Samiti i Triestes për Ballkanin Perëndimor. Deklarata e Kryesisë Italiane

Ky përkthim ofrohet nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI) si pjesë e aktiviteteve të CDI në kuadër të Procesit të Berlinit. Versionin zyrtar në gjuhën angleze mund ta gjeni në adresën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, në: https://goo.gl/zQQ2Tw

Për më tepër informacion mbi Procesin e Berlinit dhe rolin e përfitimet e Shqipërisë, mund të konsultoni: https://goo.gl/dVGkSm 

Në kuadër të Procesit të Ballkanit Perëndimor, Italia mirëpriti në Trieste më 12 korrik 2017, Kryetarët e Qeverive, Ministrat e Jashtëm dhe Ministrat e Ekonomisë së Shqipërisë, Bosnjes dhe Hercegovinës, Kosovës, Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Serbisë, si dhe Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Sllovenisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare. Ministrat e Transportit të Ballkanit Perëndimor gjithashtu u takuan me institucionet italiane dhe të BE-së.

Samiti i Triestes u bazua mbi arritjet e Samiteve të mëparshme – Berlin (28 gusht 2014), Vjenë (27 gusht 2015), Paris (4 korrik 2016) – dhe përparoi më tej në disa fusha bashkëpunimi, në veçanti në axhendën e lidhshmërisë, e cila është dhe do të mbetet elementi kryesor i procesit, si dhe në procesin e integrimit rajonal. Samiti ritheksoi nevojën për të siguruar përgjigjet e duhura mbi sfidat globale dhe konfirmoi rëndësinë e forcimit të reformave në fushat sundimin e ligjit, të të drejtave themelore, dhe zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës, në mënyrë që ato të jenë sa më të dobishme për qytetarët.

Pjesëmarrësit unanimisht rikonfirmuan mbështetjen e tyre të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, siç deklarohet në Konkluzionet e Këshillit Evropian të 9 marsit 2017, duke theksuar nevojën e një përpjekje për të rinovuar reformat në rajon. Në lidhje me natyrën plotësuese të procesit të Ballkanit Perëndimor perkundrejt negociatave për zgjerim, ata vlerësuan progresin e bërë deri më tani nga të gjithë pjesëmarrësit e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin evropian, duke konfirmuar fazat e ndryshme të arritura nga çdo vend dhe duke pohuar se të gjitha vendet do të vlerësohen sipas meritave të veta.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, një Bashkim i hapur për ato vende evropiane që respektojnë vlerat e tij dhe janë të përkushtuara për t’i promovuar ato. Në Romë, gjatë festimit të 60 vjetorit të nënshkrimit të Traktateve, BE-ja mbështeti një Evropë më të fortë dhe më të larmishme. Tani, në Trieste, ne premtojmë të punojmë për një përfshirje më të gjërë të Ballkanit Perëndimor, duke pasur si objektiv konsolidimin dhe bashkimin e kontinentit. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është një investim strategjik për paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Evropës në tërësi.

Në Samitin e Triestes pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën për të ripërtërirë angazhimin politik dhe për t’u siguruar që secili nga partnerët e Ballkanit Perëndimor të perparoje me hapa të pakthyeshëm në rrugëtimin evropian. Përpjekjet për demokratizim, stabilizim dhe anëtarësim nuk janë vënë në pritje për shkak të ndasive të brendshme apo ndikimeve të jashtme. Në këtë këndvështrim, ne mirëpritëm ritheksimin e angazhimit të Ballkanit Perëndimor për të promovuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një bashkëpunim të ndërsjelltë në rajon. Zgjidhja e çështjeve të mbetura pezull dhe shmangia e retorikës nacionaliste mund të ndihmojë në hapjen e rrugëtimit drejt një të ardhmeje më të ndritur, ku shumë njerëz do të jenë më të lumtur falë stabilitetit më të lartë dhe kushteve më të mira ekonomike. Në Trieste, pjesëmarrësit ripohuan mbështetjen e tyre për reformat në Ballkanin Perëndimor, duke synuar që t’i ndihmojnë vendet e rajonit të përmbushin të gjitha kushtet ekonomike dhe politike te nevojshme për pranimin në BE.

Bashkëpunimi i thelluar rajonal do të lehtësojë pajtimin dhe do të nxisë aspiratat individuale për anëtarësimin në BE. Pjesëmarrësit vlerësuan lart kontributin plotësues të proceseve të tjera rajonale, si procesi i Brdo-Brijunit dhe të institucioneve dhe mekanizmave rajonale, si Iniciativa e Evropës Qëndrore, Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Nisma Adriatiko-Joniane, Nisma Rajonale kundër Korrupsionit, të cilat përpiqen që nën një objektiv të përbashkët të forcojnë dimensionin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e një rajoni të begatë dhe të ndërlidhur.

Pjesëmarrësit e mirëpritën përkushtimin e vendeve të rajonit, siç mund të vihet re edhe nga numri i lartë i takimeve ministrore rajonale dhe Samitit të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Sarajevë në muajin mars.

TË SJELLIM MË AFËR BALLKANIN PERËNDIMOR

Lidhshmëria

“Axhenda e Lidhshmërisë”, duke u fokusuar në infrastrukturën dhe reformat rajonale bazuar në TEN-T në transport dhe energji, është duke përparuar dhe duke dhënë rezultate. Ajo do të mbetet pika kryesore në axhendën tonë: rrjetet e infrastrukturës të lidhura mirë dhe funksionale nxisin rritjen ekonomike, ofrojnë mundësi për biznesin, tërheqin investime, dhe krijojnë vende pune.

Samiti i Triestes rishikoi progresin për zbatimin e projekteve që nisën në samitin e vitit 2015 dhe 2016, dhe përshëndeti fillimin e punimeve në fazën e ndërtimit të tyre. Më shumë projekte të tilla do të vijojnë përpara fundit të vitit. Pjesëmarrësit ranë dakord për 7 projekte të tjera në fushën e lidhshmërisë me një investim total mbi 500 milionë, nga të cilat 194 milionë euro financohen përmes granteve të BE-së, dhe pjesa e mbetur me kredi nga EIB dhe EBRD, si dhe me financim nga buxheti i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo i çon financimet përfundimtare në kuadër të lidhshmërisë që prej 2015, në më shumë se 1.4 miliardë euro me një total prej 20 projektesh investimi.

Për më tepër, Instrumenti i Lidhjes së Evropës (CEF) është aktivizuar për herë të parë në rajon, duke mundësuar një grant të BE-së prej 11.4 milionë euro. Po ashtu është kompletuar raportimi  mbi situatën e zbatimit të reformave të lidhshmërisë në transport dhe energji, të cilat u miratuan në Samitin e 2015 dhe 2016, duke përfshirë dhe planin për krijimin e një tregu mirëfunksionues rajonal të energjisë elektrike. Lidhja midis Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike të Ballkanit Perëndimor dhe Tregut të Brendshëm të Energjisë Elektrike të BE-së do të zhvillohet përmes nismës së “Ndërlidhjes së Gazit të Evropës Qendrore dhe Juglindore (CESEC)”. Samiti ftoi CESEC dhe Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë për të shqyrtuar mundësitë për bashkëpunim me shtetet fqinje anëtare të BE-së, duke u bazuar në Memorandumin e Mirëkuptimit të BP6 për Zhvillimin e Tregut Rajonal të Energjisë Elektrike, dhe Traktatin për themelimin e Komunitetit të Energjisë Elektrike (Titulli III). Nismat që janë ndërmarrë për  lidhjen e tregut me tregjet e Ballkanit Perëndimor janë mirëpritur si veprime që mundësojnë një përdorim më të mirë të Korridorit Trans-Ballkanik të Energjisë Elektrike.

Me gjithe progresin e përgjithshëm në punën përgatitore, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë pohuar nevojën për të rritur përpjekjet e tyre në lidhje me zbatimin e masave dhe realizimin e një ndryshimi të vërtetë në terren për të tërhequr investime dhe për të përfituar plotësisht prej tyre, duke marrë parasysh se politika e energjisë së qëndrueshme dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike, në thelb mbeten të ndërlidhura. Komisioni Evropian, Observatori i Transportit të Evropës Juglindore dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë do të vazhdojnë ta mbështesin këtë sipërmarrje.

Samiti vuri në dukje përpjekjet e ndërmarra në avancimin e dy nismave mbi efikasitetin energjetik të shpallura në Samitin e Parisit dhe shprehu kënaqësinë për lançimin e  nismës REEP+. Samiti shqyrtoi progresin e Strategjisë Rajonale për Hidroenergjinë e Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, të shpallur në Samitin e Parisit 2016, që do të zhvillohet më tej për të përcaktuar udhëzimet mbi zhvillimin e hidroenergjisë në rajon, duke siguruar në këtë mënyrë respektimin e acquis të BE-së ndaj mjedisit dhe marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare.

Samiti përshëndeti ngrohtësisht nënshkrimin e Traktatit të Komunitetit të Transportit nga ana e Bashkimit Evropian dhe pesë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Samiti gjithashtu shprehu keqardhjen që Bosnja dhe Hercegovina nuk ishte në gjendje ta nënshkruante atë dhe e ftoi këtë vend që t’i bashkohej traktatit sa më shpejt. Në këtë kontekst, Samiti vuri në dukje nevojën që kanë partnerët e Ballkanit Perëndimor për të rënë urgjentisht dakord mbi selinë e sekretariatit dhe të sigurojnë – me mbështetjen e Komisionit Evropian – funksionalitetin e tij përpara mbajtjes së Samitit të ardhshëm. Traktati përfaqëson fillimin e një epoke të re të bashkëpunimit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i Komunitetit të Transportit është që të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së, duke krijuar një rrjet të integruar të transportit midis  Ballkanit Perëndimor, si dhe midis rajonit dhe BE-së, dhe për të arritur konvergjencën sipas standardeve operative të transportit dhe politikave të BE-së.

Integrimi dhe zhvillimi ekomonik rajonal

Samiti vlerësoi maksimalisht nismën e përbashkët të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale, bazuar në rregullat dhe parimet e CEFTA-s dhe BE-së, siç reflektohet në Marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit (SAAs), të cilat në mënyrë progresive do të lejojnë një rritje të lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, investimeve dhe punëtorëve të kualifikuar, në koherencë të plotë me rrugëtimin e secilit vend.

Kjo ‘Zonë Ekonomike Rajonale’ do të ndihmojë në nxitjen e potencialit të madh të rajonit prej rreth 20 milionë banorësh, duke krijuar mundësi më të mira dhe më të qëndrueshme ekonomike për të gjithë, dhe duke tërhequr vëllime më të mëdha të Investimeve të Huaja Direkte, sesa arrihet aktualisht përmes përpjekjeve individuale. Pjesëmarrësit mirëpritën prezantimin e udhëheqësve dhe miratimin e një Plan Veprimi shumëvjeçar për një Zonë Ekonomike Rajonale, që mbulon tregtinë, investimet, mobilitetin dhe ekonominë dixhitale (Plan Veprimi që i bashkangjitet kësaj Deklarate). Kjo nismë nuk është as një alternativë, as një proces paralel i integrimit evropian: ajo do të përforcojë kapacitetin e ekonomive të Ballkanit Perëndimor për të përmbushur kriteret ekonomike të pranimit në BE dhe për të zbatuar acquis të BE-së në shkallë rajonale përpara se t’i bashkohen asaj. Gjithashtu do të rrisë mirëqenien dhe punësimin. Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ftohet të rishikojë dhe informojë në mënyrë të rregullt Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe / ose Sherpat për progresin e arritur në lidhje me rezultatet e përcaktuara në zbatimin e këtij plan veprimi me përfshirjen e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore – CEFTA.

Integrimi dhe zhvillimi ekonomik rajonal përfshin gjithashtu nismat për përmirësimin e specializimit të shpejtë rajonal dhe krijimin e zinxhirëve të vlerave, si dhe përshpejtimin e inovacionit dhe transferimit të teknologjisë. Përveç mbështetjes së sektorit privat, siç përmendet më poshtë, Komisioni Evropian njoftoi marrjen e veprimeve mbështetëse mbi 7 milionë euro për të ndihmuar shndërrimin e Zonës Ekonomike Rajonale në mundësi konkrete për biznesin.

Sektori privat dhe zhvillimi i NVM-ve

Një mjedis dinamik biznesi është thelbësor për diversifikimin dhe modernizimin e ekonomisë, si dhe krijimin e mundësive për punësim dhe rritje ekonomike. Pjesëmarrësit ranë dakord të punojnë per krijimin e një mjedisi më dinamik investimesh në Ballkanin Perëndimor, duke u bazuar mbi  sipërmarrjen vendore, si dhe duke përdorur avantazhet e rajonit, përfshire dhe të rinjtë dhe ekspertizën shkencore. Rritja e prodhimit industrial të kompjuterizuar dhe dixhitalizimi i proceseve ekonomike mund të sjellin përfitime të mëdha për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, krijimi i infrastrukturës së domosdoshme të IT-së dhe kornizave ligjore të nevojshme për këto shërbime, paraqesin një sfidë më vete. Në mënyrë që të kombinojë përpjekjet ekzistuese dhe të zhvillojë rekomandimet për një bashkëpunim të ardhshëm, Ballkani Perëndimor do të organizojë një Samit mbi IT-në së bashku me Komisionin Evropian, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe përfaqësues të biznesit, duke marrë parasysh përparësitë e caktuara dhe të identifikuara në qasjen e Tregut të Vetëm Dixhital të BE-së. Pjesëmarrësit gjithashtu përkrahën zhvillimin e mëtejshëm të partneritetit inovativ midis sektorit publik dhe atij privat, që përfshijnë futjen e elementeve të formimit profesional dual dhe formave të tjera të arsimit dhe punës të bazuara në sistemet e AFP-së (VET) së Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit mirëpritën rezultatet e Forumit të Biznesit ku u prezantuan dhe u diskutuan platformat e NVM-ve për nevojat dhe ndihmën financiare, duke përmirësuar kështu performancën e tyre. Forumi i Biznesit u përqendrua gjithashtu në potencialin e bashkëpunimit ndërmjet NVM-ve në sektorë të tillë si energjia dhe mjedisi, infrastruktura, inovacioni. Trajnimi,  për të rritur aftësitë rajonale të sipërmarrjes, është identifikuar si një sektor premtues i nismave për ngritjen e kapaciteteve. Mundësitë për bizneset që përfshijnë NVM-të e Ballkanit Perëndimor u eksploruan me sukses në takimet “Biznes drejt Biznes”.

Komisioni Evropian njoftoi një financim shtesë prej 48 milionë eurosh, i cili do të kanalizohet nëpërmjet Instrumentit të Zhvillimit dhe Inovacionit të Sipërmarrjeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të rrisë kapacitetin sipërmarrës dhe mundësitë e reja të financimit për kompanitë në rajon.

Si pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët për të intensifikuar kontributin e sektorit privat në krijimin e tregtisë dhe rritjes ekonomike, një sekretariat i Dhomave të Tregtisë së Ballkanit Perëndimor është përuruar dhe ka filluar të veprojë në Trieste.

LIDHSHMËRIA NJERËZORE

Një axhendë pozitive për Rininë

Palët përshëndetën progresin për zbatimin e ‘Plan Veprimit për Punën e Rinisë dhe Politikat Rinore’, të përgatitur në Takimin e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor në Ljubljanë. Këtu në Trieste, Forumi Rinor – një tubim prej 60 të rinjsh nga rajoni dhe BE – i kanë kushtuar vëmendje të veçantë rekomandimeve të paraqitura për mobilitetin, përfshirjen, sipërmarrjen dhe pjesëmarrjen. Universitetet e zonës Adriatiko-Joniane treguan gatishmëri për të kontribuar përmes deklaratës së tyre. Komisioni Evropian ka marrë masa për të përmirësuar përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në programin Erasmus + të BE-së – një kontribut i çmuar ky me rastin e kremtimit të 30-vjetorit të programit Erasmus – i cili ka mbështetur mobilitetin e vullnetarëve dhe punonjësve të rinj, studentëve dhe stafit akademik, si dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale.

Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (ZRBR / RYCO) –  një rezultat i prekshëm i përpjekjeve të përbashkëta që nga Samiti i Berlinit – tani ka filluar të veprojë dhe ka prezantuar programin e  parë të punës së saj për të nxitur bashkëpunimin midis të rinjve të rajonit. Në lidhje me këtë pikë, u bë një sugjerim që ZRBR të zbatojë një “laborator të qytetarëve” dhe të krijojë një projekt që i përkushtohet parandalimit të radikalizimit. Pjesëmarrësit mirëpritën mbështetjen financiare të BE-së për zbatimin e programit të ZRBR dhe premtuan të sigurojnë një bashkëpunim dhe mbështetje dinamike me ZRBR-në. Ata falenderuan Zyrën Franko-Gjermane për Rininë për kontributin e saj në themelimin e ZRBR-së.

Duke theksuar përfundimin me sukses të skemës pilot të Shërbimit Civil për të Rinjtë – miratuar gjatë Samitit të Parisit në 2016, pjesëmarrësit përshëndetën përzemërsisht vazhdimin e saj për 2 vitet e ardhshme duke mundesuar që çdo vit 30 zyrtarë të rinj, nga secili prej vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor, të përfitojnë nga trajnimet ekzekutive në BE dhe shkëmbimi i mëtejshëm nëpër administratat publike të rajonit. Përfshirja e Ballkanit Perëndimor në “Portalin Evropian të Rinisë” u mirëprit për të ndihmuar të rinjtë e rajonit të përfitojnë nga mundësitë e ndryshme, përsa i përket punësimit, arsimit, vullnetarizmit dhe udhëtimit në Bashkimin Evropian.

Qeverisja, Sundimi i Ligjit, Parandalimi dhe Lufta kundër Korrupsionit

Përmirësimi i qeverisjes dhe sundimit të ligjit është një kërkesë thelbësore për anëtarësimin në BE dhe për ndërtimin e një strukture të fortë ekonomike. Vendet që respektojnë sundimin e ligjit mund të pakësojnë efektet negative të korrupsionit, të shmangin qeverisjen e keqe, menaxhimin e dobët të parave publike dhe tregjet më pak konkurruese, të cilat dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet dhe proceset demokratike. Korrupsioni prek gjithçka. Është në interesin e përbashkët të Shteteve Anëtare të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për t’u siguruar se politikat efikase kundër korrupsionit janë në rrugën e duhur dhe se po punohet mbi to, dhe se kanë një mbështetje të fuqishme politike.

Për të kontribuar më tej në këto zhvillime dhe për ti vënë rëndësinë e duhur dimensionit të antikorrupsionit, Autoriteti Kombëtar Italian Antikorrupsion (ANAC) organizoi në Trieste një punëtori (workshop) me institucionet partnere nga Ballkani Perëndimor dhe me Iniciativën Rajonale e Antikorrupsionit (RAI), duke u përqendruar në pesë çështje kryesore: (i) parandalimi i korrupsionit; (ii) transparenca; (iii) prokurimi publik; (iv) sinjalizuesit, dhe (v) konflikti i interesit. Seminaret tematike do të vijojnë me bashkëpunimin e Komisionit Evropian, në mënyrë që të thellohen njohuritë dhe të ndihmohet në përmirësimin e kapaciteteve operacionale. Kjo nisëm tregoi interesin e madh të partnerëve për të adresuar dhe bashkëpunuar në mënyrë efektive mbi çështjet e integritetit.

Pjesëmarrësit përshëndetën deklaratën përfundimtare të punëtorisë (shiko shtojcën), e cila identifikon një sërë angazhimesh që mund të përmirësojnë kapacitetin për të luftuar korrupsionin.

Shkenca

Shtetet Anëtare të BE-së dhe udhëheqësit e rajonit vendosën të nisin procesin e themelimit të Fondacionit Kërkimor të Ballkanit Perëndimor, si një institucion ndërkombëtar vetëdrejtues, pas propozimit të Konferencës së 3-të të Përbashkët të Shkencës e Procesit të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në qershor 2017, në Paris. Ata përshëndetën gatishmërinë e qeverisë italiane për të mirëpritur vendndodhjen e fondacionit në Trieste. Fondacioni ka si objektiv dhënien e granteve individuale ndaj shkencëtarëve të rinj për të ndërtuar ekipe kërkimore të ekselencës, dhe për të ndihmuar laboratorë dhe grupe kërkimore në Ballkan, duke mbështetur mobilitetin me homologët evropianë, në mënyrë që të ndërlidhen më mirë hulumtimet e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Pjesëmarrësit kanë mandatuar një grup shkencëtarësh dhe specialistësh për të studiuar fizibilitetin financiar dhe teknik të projektit, dhe për të negociuar të gjitha masat e nevojshme, deri në Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrësit përshëndetën më tej konceptin për ngritjen e një Grupi Ekspertësh, të ndërmarrë në Konferencën e Përbashkët të Shkencës, që do të prodhojë një Plan Veprimi të Ballkanit Perëndimor për një Rritje të Zgjuar, si dhe u kërkoi aktorëve përkatës nga fusha akademike, universiteteve, bizneseve dhe shoqërisë civile, si dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që të angazhohen në këtë sipërmarrje. Vlerësime të mëtejshme u shprehën mbi përpjekjet e Komisionit Evropian në kërkim dhe inovacion, si dhe për mbështetjen e shkencës dhe njohurive përmes Horizon 2020 – Programit të Kërkimit dhe Inovacionit të BE-së, i hapur për Ballkanin Perëndimor dhe nismave të tij si p.sh. Qendra e Përbashkët e Kërkimit.

Pjesëmarrësit përshëndetën njoftimin e bërë nga Italia për mbajtjen e Konferencës së ardhshme të Përbashkët të Shkencës të Procesit të Ballkanit Perëndimor në Romë, në 2018, si dhe shprehën mirënjohjen e tyre për Akademinë Gjermane Leopoldina dhe përpjekjet e saj të vazhdueshme në mbështetjen e bashkëpunimit të shkencëtarëve.

Çështjet e pazgjidhura dypalëshe

Pjesëmarrësit mirëpritën me kënaqësi  ritheksimin e angazhimit solemn të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur më tej njëri-tjetrin në rrugëtimet e tyre evropiane dhe për zotimin e tyre lidhur me zgjidhjen e dallimeve politike brenda kornizës së institucioneve të tyre demokratike, duke forcuar dialogun e ndërsjelltë politik. Partnerët e BE-së  rikujtuan se ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është një gur themeli i rëndësishëm në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe ripohuan gatishmërinë e tyre për të mbështetur Ballkanin Perëndimor që t’i zgjidhë ato në çdo mënyrë të mundshme. Pjesëmarrësit e mirëpritën Raportin nga presidenca e mëparshme franceze mbi proceset e percaktimeve kufitare në Ballkanin Perëndimor dhe konfirmuan gatishmërinë e tyre për të shqyrtuar nismat e ardhshme që çojnë drejt progresit në këtë drejtim.

Shoqëria civile

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e shoqërisë civile si një partner i pavarur, aktiv, i angazhuar dhe i respektuar, e cila kontribuon në vendimmarrjen e informuar të udhëheqësve politikë, në zbatimin e politikave, dhe në transmetimin e një perceptimi më të mirë të pritshmërive nga opinioni publik. Ata morën në konsideratë rekomandimet që burojnë nga Forumi i Shoqërisë Civile, duke përfshirë nismën e RECOM, duke vërtetuar qe Samitet janë pjesë e një përpjekje të përbashkët.

LUFTA KUNDËR TERRORIZMIT, EKSTREMIZMIT, RADIKALIZIMIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Samiti pranoi, ashtu siç theksohet në Strategjinë Globale për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, se lufta kundër terrorizmit dhe parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizimit të dhunshëm që nxisin dhunën, janë kërcënime të përbashkëta, të cilat kërkojnë një qasje të posaçme, ​​bazuar në kuptimin e realiteteve lokale dhe kornizës më të gjerë  të bashkëpunimit rajonal. Kthimi i luftëtarëve të huaj terroristë përbën një sfidë rajonale dhe globale: ne do të promovojmë ndarjen e informacionit me Interpol dhe Europol, angazhimin dinamik me Qendrën Evropiane kundër Terrorizmit dhe Qendrat e Përbashkëta të Bashkëpunimit Policor, zbatimin e Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore dhe një menaxhim më të fortë të bashkëpunimit kufitar.

Për të parandaluar radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm, palët e interesuara janë të gatshme të angazhohen me shoqërinë civile dhe komunitetet lokale; të bashkëpunojnë me qendrat e paraburgimit; të ndërtojnë diskurse alternative dhe pozitive për të kundërshtuar ndikimet ekstremiste ideologjike; të nxisin bashkëpunimin brenda Rrjetit të Sensibilizimit ndaj Radikalizimit në BE-së. Gjithashtu u pohua rëndësia e organizimit në kohë të programeve të de-radikalizimit, rehabilitimit dhe ri-integrimit. Pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën për të luftuar keqpërdorimin e internetit nga terroristët dhe përshëndetën punën e kryer në kuadër të Forumit të Internetit të BE-së. Është me rëndësi kritike të identifikohen dhe të ndërpriten lidhjet midis grupeve terroriste dhe rrjeteve transnacionale të krimit të organizuar të përfshirë në trafikimin e qenieve njerëzore, drogës dhe armëve të zjarrit: bashkëpunimi në këtë fushë do të vazhdojë, duke perfshire dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të aktiviteteve terroriste. Mbështetja e BE-së, përmes nismës kundër Terrorizmit të Ballkanit Perëndimor dhe nismës për Qeverisjen Integruese të Sigurisë së Brendshme (IISG), u mirëprit gjërësisht. Përsa i përket trafikimit të armëve të zjarrit, palët ranë dakord për rëndësinë e rritjes së angazhimit me Europol dhe projektin e Institucionit te Kleringut për Evropën Juglindore dhe Lindore lidhur me Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta. Përveç kësaj, u bë dhe një propozim për të intensifikuar luftën kundër trafikimit të armëve të vogla dhe të lehta (SALW), duke rritur sigurinë fizike të rezervave të armëve dhe duke inkurajuar fushata vullnetare për dorëzimin e tyre.

Për të qenë të suksesshëm në përgjigjen ndaj kërcënimeve të përbashkëta ndaj terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, radikalizimit dhe krimit të organizuar transnacional, kërkohet një bashkëpunim efektiv në të gjithë BE-në dhe Evropën Juglindore. Palët angazhohen të përdorin në tërësi instrumentet dhe rrjetet e tyre të përbashkëta dhe të punojnë së bashku në frymën e partneritetit, brenda fushës së politikës së zgjerimit, duke mësuar nga dhe forcuar njëra-tjetrën, në përpjekjen e përbashkët për të mundësuar mbrojtje dhe siguri për qytetarët tanë. Parandalimi i qëndrueshëm i radikalizimit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh edhe situatën socio-ekonomike, që përfshin reduktimin e papunësisë së të rinjve.

PARANDALIMI I MIGRIMIT TË PARREGULLT

Menaxhimi më i mirë i flukseve migratore është një sfidë kontinentale. Përgjigjia duhet të jetë efektive dhe të drejtohet nga parimet e solidaritetit, partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Kjo kërkon një bashkëpunim të mëtejshëm midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, të cilët janë prekur nga lëvizjet masive gjatë viteve të fundit, por pavarësisht ishin në gjendje të bëheshin pjesë e zgjidhjes përmes një koordinimi të vazhdueshëm dhe intensiv si brenda rajonit, ashtu edhe me BE-në.

Kjo përpjekje e përbashkët duhet të vazhdojë me qëllim rritjen e aftësive të menaxhimit dhe kontrollit të kufirit, parandalimit të flukseve migratore të parregullta dhe luftës kundër rrjeteve të krimit të organizuar, kontrabandistëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore, duke siguruar respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen ndërkombëtare për personat në nevojë dhe në përputhje të plotë me detyrimet ndërkombëtare.

Pjesëmarrësit theksuan përsëri rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të zhvillimit të rrugëve të reja, që mund të jenë itinerare potenciale të migrimit përmes rajonit në Bashkimin Evropian. Gatishmëria dhe kapaciteti për t’u marrë me nevojat dhe sfidat e reja duhet të sigurohet nga të gjitha palët.

E ARDHMJA E PROCESIT

Pjesëmarrësit përshëndetën gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mirëpritur Samitin e rradhës së Ballkanit Perëndimor në 2018, dhe ranë dakord për të vazhduar procesin pas 2018, si dhe shprehën një kënaqësi të veçantë mbi perspektivën dhe mbatjen e aktiviteteve të mëtejshme të nivelit të lartë në rajon.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi