Noam Chomsky: Pse u shua Ëndrra Amerikane?
Intervistë e Noam Chomsky për Truthot, sipas lapsi.al, 23 dhjetor 2016
Si arritëm një nivel të pashembullt historikisht pabarazie në Shtetet e Bashkuara? Dokumentar i ri “Rekuiem mbi ëndrrën amerikane” i drejtohet dijetarit Noam Chomsky për një shpjegim më të detajuar se si kaq shumë pasuri dhe pushtet përfundoi në kaq pak duar.
Shtetet e Bashkuara po shënojnë rënie të shpejtë në disa fronte – kolaps infrastrukturor, dallim i madh mes të kamurve dhe të varfërve, paga të ngrira, vdekshmëri e lartë foshnjore, numri më i lartë i burgosjeve në botë – dhe vazhdon të jetë vendi i vetëm në botën e përparuar pa një sistem universal të kujdesit shëndetësor. Pyetjet mbi natyrën e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara dhe mosfunksionimit të sistemit politik janë më vendimtare se kurrë, përfshirë edhe ato rreth statusit të së ashtuquajturës Ëndërr Amerikane, e cila ka shërbyer gjatë si pikë frymëzimi për amerikanët. Në të vërtetë, në një dokumentar të dalë së fundmi, Noam Chomsky, i cili prej kohësh konsiderohet si zëri i ndërgjegjes amerikane dhe njëri ndër intelektualët më të shquar të botës, flet për fundin e Ëndrrës Amerikane. Në këtë intervistë ekskluzive për Truthout, Chomsky flet për disa nga problemet me të cilat përballet SHBA sot, dhe nëse Ëndrra Amerikane ka “vdekur” – apo nëse ka ekzistuar ndonjëherë.
***
C.J.Plychroniou: Noam, në shumë shkrime ju vëni në pikëpyetje këndvështrimin e zakonshëm të Shteteve të Bashkuara si një ekonomi kapitaliste e veçantë. Të lutem sqaroje!
Noam Chomsky: Vlen për t’u marrë parasysh se sa herë që ka një krizë, taksapaguesi thirret për të shpëtuar bankat dhe institucionet e mëdha financiare. Nëse do të kishim një ekonomi kapitaliste të vërtetë, kjo nuk do të ndodhte. Kapitalistët që bëjnë investime të rrezikshme dhe dështojnë do të flakeshin tej nga tregu. Por të pasurit dhe të fuqishmit nuk e duan një sistem kapitalist. Ata duan të jenë në gjendje të drejtojnë shtetin-dado, kështu që kur të jenë në telashe t’i shpëtojnë taksapaguesit. Fraza e gjithëpërdorur është “shumë i madh për të dështuar”.
FMN-ja bëri një studim interesant disa vite më parë mbi përfitimet e bankave të mëdha në Shtetet e Bashkuara. Pjesa më e madhe e tyre burojnë nga avantazhet që vijnë nga politika të lidhura me siguracione qeveritare– jo vetëm paketat e shpëtimit, por edhe akses në kredi të buta dhe shumë të tjera si këto– përfshirë edhe gjërat që hulumtimi i FMN-së nuk i merr parasysh, si nxitja për të ndërmarrë transaksione të rrezikshme, shumë fitimprurëse në afate të shkurtra; dhe nëse diçka nuk shkon siç duhet, koston e mbulon taksapaguesi. Bloomberg Businessweek vlerëson se taksapaguesi subvencionon indirekt mbi 80 miliardë $ në vit.
Shumë është thënë dhe shkruar rreth pabarazisë ekonomike. A është pabarazia ekonomike në epokën bashkëkohore të kapitalizmit e ndryshme nga çfarë ka qenë në periudhat e tjera të post-skllavërisë në historinë e Amerikës?
Pabarazia bashkëkohore është pothuajse e pashembullt. Nëse shikon pabarazinë totale, ajo renditet ndër periudhat më të këqija të historisë së Amerikës. Megjithatë, nëse e shikoni pabarazinë më nga afër, do të vini re që vjen nga pasuria e përqendruar në duart e një sektori shumë të vogël popullsie. Kishte periudha të historisë amerikane, si për shembull gjatë Periudhës së Ndritshme në vitet 1920 dhe në 1990-at e zhurmshme, kur diçka e ngjashme po ndodhte. Por periudha aktuale është ekstreme për shkak se pabarazia vjen nga superpasuria. Kjo nuk është vetëm pabarazi ekstreme në vetvete, por përfaqëson një zhvillim me efekte korrozive për demokracinë dhe vizionin e një shoqëri të denjë.
Çfarë nënkupton kjo në termat e Ëndrrës Amerikane? A ka vdekur ajo?
Krejt “Ëndrra Amerikane” kishte të bënte me mobilitetin klasor. Ti ke lindur i varfër, por mund të dalësh nga varfëria duke punuar shumë dhe të sigurosh një të ardhme më të mirë për fëmijët e tu. Ishte e mundur për [disa punëtorë] të gjenin një punë të mirëpaguar, të blinin një shtëpi, një makinë dhe të paguanin për shkollimin e fëmijëve. E gjitha u shemb – dhe nuk duhet të kemi shumë iluzione pasi ajo ka qenë pjesërisht e vërtetë. Sot mobiliteti shoqëror në SHBA është nën nivelin e shoqërive të tjera të pasura.
A është pra Amerika demokraci vetëm nga emri?
Amerika pretendon të jetë demokratike, por është bërë hapur njëfarë plutokracie, edhe pse është ende një shoqëri e hapur për nga standardet konkurruese. Por të jemi të qartë se ç’do të thotë demokraci. Në demokraci, publiku ndikon politikat dhe pastaj qeveria i kryen veprimet e caktuara nga publiku. Për shumicën, qeveria e Shteteve të Bashkuara kryen veprime në përfitim të korporatave dhe interesave financiare. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se sektori i privilegjuar dhe i pushtetshëm kurrë nuk e ka dashur demokracinë, për shumë arsye. Demokracia e vendos pushtetin në duart e popullit dhe ua merr të mësipërmve. Në fakt, klasa e privilegjuar dhe e pushtetshme e këtij shteti ka kërkuar gjithmonë mënyra për të penguar lënien e pushtetit në duart e popullsisë – dhe ata nuk po shkelin në tokë të panjohur në këtë drejtim.
Përqendrimi i pasurisë përforcon përqendrimin e pushtetit. Mendoj se ky është fakt i pamohueshëm. Meqenëse kapitalizmi gjithmonë në fund na çon në përqendrimin e pasurisë, a nuk do të thotë kjo që kapitalizmi është e kundërta e demokracisë?
Përqendrimi i pasurisë na çon natyrshëm në përqendrimin e pushtetit, çka përkthehet indirekt në legjislacion në favor të interesave të të pasurve dhe të fortëve dhe në këtë mënyrë e rrit edhe më shumë përqendrimin e pushtetit dhe pasurisë. Masat e ndryshme politike, si politikat fiskale, liberalizimi dhe rregullat e qeverisjes së korporatave janë të projektuara që të përqendrojnë pasurinë dhe pushtetin. Kjo është ajo që kemi parë gjatë epokës neoliberale. Është një rreth vicioz që përparon në mënyrë konstante. Shteti del në pah për t’u ofruar siguri dhe mbështetje interesave të sektorëve të privilegjuar dhe të pushtetshëm në shoqëri, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë është lënë të përjetojë brutalitetin e kapitalizmit. Socializëm për të pasurit, kapitalizëm për të varfrit.
Pra, po, në këtë kuptim kapitalizmi punon për të minuar demokracinë. Por kjo që sapo shpjegova – domethënë rrethi vicioz i përqendrimit të pushtetit dhe pasurisë – është aq tradicional saqë është përshkruar nga Adam Smithi më 1776. Ai thotë në librin e tij të famshëm Wealth of Nations (Pasuria e Kombeve) se në Angli njerëzit që zotërojnë shoqërinë, asokohe tregtarët dhe pronarët e manifakturave, janë “arkitektët kryesorë të politikës”. Dhe ata kujdesen që t’i përfaqësojnë shumë mirë interesat e tyre, sado i rëndë qoftë ndikimi i politikave që ata mbrojnë dhe implementojnë përmes qeverisë mbi popullin e Anglisë apo popujt e tjerë.
Tani nuk janë tregtarët dhe pronarët e manifakturave që e zotërojnë shoqërinë dhe diktojnë politikat. Janë institutet financiare dhe korporatat shumëkombëshe. Sot ato janë grupet që Adam Smith i quante zotëruesit e njerëzimit. Dhe ata po ndjekin të njëjtën maksimë të turpshme që formuloi ai: Gjithçka për veten dhe asgjë për të tjerët. Ata do të ndjekin politika që të përfitojnë për vete dhe të dëmtojnë këdo tjetër sepse interesat kapitaliste i mësojnë kështu. Është në natyrën e sistemit. Dhe në mungesë të një reagimi të përgjithshëm popullor, kjo është ajo çka ngelet.
Le të kthehemi tek ideja e Ëndrrës Amerikane dhe të flasim për origjinën e sistemit politik amerikan. Dua të them, ai kurrë nuk kishte për qëllim të ishte demokraci (në fakt termi i përdorur gjithmonë për të përshkruar arkitekturën e sistemit politik amerikan ishte “republikë “, që është shumë e ndryshme nga demokracia, siç e kishin kuptuar mirë romakët e lashtë), dhe gjithmonë kishte një përpjekje për liri dhe demokraci nga poshtë, e cila vazhdon edhe në ditët e sotme. Në këtë kuptim, a nuk u ndërtua Ëndrra Amerikane të paktën pjesërisht mbi një mit?
Sigurisht. Përgjatë historisë së Amerikës ka pasur përplasje të vazhdueshme për më shumë liri dhe demokraci të ardhur nga poshtë dhe përpjekje për kontroll të elitës dhe dominim nga sipër. Kjo vazhdon që nga themelimi i shtetit, siç e vutë re. “Etërve themelues,” përfshirë edhe James Madison-in, hartuesin kryesor (të Letrave të Federalistit – shën. red.), i cili kishte po aq besim te demokraci se cilado figurë politike e asokohshme, u shkoi mendja se sistemi politik i Shteteve të Bashkuara duhet të ishte në duart e të pasurve sepse të pasurit janë “kasta më e përgjegjshme e njerëzve”. Dhe kështu, struktura e sistemit formal kushtetues vendosi më shumë fuqi në duart e Senatit, i cili asokohe nuk ishte i zgjedhur. Ai përzgjidhej nga njerëzit e pasur të cilët, siç u shpreh Madison-i, kishin simpati për pronarët e pasurisë dhe pronën private.
Kjo duket qartë kur lexon debatet e Konventës Kushtetuese. Siç tha Madison-i, shqetësim madhor i rendit politik duhet të jetë “mbrojtja e pakicës së pasur nga shumica”. Dhe ai kishte argumente. Nëse secili kishte të drejtën e votës – thoshte ai – shumica e të varfërve do të bëheshin së bashku dhe mund të organizoheshin për të marrë pasurinë e të pasurve. Diçka e tillë – shtoi – do të ishte padyshim padrejtësi, kështu që sistemi kushtetues duhet të ngrihej në atë mënyrë që të parandalonte demokracinë.
Vlen të kujtohet se Aristoteli ka thënë të njëjtën gjë te Politika. Nga të gjitha sistemet politike, ai mendonte se demokracia ishte më e mira. Por ai pa të njëjtin problem që pa Madison-i në demokracinë e vërtetë, që është se të varfrit mund të organizohen për t’u marrë të pasurve pasurinë. Zgjidhja që propozoi, megjithatë, ishte njëfarë shteti i mirëqenies sociale me qëllim reduktimin e pabarazisë ekonomike. Alternativa tjetër, e ndjekur nga “Etërit Themelues”, është reduktimi i demokracisë.
Tani, e ashtuquajtura Ëndërr Amerikane ngaherë është bazuar pjesërisht në mit dhe pjesërisht në realitet. Nga fillimi i shekullit XIX e tutje dhe gati deri në kohët e fundit, njerëzit e klasës punëtore, përfshirë edhe imigrantët, kishin pritshmëri se jetët e tyre do të përmirësoheshin në shoqërinë amerikane duke punuar shumë. Dhe kjo ishte pjesërisht e vërtetë, edhe pse diçka e tillë nuk gjente vend për pjesën më të madhe të afro-amerikanëve dhe femrave deri së voni. Kjo nuk ndodh më. Ngrirja e të ardhurave, rënia e standardit të jetesës, niveli skandaloz i borxhit studentor dhe vështirësia për të gjetur një punë të mirëpaguar ka krijuar ndjenjën e mungesës së shpresës ndër shumë amerikanë, të cilët po nisin të shikojnë me një lloj nostalgjie nga e kaluara. Kjo shpjegon, në masë të madhe, ngritjen e një personazhi si Donald Trump-i dhe pëlqimin mes të rinjve për mesazhet politike të Bernie Sanders-it.
