Epoka e Përçarjes Reciproke: 5 forcat që janë duke e bërë “fluide” sigurinë globale

Nga Mark Leonard, European Council of Foreign Relations, 21 shkurt 2017

Screen-Shot-2017-02-20-at-16.00.59

Ndërsa janë rrithyer tensionet e rendit liberal dhe konkurrenca gjeopolitike, është e natyrshme që njerëzit t’i kthehen Henri Kisingerit. Askush nuk ka një kuptim më të detajuar mbi politikën e fuqive, dhe traktati i tij mbi “Rendin Botëror” gjendet në komodinat e dhomës së gjumit, të shumë udhëheqësve globale (edhe pse vetëm pak prej tyre e kanë lexuar vërtetë atë).

Por idetë e Kisingerit mbi rendin global, përfaqësojnë një aspiratë të pamundur në botën e ISIS-it dhe lajmeve të rreme. Ato janë të hartuara për një botë të ngadaltë dhe shtete të fuqishme, dhe jo për epokën tonë të pasigurisë së përhershme, ndryshimit të shpejtë dhe përçarjes. Shumë koncepte tradicionale – madje edhe ato më të mirë-testuarat – janë tejkaluar nga ngjarjet.

Parandalimi, aleancat, por edhe diplomacia duken si të dala jashtë mode; siguritë e vjetra janë zhdukur. Rendi i Kisingerit qe bazuar në dy shtylla: legjitimiteti dhe balanca e pushtetit. Momenti përcaktues i mendimit të tij botëror ishte Paqja e Vestfalisë. Ai vajton zhdukjen e ndarjes ndërmjet politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Por, pavarësisht nga rikthimi i politikës së fuqive, bota nuk është më Kisingeriane.

Ironikisht, personi më i mirë-pozicionuar për të shpjeguar botën e re, vdiq në fillim të janarit të këtij viti: Zigmunt Bauman. Pak njerëz bënë më shumë për të na ndihmuar të kuptojmë botën në të cilën jetojmë sot, se sa sociologu polako-britanik, i cili zhvilloi konceptin e modernizmit të lëngshëm. Në modernitetin e Baumanit, shumë gjëra dikur të ngurta u bënë fluide – puna, orientimi seksual, raportet njerëzore, vendbanimet.

Shoqëria nuk mbahet më sëbashku nga një projekt kolektiv, që u ofron individëve ndjenjën e kohezionit dhe drejtimit. Baumani ishte kryesish ti interesuar mbi njeriun fluid, dhe rolin e individit në shoqëri. Por, njeriu i ri i ka dhënë ndërkohë formë botës dhe një kombi, siguria e të cilit përkufizohet sipas likuiditetit dhe jo rendit global. Ekzitojnë 5 forca, që çojnë në një “siguri fluide”:

Dallimet ndërmjet politikës së jashtme dhe asaj të brendshme, nuk janë më të vlefshme. Sfida si terrorizmi, lufta kibernetike, ndryshimet klimatike, dhe flukset e refugjatëve, kanë zhdukur dallimin midis të brendshmes dhe të jashtmes. Kjo gjithashtu ndryshon idetë tona mbi legjitimitetin, teksa politika e jashtme nuk është më një prerogativë e shtetit, por një fushë qendrore e politikës së brendshme, dhe që është e prirur për t‘u manipuluar nga ana e fuqive të huaja.

Nuk ekziston më një ndarje e qartë mes luftës dhe paqes. Kanë kaluar shumë vite që kur vendet i shpallnin zyrtarisht luftë njëra-tjetrës. Në rrafshin fizik, shumë prej tyre janë duke u përpjekur të gjejnë lloje të reja masash shtrënguese, të cilat i shmangen luftës konvencionale, përmes njerëzve të vegjël me uniforma të gjelbra, rojave bregdetare që cënojnë ujërat ndërkombëtare, apo luftërave nëpërmjet grupeve rebele.

Tablloja plotësohet nga një konflikt i përjetshëm midis vendeve në një botë online, ku përfshihen rreziqe nga hakerimi dhe rrjedha e informacionit, deri tek shkatërrimi i impianteve bërthamore. Epoka e shkatërrimit të sigurtë të ndërsjelltë, i ka hapur rrugë epokës së përçarjes së sigurtë reciproke.

Ajo çka e bëri dikur botën së bashku, tashmë po e ndan atë. Lidhshmëria, e deklamuar si rruga e paqes mes kombeve – partnerët tregtarë nuk hapin luftë ndaj vendeve që janë pjesë e zinxhirit të tyre të furnizimit – tashmë është duke u militarizuar. Rrjetet e shpërndara, përdoren si një mburojë kundër luhatshmërisë, ndërsa lidhjet ndërkombëtare si një mënyrë për të siguruar marrëdhënie të mira, dhe pse jo, bashkëpunim me të gjithë. Sot, qofshin të prekura nga sanksionet apo flukset migratore, vendet janë si merimangat e zëna në rrjetën e tyre, të kërcënuara vazhdimisht nga armiq që janë duke këputur fijet e skajeve të pëlhurës. Koha e aleancave të forta të sigurisë ka marrë fund. NATO është shpallur e vjetëruar nga presidenti i ri amerikan, një deklaratë që pason vitet e debateve rreth dobisë së institucionit. BE-ja është duke humbur një anëtar, dhe po dobësohet nga mosmarrëveshjet e brendshme.

Në epokën e Trampit dhe Erdoganit, aleancat do të duhet të ndërtohen në mënyra të ndryshme rreth politikës së brendshme dhe mbi çdo çështje të veçantë, në vend se të merren si të mirëqena, për shkak të traktateve dhe institucioneve. Por ndryshe nga koalicionet e vullnetshme që kemi parë tashmë në të shkuarën, ato do të mbështeten më pak tek vlerat, dhe më shumë tek interesat e ngushta afatshkurtra.

Bota nuk është më e përcaktuar kryesisht nga balanca mes fuqive të mëdha. Një adoleshente nga dhoma e saj e gjumit mund të rrënojë kompani të ndryshme dhe zhysë në kaos shoqëritë financiare, thjesht duke hakeruar sistemin e tyre informatik. Informatorët dhe rrjedhjet e informacionit paraqesin rreziqe joproporcionale. Një grup terrorist, mund të tërheqë një shtet në luftëra të pambarimta. Një kompani në fushën e teknologjisë, mund të përcaktojë çfarë shohin njerëzit, dhe për pasojë se çfarë të besojnë ata. Një yll i televizionit mund të joshë elektoratin, dhe të arrijë në fund të komandojë forcat më të fuqishme ushtarake në botë. Lojtarët që ne nuk i njohim, mund të vendosin shpejt fatin e kombeve.

Nëse siguria është bërë fluide, edhe reagimi i Evropës duhet të bëhet më fluid. Analiza tradicionale ushtarake, duhet të plotësohet me një kuptim të kontekstit të brendshëm të politikave, përpjekjeve anti-korrupsion, shërbimeve inteligjente, mbrojtjes kibernetike dhe sanksioneve. Ajo duhet të përmbajë një pasuri të thellë të ekspertizës rajonale, por të zotërojë edhe një lente mjaftueshëm të gjerë për të përfshirë rreziqet e reja të lidhshmërisë dhe teknologjive të reja.

Duhet të kuptohen modelet e biznesit të aktorëve të sektorit privat, që kontrollojnë lidhjet e ekonomisë globale. Në kuadrin e vjetër të Kisingerit, legjitimiteti përcaktohej nga fuqitë e mëdha. Legjitimiteti i sotëm vjen nga debati dhe politikat kombëtare, ndaj ne kemi nevojë të zbulojmë rrugët për lidhjen e aleancave, përmes inkuadrimit të çështjeve, në një mënyrë që t’i drejtohen qytetarëve në mjedisin e ri.

Ideali i rendit ndërkombëtar është shndërruar në një aspiratë të pamundur. Por fleksibiliteti, shpejtësia, dhe elasticiteti, nuk do të jenë të mjaftueshme për të jetuar në një botë të çrregullt pa rrezikuar Armagedonin… Sado i frikshëm që ishte Shkatërrimi Reciprokisht i Sigurtë (MAD) gjatë Luftës së Ftohtë, ai ndihmoi gjithësesi në largimin nga tryeza e vendim-marrjes, të opsioneve veçanërisht vdekjeprurëse.

Në botën e sotme, ne kemi nevojë të hartojmë normar regullatore rreth internetit, luftës ekonomike dhe teknologjive të reja – në mos për të krijuar një rend të ri, më së paku për të dizenjuar disa kufij rreth kaosit, çka do ta shpëtojë botën nga katastrofa. Për BE-në në veçanti, janë të nevojshëm mekanizmat e rinj të bashkëpunimit dhe aleancave.

Në këtë botë të rrezikshme, 500 milionë evropianë s’mund të mbështeten më për sigurinë e tyre tek 300 milionë amerikanët. Ata duhet të investojnë mbi sigurinë e tyre, dhe njëkohësisht të transformojnë mendësinë e tyre. Unioni ka nevojë të dalë jashtë kornizave të së kaluarës, në të cilat kërcënimet kriminale, terroriste, ekonomike dhe ushtarake shiheshin si sfida të veçanta, që trajtoheshin nga agjenci të veçanta dhe shpesh konkurruese me njëra-tjetrën, secila duke u bazuar në një ekspertizë vetjake.

Arsyetimi që duhet të drejtojë veprimin e BE-së, duhet të bazohet mbi politikën e brendshme të ndryshme të vendeve kryesore anëtare, dhe jo aq tek makineria komplekse vendim-marrëse e Brukselit. Institucionet e BE-së duhet të gjejnë mënyra për të fuqizuar dhe forcuar shtetet anëtare dhe qeveritë e tyre.

Në një kohë që është e nevojshme arritja e marrëveshjeve më fleksibile, për të bashkëpunuar me Britaninë pas Brexit, por edhe me Turqinë, Norvegjinë dhe fqinjët e tjerë. Për t’i bërë qytetarët e saj të ndjehen më të sigurtë në një epokë pasigurie, Bashkimi Evropian ka nevojë të shfaqet më fluid, në vend se të kërkojë idealet e pamundura të rendit të dikurshëm. Ruajtja e këtij ekuilibri delikat, duhet të jetë një detyrë e shtetarëve të sotëm.

Shënim: Kjo analizë është prezantuar në Konferencën e fundit të Sigurisë që u mbajt në Mynih. /bota.al

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi