tha se rezultatet e referendumit do t’i dërgohen Parlamentit të krahinës në ditët e ardhshme, për të vijuar me hapat e mëtejshëm, duke e cilësuar pavarësinë çështje të mbyllur, megjithëse duket se kjo dramë ka ende akte për të luajtur.