Berlin Process Plus

Konferenca e 8-të e Aspenit për Ministrat e Jashtëm të Europës Juglindore

Berlin, 5 qershor 2017

Konferenca e 8-të e Aspenit për Ministrat e Jashtëm të Evropës Juglindore

Ministri i Jashtëm Gjerman Sigmar Gabriel, në fjalimin e tij në Konferencën Ministrore të 8-të të Ministrave të Evropës Juglindore, nënvizoi përkushtimin e Gjermanisë në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Z. Gabriel propozoi themelimin e një fondi shtesë për mbështetjen e projekteve të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor i cili do të financohet nga vendet anëtare të BE-së, të Shoqatës Evropiane për Tregtinë e Lirë (EFTA) dhe të Zonës Ekonomike Evropiane (EEA).

Në fjalimin e tij Z. Gabriel përmendi dhe një sërë masash mbështetëse shtesë për vendet e Ballkanit Perëndimor si: (i) përfshirjen e tyre në programe të tjerë të BE-se; (ii) mbështetje për programet me karakter social që zbusin efektet e reformave të angazhuara; (iii) mbështetje për inovacionin dhe teknologjitë e informacionit; (iv) promovimin e edukimit dual; (v) rritjen e vizibilitetit të mbështetjes së BE-së për vendet e Ballkanit.

Fjalimin e plotë të Sigmar Gabriel e gjeni në shqip (përkthyer nga CDI) dhe në anglisht.

Sigmar Gabriel

Ministër Federal i Punëve të Jashtme të Gjermanisë

Konferenca e 8-të e Aspenit për Ministrat e Jashtëm të Europës Juglindore

E mërkurë, 31 Maj 2017

Të nderuar kolegë- Ministra të Jashtëm,
Shkëlqesitë tuaja,
Zonja dhe zotërinj,

Ndihem shumë i nderuar që keni ardhur këtu në Berlin!
Gjithashtu përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen time të sinqertë ndaj Z. Ambasador dhe Institutit “Aspen” për mikëpritjen dhe organizimin e konferencës.

Kam kënaqësinë e veҫantë që sot të hap diskutimin për Ballkanin Perëndimor, së bashku me ju, Jacub ( Zv.Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke).

Sot ne jemi përfaqësues të dy vendeve në të cilët brezat e prindërve tanë akoma përballen me njëri-tjetrin si armiq të betuar.

Ata u shndërruan në armiq pasi bashkëjetesa paqësore e dy vendeve tona u shkatërrua nga politika naziste e ekspansionit dhe agresionit.

Shkatërrimi, rrënimi dhe zhvendosja me dhunë – të gjitha së bashku lanë gjurmë të dhimbshme dhe të thella në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, Republikës Çeke dhe Gjermanisë.

Prandaj, ne na është dashur të rivendosnim besimin dhe të mësonim të bashkëvepronim paqësisht me njëri-tjetrin. Ky afrim kërkonte forcë, kohë dhe gjithashtu pak guxim. Jo gjithkush në Republikën Çeke dhe Gjermani ishte dakord për një fillim të ri mbas aq shumë urrejtje dhe dhunë.

Me nënshkrimin e Deklaratës Gjermano-Çeke në 1997, ne krijuam për historinë tonë të përbashkët një terren të begatë për një partneritet, madje dhe një miqësi më të ngushtë. Tashmë ne jemi fqinj dhe miq të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin përmes Bashkimit Europian.

Konferenca e sotme shënon një tjetër rezultat në bashkëpunimin e shkëlqyer midis Republikës Çeke dhe Gjermanisë. Ky pajtim i sinqertë midis vendeve tona si dhe marrëdhëniet e ngushta që gëzojmë sot, jo vetëm midis qeverive, por edhe shoqërive tona, mund të shërbejnë gjithashtu si një frymëzim për Ballkanin Perëndimor.

Sot kur hedh vështrimin nga rajoni fqinj, i cili është i rëndësishëm për ne, ndihem i shqetësuar për zhvillimet atje.
Për këtë arsye jam i bindur: Të gjithë ne, veҫanërisht vendet e rajonit, duhet të punojmë më fort për një të ardhme paqësore, të begatë dhe europiane për Ballkanin Perëndimor.

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të ndaj me ju ato ҫka mendoj se janë tendencat në Ballkanin Perëndimor dhe që personalisht i konsideroj shqetësuese.
Tensioniet brenda dhe midis vendeve të rajonit janë rritur. Ne vëmë re se ndarjet politike brenda shoqërive kontribuojnë në krijimin e politikave rajonale konfrontuese dhe anasjelltas. Djajtë e nacionalizmit dhe ndarjes etnike që tashmë dukej sikur ishin mposhtur, po rishfaqen.

Besoj se duhet të shikojmë me vëmendje ҫfarë po i shkakton këto zhvillime.

Atëherë arrijmë në përfundimin se problemet kryesore të çdo vendi janë të karakterit të brendshëm. Këtu i referohem bllokimit të reformave, korrupsionit, stanjacionit ekonomik dhe paqëndrueshmërisë politike. Dhe ne po vëmë re se si frika dhe tramuat e pazgjidhura përdoren për të tërhequr vëmendjen nga këto probleme. Këto janë ҫështje të brendshme të rajonit.

Sidoqoftë, ne duhet të tregohemi të vetëdijshëm se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është imun ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Europë dhe në mbarë botën.

Jam i shqetësuar se vendet jashtë rajonit po përpiqen të rivendosin sferat e influencës përmes arsyetimit të vjetër gjeopolitik. Në këtë mënyrë ata i shtyjnë fqinjët kundër njëri-tjetrit dhe gjithashtu kundër Bashkimit Europian!

Patjetër, nuk të vjen në ndihmë as përshtypja e gabuar sikur Europa po merret ne rradhë të parë me punët e saj dhe nuk shqetësohet mjaftueshëm për ҫka po ndodh në Ballkanin Perëndimor!

Këto faktorë – që nuk janë të rrënjosur në rajon, por që kanë ndikim mbi të- dobësojnë më tej dinamikën e reformës. Kjo vetëm sa fuqizon forcat që janë të interesuara për të mbajtur një status quo të keq.

Me fjalë të tjera, zonja dhe zotërinj, diҫka duhet bërë – sepse zhvillimet kritike në Ballkanin Perëndimor kanë një ndikim direkt mbi shtetet tona në Europën Qendrore.

Mesazhi pozitiv është ky : Ndërvarësia e ngushtë mbart gjithashtu të vërtetën në një sens pozitiv – se kur gjërat shkojnë mirë për Ballkanin Perëndimor, kjo është diҫka e mirë dhe për Bashkimin Europian sepse ne na nevojiten partnerë të fortë në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, jam i bindur se është në interesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor ashtu dhe të Bashkimit Europian që të bëjnë gjithҫka bashkërisht për t’iu përshtatur sërish kursit të duhur.

Drejtimi i përgjithshëm është i qartë që prej samitit të Selanikut dhe përfitoj nga rasti për ta rikonfirmuar atë: Anëtarësimi në Bashkimin Europian i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – ky është synimi! Procesi i pranimit dhe anëtarësimi i mëtejshëm në Bashkimin Europian janë rrugët e duhura përmes së cilave në mund të imagjinojmë një stabilitet afatgjatë për rajonin.

Por një analizë e ndershme duhet të përfshijë gjithashtu dhe një të vërtetë të hidhur: Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Europian ka humbur disi sharmin e saj gjatë viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor.

Gjithmonë ka pasur një rënie të entuziazmit për pranimin në BE që prej momentit kur publiku kuptoi se procesi në vetvete ishte sfidues dhe kërkonte një kohë të gjatë.

Ekzistojnë arsye të dukshme për këtë tendencë: Përfitimet nga lidhjet e ngushta me Bashkimin Europian, si edhe progresi i arritur deri tani, kanë qenë fare pak të dukshëm për popullsitë përkatëse. Në të kundërt, shumë njerëz po përballen pikë së pari me vështirësitë sociale që janë pasojë e zbatimit të reformave të nevojshme për vendet kandidate.

Ata që vuajnë më shumë prej kësaj situate janë shpesh të moshuarit dhe të paprivilegjuarit, por edhe brezat e rinj. Statistikat e punësimit tregojnë një tablo të qartë. Papunësia tek të rinjtë arrin ndonjëherë 60 për qind. Kjo nënkupton se të rinjtë kanë pak shanse për të gjetur një punë të përshtatshme në tregun e brendshëm të punës.

Një nga pasojat është se shumë nga këta njerëz që e kanë mundësinë “ anashkalojnë këtë situatë” dhe largohen. Të rinjtë dhe personat e arsimuar, në veҫanti, po largohen nga rajoni në shifra të larta. Ky, pikërisht, është grupi më i duhur që mund të ndërtojë ekonomitë e begata.

Zonja dhe zotërinj,

Për mua është mëse e qartë se ne nuk mund të vazhdojmë t‘i bëjmë gjërat si më parë. Ne duhet të kemi si objektiv nivele të ndryshme:

Para së gjithash, ne duhet të punojmë së bashku për të ndryshuar historitë që tregojme këtu në Bashkimin Europian, por gjithashtu edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’ia përshatsim ato realitetit. Kjo vlen për të gjitha palët!

Ne në Bashkimin Europian duhet të ndërgjegjësohemi, më shumë se në të kaluarën, që ky proces i thellë transformimi kërkon shumë forcë dhe guxim. Duhet të vlerësojmë më tepër faktin se shoqëritë e Ballkanit Perëndimor gjenden në mes të një procesi të madh rindërtimi – ekonomik, politik dhe social.

Sidoqoftë, mendoj se kjo gjithashtu nënkupton që elitat, në veҫanti, në këto vende duhet të shmangin të treguarit e historive të gabuara mbi Bashkimin Europian.

Bashkimi Europian sigurisht nuk është Mesia i cili papritur do të zgjidhë të gjitha problemet e Ballkanit Perëndimor. Të tilla pritshmëri ҫojnë vetëm drejt zhgënjimit!

Bashkimi Europian nuk është fuqia djallëzore që detyron vendet e Ballkanit Perëndimor për të zbatuar reformat. E kuptoj plotësisht se reformat ekonomike janë të vështira dhe jo gjithmonë popullore – e kemi parë këtë në Gjermani gjatë dekadës së fundit dhe ne sot kemi gjithashtu diskutime të ngjashme e të vështira në Euro Zonën.

Por një gjë duhet të jetë e qartë: Pavarësisht procesit të pranimit në Bashkimin Europian, është në interes të vendeve të rajonit që të shtyjnë përpara realizimin e këtyre reformave. Sepse kjo është e vetmja rrugë e mundshme për t‘i shndërruar vendet e tyre në konkurruese për një afat të gjatë kohor. Këto reforma nuk janë një favor për Bashkimin Europian. Ato janë në interes të vetë vendeve tuaja!

Por duhet të tregohemi të kujdesshëm duke mos e kufizuar këtë bisedë mbi ҫështjet ekonomike. Ne duhet të nxisim një diskutim më gjithëpërfshirës.
E them këtë pasi ndonjëherë duket sikur është harruar se BE-ja para së gjithash synon paqen. Nuk ka një garantues më të mirë për paqen midis fqinjëve tuaj sesa të jesh vend anëtar i Bashkimit Europian. Në asnjë vend tjetër të botës njerëzit nuk mund të jetojnë në një liri, siguri dhe mbrojtje sociale të tillë sesa në Europë.

