Udhëheqësit e këqij marrin vendime të këqija, me apo pa referendum
Nga Gjergj Erebara, botuar në reporter.al, 4 korrik 2016
Vota e britanikëve për të dalë nga BE-ja në referendumin e 24 qershorit ka shtyrë shumë analistë të rikujtojnë se referendumi, ose demokracia direkte, është në thelb e keqe. Kjo duket se nënvlerëson rolin e udhëheqësve të këqij për t’ia hedhur fajin popullit.
Komentet se sa i keq është referendumi si formë vendimmarrjeje janë bërë tepër të shpeshta gjatë ditëve pas referendumit britanik për të dalë nga Bashkimi Europian.
Argumentet mbi referendumin si gjë e keqe në fakt janë të vjetra dhe shumë të bazuara. Referendumi është përdorur dukshëm më shumë nga diktatorët se sa nga demokracitë. Adolf Hitleri e pa si rrugën më të lehtë për të justifikuar uzurpimin e paligjshëm të pushtetit apo për të formalizuar veprime të paligjshme pasi këto veprime qenë kryer. Napoleon Bonaparti e përdori gjithashtu referendumin për të vendosur diktaturën e tij formale. Diktatorë të tjerë kanë parapëlqyer referendumin si alternativë ndaj zgjedhjeve. Zgjedhjet me kandidatë apo platforma janë të papëlqyera për shkak se i japin mundësi opozitës të organizohet. Ndryshe nga referendumi, i cili i vë njerëzit të zgjedhin po apo jo pa pasur nevojë të krijojnë gjykime të shëndosha komplekse. Ndërsa në Greqi, politikanët u përpoqën të mos marrin vetë vendime të vështira duke ia lënë kopilin në derë popullit, dukshëm me synimin për të shmangur pasojat e vendimeve të vështira që duheshin për të zgjidhur telashin në të cilin pikërisht këta politikanë e kishin zhytur vendin me papërgjegjshmërinë e treguar përgjatë viteve.
Rama bëri diçka të ngjashme këtë vit brenda partisë së tij kur zhvilloi referendum si alternativë ndaj respektimit të ligjeve të brendshme të kësaj partie.
Theksimi se sa i keq është referendumi dhe dëmet që ai sjell me vendime të palogjikshme që rrjedhin prej tij janë në vetvete një thjeshtëzim i tepruar i historisë. Referendumi është një mjet që është përdorur gjithashtu në shumë raste për të marrë vendime të cilat kanë rezultuar të mira, pozitive dhe tërësisht të logjikshme. Referendumi i Suedisë në vitin 2004 për anëtarësim ose jo të këtij vendi në Euro, (jo fitoi), rezultoi më 2009 pas krizës financiare, vendimi i duhur. Përkundër pjesës dërrmuese të ekspertëve dhe politikanëve që rekomandonin euron si zgjidhja e duhur, logjika e popullit rezultoi krahasimisht më e mirë. Zviceranët votuan në shumicë dërrmuese kundër ofertës për t’i dhënë secilit prej tyre një shumë parash falas dhe pa kushte, pavarësisht nëse punojnë apo jo. Populizmi që mbart në vetvete oferta për para falas nuk funksionoi përballë logjikës së të zgjedhurit mes sistemit aktual të mbrojtjes shoqërore dhe një sistemi të ri.
Ballafaqimi i këtyre shembujve të ndryshëm nuk qëndron te referendumi por te konteksti në të cilin referendumi zhvillohet, si dhe nga njerëzit që hyjnë në garë për të përfituar politikisht nga referendumi. Nga njëra anë kemi shembujt negativë të përdorimit të referendumit për të legjitimuar faktin e kryer dhe të paligjshëm dhe nga ana tjetër kemi rastin kur kapiteni i anijes nuk dëshiron të japë urdhrin për braktisjen apo jo të anijes në stuhi por parapëlqen që t’ia ngecë vendimin popullit, siç qe rasti i Tsipras me referendumin grek. Pastaj kemi referendumet për konsum politik, si ai i Britanisë, i thirrur nga Cameron si një premtim për hatër të pushtetit të vet. Kjo nuk do të thotë se referendumi është keq. Kjo do të thotë se referendumi është produkt i situatave të larmishme, të cilat mund të jenë normale, të mira, të këqija apo shumë të këqija.
Referendumi i Suedisë për anëtarësimin e vendit në euro nuk u mor në kushtet e emergjencës kombëtare, siç qe referendumi i Tsipras. Klasa politike e Suedisë, e cila qe e tëra në mbështetje të idesë së anëtarësimit, nuk kishte se si të përfitonte nga rezultati i referendumit. Referendumi i Zvicrës për të ardhurat universale bazë qe një zgjedhje e fortë etike, gjithashtu e shtruar në kuadër të një diskutimi të gjerë shoqëror se cili është sistemi më i mirë i mbrojtjes sociale që një vend mund të ketë. Zviceranët zgjodhën sistemin aktual. Edhe këtu, klasa politike nuk kishte çfarë të përfitonte dhe nuk i gënjeu zviceranët as me paralajmërime për katastrofë dhe as me paralajmërime për parajsë.
Referendumi për Brexit qe paksa më i ndryshëm. Populli britanik u ftua të votojë nga një klasë politikanësh që përdorën si frikën ashtu edhe premtimin për parajsë për llogari të vet. Kjo klasë politike nuk është krijuar brenda ditës.
Philip Pullman e përshkroi saktë këtë situatë te Guardian kur shkroi se ka një mijë arsye se pse referendumi ndodhi, por një arsye e rëndësishme është që Britania lejoi “një miliarder nga Australia të korruptojë median”, duke iu referuar Rupert Murdoch, personit që përdori median tabloide nën pronësinë e tij për shërbime politike për kryeministrat e rradhës, njësoj siç ndodh në shumë vende të botës së tretë. Kjo media tablloide duket se është origjina e ushqimit të urrejtjes dhe ekzistoi për shkak të lidhjeve politike të pronarit, fillimisht me Tony Blair e më pas me vetë Cameron. Ajo media tablloide me nivel papërgjegjshmërie gazetareske të pabesueshme duhet të shihet si rrënjë e racizmit që sot po vërehet në shoqërinë britanike dhe duhet të shërbejë si paralajmërim për pjesën tjetër të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, se fuqizimi i medias tablloide përkundrejt medias serioze mbart rreziqe të stërmëdha dhe afatgjata për një vend. Siç ka thënë Joseph Pulitzer: “Republika jonë dhe gazetaria do të ngrihen ose do të fundosen së bashku. Një media cinike, mercenare e demagoge, me kalimin e kohës, do të prodhojë një publik po aq pa vlerë sa vetja”. Kjo është çfarë ndodhi në Britani. Fajtorët për këtë nuk janë “populli” por Blair e Cameron.
Të gjitha këto nuk kanë aq shumë lidhje me referendumin si mjet demokratik që i mundëson popujve të zgjedhin se çfarë shoqërie dëshirojnë të ndërtojnë.
Demokracia direkte konsiderohet si një alternativë e keqe e demokracisë përfaqësuese, ose shtetit të udhëhequr nga “filozofët”, sido që fjala filozof vështirë se mund të përdoret për udhëheqësit politikë të botës së sotme. Demokracia direkte e ushtruar për referendumet është gjithashtu e rrallë. Pengesat për të organizuar referendume janë të stërmëdha në shumicën e vendeve, ndërsa ata pak referendume që organizohen zakonisht thirren nga të njëjtët politikanë të demokracisë përfaqësuese që në një situatë normale do të duhej të merrnin vendim e të merrnin përgjegjësinë për vendimin.
Fakti që referendumi mund të keqpërdoret nuk e bën atë automatikisht të keq. Për më tepër, të gjitha vendet, përfshirë edhe Britaninë e Madhe, kanë në sistemet e veta kushtetuese valvula shkarkimi në rastet e referendumeve të keqpërdorura. Shqipëria p.sh, në kushtetutën e saj, e cilëson ligjin apo vendimin e prodhuar në një referendum të barazvlefshëm me çfarëdolloj ligji të miratuar me shumicë të thjeshtë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se nëse populli bie pre e manipulimit në demokracinë direkte, është fare e lehtë që “filozofët” e demokracisë përfaqësuese ta mposhtin vullnetin e popullit me një ligj të thjeshtë në parlament, kuptohet, duke marrë përsipër edhe kostot politike të kësaj mposhtjeje. E njëjta gjë është e vlefshme në Britaninë e Madhe sot, ku “filozofët” kanë mundësi ta mbajnë vendin në BE pavarësisht referendumit, por nuk janë të gatshëm ta bëjnë diçka të tillë pas katrahurës që gatuan përgjatë viteve.