Pas Luftës së Dytë Botërore, dhe pothuajse deri vonë në mes të viteve 1970, ka pasur një lëvizje në Shtetet e Bashkuara që shkonte drejt një shoqërie më barazimtare dhe drejt lirisë më të madhe, pavarësisht rezistencës së madhe dhe shtypjes nga elita dhe agjencitë e ndryshme qeveritare. Çfarë ndodhi pastaj që prapësoi progresin ekonomik të pasluftës, duke krijuar një rend të ri socio-ekonomik që do të identifikohej si neoliberalizëm?
Duke filluar nga vitet 1970, pjesërisht për shkak të krizës ekonomike që shpërtheu në vitet e para të asaj dekade dhe rënies së normës së fitimit, por edhe për shkak të perceptimit se demokracia u bë mjaft e përhapur, një ofensivë e koordinuar, gjigande, e përqendruar, filloi të zmbrapste përpjekjet barazimtare të pasluftës, të cilat vetëm sa u intensifikuan me kalimin e kohës. Vetë ekonomia u zhvendos në financiarizim. Institucionet financiare patën një zgjerim të jashtëzakonshëm. Deri më 2007, fiks përpara falimentimit për të cilin ishin mjaft përgjegjës, institucionet financiare llogaritën një fitim korporativ të mahnitshëm prej 40%. Një rreth vicioz mes pasurisë së përqendruar dhe politikave të përshpejtuara, ndërsa pasuria u koncentrua gjithnjë e më shumë në sektorin financiar. Politikanët, përballë rritjes së kostos së fushatave, u zhytën edhe më shumë në xhepat e mbështetësve të pasur. Dhe politikanët i shpërblyen duke i bërë politikat në favor të interesave të Wall Street-it dhe bizneseve të tjera të mëdha. Gjatë kësaj periudhe kemi një formë të ripërtërirë të luftës klasore të udhëhequr nga klasa e bizneseve kundër punëtorëve dhe të varfërve, që shkonte dora-dorës me përpjekjen për të prapësuar fitoret sociale të dekadave të mëhershme.
Tani që Trump-i është president i zgjedhur, a ka mbaruar revolucioni politik i Bernie Sanders-it?
Kjo është në dorën e ne të gjithëve. “Revolucioni politik” i Sanders-it ishte një fenomen mjaft mbresëlënës. Sigurisht që jam befasuar dhe kënaqur. Por duhet ta kujtojmë se termi “revolucion” është paksa mashtrues. Sanders-i është New Dealer (1) i sinqertë. Politikat e tij nuk do ta befasonin edhe aq Eisenhower-in. Fakti që ai konsiderohet “radikal” na tregon se sa shumë djathtas ka rrëshqitur elita përgjatë periudhës neoliberale. Ka pasur disa rrjedhoja premtuese nga mobilizimi i Sanders-it, si lëvizja Brand New Congress e disa të tjera.
Mundet dhe duhet të ketë përpjekje për krijimin e një partie të majtë mirëfilli të pavarur, një që nuk shfaqet vetëm një herë në katër vjet, por që punon vazhdimisht në organizatat bazë, si në nivel elektoral (që nga bordet e shkollave dhe mbledhjet e lagjeve deri në legjislaturën shtetërore e më lart), ashtu edhe në të gjitha mënyrat e tjera të mundshme. Ka mundësi sa të duash – dhe ato çka rrezikojmë janë kolosale , veçanërisht kur e kthejmë vëmendjen në dy hije të mëdha që rrinë pezull mbi çdo gjë: lufta bërthamore dhe katastrofa mjedisore, të dyja ogurzeza, të cilat kërkojnë ndërmarrjen e aksioneve urgjente.
Shënim:
(1) Mbështetës i ekonomisë së shtetit të mirëqenies që u ndoq në vitet ’30 nga presidenti Franklin D. Roosevelt për daljen e vendit nga Depresioni i Madh.