Populizmi nuk ka vdekur. Pesë gjërat që duhet të dini rreth tij

Nga Cas Mudde, botuar në The Guardian, 11 korrik 2017

Fitoret e fundit të centristëve evropianë ofrojnë një shans për të reflektuar mbi fenomenin e populizmit dhe paraqesin disa mësime vendimtare për të ardhmen.

Fitoret elektorale të Emmanuel Macron në Francë dhe Mark Rutte në Hollandë kanë ndryshuar dukshëm diskursin mbi politikat evropiane. Mediat ndërkombëtare kanë kaluar nga teoria se “populizmi është i pamposhtur” tek “populizmi ka vdekur”. Me sa duket, asnjëra nga të dyja nuk është apo ishte e saktë. Faktikisht, partitë populiste vazhdojnë të dalin më mirë nëpër zgjedhje, madje mbi mesataren, sesa gjatë periudhës së pas luftës. Disa vende evropiane kanë tashmë populistë në qeveritë e tyre – përfshi këtu Finlandën, Greqinë, Hungarinë, Norvegjinë dhe Sllovakinë – ndërkohë që shteti më i fuqishëm në botë është në mëshirën e një presidenti milirader, i cili ka përqafuar përzemërsisht populizmin e disa prej këshilltarëve të tij kryesorë, veçanërisht të Steve Bannon dhe Stephen Miller.
Por pavarësisht këtyre, fitorja e Macron na lejoi të marrim frymë lirisht, të reflektojmë në mënyrë më pak alarmante dhe racionale mbi fenomenin e populizmit, si dhe të nxjerrim disa mësime për të ardhmen. Pasi, na pëlqen apo jo, në shumë demokraci perëndimore populizmi ka filluar të rrënjoset në politikat kombëtare dhe nuk ka arsye që të besojmë se kjo do të ndryshojë brenda një afati të shkurtër ose të mesëm kohor. Këto janë pesë teza mbi populizmin dhe mësimet përkatëse që duhet të nxjerrin demokratët liberalë.
Teza 1: Populizmi nuk është i djathtë apo i majtë, por populistët mund të jenë ose të majtë ose të djathtë ( mbase dhe centristë)
Populizmi është një ideologji që e konsideron shoqërinë si të ndarë në dy grupe homogjene dhe antagoniste: “njerëzit e pastër” dhe “elita e korruptuar”, duke argumentuar se politikat duhet të jenë një shprehje e volonté générale ( vullnetit të përgjithshëm) të njerëzve.
Tiparet parësore të ideologjisë populiste janë monizmi dhe moralizmi: të dyja, si “njerëzit” ashtu dhe “elitat”, perceptohen para së gjithash sikur ndajnë të njëjtin interes dhe të njëjtat vlera, ndërkohë që dallimi kryesor midis tyre bazohet mbi moralin (“i pastri” kundër “ të korruptuarit”).
Populizmi është një ideologji – d.m.th, një këndvështrim për botën, por që përqendrohet vetëm ndaj një pjese të caktuar të axhendës politike – për shembull, nuk ka një opinion se cili është sistemi më i mirë ekonomik apo politik. Për pasojë, të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë do të kombinojnë populizmim me të ashtuquajturën ideologji mikëpritëse, një lloj forme e nacionalizmit të djathtë dhe e socializmit të majtë. Me pak fjalë, jo të gjithë populistët janë ksenofobë dhe ksenofobia nuk është populizëm.
Mësimi 1: Populizmi nuk mund të mposhtet duke përvetësuar një diskurs (të zbutur) ksenofobik ose duke forcuar emigrimin. Kjo ka të bëjë më tepër me luftën brenda “vetë njerëzve” (cilido qoftë përcaktimi i tyre).

Teza 2: Populizmi është anti-sistem, por jo anti-demokratik
Tiparet kryesore të demokracisë janë sovraniteti popullor dhe maxhoranca. Por demokracitë perëndimore nuk janë vetëm demokraci. Së pari, ato janë demokraci përfaqësuese, në të cilat elitat politike konkurrojnë për të fituar qeverisjen nga shumica e popullsisë. Së dyti, qeverisja e maxhorancës ka kufizimet e saj. Ajo mbahet nën kontroll nga një sistem kompleks që karakterizohet nga e drejta e pakicës, sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve – kjo mund të quhet me të vërtetë një demokraci liberale. Ndërsa populizmi e mbështet demokracinë, njësoj sikur politika të bazohej mbi “vullnetin e përgjithshëm” të njerëzve, por gjithashtu i kundërvihet shumë tipareve të një sistemi liberal dhe demokratik, pasi beson se fuqia më e madhe qendron tek “njerëzit”.
Mësimi 2: Populizmi mund të mposhtet nga një mburojë e sigurt dhe gjithëpërfshirëse e demokracisë liberale, që tregon se sistemi ynë politik shkon përtej ushtrimit të pandërprerë të sovranitetit popullor dhe qeverisjes së maxhorancës, duke bërë të qartë se nga aspektet liberale të sistemit përfitojnë të gjithë qytetarët – pasi kushdo mund të jetë në minorancë një ditë.

Teza 3: Populizmi është një përgjigje joliberale demokratike ndaj liberalizmit jodemokratik
Për disa arsye populizmi sinjalizon fundin e hegjemonisë liberale, përmes së cilës qeveritë kombëtare mbikqyrnin një largim të paprecedentë nga pushteti. Neoliberalizmi solli privatizimin e shumë industrive kombëtare, ndërkohë që evropianizimi shtyu lart shumë fusha të politikës, deri në nivel mbikombëtar, ku ato gjithashtu u magazinuan, shpesh, nëpër institucione teknokratike (si p.sh Banka Qendrore Evropiane).
Veç kësaj, liberalizmi progresiv ka ndikuar në disa politika socio-ekonomike (nga aborti në martesën e homoseksualëve). Shumë nga këto vendime janë marrë nga qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike, megjithëse jo gjithmonë janë dalluar nga debate dhe informacione publike. Për më tepër, sapo këto politika viheshin në zbatim, ato depolitizoheshin, pasi politikanët vendas nuk vendosnin më mbi to.
Çdo kritikë kundërshtohet nga argumenti “Nuk Ka Asnjë Alternativë” (There Is No Alternative, Tina). “Ne nuk mund të zbatojmë dënimin me vdekje sepse jemi një shtet anëtar i Bashkimit Evropian.” Populistët sfidojnë jo vetëm politikat specifike, por edhe depolitizimin e çështjeve. Shpesh me të drejtë, ata argumentojnë se ajo që dikur ishte një çështje politike mund të konsiderohet përsëri e tillë, nëse shumica e popullsisë dëshiron që të jetë ashtu.
Mësimi 3: Demokratët liberalë duhet të shkojnë përtej argumentave të Tina-s dhe fushatave anti-populiste, dhe t’i rikthehen politikës ideologjike. Edhe çështjet e depolitizuara duhet të shpjegohen nga pikëpamja politike, d.m.th duke argumentuar përse është më mirë që ato të depolitizohen.

Teza 4: Populistët shpesh bëjnë pyetjet e duhura, por japin përgjigjet të gabuara
Partitë populiste nuk janë shkaktare të pjesës më të madhe të pakënaqësisë politike brenda demokracive perëndimore, ato janë pasoja e tyre. Shumë nga këto pakënaqësi burojnë nga fakti që një pjesë e popullatës mendon se partitë e afirmuara nuk adresojnë (në mënyrë të përshtatshme) çështje të rëndësishme politike. Dhe ata nuk e kanë gjithmonë gabim. Në shumë vende, partitë kryesore gjërësisht i kanë shpërfillur çështjet si emigracioni dhe integrimi evropian në dy dekadat e fundit të shekullit të 20-të – edhe pse që atëherë ata e kanë kompensuar më se miri këtë problematikë. Partitë populiste të së djathtës radikale i imponuan këto çështje në axhendën politike duke i dhënë zë pjesës së injoruar të popullsisë. Në një mënyrë të ngjashme, partitë populiste të majta në Evropën Jugore kanë vënë në pikëpyetje dominimin e politikave të masave shtrënguese gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, duke refuzuar argumentet e Tina-s të partive në fuqi. Në shumicën e rasteve, përgjigjet e populistëve ishin defektive, të bazuara në iluzionin se ekziston një politikë që është (njëlloj) e mirë për të gjithë “njerëzit”.
Mësimi 4: As injorimi i populistëve, as përvetësimi i çështjeve dhe kornizave të tyre, nuk do ta mposhtin populizmin – dhe aq me pak të forcojnë demokracinë liberale. Demokratët liberalë duhet të hartojnë vetë axhendat e tyre dhe të adresojnë të gjitha çështjet, madje dhe ato të ngritura nga popullistët dhe që bazohen në ideologjinë e tyre.

Teza 5: Fuqia e populizmit është e përcaktuar kryesisht nga veprimet e demokratëve liberalë
Në vitet e fundit partitë populiste kanë kundërshtuar zgjedhjet kombëtare dhe ato evropiane në shumicën e vendeve të BE-së. Mesatarisht, popullistët tërheqin rreth 20% të votave, shpesh të ndarë në të paktën dy parti të tilla, ku partia më e madhe populiste renditet si e treta në sistemin kombëtar të partive. Kjo është e paprecedentë që nga periudha e pas luftës, por sidoqoftë nuk mund të përfaqësojë maxhorancën.
Mirëpo, shumica e mediave i ka paraqitur populistët (veçanërisht radikalët e djathtë) si “zëri i vërtetë i popullit” dhe politikanët e rëndësishëm i janë bindur kësaj kornize – e cila u shndërrua në një hegjemoni pas fitoreve të Brexit dhe të Trump. Për shkak se demokratët liberalë e ripërcaktuan “popullin” sipas këndvështrimit të elektoratit populist (e djathta radikale), ata u ndjenë të detyruar të zbatojnë disa versione më të zbutura të axhendave të tyre.
Mësimi 5: Demokratët liberalë duhet të fillojnë t’i trajtojnë populistët si çdo aktor tjetër politik, domethënë, si zëri politik (ndonjëherë i rëndësishëm) i një pakice të popullsisë. Ndikimi i tyre nuk duhet të jetë jo-proporcional ndaj mbështetjes popullore, sidomos kur ata janë në opozitë.

Cas Mudde është akademik dhe shkrimtar gjerman që jeton në SHBA.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi