Rreziku i autoritarizmit në një epokë post-perëndimore

Nga Viktor Mërkuri, botuar në Mapo, 20 shtator 2017

Gjatë dy dekadave pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rrënies së Bashkimit Sovjetik, rryma e ndikimit ndërkombëtar do të ishte tashmë e qartë – përhapja e ides së globalizmit dhe demokracisë liberale, nga vendet perëndmore drejtë shteteve të tjera, ndërkohë që perëndimi tashmë kërkonte përhapjen e modelit të saj të qeverisjes në mbarë botën. Me ndihmën e promovimit të demokracisë perëndomore, plani përmbante shuarjen e sistemeve autoritare. Parimi kryesor pas rrënies së Murit të Berlinit ishte se përveç modelit perëndimor, edhe globalizimi do të jetë një katalizator për demokratizimin e këtyre vendeve. Sipas teorive politike, kur idealet demokratike përhapen (ose edhe rrjedhin) përmes kufijve të një shteti autoritar, globalizimi e bën demokratizimin të pashmangshëm. Përkrahësit e kësaj pikëpamjeje shpreheshin mbi zhvillimin e tranzicionit demokratik në botë gjatë çerekshekullit të kaluar dhe aftësinë e teknologjisë për të depërtuar në shoqëritë më të mbyllura.

Në një studim të “TIMBRO” mbi indeksin e autoritarizmit populist në europë publikuar këtë vit, u synua të hidhej dritë në pyetjen nëse populizmi përbën një kërcënim afatgjatë për demokracitë liberale europiane. Indeksi hulumton rritjen e autoritarizmit populist në Europë duke analizuar të dhënat zgjedhore nga viti 1980 deri në verën e vitit 2017.

Sipas studimit, ai ka tejkaluar liberalizmin dhe tani është vendosur si forca e tretë ideologjike në politikën europiane, prapa konservatorizmit, demokristianizmit dhe demokracisë sociale. Hungaria, Polonia dhe Greqia janë vendet europiane ku partitë anti-establishment ose të shprehura në shqip “anti-institucionale” (Një pikëpamje politike anti-institucionale është një pikpamje e cila qëndron në kundërshtim me parimet konvencionale shoqërore, politike dhe ekonomike të një shoqërie) janë më të forta. Në të njëjtën kohë, nëntë vende europiane (duke përfshirë shtatë vende anëtare të BE-së) kanë parti populiste në qeveri. Mesatarisht, rreth një e pesta e elektoratit europian tani voton për një parti populiste të majtë apo të djathtë. Duke e përkthyer këtë në shifra konkrete, 55.8 milionë njerëz votuan për këto parti gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të fundit të vendeve europiane.

Ndonëse partitë anti-institucionale ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra në arenën europiane, studimi në fjalë grupon së bashku këto forca të ndryshme politike duke analizuar pikat kryesore të cilat ato shprehin:

1) vetëpromovimi i të qënit në konflikt me një elitë të korruptuar e cila udhëheq vendin;

3) kërkesë për demokraci të drejtpërdrejtë;

4) përndjekja e synimit për një shtet më të fuqishëm përmes policisë dhe ushtrisë, si dhe shtetëzimin e bankave dhe korporatave të mëdha;

5) shumë kritik ndaj BE-së, imigracionit, globalizimit, tregtisë së lirë dhe NATO-s;

6) përdorimi i gjuhës revolucionare dhe premtime për ndryshimeve dramatike momentin e parë që ata të marrin pushtetin;

Tashmë duket e qartë se demokracitë perëndimore kanë vonuar të kuptonin se një epokë e re konkurrence ishte duke u zhvilluar mes shteteve autokratike dhe atyre demokratike. Një konkurencë e tillë është e dukshëm në një numër sferash, duke përfshirë gjeopolitikën dhe kryesisht investime masive në format e “fuqisë së butë” që kanë lejuar regjime si Rusia dhe Kina të sfidojnë integritetit dhe prestigjin e sistemeve demokratike të Perëndimit.

Pas një periudhe suksesi të jashtëzakonshëm për demokracinë, tashmë batica duket se është kthyer. Në rajone kuçe të botës shohim që forcat e fuqishme antidemokratike kanë ndërmarrë iniciativa jo të vogla. Vitet e fundit, aktorë antidemokratik, si shtetëror dhe joshtetëror, kanë fituar terren, kanë shfrytëzuar përparësinë dhe kanë kërkuar të minojnë demokracinë liberale. Kjo për të forcuar regjimet e tyre, për të dobësuar aftësinë e shteteve perëndimore, për të sfiduar autoritarizmin dhe për të nxitur botën drejt mos-liberalizmit.

