Martin Schulz- kandidati që mund t’i kundërvihet frymës populiste në Gjermani

Hans Kundnani*, The Guardian, 3 mars 2017

As karizmatik dhe as vizionar, popullariteti i tij është rritur që pas njoftimit të kandidaturës për postin e kancelarit.

Deri disa javë më parë dukej sikur një ndër gjërat më të sigurta në këto kohë, të mbushura plot pasiguri kudo në perëndim, ishte se Angela Merkel mund të zgjidhej kancelare e Gjermanisë për herë të katërt në zgjedhjet e shtatorit. Numri i revistës “Cicero” për muajin shkurt tregon Merkelin teksa del nga një kuti votimi me mbishkrimin: “A ka më kuptim të votosh?”. Pyetja e vetme e vërtetë ishte se çfarë lloj koalicioni mund të drejtojë ajo: përsëri një koalicion të madh të kristian-demokratëve dhe social-demokratëve ( i treti gjatë katër periudhave elektorale), apo mundësisht koalicionin e parë “të zi dhe të gjelbër”?

Gjermania nuk ka imunitet ndaj rritjes së populizimit, që po shkakton kaq shumë trazira kudo në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithëse disa persona në Gjermani fillimisht besuan se kishin imunitet ndaj këtij fenomeni. Partia euroskeptike dhe anti-emigrante, Alternativa për Gjermaninë (ApGJ), shënoi disa seri mbresëlënëse suksesi në zgjedhjet vendore të 2016 dhe sondazhet sugjeronin se do të fitonte rreth 10% dhe 15% të votave në zgjedhjet e shtatorit. Por sistemi elektoral gjerman dhe dinamika ndërmjet gjashtë partive që priteshin të fitonin vendet në Bundestag, nënkuptonte se sa më mirë të dilte ApGj-ja aq më shumë mundësi kishte që të krijohej një koalicion i madh, i drejtuar nga Merkel.

Atëherë Sigmar Gabriel, lideri i Partisë Social-Demokrate (PSD), një nga kandidatët e mundshëm, u tërhoq dhe kryetari i Parlamentit Europian Martin Schulz zuri vendin e tij, dhe krejt papritur ҫdogjë filloi të duket ndryshe. PSD-ja merr pjesë në votime që prej viteve ’20 dhe ishte aq e nënshtruar ndaj fatit të saj, aq sa në 2015 një anëtar i vjetër social-demokrat shprehej publikisht nëse ia vlente sadopak të kishin një kandidat për kancelar, meqenëse Merkel po bënte një punë “të shkëlqyer”. Por menjëherë pasi Schulz njoftoi kandidaturën e tij në fund të janarit, PSD-ja rriti sondazhet me 30% – kokë më kokë me kristian-demokratët. Papritur një shans realist po i afrohet social-demokratëve për të fituar zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani për herë të parë që nga 2002.

Kandidatura e Schulz ofron një emocion enigmatik, ai nuk është një figurë karizmatike apo vizionare. Disa mendojnë për të si një “populist të qëndrës” sepse rruga që zgjedh për të përfaqësuar veten është si njeri i popullit. Ai ka një biografi imponuese: e la shkollën e mesme duke shpresuar se do të bëhej një futbollist profesionist dhe ka luftuar me alkoolizmin. Por shpjegimi më bindës për popullaritetin e tij krejt të papritur është se reflekton një kërkesë të akumuluar për një alternativë të vërtetë ndaj Merkelit, prej së cilës shumë gjermanë janë të velur prej mëse një dekade në fuqi. Që nga fillimi i krizës së refugjatëve në verën e 2015, shumë votues u zemëruan me qasjen e saj dhe anuan nga ApGj-ja. Sondazhet sugjerojnë se disa prej tyre mund të votojnë tani për Schulz, në këtë mënyrë ApGj-ja do të binte ndjeshëm nën 10%.

Avantazhi më i madhi i Schulz është se ndryshe nga Gabriel, Ministër i Ekonomisë që prej 2013 dhe tashmë në postin e Ministrit të Jashtëm që prej një muaji, ai nuk ka qënë i përfshirë në krahun e djathtë të politikave ekonomike të dy koalicioneve të mëdhenj të Merkelit, ku PSD-ja ishte partneri i ri. Që nga kriza financiare e 2008, social-demokratët e kanë rradhitur veten me Merkelin dhe në veҫanti kanë përkrahur masat e ashpra mbi deficitin. Pjesën më të madhe të karrierës së tij Schulz e ka kaluar në Bruksel dhe jo aq në Berlin. Kështu që ai mund të sulmojë Merkelin dhe të ofrojë një alternativë krejt të ndryshme mbi polikat ekonomike dhe sociale.

Problemet e PSD-së datojnë që në kohën e qeverisë “së të kuqve dhe të gjelbërve” të Gerhard Schröder midis 1998 dhe 2005. Sidomos reformat e Axhendës 2010 që ai prezantoi në 2003, të cilat ndërprenë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, reduktuan pensionet shtetërore dhe mundësuan pushimin e lehtë të punonjësve nga vendet e punës, duke kthyer në armiq shumë votues, veҫanërisht ata nga ish-Gjermania Lindore. Në 2005, Oskar Lafontaine, ish-Ministër i Financave në qeverinë e Shrëderit disa muaj përpara se ky i fundit të dorëhiqej, formoi një parti të re të krahut të majtë, Die Linke ( E Majta), që fitoi 9 % të votave në vitin zgjedhor të atëhershëm. Përpos kësaj, PSD-ja e mbështeti Axhendën 2010 duke pretenduar se ishte vendimtare në kthesën e ekonomisë gjermane gjatë gjysmës së dekadës së parë të 2000.( Në të vërtetë, nënkontraktimi i prodhimit në Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe kufizimi i pagave, ishin shumë të rëndësishëm për ta rivendosur prodhimin gjerman përsëri në konkurrim).

Që nga ajo kohë, është bërë strukturalisht e pamundur për social-demokratët të drejtojnë një qeveri, vetëm nëse janë në gjendje të kapërcejnë ndryshimet e tyre me Të Majtën (Die Linke), e cila përfshin një elektorat të gjërë në ish-Gjermaninë Lindore, dhe të formojnë një R2K (koalicion “të kuq-të kuq-të gjelbër”), respektivisht të social-demokratëve, të kuqve dhe të gjelbërve. Pasi pësuan një tjetër humbje të turpshme në 2013, Gabriel mori drejtimin e partisë dhe filloi një afrim me Të Majtën . Por atëherë nisi kriza e Ukrainës dhe hendeku midis Të Majtës dhe PSD-së në lidhje me politikën e jashtme – veҫanërisht me Rusinë, u thellua më shumë sesa u ngushta. PSD-ja u rikthye sërisht në pikënisje.

Por në fjalimin e tij të parë të fushatës së madhe në Bielefeld javës së kaluar, Schulz sulmoi Axhendën 2010 duke u shprehur se PSD-ja ka bërë gabime që tani duhen korrigjuar patjetër. Ai kritikoi rritjen e të ardhurave të pabarabarta dhe punët e keqpaguara në Gjermani gjatë dekadës së fundit, për të cilën fajësoi “rrymën neo-liberale” që ka deklaruar se të drejtat e punëtorëve dhe miërqënia shoqërore janë “pengesa për zhvillim”. Kjo retorikë e krahut të majtë ishte krejt e papritur. “Schulz nuk ishte konsideruar në përgjithësi si një nga figurat e krahut të majtë në parti”, thotë Sebasitan Dullien, një ekonomist nga Berlini.

Disa shpresojnë se një fitore e Schulz mund të jetë një kthesë e së majtës në politikën ekonomike dhe mund të ofrojë një rrugë në zbutjen e përplasjeve me Francën dhe politikën e eurozonës, veҫanërisht nëse kandidati i pavarur Emmanuel Macron zgjidhet gjithashtu si president i Francës në maj.

Që nga kriza e euros në 2010, social-demokratët kanë rritur ndjeshëm mbështetjen e tyre për Merkelin dhe ndonjëherë, për shembull, në verën e 2015 kur ministri i financave, Wolgang Shauble, kërcënoi se do të nxirrte Greqinë jashtë euros, u krijua përshtypja sikur ata dëshironin të tregoheshin edhe më të rreptë me krahun e majtë të qeverisë së Syrizës. Kurse sot për habi janë duke folur për vuajtjet e popullit grek.

Në Bielefeld, Schulz bëri thirrje për më tepër investime në edukim, infrastrukturë dhe teknologjinë dixhitale. Por ndonjëherë ekzistojnë limite për të kuptuar se sa larg mund të arrijë Schulz. Ai nuk po e rikonisderon një Schuldenbremse ose “ ndalimin e borxhit” që ministri social-demokrat Peer Steinbruck paraqiti në Gjermani në 2009 dhe që atëherë i është imponuar të gjithë eurozonës me qëllim ndalimin e shpenzimit të deficitit. « Kjo nuk është për t’u debatuar” tha për Rojter aleati i Schulz, Ralf Stegner. Pavarësisht, kristian-demokratët kërkojnë t’iu thonë votuesve se ai do të përgjithësoj borxhin e eurozonës dhe do të krijojë një “union transfertash”, që ata i druhen, pasi me pak fjalë pasi nënkupton një BE në të cilën papërgjegjshmëria e pafundme fiskale do të subvencionoj përgjegjësinë fiskale.

Ndërkohë që qeveria e “R2K” e drejtuar nga Schulz mund të jetë e mirë për Bashkimin Europian, por ajo mund të jetë shkatërrimtare për NATO-n, e ardhmja e të cilit varet nga balanca e zgjedhjes së Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara. Administrata e Trump e ka bërë të qartë se pret nga aleatët europianë rritjen me ritme të shpejta të shpenzimeve për ҫështjet e mbrojtjes dhe të arrijnë kuotën e 2% të PBB-së, të cilën janë angazhuar ta përmbushin. Në rast se nuk janë në gjendje ta përmbushin atë, SHBA mund “të zbusi angazhimin e saj” ndaj NATO-s, u shpreh në mënyrë ogurzezë në fillim të këtij muaji, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis.

Merkel ka rënë dakord për të rritur shpenzimet ndaj NATO-s edhe pse me ritëm të ngadaltë dhe të matur. Por social-demokratët nuk e konsiderojnë aspak të nevojshme rritjen e këtyre shpenzimeve dhe preferojnë idenë e mbrojtjes në bashkëpunim me Francën.

Nuk është e qartë nëse popullariteti aktual i Schulz është vetëm një flluskë e qëndrueshme që do të shpërthejë në muajt në vazhdim kur kristian-demokratët të fillojnë sulmin e tyre ( Schauble ka filluar ta krahasojë me Trump). Gjithashtu ka shumë ҫështje delikate për t’u diskutuar nëse ata sigurojnë një mazhorancë në Bundestag pas zgjedhjeve, social-demokratët, të kuqtë dhe të gjelbërit mund të arrijnë një marrëveshje mbi politikën- sidomos mbi Rusinë. Në disa raste, thotë Jörg Lau, redaktor i jashtëm i gazetës javore të Hamburgut “Die Ziet”, do të jetë më e vështirë të veprojmë kështu tani që Trump është në Shtëpinë e Bardhë: “Në rast se PSD-ja e zbut linjën e ashpër me Moskën, do të dyshohet për një koalicion të forcuar dhe autoritar që po komploton kundër Europës dhe vlerave perëndimore”.

Hans Kundnani është një bashkëpunëtor i vjetër për “Fondin Marshall Gjerman” dhe autor i librit “Paradoksi i Fuqisë Gjermane”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi