BBC: Pesë arsye përse fitoi Emmanuel Macron
Nga Becy Branford, BBC, 8 maj 2017
Emmanuel Macron ka shkaktuar një tërmet politik në politikën franceze.
Një vit më parë, ai ishte thjesht njëri prej ministrave të qeverisë së njërit prej presidentëve më të papëlqyeshëm në historinë e Francës.
Sot, kur është vetëm 39 vjeç, ai ka fituar zgjedhjet presidenciale të Francës, duke mundur qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë, dhe tashmë, edhe të djathtën ekstreme.
ISHTE ME FAT
Nuk ka asnjë dyshim që Macron shkoi drejt fitores, i ndihmuar pjesërisht edhe nga erërat e fatit.
Një skandal publik rrëzoi kandidatin favorit të qendrës së djathtë, François Fillon; dhe kandidati socialist Benoît Hamon, tashmë në periferinë e majtë të partisë, u dërrmua publikisht, teksa votuesit tradicionalë shkuan gjetkë.
“Ishte shumë me fat, sepse përballej me një situatë e cila ishte krejt e papritur”, thotë Marc-Olivier Padis i think tank-ut Terra Nova, me qendër në Paris.
ISHTE DINAK
Por fati nuk tregon të gjithë historinë.
Macroni mund të kishte kërkuar të ishte kandidati i socialistëve, por ai e kuptoi pas viteve në pushtet dhe mbështetjes shumë të ulët në opinionin publik, se zëri i partisë gjithmonë do të kish probleme për t’u dëgjuar.
“Ai ishte në gjendje të parashikote se kishte një mundësi, atëherë kur askush nuk e shihte këtë gjë”, thotë Padis.
Ai hodhi sytë nga lëvizjet politike janë përhapur gjetkë në Evropë – Podemos në Spanjë, Lëvizja Pesë Yjet në Itali – dhe pa që edhe në Francë kishte një forcë ekuivalente politike, e cila mund të ndryshonte lojën.
Në prill 2016, ai themeloi forcën e tij En Marche! dhe katër muaj më vonë u tërhoq nga qeveria e presidentit Francois Hollande.
PROVOI DIÇKA TE RE NE FRANCE
Pasi themeloi En Marche!, ai u përpoq të nxjerë mësime nga fushata zgjedhore e Barak Obamës në vitin 2008, thotë gazetarja e pavarur me banim në Paris, Emily Schultheis.
Përpjekja e tij e parë ishte Grande Marche (Marshimi i Madh), kur ai mobilizoi radhët e shtuara të aktivistëve të tij energjikë po pa përvojë.
“Fushata përdori algoritme nga një firmë politike me të cilën ata punuan – të cilët, meqë ra fjala, kishin qenë vullnetarë në fushatën e Obamës në vitin 2008 – për të identifikuar lagjet që ishin më përfaqësuese të Francës në tërësi”, thotë znj. Schultheis.
“Ata dërguan njerëz, që të trokisnin në 300 000 dyer”.
Vullnetarët nuk dorëzuan vetëm fletushka – ata bënë 25,000 intervista të thella për rreth 15 minuta me votuesit anembanë vendit. Ky informacion u fut në një bazë të madhe të dhënash, e cila ndihmoi në hartimin e prioriteteve dhe politikave të fushatës.
“Ishte një grup fokusi shumë i madh për Macron, që të maste temperaturën e vendit, por gjithashtu siguroi që njerëzit të kishin kontakte që në krye të herës me lëvizjen e tij, duke u siguruar që vullnetarët të dinin se si të shkonin derë më derë. Ishte një ushtrim që hodhi bazat për atë që u arrit këtë vit”, sqaron Schultheis.
Dhe ai kapitalizoi mbi këtë.
KISHTE NJE MESAZH POZITIV
Personi politik i Macron duket i mbushur me kontradikta.
“Rishtari”, që ishte mbrojtës i presidentit Hollande dhe më pas ministër i ekonomisë; ish bankier i bankës së investimeve që drejton një lëvizje të bazës; Centrist me një program radikal për të zvogëluar sektorin publik.
Ishte municioni i duhur për rivalen Marine Le Pen, e cila tha se Macron ishte kandidat i elitës, aspak rishtar, siç thoshte ai vetë.
Por ai i shmangu përpjekjet për ta etiketuar si një tjetër François Hollande, duke krijuar një profil që rezononte mes njerëzve të dëshpëruar për diçka të re.
“Në Francë ekziston një gjendje shumë pesimiste shpirtërore, dhe ai erdhi me një mesazh shumë optimist dhe pozitiv”, thotë Marc-Olivier Padis.
“Ai është i ri, plot energji dhe nuk po shpjegon se çfarë do të bëjë për Francën, por se si njerëzit do të kenë shanse. Eshtë i vetmi që ka këtë lloj mesazhi”.
QENDROI FORT KUNDER LE PENIT
Përballë mesazhit të tij më optimist, mesazhi i Marine Le Penit erdhi në veshët e njerëzve si negativ – anti-imigrim, antiBE, antisistem.
Në fushatat e Macronit spikasnin skenat e ndriçuara fort me muzikë pop, thotë Emily Schultheis, ndërkohë që në takimet masive të Marine Le Pen kishte protestues që hidhnin shishe dhe fishekzjarre, një prani të madhe të policisë, qëndrime të errëta dhe plot zemërim të audiencës.
Debati i madh televiziv në 3 maj ishte një shpërthim zemërimi, me fyerje të hedhura nga të dy palët.
Ajo ishte “një priftëreshë e madhe e frikës” nga i njëjti sfond ekstremist si babai i saj. Ai ishte një kukull socialiste, një mjet i rrezikshëm i financës globale, që do të bënte çdo gjë që do i kërkonte Angela Merkeli e Gjermanisë.
Por shumëkush u tremb nga mundësie e një presidence potencialisht destabilizuese të të djathtës ekstreme, dhe e panë atë si pengesën e fundit në rrugën e saj.
Marine Le Pen mund të ketë bërë një fushatë shumë efikase, por mbështetja për të në sondazhe ka qenë në rënie gjatë muajve të fundit. Ajo ishte në krye në sondazhe vitine kaluar, diku tek 30 përqindëshi, e megjithatë në vetëm dy javë ajo është mundur dy herë nga Emmanuel Macon. / BBC – Bota.al