Po hyjmë në një rend të ri botëror
Nga Richard N. Haass*, Project Syndicate, 25 janar 2017
Për afërsisht katër shekuj, që kur Paqja e Uestfalisë në 1648 i dha fund Luftës 3-vjeçare në Europë, koncepti i sovranitetit – e drejta e vendeve për një ekzistencë të pavarur dhe autonomi – ka formuar thelbin e rendit ndërkombëtar. Dhe për një arsye të mirë: siç kemi parë shekull pas shekulli, përfshirë këtë aktualin, një botë në të cilën kufijtë shkelen me forcë është një botë e destabilitetit dhe konfliktit.
Por, në një botë të globalizuar, një sistem operacional global i mbështetur vetëm në respektimin e sovranitetit – ta quajmë Rendi Botëror 1.0 – është bërë gjithnjë e më i papërshtatshëm. Pakogjë mbetet lokale tashmë. Thuajse gjithkush dhe gjithçka, nga turistët te terroristët, refugjatët deri te email-et, sëmundjet, dollarët dhe gazet serrë, mund të arrijë thuajse kudo. Rezultati është se çfarë hyn në një vend nuk mund të jetë shqetësim vetëm i atij vendi. Realitetet e sotme kërkojnë një sistem operimi të përditësuar – Rendi Botëror 2.0 – bazuar në “obligimin e sovranit”, nocion që thotë se shtetet sovrane kanë jo vetëm të drejta, por edhe detyrime ndaj të tjerëve.
Një rend ndërkombëtar i ri do të kërkojë gjithashtu një set të zgjeruar normash dhe marrëveshjesh, duke filluar me një bazë të rënë dakord për shtetësinë. Qeveritë ekzistuese do të bien dakord të marrin në konsideratë ofertat për shtetësinë vetëm në rastet kur ka një justifikim historik, një arsyetim bindës dhe mbështetje popullore, dhe kur subjekti i ri i propozuar është i zbatueshëm.
Rendi Botëror 2.0 duhet të përfshijë ndalesa në kryerjen apo mbështetjen në çdo lloj forme të terrorizmit. Gjithashtu duhet të përfshijë forcim të normave që ndalojnë përhapjen apo përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Ndërsa bota priret të bjerë dakord në kufizimin e riprodhimit të armëve duke kufizuar aksesin e vendeve në teknologji dhe materiale të nevojshme, konsensusi shpesh prishet sapo ka ndodhur shpërndarja. Kjo duhet të bëhet një temë diskutimi në takimet bilaterale dhe multilaterale, jo sepse do të çonte në një marrëveshje formale, por sepse do të përqendronte vëmendjen në sanksionet e rrepta apo në veprimtarinë që ushtria po ndërmerr, që mundet më pas të ulë gjasat e shpërndarjes së armëve.
Një element tjetër thelbësor i një rendi të ri botëror është bashkëpunimi në ndryshimin klimatik, që mund të jetë manifestimi tipik i globalizimit, sepse të gjitha vendet janë të ekspozuara ndaj pasojave të tij, pavarësisht kontributit për të. Marrëveshja klimatike e Parisit 2015 – ku qeveritë ranë dakord të kufizojnë çlirimin e gazeve serrë dhe të ofrojnë burime për të ndihmuar vendet më të varfra të përshtaten – ishte një hap në drejtimin e duhur. Progresi në këtë drejtim duhet të vazhdojë.
Hapësira kibernetike është domeni më i ri i aktivitetit ndërkombëtar karakterizuar nga bashkëpunimi dhe konflikti. Synimi në këtë zonë duhet të jetë të krijohen marrëveshje ndërkombëtare që inkurajojnë përdorimin e mirë të hapësirës kibernetike dhe dekurajojnë përdorimin e keq. Qeveritë duhet të veprojnë vazhdimisht brenda këtij regjimi si pjesë e obligimeve të tyre sovrane – ose do të përballen me sanksione apo pasoja.
Shëndeti global paraqet një grup të ndryshëm sfidash. Në një botë të globalizuar, një shpërthim i një sëmundjeje infektive në një vend mund të evoluojë me shpejtësi në një kërcënim për shëndetin kudo, siç ndodhi vitet e fundit me SARS, Ebola, dhe Zika. Fatmirësisht ideja e obligimit sovran është tashmë e përparuar në këtë sferë: vendet janë të përgjegjshme për përpjekjen për të gjurmuar shërbimet e sëmundjeve efektive, për t’u përgjigjur siç duhet dhe për të lajmëruar të tjerët nëpër botë.
Kur vjen puna për refugjatët, nuk ka zëvendësim më të mirë se sa veprimtaria lokale që synon të parandalojë situatat që gjenerojnë valë të mëdha refugjatësh. Në parim, ky është një argument për ndërhyrje humanitare në situata të caktuara. Por përkthimi i këtij parimi në praktikë do të mbetet i vështirë, për shkak të axhendave të ndryshme politike dhe kostos së lartë të ndërhyrjes efektive. Edhe pa një konsensus, megjithatë, ka një arsye të fortë për rritje të fondeve për refugjatët, duke siguruar trajtim njerëzor për ta dhe duke vënë kuota të drejta për sistemimin e tyre.
Marrëveshjet tregtare janë pakte të detyrimeve sovrane reciproke që lidhen me barrierat tarifore dhe jotarifore. Kur një palë beson se detyrimet nuk përmbushen, ka të drejtën e arbitrazhit në Organizatën Botërore të Tregtisë. Por gjërat janë më pak të qarta kur vjen puna te subvencionet qeveritare apo manipulimi i monedhës. Sfida, kështu, është të përcaktohen detyrimet e sakta sovrane në këto zona për paktet e ardhshme tregtare dhe të krijohet mekanizmi për të kërkuar llogari te qeveritë.
Krijimi i konceptit të detyrimeve sovrane si një themel i rendit ndërkombëtar do të marrë dekada konsultime dhe negociata – dhe atëherë, pranimi dhe impakti do të jetë jo i barabartë. Progresi do të vijë vetëm vullnetarisht, nga vetë vendet në vend të urdhrit nga lart-poshtë.
Realisht, do të jetë e vështirë të luhet me marrëveshjen e detyrimeve specifike të sovranëve dhe të mënyrës se si këto duhen vënë në zbatim.
Për t’i komplikuar çështjet edhe më keq, administrata e presidentit Donald Trump ka përqafuar një doktrinë “Amerika e Para”, që është shumë jokonsistente me atë që po sugjerohet këtu. Nëse kjo mbetet qasja e SHBA-së, progresi kundrejt krijimit të llojit të rendit që bota e sotme e ndërlidhur kërkon do të vijë vetëm nëse fuqi të tjera të mëdha e kërkojnë – ose do të duhet të pritet për pasardhësin e Trump. Një qasje e tillë, megjithatë, do të jetë e dyta më e mirë, dhe do ta linte SHBA-në dhe pjesën tjetër të botës në gjendje më të keqe.
Tani është koha të fillohen bisedimet e nevojshme. Globalizimi është këtu për të qëndruar. Ecja përpara drejt një rendi të ri ndërkombëtar që inkorporon detyrimet sovrane është mënyra më e mirë për të përballuar situatën. Rendi Botëror 2.0 i ndërtuar mbi detyrimin sovran, është sigurisht një projekt ambicioz – por i lindur prej realizmit, jo idealizmit.
*president i Këshillit mbi Marrëdhëniet e Huaja. Ka shërbyer si drejtor i planifikimit të politikave për Departamentin e Shtetit