Monitorimi i Procesit të Berlinit: nga Parisi në Trieste
Botim i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, 9 shkurt 2017
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim publikoi dje raportin “Monitorimi i Procesit të Berlinit: nga Parisi në Trieste”. Ky publikim synon të sjellë një analizë gjithëpërfshirëse mbi Procesin e Berlinit, që prej mbajtjes së Konferencës së Berlinit në gusht të 2014. Autorët kanë analizuar kontekstin e krizës financiare të BE-së, dinamikën e zgjerimit, Brexit, shfaqjen e populizmit, fluksin migrator dhe reformat strukturore të ndërmarra në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6) në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Procesi i Berlinit filloi në 2014 dhe u konceptua si një “zëvendësim” i përkohshëm i ngadalësimit i procesit të zgjerimit të deklaruar nga Presidenti i KE Juncker. Axhenda e tij u ndërtua mbi konceptin e ndërlidhjes, i përbërë nga ndërlidhja fizike përmes investimeve në infrastrukturën energjitike dhe në transport, dhe nga ndërlidhja e njerëzve përmes bashkëpunimit rinor dhe fuqizimit të forumeve të shoqërisë civile të BP6.
Në këto tre vjet, Procesi i Berlinit ka evoluar në një platformë intensive të bashkëpunimit rajonal duke përfshirë disa nivele (Kryeministra, Ministra, staf teknik), sektorë të fushës së (energjisë, transportit, dixhitalizimit, etj.); dhe palë të tjera të interesuara (politikanë, organizata ndërkombëtare financiare, biznesi, shoqëri civile, etj.). Ky proces e ka shndërruar bashkëpunimin rajonal në një gjendje sine qua non për financimin e projekteve strategjike në Ballkan.
Axhenda e Berlinit ka shërbyer si një ombrellë për nismat e reja të bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe BP6 që nuk ishin të përfshira në Kriteret e Kopenhagenit ose në udhërrëfyesin për migrimin dhe luftën kundër terrorizmit. Ai ka mundësuar një mekanizëm të përshtatshëm për shkëmbimet rinore në BP6 dhe vendosjen e kontakteve të rregullta ndërmjet anëtarëve të Parlamentit Europian dhe shoqërisë civile të BP6.
Autorët e studimi kanë analizuar kontributin e procesit të Berlinit në Europën post-Brexit, rolin e shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor (BP6), konektivitetin mes sipërmarrjeve në rajon dhe atyre në BE nëpërmjet “zinxhirit të vlerës”, dhe sfidat e presidencës italiane në Samitin e ardhshëm të Triestes që do të zhvillohet në korrik 2017. Studimi gjithashtu përfshin një analizë të konektivitetit dhe nismave të tjera të kohezionit territorial ku marrin pjesë vendet e Ballkanit si: Makro-Rajonet territoriale të BE-së dhe iniciativa kineze “Nisma 16 + 1”.
Ky publikim ka për qëllim të kontribuojë në debatin aktual mbi formën dhe dinamikën e procesit të Integrimit Europian dhe pasojat për Ballkanin Perëndimor.
Autorët argumentojnë që sot procesi i Berlinit mbështet vazhdimin e reformave ekonomike në të cilat janë angazhuar vendet e BP6, forcon dhe ripërtërin faktorët tërheqës drejt BE. Karakteristika inovative e ndërveprimit të strukturuar ndërmjet Anëtarëve të Parlamentit Europian dhe shoqërisë civile të vendeve të BP6 përbën një kontribut të jashtëzakonshëm dhe inovativ të pjesëmarrjes në procesin demokratik në Europë.


Libraria Shteti Web
