Elitat si rrugëzgjidhje
Nga Namir Lapardhaja, botuar në Mapo, 17 janar 2017
Në politikë dhe në shoqëri gjithçka duhet të varet prej elitave, të cilat janë vendimmarrësit dhe forca e vetme e parimeve dhe vlerave, ku gjithkush tjetër duhet të shohë vetveten në pasqyrë. Në këtë përfytyrim dhe konceptim për elitën, ajo futet në kontradiktë me nocionin e “qeverisjes së popullit”, aq të përhapur dhe të masivizuar midis nesh. Edhe përpos këtij “ngërçi”, populli ka nevojë të udhëhiqet prej elitave e jo prej vetvetes, ngase problemet e shoqërisë, demokracisë dhe të publikes, do të vinin vetëm duke u shtuar, ndërsa e kundërta duhet të ndodhte.
Arsimimi, si elementi bazë, synon të prodhojë një elitë të qëndrueshme, të pavarur dhe inkurajuese. Ky arsimim mund të jetë i sektorit publik ose privat, me kushtin e vetëm të ruajtjes së seriozitetit dhe cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke pasur si detyrë themelore përçimin te marrësi të dijeve të sakta, të reja, objektive dhe të paanshme. Sepse çdo mënyrë apo rrugë tjetër vetëm se do të komprometonte thellë sistemin dhe do të humbiste seriozitetin, gjë që do të çonte në një dështim të gjithanshëm. Elitat janë të destinuara të jenë të paanshme, objektive dhe të qarta në qëndrimet e tyre ndaj realiteteve të së përditshmes. Në të kundërt, nuk kemi të bëjmë me elita, por me oborrtarë të rëndomtë, megafon të qëndrimeve subjektive dhe të pajustifikuara në shoqëri. Pikërisht ky element i mungon më shumë se kurrë elitës shqiptare, e cila, për interesa vetjakë, e humbet rolin dhe rëndësinë e saj duke mos e dhënë kontributin e duhur, por duke u pozicionuar e duke u bërë palë me palët, e, në fakt, roli i saj duhet të ishte mbi palët.
Autonomia financiare është një tjetër element thelbësor i kësaj kategorie. Pa autonomi financiare, nuk ka njerëz të lirë, mbi të gjitha, e pastaj të ketë elita që mendojnë e veprojnë lirisht. Nëse elitat i dhunon dhe i bën presion me bukën e gojës, ato nuk janë më të tilla, gjë që sfumon rolin dhe kontributin e tyre në shoqëri. Të tillët duhet të mendojnë, duhet të veprojnë, të shkruajnë, e të artikulojnë në mënyrë të lirë e të pa privuar nga asgjë. Shoqëria ka nevojë për pavarësi, mendimi mbi të gjitha, gjë që ka rrjedhimisht lidhje me atë ekonomike. Nuk ka elitë pa guxim. Po nuk more parasysh rrezikun, t’iu bësh ballë presioneve, sfidave e të tillave si këto, nuk mund të pretendosh se je pjesë e elitës. Je popull, por jo elitë. Elita ka nevojë për mendim të guximshëm. Veprim, po ashtu. Shoqërisë sonë i ka munguar guximi. Është e kuptueshme për vetë traditën dhe historinë prej nga vijmë. Nuk mund të fajësojmë elitën e të vëmë gishtin mbi të. Një regjimi kriminal si ai komunist zor si i dilte kush përpara. Veçse rasteve sporadike dhe tragjike.
Sot jetojmë në kushte, tërësisht të tjera. Të mungojë sot guximi, thjesht është zgjedhje e jotja, e jo zgjidhje ndaj problemit. “Shpresa vdes e fundit!” – thonë. Unë them që ajo nuk duhet të vdesë kurrë. Ose, më saktë, nuk duhet lënë të vdesë. Këtë rol duhet ta marrë elita përsipër. Ajo duhet të mbajë gjallë shpresën. Për një të nesërme më të mirë. Për një vend më të mirë. Për një të ardhme të tillë. Një elitë që nuk emeton shpresë vetëm se nuk e kryen si duhet rolin e saj social dhe shoqëror. Si përfundim, mund të themi se elita është mekanizmi që mban gjallë fatet e kombit. Ajo, mbi të gjitha, duhet të jetë e guximshme, duhet të jetë e arsimuar, e paanshme dhe të emetojë shpresë për një të nesërme më të mirë.