A duhet ta përfshijë Rama opozitën në Qeveri?
Intervistë e Hoyt Yee në Zërin e Amerikës, 18 korrik 2017
I pyetur nëse ka mundësi që në Shqipëri kryeministri Rama të zgjedhë anëtarë qeverie nga opozita, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se i takon kryeministrit dhe qeverisë ta marrin vendim se cilët individë do të përfshihen në qeveri, në të gjitha nivelet.
Zëri i Amerikës: Në Shtetet e Bashkuara, ka pasur raste kur Presidenti (kreu i qeverisë) për të treguar hapje apo përfshirje, ka zgjedhur anëtarë qeverie nga opozita. A shihni ndonjë mundësi që kjo të ndodhë në Shqipëri dhe a mendoni se një gjë e tillë do të ndihmonte për të krijuar një klimë besimi dhe për të përfshirë opozitën në vendimmarrje?
Hoyt Yee: I takon kryeministrit dhe qeverisë ta marrin vendim se cilët individë do të përfshihen në qeveri, në të gjitha nivelet. Por sigurisht ne shpresojmë që të ketë një qëndrim përfshirës, që qeveria të bëjë përpjekje të punojë me opozitën dhe pale të tjera që nuk janë në partinë ose koalicionin në pushtet, në mënyrë që të gjejë një mënyrë për të arritur konsensus të mjaftueshëm në vendime të rëndësishme. A bëhet kjo me emërime apo përmes dialogut normal politik, me kompromise, me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ka shumë mënyra për të arritur konsensus. Ajo që është e rëndësishme është që shumica, ashtu edhe opozita ta shikojnë punën që e pret Shqipërinë në frymën e bashkëpunimit, në frymën e vendosjes së interesave të qytetarëve të vendit, mbi interesat politike, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet që do të ndihmojnë vendin, jo vetëm patrtitë politike. Pra ndërsa ne do të jemi të hapur të bashkëpunojmë cilado qoftë përmbajtja e qeverisë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 25 qershorit, ne duam të shohim që partitë politike të punojnë për zgjidhje konstruktive për të çuar përpara reformat. Ne besojmë se qëllimi i çdo lloj kompromisi, duhet të jetë realizimi i reformave, të shënohet përparim drejt synimit për t’u futur në Bashkimin Evropian, për integrimin e mëtejshëm evropian.