Përpjekja e fuqishme e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016 mund të konsiderohet si një shembull konkret. Ndikimi autoritar siç mund të quhet, përfshin veprime jo vetëm nga Rusia, por edhe nga Kina si dhe shtetet e tjera të Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Ajo ka prekur shumë demokraci perëndimore dhe kjo nuk përfshin vetëm programet e ndërhyrjes politike dhe propagandën, por ndodhë edhe përmes partive politikemë të vogla, organizatave joqeveritare dhe bizneseve.

Nga vetë natyra e tyre, regjimet autoritare mohojnë hapësirën për zëra të moderuar politik që mund të ofrojnë një alternativë të besueshme për politikat dhe udhëheqësit ekzistues. Udhëheqja autoritare nuk ka interes të heqë dorë nga pushteti, veçanërisht duke pasur parasysh korrupsionin masiv dhe të pakontrolluar që e transformon politikën e regjimeve të tyre në një lojë me pak fitues. Në mjediset në të cilat mungojnë institucionet transparente, korrupsioni i shtetit gjithmonë i ka patur rrënjët të thella dhe të fuqishme. Nuk është rastësi që kapja e shtetit dhe kleptokracia ka mbuluar vende si Rusia, Kina, Angola, Azerbajxhani dhe vende të tjera.

Ndikimi i autoritarizmit ka fuqi të dobësojë shtetet liberale, të forcojë sundimin joliberal dhe të dëmtojë shoqëritë në procesin e demokratizimit – si në rastin e Ballkanit, ku Moska duket se po kërkon të destabilizojë jo vetem Malin e Zi, por dhe vendet e tjera për hir të influencës që kërkon të ketë. Ajo duket se kërkon të thyejë shoqëritë dhe qeveritë perëndimore dhe të minojë besimin e publikut në demokracinë liberale duke diskredituar institucionet dhe zyrtarët demokratikë. Shumë nga këto përpjekje janë pragmatike sesa ideologjike. Për të ruajtur fuqinë e Rusis në Europën Lindore dhe Qendrore, Kremlini beson se ajo duhet të ketë përballë një Bashkim Europian sa më të dobët.

Shtetet autoritare të sotme kanë më shumë mjete sesa paraardhësit e tyre, pasi elitat dhe institucionet bashkëkohore janë thellësisht të përfshira në ekonomitë perëndimore dhe mund të përdorin kanale digjitale për të përhapur idetë dhe për t’u bashkuar me politikat e tyre. Ajo çfarë i bashkon të gjitha përpjekjet e tyre kur vjen fjala në ndikimin nga jashtë vendit, është perceptimi se fati i regjimeve të tyre varet pjesërisht nga menyra se cfarë lloji qasjesh u shprehin atyre vendet demokratike. Shtetet autoritare ndjehen të prekshme ndaj armiqësisë perëndimore dhe kërkojnë ndikim në demokracitë liberale pjesërisht për të larguar përpjekjet e perëndimit për t’i delegjitimizuar ato dhe për të mbrojtur mbijetesën e tyre. Për këtë qëllim, ata përpiqen të pengojnë planet për promovimin e demokracisë, mbështetjen për disidentët, sanksionet dhe ndryshimin e regjimit. Vendet autoritare nga më të voglat në ato më të mëdha kërkojnë të ndërtojnë një mburojë mbrojtëse duke fituar ndikim në Perëndim. Fuqitë e mëdha mes tyre (Kina dhe Rusia) gjithashtu kërkojnë të parandalojnë ndikimet perëndimore në atë që ata do ta quanin “sferat e tyre të interesit”.

Fenomeni i autoritarizmit populist nuk ka lindur brenda natës. Ajo është zhvilluar për një periudhë prej disa vitesh. Por është tashmë e qartë se ambiciet e autokratëve në rritje paraqesin një dobësi të rëndësishme strategjike ndaj demokracisë. Demokracitë do të duhet të gjejnë një përgjigje më të qëndrueshme, më afatgjatë dhe mbi të gjitha më racionale nëse duan të mbizotërojnë përballë kësaj sfide shumëdimensionale.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi