Qeveria miraton Planin Kombëtar të Territorit
12 dhjetor 2016
Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit mori miratimin e qeverisë. I hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban, ai do të orientojë përdorimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve dhe potencialeve të Shqipërisë. Ky plan nuk tregon sa metër katrorë do të ndërtohen në vendin tonë dhe ku. Duke qenë se është e pamundur që në një dokument strategjik të përcaktohen në mënyrë shteruese realizimi i të gjitha investimeve në zona specifike, për të gjithë territorin e vendit.
Në kontekstin ekonomik, plani konsideron territorin si një burim të fundmë dhe
bazën për zhvillimin e të gjithë sektorëve ekonomikë, siguron zhvillimin e balancuar, cilësor dhe afatgjatë të tij.
– Siguron një vizion të përbashkët për zhvillimin e politikave të sektorëve të ndryshëm duke shmangur dyfishimin e përpjekjeve nëpërmjet.
– Përcakton hapësirën e përshtatshme për zhvillimin e përshtatshëm ekonomik dhe siguron që kjo hapësirë për zhvillim të jetë në një vend të përshtatshëm në lidhje me infrastrukturën dhe forcën punëtore.
– Plani mundëson shmangien dhe/ose zbutjen e krizave të natyrave të ndryshme me të cilat përballet vendi, si kriza të natyrave financiare, mjedisore, klimatike etj.
– Krijon një klimë të besueshme për investime afatgjata.
– Promovon përdorime të burimeve të rinovueshme të energjisë.
Qëllimet specifike strategjike
-të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore,
të vlerësojë potencialin aktual e perspektiv për zhvillim të territorit në nivel kombëtar e vendor, në bazë të balancimit të burimeve natyrore, të nevojave ekonomike e njerëzore dhe interesave publike e private,
-të nxisë veprimet e duhura për mbrojtjen, restaurimin dhe rritjen e cilësisë së trashëgimisë natyrore e kulturore dhe për ruajtjen e shumëllojshmërisë biologjike dhe të peizazhit,
-të mundësojë të drejtën e përdorimit e të zhvillimit të pronës, në përputhje me interesat e shoqërisë, instrumentet planifikuese dhe legjislacionin,
-të krijojë kushte të përshtatshme e të drejta dhe shanse të barabarta për banim, veprimtari ekonomike e sociale për të gjitha kategoritë sociale, kohezion ekonomik e social dhe gëzim të të drejtave të pronësisë,
të sigurojë që autoritetet kombëtare e vendore të planifikimit, të hartojnë e të përditësojnë rregullisht instrumente të planifikimit, sipas kërkesave te tregut dhe nevojave sociale,
-të sigurojë që autoritetet e planifikimit të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre për të nxitur planifikimin e harmonizuar e të integruar të territorit,
-të garantojë, sipas legjislacionit për ndërtimin, zbatimin e rregullave të sigurisë së ndërtimeve dhe të punimeve të ndërtimit për jetën dhe shëndetin e njerëzve.