Ballkani Perëndimor, perspektivat integruese e sfidat
Nga Qirjako Qirko, botuar në Panorama, 9 qershor 2017
Në fjalorin politiko diplomatik, përmendja e termit gjeografik Ballkan shpesh asociohet me realitetin historik “fuçi baruti” dhe ky përcaktim jo pa shkak. Ballkani në përgjithësi e Ballkani Perëndimor, në veçanti, ka qenë arenë e ndeshjeve dhe konflikteve të herëpashershme. Atje kanë filluar luftëra botërore dhe kanë shpërthyer konflikte rajonale dhe etnike. Akti i fundit i kësaj tragjedie është i lidhur me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe me dëshirën e klikës së Milosheviçit për të dominuar e kontrolluar ish-republikat e tjera të ish-Jugosllavisë.
Në planin njerëzor kostoja e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë ishte shumë e lartë. Mijëra jetë njerëzish të flijuara, kryesisht popullsi civile, të cilët u bënë preh e marrëzisë kriminale të Milosheviçit për krijimin e Serbisë së Madhe dhe dominimin e kombit serb mbi kombet e tjerë të ish-Federatës Jugosllave. Ky konflikt “kontribuoi”, veç të tjerash, që ngarkesave negative të krijuara në vitet e shekujt e mëparshëm midis popujve të rajonit, t’u shtohen mllefi, urrejtja dhe mospranimi i njëri-tjetrit. Mosgjetja e zgjidhjeve të qëndrueshme, kryesisht për konfliktin në Bosnje-Hercegovinë dhe atij në Kosovë nga njëra anë, si dhe drejtësia e vonuar për vënien përpara përgjegjë- sisë penale ndërkombëtare, të personave përgjegjës për atë çka ndodhi në ishJugosllavi, ka ndikuar negativisht në drejtim të paqes e stabilitetit të rajonit.
Çka e bën edhe më të vështirë paqen e stabilitetin në BP është dhe fakti se fryma nacionaliste, e cila qëndronte në themel të konfliktit në ish-Jugosllavi, madje përbënte bazën ideologjike të këtij konflikti, vazhdon dhe sot të prodhojë efekte negative, duke u bërë herë pas here pengesë serioze për çdo iniciativë që i kontribuon stabilitetit. Për fat të keq, kjo trashëgimi për të mos u pasur aspak zili, ka ndikuar jo pak në krijimin e mureve të ndarjes ndërmjet popujve të rajonit.
Megjithatë, duket se projekti i integrimit në BE është ai magnet, i cili ka zbehur apo dobësuar së tepërmi projektet nacionaliste apo ato të agjendave të vjetra. Të paktën në dekadën e fundit, qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë filluar të identifikohen me projektin europian. Përgjithë- sisht besohet te projekti i integrimit të BP në BE, madje popujt e rajonit e konsiderojnë si të vetmin proces, i cili garanton transformimin demokratik dhe zhvillimin social e ekonomik të rajonit.
Ky objektiv i përbashkët ka sjellë një solidaritet, i cili nuk mund të konceptohej dy dekada më parë. Produkt i këtij solidariteti janë edhe një numër jo i pakët i nismave rajonale, të cilat synojnë rritjen e shkëmbimeve njerëzore përmes konsolidimit të një zone ekonomike rajonale; përforcimin e rrjetit infrastrukturor rajonal, transportit dhe energjisë, forcimin e dimensionit të sigurisë përmes demokratizimit të shoqërive, bashkërendimin më të mirë të luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, si dhe përmirësimin e standardeve të menaxhimit të kufijve.
Promovimi i dialogut si mekanizëm i duhur në gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet bilaterale, apo i komunikimit si mjet për ndërtimin e urave të bashkëpunimit, kanë dëshmuar jo vetëm efikasitetin e tyre për vendet e rajonit, por kanë provuar se janë të vetmet alternativa për adresimin e përbashkët të agjendës europiane. Inkurajimi dhe mbështetja që BE i ka dhënë këtij procesi është e një rëndësie parësore dhe përbën vlerë të shtuar si për vendet e BP, ashtu dhe për vetë BE.
Procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është pa dyshim një risi jo vetëm për faktin se si dy shtete, të cilat pak më shumë se një dekadë më parë ishin në luftë dhe sot janë ulur në tavolinën e bisedimeve, por sepse pikërisht ecuria e këtij dialogu dhe për pasojë njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Serbisë, do t’i jepte zgjidhje përfundimtare problemit më kritik të rajonit, çka në thelb është dhe vetë në interes të Serbisë.
Nga ana tjetër, Serbia po e përdor këtë dialog për të përfituar në maksimum në marrëdhëniet e saj me BE, duke synuar që në përfundim të procesit, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e saj, të jetë çelësi për hapjen e derës së anëtarësimit e Serbisë në BE. Ndërkohë dialogu jo thjesht si mjet komunikimi, por si mekanizëm për të sjellë në tryezën e bisedimeve çështje të cilat janë konsideruar tabu jo shumë kohë më parë, duket se ka dhënë rezultate konkrete veçanërisht në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi.
Iniciativa e kryeministrit shqiptar Rama për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi pas një mungese prej 68 vjetësh dhe shkëmbimi i disa vizitave në vijim, është jo thjesht një qasje e re në raportet dypalëshe, por është dhe një konceptim europian i mënyrës së diskutimit dhe zgjidhjes së problemeve sipas standardeve europiane. Është e vërtetë se Tirana dhe Beogradi kanë diferenca si për sa u përket çështjeve të agjendës dypalëshe, ashtu dhe sa i përket orientimit atlantik, por në fund të fundit, këto dy vende kanë një peshë specifike jo të vogël për sa i përket stabilitetit të rajonit.
Prandaj, përmirësimi i marrëdhënieve midis tyre është një çështje e një rëndësie të veçantë për stabilitetin e BP. Ndërkohë BE po ballafaqohet me sfida të cilat kanë vënë në dyshim vetë ekzistencën e saj. Kriza financiare e euros, rritja e populizmit dhe e frymës anti BE në vendet anëtare, valët e pakontrolluara të migrimit, terrorizmi, Brexit etj., janë fenomene që kanë ngjallur pasiguri të fortë dhe për pasojë kanë aktivizuar refleksin e mbylljes në vetvete.
Mesazhi i prerë i autoriteteve të BE se për dhjetë vitet e ardhshme procesi i zgjerimit do të pezullohet, nuk është ai që pritej apo që u nevojitej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nëse Ballkani Perëndimor ndodhet në situatë paqeje relative, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe përfundimtare. Gati të gjitha vendet e këtij rajoni janë të prekura nga kriza të brendshme politike, jo pak prej tyre kanë problem të standardeve demokratike e të respektimit të shtetit ligjor dhe po t’i shtohen kësaj tabloje të trishtuar hijet e mërive të vjetra, situata nuk është thjesht e brishtë, por është situatë që mund të precipitojë në një paqëndrueshmëri me pasoja. Veçanërisht në dy vitet e fundit është konstatuar rritja e prezencës së aktorëve të tretë në rajon.
Natyrisht është e drejtë e çdo shteti, apo grupe shtetesh, të kërkojnë të avancojnë agjendat apo interesat e tyre në zona të caktuara të globit. Por kur këto interesa bien ndesh me objektivat euroatlantike të vendeve të rajonit, prania e aktorëve të tretë bëhet jo thjesht e dëmshme, por dhe e rrezikshme. Duke pasur parasysh sa më lart, as BE dhe as BP nuk e kanë “privilegjin” e të pasurit të marrëdhënieve të relaksuara, zhvillimi i të cilave të jetë objekt i parashikimeve dhjetë apo pesëmbëdhjetëvjeçare. Humbja e kohës, pasiviteti apo aq më keq, dyshimi për mundësinë e integrimit të BP në BE është e rrezikshme për vetë vendet e BP, por dhe për BE.
Destabiliteti në një rajon të ndodhur gjeografikisht në zemër të BE, veçanërisht i rëndësishëm për sigurimin e krahut juglindor të saj, rajon nga i cili po marrin jetë dy projekte të rëndësishme energjetike TAP dhe IAP, të cilët janë në përputhje të plotë me Strategjinë Energjetike të BE, do të ishte vështirësisht i manaxhueshëm. Për këtë shkak perspektiva e integrimit të BP në BE është e nevojshme të shndërrohet në një perspektivë të afërt dhe të prekshme për vendet e rajonit. Gati tri vite më parë, me iniciativë të Kancelares Merkel dhe mbështetjen e plotë të BE, filloi i ashtuquajturi “Proces i Berlinit”. Ky proces, në radhë të parë, ka rëndësi të veçantë politike. Ai ka krijuar kushtet për të ndërtuar një agjendë të përbashkët me vendet e BE.
Nga ana tjetër, ai synon të përmirësojë ndërlidhjen midis vendeve të rajonit si në planin energjetik, ashtu dhe në atë të infrastrukturës. Janë pikërisht këto forma bashkëpunimi të cilat rritin ndërlidhshmërinë e vendeve të rajonit ndërmjet tyre, si dhe midis tyre e vendeve të BE. Janë pikërisht këto mesazhe bashkëpunimi, të cilat ndihmojnë mbajtjen gjallë të besimit për integrim midis vendeve të rajonit, sikurse sigurojnë përgatitjen e duhur për t’u anëtarësuar në BE.
Është e domosdoshme që mesazhe të tilla të mos mbeten të kufizuara vetëm në fushën e infrastrukturës, apo atë energjetike, por të shtrihen dhe më gjerë në fushat forcimit të shtetit ligjor, bashkëpunimit kundër krimit të organizuar e trafiqeve, bashkëpunimit në fushën e doganave, ekonomisë e tregtisë. Vetëm në këtë formë mbahet e gjallë aspirata e vendeve të BP për anëtarësim në BE, sikurse ndihmohen vendet e rajonit për integrim midis tyre. BE dhe NATO janë aktorët kryesorë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë dhe demokracisë në BP.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s ka mirëpritur dhe ka mbështetur aspiratat euroatlantike të vendeve të rajonit, sepse beson se në këtë mënyrë zgjerohet hapësira e sigurisë rajonale duke kufizuar hapësirat e “zonave gri”. Vlen të theksohet se jo thjesht Shqipëria si shtet, por i gjithë faktori shqiptar në rajon mbështet integrimin e vendeve respektive në NATO. Rasti i Shqipërisë është ndoshta në të rrallat në botë ku një shtet ndan kufij të përbashkët me bashkëkombësit e vet. E rëndësishme është që partitë politike shqiptare në Malin e Zi dhe popullsia shqiptare atje e kanë mbështetur plotësisht anëtarësinë e këtij vendi në NATO.
Popullsia e Kosovës dhe të gjitha partitë politike atje mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO, shqiptarët e Maqedonisë dhe të gjitha partitë politike në këtë vend, mbështesin anëtarë- simin e vendit në NATO. Më tepër se një instinkt kombëtar, ky është një trend integrues, me orientim drejt paqes e stabilitetit. Zgjerimi i NATO-s me Malin e Zi pa dyshim që është një garanci më shumë për sigurinë e rajonit. Kapërcimi i vështirësive të brendshme politike, zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Greqinë për sa i përket emrit, do të ndihmonin që edhe Maqedonia të anëtarësohej në këtë organizatë.
Gatishmëria e Kosovës për t’iu bashkuar Aleancës është pa dyshim një mesazh pozitiv dhe inkurajues për vlerën që Aleancës i njihet në rajon. Shpresohet që kësaj qasjeje rajonale t’i bashkohet edhe Serbia dhe BH. Shembulli i Shqipërisë, shtet i cili dy dekada më parë ishte konsumator i stabilitetit në rajon dhe sot si anëtare e NATO-s, jo vetëm kontribuon për stabilitetin në rajon me forcat e saj ushtarake në Kosovë dhe Bosnje, por dhe më gjerë, në krizat globale, sikurse janë ato në Irak dhe Afganistan apo me kontingjentin e saj detar kontribuon për kontrollin e flukseve migratore në Detin Egje, dëshmon se hapja e organizatave të tilla ndaj vendeve të rajonit është një kontribut për paqen e stabilitetin në rajon, sikurse ka impakt pozitiv dhe në sigurinë globale.
Si përfundim, Ballkani Perëndimor ballafaqohet sot me një proces sfidash të diktuara nga historia, problemet dypalëshe e rajonale, prezenca e aktorëve të tretë etj. Vetëm një proces i qenësishëm i integrimit euro-atlantik i vendeve të BP është e vetmja alternativë e besueshme, e cila garanton paqen e stabilitetin në rajon.
*Ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar