Interesi kombëtar, busulla e politikës së jashtme të qeverisë
Nga Prof. Fatos Tarifa
Është folur dhe shkruar shumë kohët e fundit mbi planet dhe marrëveshjen mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për krijimin e një “Shengeni ballkanik”—“mini Schengen”, siç i referohen tashmë këtij projekti. Një projekt të tillë duket se e përkrahin pak njerëz, ndërsa e kritikojnë dhe e kundërshtojnë shumë, veçanërisht në Shqipëri dhe në Kosovë. Këtë e them duke gjykuar nga ajo çfarë kam lexuar në shtypin tonë, si dhe nga qëndrimet e drejtuesve kryesorë të Kosovës.
Personalisht kam pak informacion mbi këtë projekt, për shkak se shumë pak është thënë publikisht për të. Jam krejtësisht i paqartë sidomos për rolin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në negocimin e kësaj marrëveshjeje. Një marrëveshje ndërshtetërore, siç është edhe kjo që është propozuar dhe synohet të vihet në zbatim, është një çështje shumë serioze për çdo vend, pasi ka të bëjë me interesin kombëtar dhe me marrëdhëniet mes shteteve. Në një vend demokratik, që administrohet nga parimet e shtetit ligjor, çështje të tilla, të një rëndësie kombëtare, negociohen, diskutohen e miratohen në kushtet e një transparence të plotë me publikun. Si një marrëveshje me shtete të tjerë, ajo do të duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
Nuk dëshiroj të flas për motivet nga janë nisur presidenti serb Aleksandar Vučić dhe kryeministri e Maqedonisë së Veriut Zoran Zajev në arritjen e një marrëveshjeje të tillë, por mendoj se, si kryeministër i Shqipërisë, Ju do të duhej të ishit treguar më i vëmendshëm në hedhjen e një hapi të tillë.
Edhe pse Ju thoni se idenë e një “Schengeni ballkanik” e keni pasur në kokë shumë kohë më parë, në fakt, ka qenë një kryeministër tjetër socialist para Jush, Fatos Nano, i cili e ka hedhur dhe e ka diskutuar lart e poshtë një ide të tillë qysh në fillim të viteve 2000. Por kjo ka fare pak rëndësi. Ju, z. Vučić dhe z. Zajev thoni se jeni “të përkushtuar të punoni së bashku”—dhe mundet sinqerisht të dëshironi pikërisht këtë—për të hequr “pengesat për lëvizjen e mallrave e të njerëzve” mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në mënyrë që, siç u shpreh z. Zajev në Ohër ditët e fundit, të krijojmë “Ballkanin e shekullit të 21-të”. Kjo është një ide shumë e mirë, por e pamjaftueshme për shoqëritë tona dhe për rajonin tonë.
* * *
I nderuari zoti Kryeministër. Më lejoni që, përkundrejt euforisë që duket se shoqëron përpjekjen Tuaj dhe të kolegëve Tuaj, Vučić dhe Zajev, të shpreh skepticizmin tim për një projekt të tillë. Ky skepticizëm nuk është rrjedhojë e ndonjëfarë pesimizmi mbi të ardhmen e Ballkanit. Për shumë vite me radhë, të paktën qysh nga viti 2002 e këtej, kur botova librin tim The Balkans: A Mission neither Accomplished nor Impossible, kam besuar—dhe besoj—se popujt e Ballkanit gjenden sot në një udhëkryq nga më të rëndësishmit në historinë e tyre. Ky mund të jetë, ndoshta, kapitulli “i fundit” i historisë së tyre “ballkanike”, i cili, nëse përdor fjalët e kancelarit Otto von Bismarck, deri vonë mund të përshkruhej si historia e atyre “vendeve për të cilët askush s’ka dëgjuar kurrë ndonjë gjë” dhe për të cilët “nuk ia vlen të sakrifikosh as edhe eshtrat e një ushtari të vetëm”. Sot, ky gadishull juglindor i kontinentit tonë po bëhet pjesë e tij. Kosova ishte ndoshta provinca e fundit, ose ura e fundit që lidhte Ballkanin e Vjetër me Europën e Re, apo kapitulli që mbylli një histori mijëvjeçare të përgjakshme, për të hapur një epokë, që vendet e Ballkanit nuk e kanë njohur kurrë.
Unë sinqerisht besoj se, për popujt e Ballkanit, kjo është një kohë kur ata, më në fund, duhet të kuptojnë se rruga drejt prosperitetit të tyre nuk është ringjallja e armiqësive të vjetra, ose përdorimi i forcës për të larë hesapet me të kaluarën, por krijimi i atyre kushteve politike, ekonomike e sociale që çojnë në zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, në forcimin e paqes e të bashkëpunimit në rajon dhe në krijimin e shoqërive të hapura demokratike. Nisma juaj do të mund t’i shërbente pikërisht këtij qëllimi nëse ajo do të ishte gjithëpërfshirëse, por duket se nuk premton të jetë e tillë.
E sotmja është shpresa më e mirë për t’u dhënë fund një herë e përgjithmonë armiqësive mes popujve në Ballkan, duke mposhtur mbeturinat e nacionalizmave dhe duke hedhur themelet e një marrëdhënieje të re mes tyre, e cila të fokusohet në oportunitetet e së ardhmes dhe jo në problemet e së kaluarës. Dhe jam i bindur se barra historike e së shkuarës nuk është më e rëndë sesa shpresat e së ardhmes. Po kështu, unë besoj se sfidat me të cilat ndeshen popujt e Ballkanit sot nuk duhen parë si pengesa, por si oportunitete. Për popujt e rajonit tonë, koha e sotme përbën një nga ato mundësi të rralla, të cilat Hegeli i quante “momente unike” të historisë. Dhe e veçanta më e madhe e këtij momenti për popujt e Ballkanit është se ky mund të jetë fundi i fantazmave dhe i historisë së tyre armiqësore.
* * *
Sa thashë më sipër shprehin bindjen time më të thellë. Por, kjo bindje nuk më bën të verbër ndaj realiteteve të kohës dhe ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, prandaj edhe dëshiroj të theksoj, i nderuari z. Kryeministër, se duke punuar për marrëdhënie të hapura e miqësore me vendet fqinjë, politika e çdo qeverie shqiptare, edhe e kësaj që aktualisht e drejtoni ju, duhet të udhëhiqet kryekëput nga interesi kombëtar. Nuk do të ishte e udhës t’i bëj teori Shkëlqesisë Suaj, pasi Ju keni këshilltarët dhe vartësit Tuaj, të cilët do të duhej t’ua sqaronin disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me pozicionin e vendit tonë në marrëdhënie me vendet e rajonit e më gjerë.
Sidoqoftë, mendoj se qëndrimi Juaj ndaj çështjes së krijimit të një “Schengeni ballkanik” është më shumë një qëndrim idealist, sesa realist. Në marrëdhëniet mes shteteve dhe në politikën e tyre të jashtme unë nuk besoj në idealizëm. Gjatë shekullit të 20-të—duke filluar me shkrimtarin Norman Angell-in dhe librin e tij Iluzioni i madh (1913), deri te ideja e Francis Fukuyama-s mbi “fundin e Historisë” (1989/1992), mëse një herë është provuar se idealizmi në marrëdhëniet mes shteteve ka dështuar.
Po kështu, liberalizmi në politikën e jashtme, si një variant më i moderuar i idealizmit, që përpiqet të marrë në konsideratë ndryshimet dramatike që kanë ndodhur në shoqërinë ndërkombëtare për shkak të globalizimit të shpejtë të saj dhe rritjes së ndërvarësisë mes shteteve, vuan nga një varg të metash epistemologjike, siç janë nënvleftësimi i rolit të fuqisë, mbivlerësimi i shkallës në të cilën qeniet dhe agjencitë njerëzore veprojnë në mënyrë racionale, mbivlerësimi i interesave të përbashkëta që gjoja ndajnë shtetet mes tyre, si dhe besimi pasionant në aftësinë e njerëzimit për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve mes shteteve dhe shkaqeve të luftës.
* * *
Zoti Kryeministër, duke i vlerësuar marrëdhëniet mes shteteve të Ballkanit nga një këndvështrim gjeostrategjik dhe gjeo-ekonomik, mendoj se në marrëdhëniet e veta me shtetet e tjerë të këtij rajoni, qeveria shqiptare duhet të bëjë kujdes dhe të vlerësojë si parësore, si marrëdhënie të një rëndësie strategjike të veçantë, marrëdhëniet me Republikën e Kosovës. Ju nuk keni nevojë ta dëgjoni nga unë se, ndër të gjithë shtetet fqinjë, Kosova është—dhe duhet vlerësuar si—partneri ynë strategjik i natyrshëm dhe kryesor.
Kosova është binjaku demografik e shpirtëror i Shqipërisë. Edhe pse Kosova është vërtet një shtet i ri, me një peshë të vogël në rajon, madje i panjohur ende zyrtarisht nga dy prej Fuqive të Mëdha, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Kina dhe Rusia), nga pesë prej vendeve anëtarë të Bashkimit Europian (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania—dy të fundit vende të rajonit tonë), si dhe nga vetë Serbia e, po kështu, nga Bosnja-Hercegovina, asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka për Shqipërinë atë rëndësi strategjike dhe nuk përbën për interesat tona kombëtare atë faktor mbështetës si Kosova. Historia, gjeografia, gjuha dhe konstituimi shpirtëror kushtëzojnë marrëdhënie të një lloji të veçantë mes dy popujve dhe dy vendeve tanë, të ngjashme (edhe pse për arsye të ndryshme) me marrëdhënien e veçantë që ekziston mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.
Nuk mjafton të thuash, siç bëni Ju, se Kosova u “vetpërjashtua” nga projekti i këtij “Schengeni ballkanik”. Kosova realisht nuk mund të jetë pjesë e tij, për aq kohë sa Serbia nuk e njeh atë si një shtet sovran. Dhe një “Schengen” mes shtetesh që nuk e njohin njëri-tjetrin si shtete sovranë nuk mund të ketë, veçse në qoftë se ne, ballkanasit, shpikim ndonjë tip të ri. Madje, duke qenë se Shqipëria ndan një pjesë të kufirit të saj me Maqedoninë e Veriut, por jo me Serbinë, vetë koncepti i një mini-Schengeni e humbet përmbajtjen e tij, nëse nuk duam që Republika e Kosovës të lihet përfundimisht jashtë zhvillimeve integruese në rajon. Ju me të drejtë shpreheni se heqja e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte “në interes të Kosovës, të qytetarëve dhe të tregjeve të saj” por, që kjo të ndodhë, Serbia duhet më parë t’i njohë kufijtë e Kosovës dhe të drejtën legjitime të qeverisë së saj brenda kufijve të Republikës së Kosovës si një shtet sovran e i pavarur. Ky do të duhej të ishte hapi i parë, i domosdoshëm, për të realizuar bashkëpunimin dhe integrimin e vërtetë rajonal që propozoni ju dhe kolegët tuaj serb e maqedonas.
Duke qenë jashtë NATO-s dhe jashtë BE-së (dy organizata në të cilat nuk dihet nëse kjo republikë do të anëtarësohet ndonjëherë), Kosova, në projektin e miratuar nga Ju, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, duket se po lihet edhe “jashtë Ballkanit”. Ky do të ishte një gabim fatal për interesat kombëtare të shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit tonë shtetëror. Në vend që të gjitha dituritë, energjitë dhe përpjekjet e qeverisë që Ju e drejtoni të orientohen në përmirësimin e ekonomisë shqiptare dhe në zhvillimin e vendit tonë në atë mënyrë që t’i bashkohemi sa më parë Bashkimit Europian, projekti i propozuar për të lançuar një “mini Schengen” me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë mendoj se do ta largojë Shqipërinë edhe më tej nga perspektiva e anëtarësimit në BE.
* * *
Zoti Kryeministër, vëzhgimet e vëmendshme dhe studimet e mia në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një eksperiencë shumëvjeçare në këtë fushë më kanë bindur se, edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, bota në të cilën jetojmë nuk është bërë një botë “post-historike”, “post-Westfaliane”, ose “Habermasiane”, por vazhdon të jetë, njëlloj si në të shkuarën, një botë e përbërë nga kombe dhe shtete, një botë në të cilën kufijtë shtetërorë dhe interesat e shteteve kanë mbetur e do të mbeten karakteristikat themelore të rendit ndërkombëtar. Sot, në vitin 2019, asnjë shtet, përfshirë edhe shtetet anëtarë të Bashkimit Europian, nuk ka hequr dorë nga e drejta e vet legjitime dhe nga autoriteti sovran për të ushtruar kontroll brenda territorit të vet kombëtar.
Edhe pse, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, koncepti i sovranitetit shtetëror është vënë në diskutim nga disa studiues, shteti kombëtar dhe sovraniteti shtetëror mbeten koncepte thelbësorë në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në praktikën e marrëdhënieve dy- ose shumëpalëshe mes shteteve. Dhe, meqenëse sovraniteti i shtetit mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm, interesat, qëllimet dhe ambiciet (ekonomike, ushtarake apo kulturore) të secilit shtet, të përmbledhura kolektivisht në konceptin e interesit kombëtar—Raison d’État (Arsyeja e shtetit)—mbeten interesa të dorës së parë. Detyrimi kryesor i çdo shteti, pra edhe qëllimi të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjithë objektivat e tjerë, është që të promovojë interesin e vet kombëtar. Këtë, Henry Kissinger e konsideron si “përgjegjësinë e parë dhe të fundit [të çdo qeverie], që nuk mund të kompromentohet, ose të vihet në rrezik”.
Siç edhe Ju e dini, koncepti i “interesit kombëtar” vazhdon të mbizotërojë jo vetëm në politikën globale, në marrëdhëniet mes Fuqive të Mëdha, por edhe në politikën europiane, pavarësisht marrëveshjeve dhe traktateve të shumtë që kanë bërë të mundur krijimin e Bashkimit Europian, në stadin që është sot, dhe kanë garantuar vazhdimësinë e tij. Por, ai solidaritet mes shteteve anëtarë të BE-së dhe një numër politikash të përbashkëta që qeveritë e këtyre shteteve kanë miratuar ndër vite nuk i kanë dhënë fund konkurrencën mes vendeve anëtare të BE-së dhe, sigurisht, nuk i kanë bërë interesat e tyre të veçanta, si kombe dhe si shtete, një anakronizëm. Pavarësisht nga ç’është thënë deri më sot dhe nga sa thuhet, hezitimet për zgjerimin e BE-së, të paktën që nga viti 2004 e këtej dhe, sidomos, skepticizmi dhe pengesat lidhur me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut, e kanë shpjegimin e tyre pikërisht në faktin se qeveritë e disa prej shteteve anëtarë të BE-së e vlerësojnë zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian nga prizmi i interesave të tyre kombëtare.
* * *
Sigurisht, shoqëria e sotme ndërkombëtare nuk është ajo e shekujve të 19-të dhe 20-të, por ndryshimet e ndodhura në shkallë globale e rajonale nuk e kanë shndërruar shtetin, si të tillë, në një forcë thjesht morale, që vepron mbi bazën e disa parimeve morale universale. Ndryshimet e ndodhura dhe marrëdhëniet shpeshherë të tensionuara mes shteteve, sidomos ato mes fuqive të mëdha, nuk kanë mundësuar madje as krijimin e një bashkësie politike etike mes shtetesh, apo një mjedis ndërkombëtar paqësor.
Në ditët e sotme, arena ndërkombëtare vazhdon të mbetet anarkike, “brutale”, në të cilën, siç shprehet Charles Lipson, “shtetet kërkojnë mundësi për të përfituar nga njëri-tjetri” dhe, ipso facto, “kanë pak arsye që t’i besojnë njëri-tjetrit”. Në vend të disa parime morale abstrakte, politika e jashtme e çdo vendi, marrëdhëniet e tij me vendet e tjerë dhe sjellja e tij në rajon dhe në arenën ndërkombëtare udhëhiqen nga interesi kombëtar i tij. Kjo vlen të thuhet jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, për Kinën dhe Rusinë, por edhe për vendet e Bashkimit Europian pasi, pavarësisht shumë politikave të përbashkëta që kanë adoptuar vendet e BE-së, Bashkimi Europian nuk ka një politikë të jashtme të pavarur europiane, për faktin e thjeshtë se një “interes kombëtar europian” nuk ekziston.
Përkundër të gjitha arritjeve të mëdha në drejtim të një integrimi gjithnjë e më të thellë e më efektiv ekonomik, politik, ligjor e kulturor, BE mbetet një bashkim vendesh shumë heterogjenë, pa objektiva afatmesëm dhe afatgjatë që do të përputheshin me interesat dhe objektivat e të gjithë shteteve anëtarë të saj. Paradoksi i një Europe të tillë, siç vinte në dukje i ndjeri Zbigniew Brzezinski, është se: “Komuniteti Europian, ndërsa u zgjerua, u riquajt Bashkim Europian; por ajo që ndodhi në të vërtetë është se, si pasojë e zgjerimit, Bashkimi Europian është bërë Komunitet Europian”.
* * *
Një miku dhe kolegu im, edhe ai profesor e diplomat si unë, më sugjeroi se kryeministri Rama nuk e bën këtë hap me kokën e tij, por se kjo është një ide që ka mbështetjen e amerikanëve. Unë jam i bindur se Administrata e Shteteve të Bashkuara do të mbështeste çdo ide dhe çdo nismë për bashkëpunim që vjen nga vetë vendet e rajonit tonë, por nuk besoj se ajo do të pëlqente që Republika e Kosovës të lihej jashtë këtij procesi. Mbi të gjitha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dinë më mirë se kushdo se, në politikën (e brendshme e të jashtme) të një vendi, interesi kombëtar dominon mbi çdo interes dhe konjukturë tjetër.
Le të mos e harrojmë diktumin e famshëm të Lordit Palmerston, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Britanisë në mesin e shekullit të 19-të se “kombet nuk kanë miq apo aleatë të përhershëm; ata kanë vetëm interesa të përhershme”
Dixi et salvavi animam meam.
Me respekt,