Hipokrizia e BE-së rreth zgjerimit

Nga Augustin Palokaj, botuar në Koha.net, 10 gusht 2017

Bashkimi Europian mbetet formalisht i përkushtuar për të vazhduar procesin e zgjerimit, por në të njëjtën kohë dërgon edhe mesazhe se nuk nxiton që ky proces të rezultojë me anëtarësimin e ndonjë vendi të ri së shpejti Nga prononcimet e disa zyrtarëve të lartë të BE-së, dhe nga bisedat me shumë diplomatë, fitohet përshtypja se ata në fakt nuk besojnë shumë në këtë proces, me dëshirë do ta harrojnë atë, por nuk kanë guxim, sepse kanë frikë se një gjë e tillë do të mundë ta destabilizonte sidomos rajonin e Ballkanit Perëndimor e me këtë edhe tërë Europën.

Këtë situatë në një mënyrë e ka përshkruar edhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili në një intervistë për portalin “Politico” ka pranuar se ai nuk është në favor të zgjerimit të shpejtë të Ballkanit Perëndimor, por insiston që të ruhet perspektiva e tyre europiane. Këtë e thotë duke i dërguar porosi Presidentit amerikan Donald Trump, i cili deri vonë ka folur për dëshirën e tij të shpërbërjes së BE-së dhe, duke u uruar britanikëve për atë që Trump e ka quajtur “vendim të zgjuar”, ka parashikuar që edhe kombe të tjera europiane të ndjekin rrugën e britanikëve dhe të largohen nga BE-ja.

Në përpjekje për të dëshmuar se uniteti dhe ekzistenca e BE-së janë të nevojshme, madje edhe të domosdoshme, Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka thënë se projekti i Bashkimit të Europës ka siguruar paqen dhe, sikur të mos ekzistojë BE-ja, atëherë as vendet e Ballkanit nuk do të mundë të besonin se mund të integrohen në të, dhe me këtë do të rrezikohej shpërthimi i luftës në rajon. Juncker, në këtë mënyrë, ka ilustruar mirë një hipokrizi që ekziston në BE rreth zgjerimit të saj.

“Unë nuk jam në favor që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE së shpejti. Por nëse ua hiqni perspektivën europiane, atëherë ne përsëri do të përjetojmë atë që përjetuam në vitet 1990. Në këtë kontekst, stabiliteti i përbërjes së Bashkimit Europian është një parakusht që Ballkani të mos zhytet në luftë përsëri. Shpresoj se Trump e kupton këtë”, ka thënë Juncker.

Ai nuk thotë që vendet e Ballkanit do të integrohen gjithsesi në BE, por vetëm se ato duhet të besojnë në një gjë të tillë. Jean Claude Juncker edhe para se ta merrte mandatin e tij në krye të Komisionit Europian pati shkaktuar pakënaqësi, e në disa raste edhe zhgënjim, në vendet e Ballkanit Perëndimor, kur pati thënë se gjatë mandatit të tij pesëvjeçar nuk do të ketë zgjerim. Sikur atëherë, ashtu edhe tash Juncker ka thënë në fakt një realitet. Edhe në vitin 2014, edhe këtë vit është vështirë të besohet se ndonjë nga vendet kandidate apo nga kandidatët potencialë do të mundë të jetë gati të bëhet anëtar i BE-së.

Por ai me këtë thënie, sado reale të ketë qenë, ka dekurajuar këto vende dhe ato i kanë ngadalësuar reformat, sidomos luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në shumë vende të rajonit ka ndodhur edhe degradimi i vlerave demokratike. Në vendet si Serbia dhe Maqedonia është keqësuar dukshëm edhe sundimi i ligjit dhe respektimi i lirisë së mediave. Në vendet si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, shtete jo edhe aq funksionale, nuk janë tejkaluar pengesat etnike që do të mundësonin funksionimin normal të shtetit në tërë territorin e tyre.

Kur nuk besojnë se mund të llogarisin në përfitime të shpejta, në kuptimin e përparimit të shpejtë në rrugën e integrimeve europiane, liderët politikë hezitojnë që të marrin vendime të vështira. Juncker dëshmon për hipokrizi të BE-së rreth zgjerimit, e shfaq edhe në pyetjet rreth Turqisë, duke dhënë mendime dykuptimshme. Ai thotë se nuk është në favor të ndërprerjes së negociatave për anëtarësim me Turqinë “së paku në letër”. Pra, përsëri dëshmon se, sikur të kishte guxim, BE-ja do t’i ndërpriste këto negociata. Nuk janë vetëm politikanët në BE që nuk e përkrahin shumë integrimin më të shpejtë të Ballkanit në BE.

Në shtetet kryesore anëtare, si Gjermania, Franca, Holanda, Austria dhe Luksemburgu, numri i qytetarëve që kundërshtojnë pranimin e shteteve të reja në BE është tri herë më i madh sesa i atyre që e mbështesin. Sipas anketave të zhvilluara gjatë pranverës,të përfshira në një publikim të Eurobarometrit, për vazhdimin e procesit të zgjerimit dhe pranimin e shteteve të reja në anëtarësi janë vetëm 25 për qind e qytetarëve të Austrisë, 26 për qind e atyre të Francës, 27 për qind e gjermanëve dhe shtetasve të Luksemburgut dhe 29 për qind e holandezëve.

Në nivel të mesatares së BE-së në favor të zgjerimit janë vetëm 40 për qind e qytetarëve, ndërsa kundër janë 49 për qind. Dhe kjo përqindje përmirësohet kryesisht duke iu falënderuar mbështetjes së zgjerimit nga disa vende të reja anëtare. Për shembull, në Kroaci mbështetja për vazhdimin e zgjerimit është në nivelin prej 66 për qind. Përqindja e kroatëve, të cilët mbështesin zgjerimin është po aq sa edhe ajo e gjermanëve, të cilët janë kundër. Diplomatët në BE pohojnë se një kundërshtim kaq i madh për zgjerimin është, para së gjithash, për shkak të frikës nga anëtarë- simi i Turqisë në BE. Sikur në BE të ketë guxim dhe të sqarohet njëherë e përgjithmonë se Turqia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së, sikur të kërkojnë edhe nga Partia Popullore Europiane (EPP) që është grupi më i madh politik europian, atëherë besohet se mbështetja për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE do të mundë të ishte më e madhe, apo së paku kundërshtimi nuk do të ishte aq i madh.

Liderët e vendeve të Ballkanit duhet ta kenë parasysh këtë atmosferë kundër zgjerimit në BE, kur japim premtime të mëdha për “anëtarësim të shpejtë” apo “integrim të garantuar në BE”, sepse garanci të tilla nuk ka. Edhe kur premtojnë mbështetje për zgjerimin, sikur kanë bërë në Samitin e Triestes, liderët europianë si kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emaniel Macron, ata nuk japin kurrfarë garancish. Fundi i fundit, nëse nuk ndryshohet Kushtetuta, për pranimin e secilit anëtar të ri në BE, në Francë qytetarët do të shprehen në referendum. Sikur sot një shtet kandidat të kishte përmbyllur negociatat e anëtarësimit, dhe të kishte nënshkruar Traktatin e anëtarësimit, francezët në referendum do të mundë të refuzonin një gjë të tillë.

Shpresa e vetme mbesin politikanët e guximshëm si kancelarja gjermane Merkel, e cila merr vendime edhe kur ato nuk janë shumë të mbështetura nga opinioni publik, nëse beson se ato janë vendime të duhura. Ajo ka vepruar kështu në rastin e pranimit të refugjatëve dhe po vepron kështu edhe në mbështetjen për zgjerim, edhe pse partia e saj, CDU-ja, është kundërshtare e fuqishme e zgjerimit të BE-së. Pa marrë parasysh këto rrethana jo të favorshme në BE, vendet e rajonit të Ballkanit duhet të vazhdojnë punën e tyre, sepse arritja e kushteve për anëtarësim, edhe nëse nuk bëhen anëtare, do të thotë se ato vende kanë shënuar një përparim të madh dhe janë bërë vende më të mira për të jetuar.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi