Fati i Demokracisë së Ballkanit dhe Perëndimit është i pandarë
Kriza e qeverisjes demokratike në Ballkan është e qartë. Por kthimi haptazi drejt autoritarizmit në vende si Maqedonia dhe Serbia po përshpejtohet nga kriza akoma më e madhe e normave demokratike dhe qeverisë kushtetuese në Perëndim. Këto dy dinamika janë të lidhura ngushtë – ashtu si dhe shpresa për zgjidhjen e tyre.
Merrni shembull sulmin ndaj parlamentit maqedonas të ndodhur së fundmi nga kryengritësit e mbështetur nga VRMO-DPMNE dhe shkarkimin e papritur të drejtorit të FBI-së James Comey nga Donald Trump. Të dy ngjarjet kanë një ngjashmëri të çuditshme. Në secilin rast, elitat e fuqishme – Trump dhe liderët e VMRO-DPMNE, respektivisht – po pengojnë sundimin e ligjit dhe po sabotojnë normat kushtetuese.
Pastaj kemi lajmin se Sebastian Kurz, Ministri i Jashtëm i Austrisë, është i vendosur të sjellë kolapsin e koalicionit qeverisës së Austrisë për të çuar përpara karrierën e tij. Rezultati i skemës së Kurzit, megjithatë, mund të jetë një furnizim i gjatë ndaj ekstremit të djathtë. Askush nuk duhet të befasohet nga fakti se njeriu që mbështet sundimin autoritar të Gruevskit në Maqedoni, ka një shpërfillje të pamatur për stabilitetin demokratik të Austrisë.
Në të vërtetë, ekstremi i djathtë tani është një forcë e besueshme elektorale në të gjithë Perëndimin. Nëse lëmë mënjanë fitoren vendimtare të Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale franceze, Marine Le Pen nga Frontit Kombëtar, dyfishoi performancën e babait të saj nga viti 2002. Edhe aty ku e djathta ekstreme shfaqet si një faktor margjinal zgjedhor, si në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ende ia del të formësojë diskursin publik në një mënyrë reaksionare.
Edhe te kjo duhet të shohim një reflektim te Ballkani. Për vite, BE-ja dhe SHBA kanë toleruar normalizimin dhe integrimin e elementeve më ekstremistë në ish-Jugosllavi. Në Bleiburg për shembull, udhëheqësit e HDZ-së në Kroaci dhe Bosnje mblidhen çdo vit – jo për të përkujtuar vdekjen e të pafajshmëve, por humbjen e kauzës fashiste. Ky është tubimi më i madh i së djathtës në Europë, por kalon çdo vit thuajse pa u vënë re nga Brukseli.
Në Serbi, skaji i djathtë është bashkuar në një faktor të qëndrueshëm elektoral. Pjesa relativisht e vogël e votave – gati gjysmë milioni vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 – errëson faktin se parimet thelbësore të ideologjisë së saj janë të pranuara gjerësisht në spektrin politik. Ne shohim, me fjalë të tjera, relativizimin e plotë dhe mohimin e përgjegjësisë së Slobodan Millosheviçit për shpërbërjen e Jugosllavisë dhe përgjegjësinë për luftërat (dhe shfarosjet) në të gjithë rajonin.
Edhe kur BE-ja pranon se ka një kërcënim ekstremist në Ballkan, ajo nuk qëllon në shenjë. Ndërsa tonelata boje janë derdhur për të faktuar prezencën e degëve të Shtetit Islamik në Ballkan, thelbi i çështjes është se ata që e idenfitikojnë veten si udhëheqës myslimanë të rajonit, si Bakir Izetbegoviç i Bosnjës, duan të imitojnë presidentin turk Erdogan, jo al- Baghdadin. Dhe ata mbështeten te nacionalizmi, jo te feja, për të çuar përpara ambiciet e tyre autoritare.
Pasi e kanë lejuar situatën të metastasizohet në këtë pikë, nuk është çudi që politikëbërësit europianë dhe amerikanë e gjejnë veten kaq të verbër nga kërcënimi i ekstremit të djathtë në atdhe. Në fund të fundit, ata kanë kaluar kaq shumë kohë duke vluar bretkosën proverbiale në Ballkan saqë kanë mbetur të palëvizur ndaj gërryerjes së vlerave demokratike si fenomen real ekzistent.
Kjo nuk do të thotë se Ballkani është përgjegjës për krizën e demokracisë liberale në Perëndim. Por Ballkani ishte dhe mbetet një paraprijës i llojeve të lëvizjeve politike që liderët perëndimorë duhet të ishin përgatitur të hasnin. Nëse neo-fashistët, autoritarët dhe hajvanët në pozita janë të pranueshëm në skenën politike të Zagrebit, Sarajevës, Beogradit dhe Shkupit, qe veçse çështje kohe para se këto të emigronin në Paris, Londër, Amsterdam dhe Berlin.
Disa mund të thonë se kërcënimi në rritje i të djathtës si në Perëndim, ashtu edhe në Ballkan po fryhet artificialisht nga sabotimi dhe investimet strategjike ruse. Pa dyshim, Moska ka prirjen që të forcojë çdo dinamikë që sipas saj mund ta çojë përpara qëllimin e dëmtimit ose shpërbërjes së NATO-s dhe BE-së. Por nëse Rusia, një vend me një ekonomi që mezi arrin sa ajo e Koresë së Jugut, ia ka dalë të mbjellë gjithë këtë kaos, kjo është për shkak se Perëndimi e ka lejuar këtë, përmes një kombinimi të injorancës dhe paaftësisë.
Nëse është ende e mundur përgatitja e anijes kolektive të internacionalizmit liberal dhe rendit botëror demokratik – të cilin asnjëri prej nesh nuk duhet ta marrë për të mirëqenë këtej e tutje – do të duhet një axhendë globale. Në kontekstin e Ballkanit, kjo do të thotë se të njëjtat rregulla duhet të zbatohen në Beograd dhe Bruksel, Shkup dhe Berlin, Sarajevë dhe Paris. Një sulm ndaj normave demokratike në Ballkan duhet të trajtohet me të njëjtën urgjencë si një një krizë brenda zemrës së BE-së.
Dështimi në këtë aspekt nuk do të thotë thjesht kaos në Europën Juglindore, një proces që tashmë po ndodh. Kjo do ta ezauronte Europën si një e tërë. Shikoni tërmetet politike të drejtpërdrejta (ose tërthorta) që kanë ardhur në kontinent nga Lufta Civile Siriane. Mos harroni gjithashtu se kufiri midis asaj stuhie dhune dhe Europës është Ballkani; Ballkani i paqëndrueshëm, joliberal dhe i varfër.
Interesat themelore të sigurisë të Europës varen nga rivendosja dhe riinvestimi në qëndrueshmërinë demokratike të Ballkanit Perëndimor. Sa më e besueshme dhe më e konsoliduar përpjekja, aq më të mëdha do të jenë shanset tona kolektive për sukses. Nëse dështojmë, është e sigurit se do të dështojmë së bashku (dhe po së bashku do të vuajmë).