Në vend që të fajësojnë Bashkimin Europian për gjithçka që shkon keq, politikanët e përgjegjshëm duhet t’i këshillojnë qytetarët e tyre të mos e harrojnë këtë gjë – sepse oferta jonë për anëtarësim është ende e vlefshme!

Ne gjithashtu duhet të sigurohemi se mbështetja e gjerë që Bashkimi Europian ofron tashmë për vendet e Ballkanit duhet të bëhet më e dukshme. Nuk duhet të ndodhë si në rastin e Serbisë, për shembull, ku një pjesë e madhe e popullsisë – sipas sondazheve – ende beson se Rusia është mbështetësi më i madh financues i vendit. Nëse njerëzit nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për gjithçka që Bashkimi Europian po bën, atëherë nuk është çudi që interesi i tyre për procesin e anëtarësimit të jetë i kufizuar.

Një shembull: Nuk e kuptoj përse dikush duhet të përshëndetet në udhëtimin e tij nga aeroporti i Beogradit për në qendër të qytetit nga një poster i madh që feston miqësinë ruso-serbe, ndërsa ai me ngjyrat e verdha dhe blu të Bashkimit Europian është tërësisht i padukshëm.

Në këtë drejtim, duhet të bëjmë përmirësime të rëndësishme së bashku – d.m.th BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, kjo nuk është vetëm një çështje e historive që duhen ndryshuar, zonja dhe zotërinj. Niveli i dytë në të cilin duhet bërë diçka është fusha e bashkëpunimit praktik.

Ne, si europianë, duhet të ndërmarrim hapa konkretë: Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian duhet të forcohet dhe t’i jepet mbështetje shtesë. Përndryshe, nuk mund të përjashtohet mundësia që Ballkani Perëndimor të rrëshqasë përpara syve tanë. Kjo nuk është ajo që duam. Prandaj, duhet t’ia dalim mbanë deri në fund!

Kjo nuk do të thotë – dhe dëshiroj ta theksoj këtë – se unë jam duke kërkuar kompromise për kushtet e anëtarësimit. Asgjë të kësaj natyre. Nuk duhet të ketë tolerime në fushat kyçe, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e shtypit.

Megjithatë, unë jam i bindur se ne në Bashkimin Europian duhet të zhvillojmë me shumë ide të reja dhe inovatore. Dhe jo vetëm idetë. Ne gjithashtu duhet të sigurojmë më shumë mjete financiare për zbatimin e tyre me qëllim që të pakësohen vështirësitë sociale që lidhen me transformimin e rajonit.

Për më tepër, do të ishte në interesin tonë më të mirë nëse do t’i lejonim vendet e Ballkanit Perëndimor të merrnin pjesë në më shumë programe të Bashkimit Europian.

Një tjetër pikë kyçe që ne duhet te vlerësojmë është forcimi i bashkëpunimit rajonal. Jam i kënaqur me dinamikën pozitive që ka krijuar “procesi i Berlinit”. Por gjithashtu e them fare hapur se të gjithë ne këtu duhet të tregohemi më shumë ambiciozë. Ne kemi nevojë për një “ringarkim të procesit të Berlinit”! Procesi duhet të sjellë përmirësime të dukshme për popullsinë vendase. Prandaj duhet t’i japim përparësi ideve që synojnë ta kthejnë rajonin në një zonë ekonomike tërheqëse. Kjo në mënyrë të pashmangshme do të çonte në krijimin e lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian dhe do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Prandaj, unë i mirëpres përpjekjet e Komisionerit Hahn i cili po punon në mënyrë aktive drejt krijimit të një zone të përbashkët ekonomike në rajon. Kjo rrugë është sa e drejtë aq edhe largpamëse; kushtet më të mira për tregtinë dhe investimet ndër-rajonale nuk mjaftojnë vetëm për të ndihmuar në zhbllokimin e potencialit të zhvillimit. Integrimi ekonomik i Ballkanit Perëndimor bazuar në standardet europiane e bën gjithashtu më të lehtë integrimin në Bashkimin Europian.

Por ne nuk duhet të ndalemi këtu. Ne tani duhet të përshpejtojmë projektet e mëdha të infrastrukturës që ekonomikisht janë vitale! Projektet që gjithashtu kanë rëndësi të veçantë simbolike, si autostrada ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Me qëllim për ta financuar atë, unë propozoj që ne duhet të krijojmë një fond shtesë për projektet e infrastrukturës. Shtetet anëtare të BE-së, si dhe EFTA dhe Zona Ekonomike Europiane mund të kontribuojnë në këtë fond si donatorë.

Rritja e Industrisë 4.0 gjithashtu ofron perspektiva të mëdha për Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë në gjendje të përfitojnë nga kjo, vetëm nëse disponojnë një infrastrukturë efikase të IT-së dhe nëse ekziston një kuadër ligjor i besueshëm për shërbimet e IT-së. Është e domosdoshme që vendet e Ballkanit Perëndimor ta trajtojnë këtë temë kolektivisht në mënyrë që secili vend të mos përfundojë me një standard të ndryshëm. Është e rëndësishme të mos humbisni kohë për këtë. Sipas mendimit tim, një samit i IT-ve në rajon do të ishte një mundësi e përkryer për të promovuar këtë ide.

Jam i bindur se në përgjithësi duhet bërë më shumë që rajoni të jetë më tërheqës për investimet e huaja.

Por ne të gjithë e dimë se investitorët kanë më pak gjasa të investojnë në qoftë se ata shikojnë se sundimi i ligjit nuk merret seriozisht. Pra, ka gjithashtu një argument të fortë ekonomik për të forcuar institucionet e pavarura: parlamentet, sektorin e drejtësisë dhe për të mbrojtur pavarësinë dhe lirinë e medias.

Ne të gjithë e dimë gjithashtu se vendet me punëtorë të kualifikuar dhe të arsimuar janë më tërheqëse për investime. Gjermania ka përfituar nga kjo për dekada të tëra. Çelësi i suksesit në rastin tonë është trajnimi i dyfishtë profesional, që do të thotë transferimi teorik i njohurive të kombinuara me një praktikë pune në një kompani.

Përse nuk krijojmë një fond për vendet e rajonit për të financuar projekte në fushën e trajnimeve të dyfishta profesionale, përmes së cilave mund të aplikojnë vendet përkatëse? Kjo do të krijonte një konkurrencë pozitive duke siguruar përdorimin e fondeve kur të konsiderohet e nevojshme.

Zonja dhe zotërinj,

Unë jam i vetëdijshëm se të gjitha këto gjëra kushtojnë. Por unë ju them: Nëse sot nuk sigurojmë para për të mbajtur Ballkanin Perëndimor në rrugën e duhur gjatë kësaj faze vendimtare, pasojat do të jenë shumë më të shtrenjta për të gjithë ne! Bashkimi Europian ka nevojë për partnerë të fuqishëm në rajon.

Por, kolegë të mi ministra të jashtëm, tani është përgjegjësia juaj për t’i bërë të qartë Bashkimit Europian që vendet tuaja dëshirojnë t’i çojnë këto punë deri në fund. Të punojmë deri në fund për një ardhme, prej së cilës qytetarët tuaj të mos përfitojnë vetëm nga pikëpamja ekonomike dhe sociale, por për një të ardhme që i lidh vendet tuaja me fqinjët në mënyrë paqësore.

Ne – çekët dhe gjermanët – e kemi përjetuar këtë transformim të mrekullueshëm! Prandaj, ju bëj thirrje që të përfitoni nga kjo mundësi historike! Dhe unë mund t’ju siguroj juve se: Ne do t’ju mbështesim në këtë rrugë!

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

1

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi