Pas Demokracisë
Nga Gentian Gaba, botuar në Mapo, 9 janar 2017
Demokracia është në krizë! Jo si regjim që ofron zgjedhje të lira, të drejta dhe të konkurrueshme me anë të së cilave zgjidhen përfaqësues dhe qeveritarë. Jo si sistem qeverisjeje që mbron, promovon dhe garanton të drejtat e qytetarëve. Këto demokraci, që njihen si liberal-kushtetuese, përfaqësojnë një minorancë në morinë e regjimeve politike ekzistuese, jo më shumë se tridhjetë e pesë të tilla, me mik, dyzet. Shqipëria renditet në pozicionin e 81 në Democracy Index, të përgatitur nga Economist në vitin 2015, ku cilësohet si regjim hibrid (as mish as peshk). Por, gjithkund nëpër botë, nga Angola në Venezuela, ka burra dhe gra që luftojnë, rrihen, burgosen, rrezikojnë jetën dhe shpesh herë e humbin atë në emër të demokracisë. Asnjë prej tyre nuk ka luksin që midis Filarmonisë së Vjenës, azhurnimit të facebook ose instagramit, kafeneve dhe skedinave të bixhozit, të pohojë se demokracia është në krizë. Modeli demokratik i marrëdhënieve midis qytetarëve dhe autoritetit, i pjesëmarrjes në institucionet dhe kundër tyre, fitimi, ushtrimi dhe shpërndarja e pushtetit, i ndërtuar në dy shekujt e fundit dhe i perfeksionuar me mund, është i gjallë, i vlefshëm dhe i imitueshëm. Nuk ka asnjë krizë për demokracinë, përkundrazi, duke këqyrur përhapjen e saj në këto tridhjetë vite, ajo ka një forcë të madhe tërheqëse.
Kriza është e demokracive. Ekzistojnë patjetër vështirësi, të meta, sfida, që po të duam mund t’i quajmë kriza, brenda demokracive ekzistuese. Parlamentet kanë humbur centralitetin e tyre, janë transformuar në një aneks të ekzekutivit, pra refreni i demokracive parlamentarë është bërë: the winner takes it all. Elementi themelues i demokracisë, kontrolli i qeverisë nga të qeverisurit, përkthehet në një ndarje të rrezikshme midis atyre që mbajnë frerët e qeverive dhe qytetarëve. Mekanizmat jo demokratikë për të gjetur konsensusin (marketingu politik), të përdorur për të kapërcyer ndërmjetësimin politik dhe shpronësuar parlamentet nga funksionet e tyre, kanë sjellë një raport të ri midis popullit dhe kryeministrit, qeverive dhe elektoratit, tendencat e kësaj marrëdhënieje herët a vonë do të marrin nuanca autokratike. Shumë qytetarë janë larguar nga jeta publike, ndoshta të zhgënjyer, por gjithsesi mospërfillës për impaktin që kjo “lamtumirë pjesëmarrjes” ka mbi shëndetin e politikës. Po, individualizmi egoist është një problem i pjesës dërmuese të demokracive bashkëkohore. Shoqërohet dhe shoqëron deklinin e partive politike dhe të shoqërisë civile, kjo e fundit ka mbetur përherë një gonxhe në Shqipëri, e mbytur ndoshta nga dimri i gjatë i tranzicionit. Numri i personave që i zmbrapsen impenjimit politik është në rritje në të gjitha demokracitë, ky fenomen përbën folenë ideale për bakteret e antipolitikës.
Populistët i presin te shtegu këta të pakënaqur. Të jetë vallë populizmi kërcënimi më i madh i demokracive ekzistuese? A do të jenë populistët ata që do t’iu hapin gropën regjimeve demokratike duke përfituar nga krizat identitare që ato po hasin? Nëse nga demokracitë do të hiqnim popullin, demosin, do të mbetej kratos, që nuk ka kurrë tendenca demokratike. Një gjuhëz populizmi është prezent në të gjitha regjimet demokratike, duke filluar nga qeverisja e Lincoln “nga populli, e popullit, për popullin”. Ky element bëhet i rrezikshëm kur kriza e përfaqësisë e bën popullin të veprojë sipas pakënaqësisë, i çorganizuar, i padiferencuar, lakmues i një përfaqësimi të thjeshtë (Trump përdor një fjalor me 250 fjalë!) dhe jo ekzigjent.
Ralf Darendolf pohonte se kemi hyrë në fazën e “post demokracisë”, pra jemi dëshmitarë të këngës së mjellmës të demokracisë klasike. Demokracia e re, sipas tij, duhet të ngrihet mbi tri shtyllat jetike të strukturës kushtetuese: ndryshimi jo i dhunshëm i qeverive, check and balance i pushteteve dhe vendimmarrja e lirë e çdo qytetari. Kalimit në këtë fazë të re të demokracisë i lipset pjesëmarrja, guri themelues i këtij tempulli dy mijë e kusur vjeçar, pa të cilën ky sistem i qeverisjes, si u tha më sipër, humb demosin dhe mbetet vetëm kratos.
Pas komunizmit dhe pas demokracisë, Shqipëria, lëngon në një regjim hibrid. Antagonizmi politik, tendenca autoritare dhe paqëndrueshmëria institucionale janë tiparet dalluese të natyrës hibride të kafshës. Antagonizëm i vazhdueshëm, pa parime as ideologji. Zhurma politike, sulmet ad personam, betejat mbi çështje teknike si reformat në drejtësi dhe e sistemit elektoral, përdoren për të kompensuar vakumin ideologjik, për të mbajtur vëmendjen larg problemeve ekonomike, infrastrukturore dhe paaftësisë së klasës politike për të ofruar zgjidhje afatgjata. Numrat e post demokracisë tonë janë dramatike. Natyrisht është në interes të partive, por një damkë e zezë për qytetarët, të inkurajohet niveli më i lartë i pjesëmarrjes minimale. Partitë gjithëpërfshirëse kanë braktisur bazën e tyre tradicionale, transformimet sociale i kanë shndërruar ato në “gjithçkangrënëse”, këto parti i shkelin syrin populizmit dhe flirtojnë me çoroditjen që ka pësuar elektorati dhe sistemi politik në tërësi. Fatalizmi dhe apatia janë sindroma e antipolitikës, që është ulur këmbëkryq në shoqërinë shqiptare.
Nuk ka mesazhe shpengimi dhe shpëtimi. Kush nuk e ka kuptuar ende se populistët ofrojnë vetëm efektin placebo, një lehtësim të përkohshëm, nga i cili fitojnë vetëm ithtarët e turmave dhe dishepujt e tyre, është politikisht i lodhur. Për t’u kthyer në pikën e fillimit, kriza nuk është e demokracisë, por e demokracive, e qytetarëve xhahil, dembel dhe egoist. Demokratët nuk duhet të mbyllin sytë përballë realitetit dhe ndryshimeve të ndodhura, por duhet të kërkojnë t’i aplikojnë principet liberale dhe forcojnë institucionet që mbrojnë veprimtarinë e lirë të individit në këtë kuadër rrënjësisht të ndryshuar. Pas demokracisë, duhet ndërtuar një demokraci e re. Gjithsesi, debati mbetet i hapur, e vërteta mbi format e duhura të qeverisjes mbetet një farë tymnaje, për të parafrazuar Pirandellon: “kështu është, po t’ju mbushet mendja”.