Neoliberalizmi dhe ndikimi në qeverisjen e arsimit
Nga Pëllumb KARAMETA, botuar në Gazeta Shqiptare, 14 qershor 2017
Diskutimi rreth neoliberalizmit në arsim, në Shqipëri, në kuptimin e drejtpërdrejtë të termit, edhe pse me interes të veçantë, rezulton temë e munguar. Gjithsesi, nuk kanë munguar kontributet/produktet që lidhen me këtë temë, të realizuara në dy etapa kohore.
Në etapën 1995–2012, u institucionalizua arsimi privat dhe filloi diskutimi për koncepte si “decentralizimi arsimor”, “autonomia shkollore”, “menaxhimi në bazë shkolle” etj.
Etapa e dytë (2012 e deri më sot), nisi me miratimin e ligjit për arsimin parauniversitar. Përmendim, për ilustrim, drejtimin dhe menaxhimin e shkollave. Ligji i kërkon drejtorit të institucionit arsimor publik të kryejë detyra, të tilla si: menaxhimi i institucionit, përfshirë dhe menaxhimin financiar; përdorimin e një fondi të veçantë vjetor për shpërblimin për merita profesionale të mësuesve; punësimin e mësuesve me kohë të plotë ose të pjesshme dhe mësues ndihmës me fonde të siguruara nga institucioni etj. Diskutimet, në këtë periudhë, përfshijnë edhe cilësinë e dobët në arritjet e shkollave dhe të nxënësve si shkak formulimin e politikave të reja që lidhen me forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe të sigurimit të cilësisë etj.
Edhe pse këto koncepte dhe probleme mund të shihen në një dritë thjesht profesionale, tashmë, gjithnjë e më shumë, ato po bëhen pjesë e diskutimeve në të cilët “shkollat shihen si ‘ofruesit e shërbimeve arsimore’”, “nxënësit dhe prindërit si ‘klientë’” dhe “arsimi si ‘shërbim’ që ofrohet nga shkolla”. Përshkrime të ngjashme, që tregojnë ndikimin neoliberal në diskutimet e profesionistëve arsimorë, në mjediset akademike dhe në sferën publike, mbizotërojnë në SHBA dhe në Angli (Hursh 2007, Gunter 2011).
Neoliberalizmi dhe ndikimi i tij në diskutimin, politikat dhe praktikat arsimore janë dokumentuar mirë në mjaft kontekste institucionale ndërkombëtare. Në thelb, ajo që kërkon axhenda neoliberale është modeli i “shtetit minimal” (Nozick 1974). Në mënyrë ideale, shteti neoliberal përfshihet shumë pak në financimin dhe në ofrimin e shërbimeve sociale, duke ndërhyrë vetëm për të siguruar funksionimin efektiv të “dorës së padukshme” të tregut (Jessop 1994). Politikat neoliberale përfshijnë “liberalizimin e tregtisë, çmontimin e sektorit publik – përfshirë arsimin – dhe dominimin e sektorit financiar të ekonomisë mbi prodhimin dhe tregtinë” (Tabb 2002).
Vende të shumta, anembanë botës, kanë përqafuar teorinë e kapitalit njerëzor, duke sugjeruar se një forcë punëtore e kualifikuar dhe fleksibël është vendimtare për mirëfunksionimin e një ekonomie globale konkurruese, duke theksuar fort arsimin. (Resnik 2011) e lidh rritjen e presionit mbi arsimin me tendencat e globalizimit që shfaqen qartë në veprimtaritë e organizatave ndërkombëtare (Meyer & kolegët. 1997). Këto presione po rritin homogjenitetin e sistemeve arsimore në botë, pavarësisht përpjekjeve të agjencive vendore që përpiqen të përshtatin politikat e “importuara”, sipas kushteve kombëtare (Ball 1998). Ky studiues e lidh ndikimin e neoliberalizmit me rritjen e “shtetit të konkurrencës”, i cili “vepron si ‘agjent për trajtimin e mallrave’, duke e konsideruar edhe arsimin si mall, madje, të kontraktueshëm”. Disa studiues kritikë e thellojnë më tej idenë dhe argumentojnë se, në praktikë, neoliberalizmi synon të ndryshojë “mënyrën si mendojmë ne për veten dhe qëllimet e shkollimit” (Apple 2006). Debatohet se, në arsim, si në fusha të tjera publike, politikat neoliberale e distancojnë shtetin nga ofrimi i shërbimeve, për të shmangur përgjegjësitë e tij në rastet e “dështimeve” të mundshme dhe për t’i transferuar këto përgjegjësi tek individët (Bauman 2005).
Popullariteti në rritje i ideve dhe politikave neoliberale në Perëndim po ndryshon mënyrën sipas së cilës organizohen dhe menaxhohen sistemet arsimore. Kështu, gjatë tridhjetë viteve të fundit, në shumë vende, shohim të reformohet modeli tradicional “burokratik” i qeverisjes arsimore. Ky model qeverisës, shumë popullor në periudhën 1950–1980, u dallua për procedura, politika dhe kufizime të ngurta dhe të shtrënguara, për kontrollet e rrepta dhe hezitimin për t’u përshtatur ose ndryshuar, si dhe për shkallën e lartë të formalitetit në mënyrën si funksionoi. Vendimet merreshin përmes një procesi të organizuar dhe, në çdo kohë, ishte e pranishme një strukturë e rreptë komandimi dhe kontrolli. Modeli burokratik u ka hapur rrugën modeleve të reja të qeverisjes arsimore, të quajtura “postburokratike”. Christian Maroy (2009) identifikon dy tipa të modeleve postburokratike në arsim:
Modeli qeverisës i “shtetit që ndërhyn pjesërisht në treg”. Modeli jetësoi shkollat ku regjistrimi i nxënësve bëhet me kupon. Prindit i ofrohet nga shteti kuponi, me vlerën e shkollimit të fëmijës, për një kohë të caktuar, që ai të mund të regjistrohet në shkollën që zgjedh prindi. Në këtë opsion përfshihet edhe politika “e zgjedhjes nga prindi të shkollës”, por pa pagesë.
Modeli qeverisës i “shtetit që thekson fort vlerësimin e arritjeve”.
Modeli i parë vjen nga vendet anglofone. Atë e ngjizën dhe i dhanë jetë mungesa e efektivitetit të modelit burokratik dhe rritja e besimit se konkurrenca do të përmirësojë shërbimet arsimore (Maroy 2009). Ky studiues sugjeron se shteti, që ndërhyn pjesërisht në treg, fokusohet në caktimin e qëllimeve të sistemit, në përgatitjen e kurrikulit bërthamë unik dhe në informimin e publikut për performancën e shkollës, nëpërmjet një agjencie informuese. Informacioni i vihet në dispozicion publikut për të ndihmuar zgjedhjen e tij. Gjithashtu, pohohet se shteti ruan autoritetin për të miratuar ofruesit e shërbimeve arsimore, përcakton kërkesat arsimore (për shembull, moshën e shkollimit të detyrueshëm) dhe certifikon të diplomuarit përmes agjencive të tij.
Modeli qeverisës i “shtetit që thekson vlerësimin e arritjeve”, sikundër dhe modeli i parë, përcakton qëllimet arsimore dhe kurrikulin dhe u lejon një masë autonomie autoriteteve vendore. Mirëpo, edhe në këtë model, krijohet një sistem i jashtëm (privat ose publik) për vlerësimin e performancës së shkollës, si dhe lidhen rezultatet e arritura me shpërblime ose me sanksione (Maroy 2009). Ky model i qeverisjes së arsimit përdor informacion për të ruajtur kontrollin qendror.
Në modelet e reja postburokratike të qeverisjes së arsimit, mekanizmat rregullatore janë të centralizuara, pasi mbështeten: a) “ose në shpalljen e normave bazë (p.sh., çfarë do të quhet ‘praktika më e mirë’, sesionet trajnuese të detyrueshme dhe projektet shoqëruese) lidhur me kushtet konkrete dhe me vlerësimin (e proceseve, të rezultateve ose të praktikave arsimore), ose b) në qasjet individuale dhe në konkurrencën” (Maroy 2009). Kështu, modelet e reja postburokratike të qeverisjes arsimore përqendrohen në rregullimin e “mekanizmave të orientimit, bashkërendimit, kontrollit dhe të balancimit të sistemit” (Maroy, 2009). Shteti neoliberal përdor rregullat dhe normat në arsim, si njësi matëse të tërthorta kontrolli. Këtë ai e arrin nëpërmjet: përcaktimit të qëllimeve të sistemit arsimor, vendosjes së standardeve të arritjeve të njësuara dhe të certifikimit të nxënësve që diplomohen, zhvillimit të kurrikulit bërthamë kombëtar, miratimit të ofruesve të shërbimeve arsimore, kontrollit të fondeve, trajnimit dhe licencimit të personelit.
Si rezultat, ndryshimet në qeverisjen e arsimit shënojnë ndryshime në qëllimet, praktikat dhe gjykimin e arritjeve të nxënësve dhe të profesionistëve arsimorë. Ato duhen njohur dhe kuptuar, nëse mëtojmë të kemi suksesin që dëshirojmë.