Masa të jashtëzakonshme në kohë të zakonshme

Nga Harold James, Professor of History at Princeton University as well as the university’s Woodrow Wilson School of Public and International Affairs, 30 gusht 2017

Duke pretenduar se po i drejtojnë shtetet në kohë të jashtëzakonshme, liderët globalë po justifikojnë sundimin e tyre autoritar, pa qenë në gjendje ta mbështesin atë me legjislacion të pranueshëm, argumenton Harold James.

Kanë kaluar dhjetë vjet që kur ndodhi kriza financiare ndërkombëtare. Deri në korrik 2007, kriza subprime e hipotekave konsiderohej si një problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Por pastaj Landesbank Sachsen dhe IKB Deutsche Industriebank, dy banka rajonale shtetërore në Gjermani, u detyruan të nxirren nga telashet financiare dhe papritur u bë e qartë për politikëbërësit se sa i ndërlidhur qe bërë sistemi financiar global. Ndikimi i 2007-ës është ende me ne. Pasoja më shkatërrimtare e tij ishte vënia në pritje e masave monetare jotradicionale. Fatkeqësisht, kur politikëbërësit u vunë në kërkim të “bazukëve të mëdhenj” dhjetë vite më parë, ata krijuan vend për kthimin e një karakteri të vjetër: të fortit që është gati ta shkrepë këmbëzën.

Sigurisht, përballë krizës financiare, politikanët kishin të drejtë të thoshin se nuk mund të mbështeteshin te mbarëvajtja e punëve si zakonisht. Bankat qendrore kishin nevojë të ofronin likuiditet në shkallë masive dhe qeveritë duhej t’i plotësonin ato përpjekje të politikave monetare me zgjerim fiskal. Kështu, Kina dhe SHBA në veçanti, lançuan në 2008 dhe 2009 respektivisht programe stimuli në shkallë të gjerë. Disa prej masave të jashtëzakonshme të zbatuara në përgjigje të krizës financiare rezultuan të ishin keqplanifikuar dhe u braktisën ose u përmbysën. Në SHBA, Programi i Lehtësimit të Aseteve në Telashe (TARP), që ish-presidenti George W. Bush e nënshkroi si ligj në tetor 2008, filloi si një program i Departamentit të Thesarit që kishte blerë asete problematike të bazuara gjerësisht te hipotekat nga institucione financiare. Por kjo rezultoi të ishte më e ndërlikuar sesa u mendua më parë dhe brenda javëve, qeveria rikapitalizoi bankat amerikane.

Vendime të tjera të këqija nuk u përmbysën kaq lehtë. Me shpresën për të ndaluar një tërheqje masive të parave nga banka, qeveria irlandeze ofroi një garanci të përgjithshme për të gjitha depozitat bankare. Me këtë vendim të njëanshëm, Irlanda destabilizoi të gjithë Europën. Papritur, qeveritë e tjera kishin frikë se depozituesit në bankat e tyre do të largoheshin në masë drejt bankave irlandeze (pavarësisht se kostoja e garancisë ishte shumë e lartë që qeveria irlandeze të mund ta mbante). Megjithatë, në përgjithësi, përgjigjja ndaj krizës financiare ishte e suksesshme dhe ata që e drejtuan atë kishin të drejtë ta përgëzonin veten se kishin parandaluar një përsëritje të Depresionit të Madh. Por, për shkak të politikave të pazakonta që ishin aq efektive, ato tashmë konsiderohen të përshtatshme dhe të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo problemi, ndërsa mbrojtjet kushtetuese po shpërfillen gjithnjë e më shumë si shqetësime të kota burokratike.

Që në vitin 2008, ish-kryetari i Rezervës Federale Paul Volcker paralajmëroi se Fed ishte “në kufi të fuqive të veta ligjore dhe të parashikuara”. Sigurisht, disa mund të pyesin përse një politikëbërës nuk duhet ta shpërfillë kufirin për hir të mirëqenies së vendit. Por betimi salus populi suprema lex – maksima sipas të cilës ligjet duhet të reflektojnë interesin publik – është një mënyrë e vjetër e justifikimit të autokracisë. Në fakt, kush mund të thotë se çfarë është në interesin më të mirë të publikut – jo më të përcaktojë ligjin suprem të atdheut? John Adams, presidenti i dytë i Amerikës, theksoi ambiguitetin e rrezikshëm të këtij koncepti: “E mira publike, salus populi”, shkroi ai, “deklarohet në thelb të të gjitha qeverive, nga më despotikja te më e lira”.

Pikëpamja post-krizë nënkupton që një lider i fuqishëm mundet dhe duhet t’i rregullojë gjërat vetë (politikanët e fortë rrallë janë gra). Kjo qasje qe e dukshme në përgjigjen e qeverisë ruse ndaj rënies së çmimeve të aluminit në 2009, kur humbja e vendeve të punës dhe pagat e papaguara nxitën protesta të shkallës së gjerë në një fabrikë në Pikalevo 250 km në juglindje të Shën Petërburgut. Kur kryeministri i atëhershëm Vladimir Putin shkoi në Pikalevo, ai turpëroi pronarin e fabrikës, oligarkun Oleg Deripaska, duke e quajtur atë një “kacabu”. Putin nuk lajmëroi ndonjë politikë të re për të ndihmuar punëtorët rusë; megjithatë performanca e tij në Pikalevo u përshëndet si një shfaqje e fuqisë shtetërore përpara kapitalizmit.

Autokratët priren ta prezantojnë veten si të aftë për të zgjidhur një problem të caktuar. Për presidentin e Filipinës, Rodrigo Duterte, kjo nënkupton një “luftë ndaj drogës” që ka çuar në mijëra vrasje të jashtëligjshme. Putin dhe presidenti turk Erdogan i justifikojnë politikat e tyre në kontekstin e luftës ndaj terrorizmit. Dhe kryeministri hungarez Viktor Orban e ka përkufizuar sjelljen e tij autokratike si një përgjigje të nevojshme ndaj krizës financiare në vend. Duke u përqendruar në një “krizë” të ngushtë, këta liderë krijojnë një mentalitet në të cilin të gjitha problemet e tjera bëhen kriza që kërkojnë veprime të menjëhershme, efektive dhe të pakufizuara.

Ky mentalitet post-krizë i përshtatet doktrinës së teoristit politik gjerman Carl Schmitt të “vendosmërisë”. Schmitt, i cili iu bashkua Partisë Naziste në 1933, thoshte se vendimmarrja sovrane është në qendër të procesit politik. Kur liderët marrin vendime politike, ata pohojnë kontrollin ndaj konceptit të sovranitetit në vetvete, që është gërryer gradualisht dhe është transformuar në faza të ndryshme të globalizimit. Sipas Schmitt, se si liderët i marrin vendimet e tyre kjo është dytësore ndaj faktit se një vendim është marrë. Një sovran “ka nevojë” të veprojë me forcë për të mbrojtur interesa të caktuar të kërcënuar. Shpesh kjo mbart gjeste simbolike. Në 1930, për shembull, Akti i Tarifave të Smoot-Hawley në SHBA përjashtoi orët zvicerane, produktet e mëndafshit japonez dhe importe të tjera ikonë të vendeve të caktuara.

Proteksionizmi sot nuk është i ndryshëm. Kini parasysh kërcënimin e presidentit amerikan Donald Trump për të imponuar tarifa ndaj BMW dhe Mercedes-Benz: dy marka të rëndësishme që lidhen me Gjermaninë. Në përgjigje të kërcënimeve të Trump, Europa ka hyrë po ashtu në politikën e simbolizmit. Nëse Trump vazhdon, Bashkimi Europian mund të hakmerret duke shënjestruar uiskin burbon, një produkt amerikan që prodhohet në Kentaki, shteti i lindjes së liderit të shumicës së Senatit amerikan Mitch McConnell.

Fatkeqësisht, kjo qasje ka krijuar një mjedis politik në të cilin normat e krijuara janë gërryer, pa u zëvendësuar me norma të reja. Gazetari britanik me origjinë sovjetike, Peter Pomerantsev, e tha më së miri në titullin e librit të tij brilant rreth jetës post-sovjetike: Asgjë nuk është e Vërtetë dhe Gjithçka është e Mundur. Tani që kriza është normalizuar si një gjendje e përhershme, ne jemi të gjithë post-sovjetikë./Mapo.al/

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi