Koha për “Shërbyesit Civilë”

Nga Ervis Iljazaj, botuar në Mapo, 22 korrik 2017

Një nga problemet më të mëdha që ka patur Shqipëria gjatë tranzicioni është padyshim mungesa e një administrate publike efikase, e cila ka qenë një nga pengesat e zhvillimit ekonomik. Është e kotë të flasim për sistem fiskal progresiv apo të sheshtë nëse një vend i caktuar nuk ka një administratë efikase që të kthejë taksat e qytetarëve në shërbime që i nevojiten komunitetit.

Kjo është një nga betejat që po zhvillon dhe Edi Rama ditët fundit, që ndër të tjera ishte dhe i vetmi premtim elektoral i tij dhe, me sa duket kërkon ta çojë deri në fund atë. Për nga mënyra mund të ketë vend për diskutim, pasi denoncimet publike nga ana e qytetarëve ndaj punonjësve të korruptuar jo gjithmonë janë instrumenti i duhur sepse të ndërtosh një administratë eficiente dhe transparente ka nevojë për një reformë të thellë.

Megjithatë nisma e Ramës duhet mbështetur, pasi këtu nuk bëhet fjalë për aprovimin e një ligji të punonjësit civil, por kërkohet një vullnet politik i hekurt. Shqipëria asnjëherë nuk ka vuajtur nga ligjet por, nga vullneti i mirë politik për të çuar gjërat deri ne fund dhe, me sa duket vullneti këtë herë nuk mungon.

Administrata publike në Shqipëri në radhë të parë ka vuajtur nga një fryrje e saj me shumë ente, agjenci apo drejtori të cilat përveçse harxhojnë paratë e taksapaguesve nuk kryejnë asnjë punë me vlerë. Një administratë që përtej dembelizmit të saj është dhe një aparat i stërmadh burokratik që rropat bizneset dhe qytetarët nëpër zyrat e shtetit.

Në një studim të tillë kanë arritur dhe disa pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, të cilët kanë dalë me propozime konkrete se si të kemi një administratë më të vogël, efikase dhe eficiente. Modelet dhe propozimet nuk mungojnë, ka shumë të tilla, e rëndësishme është që punonjësve publikë t’iu rikthejmë emrin që ata duhen të kenë, atë të “Shërbëtorëve Civilë”.

Koncepti i “Shërbyesit Civil” (Civil Servants) që është shumë i qartë në vendet anglosaksone, të cilat kanë administratën më të vogël dhe më efikase se kushdo tjetër, vjen nga fjalët latinisht ministër ose Ministri, që do të thotë shërbëtor, shtëpiak, funksionar i nënshtruar, domethënë ai person që presupozohet që i bën një shërbim shtetit në të cilin bën pjesë.

Nëse në vendet anglosaksone punonjësit publikë janë pika e fortë e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në raport me vendet e tjera europiane, Shqipëria si pasojë dhe e një trashëgimie të një shteti komunist të fortë dhe totalitar, ende nuk ka arritur të ndërtojë një të tillë, që mund të konsiderohet vërtet shërbëtore e shoqërisë dhe biznesit. Për këtë arsye ajo është kthyer në një nga pengesat kryesore të zhvillimit duke mos qenë e aftë për të përballuar sfidat e një ekonomie që ecën me rimte të shpejta dhe globale.

Edi Rama, me intuitën e tij politike që e karakterizon e ka kuptuar pakënaqësinë e madhe popullore që ekziston ndaj administratës publike dhe e ka kthyer atë në betejën e tij politike kryesore. Nuk ka rëndësi nëse i shërben si instrument për të rritur popullaritetin e tij apo jo, e rëndësishme që këtë betejë ta zhvillojë me seriozitetin dhe këmbënguljen e duhur. Vetëm nëse ndërtojmë një administratë publike e cila të jetë e aftë të dëgjojë dhe shikojë nevojat e shoqërisë dhe t’iu përgjigjet atyre në kohën dhe mënyrën e duhur, do të kemi mundësi të mendojmë për raportin e ri që duhet të ekzistojë midis shtetit dhe shoqërisë, i cili duhet të futet në një dimension të ri në funksion të zhvillimit.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi