Civici: Ekonomia ka hyrë në cikël rritës, sfidë ruajtja e trendit

Intervistë e Prof Adrian Civici, botuar në Monitor, 14 janar 2017

Ardian Civici ABC

Profesor Ardian Civici, në parashikimin e tij dhënë “Monitor” për zhvillimet e pritshme ekonomike të këtij viti, pohon se “shtrati” ku do të shtrihet ekonomia në vitin 2017 ka premisa të jetë pozitiv. Do të varet shumë nga cilësia e politikave ekonomike-sociale dhe zhvilluese që Shqipëria do të adoptojë, ajo që do tregojë nëse do “mbështetet ky trend” apo do shkohet kundër tij, shton ai. Civici beson se politikat e partneritetit publik-privat (nëse nuk do të jenë klienteliste dhe elektorale), funksionimi i disa koncesioneve të rëndësishme në energji, infrastrukturë e shërbime, fillimi i projekteve të reja në kuadrin e IHD, rritja e financimeve private të brendshme, etj., mund dhe duhet të luajnë një rol pozitiv në zhvillimet ekonomike të 2017-s. Megjithatë, sfidat e mëdha të ekonomisë në 2017 mbeten: reduktimi i varfërisë për mbi 40% të popullsisë që jeton në kushtet e varfërisë relativ, zbutja e diferencave territoriale në zhvillim dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Si i parashikoni zhvillimet ekonomike të vitit 2017?

Duke e parë në një këndvështrim “të pastër ekonomik” mendoj se viti 2017 pritet të jetë më pozitiv se viti 2016. Ekonomia e çdo vendi ka zhvillimet ekonomike ciklike të saj, kryesisht në periudha 5–7-vjeçare. Ecurinë e cikleve mund ta korrigjosh, përmirësosh, përkeqësosh apo përshpejtosh, por gjithsesi ajo është një tendencë makroekonomike që vepron dhe në njëfarë mënyre të imponohet. Në këtë sens, ekonomia shqiptare, në kuadrin e tërësisë së faktorëve që e kanë ndikuar, të brendshëm e të jashtëm, ka njohur të paktën 4 cikle të kësaj natyre në periudhën e tranzicionit: 1992 – 1996 rritës; 1997 – 2002 zbritës; 2003 – 2009 rritës; 2010-2015 zbritës; 2016, 2017… ka filluar cikli rritës. Kjo duket në tregues të tillë si rritja ekonomike që është në rritje, përmirësimi i bilancit tregtar, zvogëlimi i importeve dhe shtimi, megjithëse modest i eksporteve, rritja e nivelit të punësimit, ulja e deficitit buxhetor, parashikimi për një rritje graduale të inflacionit brenda intervalit të pranuar nga BSH, fillimi i rritjes së tepricës së kredisë, reduktimi i informalitetit, etj.
E thënë ndryshe, “shtrati” ku do shtrihet ekonomia në vitin 2017 ka premisa të jetë pozitiv. Do të varet shumë nga cilësia e politikave ekonomike-sociale dhe zhvilluese që Shqipëria do të adoptojë, ajo që do tregojë nëse do të “mbështetet ky trend” apo do shkohet kundër tij. Besoj se politikat e Partneritetit Publik-Privat (nëse nuk do të jenë klienteliste dhe elektorale), funksionimi i disa koncesioneve të rëndësishme në energji, infrastrukturë e shërbime, fillimi i projekteve të reja në kuadrin e IHD, rritja e financimeve private të brendshme, etj., mund dhe duhet të luajnë një rol pozitiv në zhvillimet ekonomike të 2017-s. Megjithatë, sfidat e mëdha të ekonomisë në 2017 mbeten: reduktimi i varfërisë për mbi 40% të popullsisë që jeton në kushtet e varfërisë relative, rritja e punësimit duke krijuar vende pune cilësore me paga mesatare të pranueshme dhe krahasueshme me rajonin, zbutja e diferencave territoriale në zhvillim, d.m.th. një homogjenizim dhe koherencë më e madhe në zhvillimin rajonal të vendit, përmirësimi i klimës së biznesit që nënkupton, veç të tjerave, dhe një thjeshtim e zbutje të presionit fiskal, etj.

Si do të ndikojnë zgjedhjet e përgjithshme elektorale në performancën ekonomike në tërësi?

Përvoja e zgjedhjeve apo viteve elektorale në Shqipëri nuk është pozitive për ekonominë. Ka shumë studime që tregojnë se ka një korrelacion të fortë ndërmjet viteve elektorale dhe nivelit të rritjes ekonomike në këto vite. Pothuajse në çdo rast, rritja ekonomike “lëkundet” fort në këto vite, çka dëshmon efektet negative të zgjedhjeve në ecurinë e ekonomisë. Arsyet lidhen me shpërdorimet buxhetore që bëhen në muajt përpara zgjedhjeve “për të filluar” sa më shumë fronte investimesh e projekte të reja që duhet të dëshmojnë suksesin e qeverisë; ndryshimeve të shumta fiskale që çorodisin biznesin dhe konsumatorët; punësime fiktive në administratë me karakter partiak e elektoral; debate ekstreme për politikat ekonomike dhe deklarata se pas zgjedhjeve do të ndryshojë gjithçka, dukuri që e trondit ndjeshëm ekonominë, investimet dhe klimën e biznesit; vënien e shtetit dhe qeverisjes në funksion të fushatave elektorale; konfliktualiteti i lartë politik, etj.
Nëse në këto zgjedhje të ardhshme, shumë nga këto fenomene do zhduken apo minimizohen, mendoj se ndikimi i tyre do të jetë më pak negativ se herët e kaluara, nëse jo, atëherë duhet ta pranojmë si fatalitet, se vitet zgjedhore janë vite që e trondisin performancën ekonomike duke kërkuar dhe një apo dy vite të tjerë më pas për ta stabilizuar atë. Mendoj se ka ardhur koha që politika shqiptare dhe mentaliteti elektoral që mbizotëron, të reagojnë fuqishëm për daljen nga ky rreth vicioz “vit zgjedhor – ekonomi dhe financa jo performante”, por gjithçka vetëm në kuadër të fitimit të zgjedhjeve. Në vendet e zhvilluara dhe moderne, ky mentalitet dhe kjo sjellje politike është zhdukur prej kohësh.

Çfarë politikash u sugjeroni palëve konkurrente për qeverisjen për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në afat të gjatë?

Zhvillimi i një vendi, qoftë ky dhe një vend i vogël dhe modest në zhvillimin ekonomik e social, bazohet në tre skenarë të mundshëm politikash ekonomike: shfrytëzimi intensiv dhe eksportet e lëndëve të para dhe burimeve natyrore; zhvillimi i sektorit të shërbimeve ku produkti dhe eksporti kryesor është “puna për të tretët” në kuptimin e gjerë të saj; zhvillimi i industrisë dhe sektorëve prodhues. Duke parë realitetin shqiptar, situatën në të cilën ndodhemi dhe perspektivat e saj, mendoj se zhvillimi i qëndrueshëm afatgjatë duhet të mbështetet në skenarin e tretë, zhvillimin e industrisë dhe sektorëve e aktiviteteve prodhuese të cilat mund të kombinojnë më së miri 4 elemente të rëndësishme: zëvendësojnë një pjesë të importeve me prodhim vendas si dhe rrisin potencialet për eksporte duke ndikuar pozitivisht në bilancin tregtar dhe atë të pagesave, rrisin punësimin; tërheqin më shumë investime të huaja e të brendshme; krijojnë bazat për një zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. Në lidhje me burimet natyrore mund të thuhet se me përjashtim të kujdesit dhe vëmendjes së veçantë për naftën dhe gazit, apo dhe mineraleve si kromi apo bakri, Shqipëria nuk mund ta mbështesë zhvillimin e saj në shfrytëzimin dhe eksportet e burimeve të ndryshme natyrore. Për sa i përket sektorit të shërbimeve, me gjithë peshën e rëndësishme që ky sektor zë në kontributin në PBB, fatkeqësisht vlera e shtuar që përfitojmë është ende shumë modeste. Vendet që kanë pasur suksese në këtë drejtim kanë bërë dhe një seri politikash aktive e cilësore me kapitalin njerëzor, infrastrukturat specifike, etj.
Ndërkohë, duke ju referuar disa prej analizave ndërkombëtare që tentojnë t’i japin përgjigje pyetjes: “Përse disa vende zhvillohen më shpejt dhe më qëndrueshëm se disa të tjerë”, në plan të parë del problemi i aftësisë së vendeve dhe vendimmarrjes politike në krijimin e “institucioneve të stabilizuara e gjithëpërfshirëse” si dhe aftësia e politikave ekonomike e financiare të çdo vendi për të siguruar një “rritje ekonomike gjithëpërfshirëse”. Në të dy rastet, mendoj se Shqipëria ka shumë për të bërë, si në drejtim të institucioneve të qëndrueshme në themel të të cilave qëndron një ligj apo rregull bazë që zbatohet me korrektësi, është afatgjatë dhe mbi të gjitha, gëzon konsensus të gjerë politik. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për rritjen ekonomike. Që të jetë gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme kërkohet kontribut më i harmonizuar i sektorëve të ekonomisë në PBB, parë kjo në këndvështrimin e debateve mbi “modelimin e ri ekonomik” të Shqipërisë për dy dekadat e ardhshme, si dhe një mbështetje më e madhe e kësaj rritjeje te prodhimi industrial, eksportet dhe inovacionet e teknologjitë e reja kundrejt situatës aktuale ku ende ndikojnë shumë faktorë si importet, shërbimet me vlerë të shtuar të ulët, etj.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi