Banka e Shqipërisë, Fitimi Transferuar në Buxhetin e Shtetit 2013-2016
Sipas Open Data Albania, 11 dhjetor 2016
Banka e Shqipërisë është banka qendrore e vendit tonë dhe vepron në bazë të dispozitave të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997. Ajo është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj. Kapitali i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga fondi i themelimit, i dhe fondi i rezervës së përgjithshme, që është 500% i fondit të themelimit të Bankës së Shqipërisë.
Fitimi neto i Bankës së Shqipërisë llogaritet pasi të zbriten nga të ardhurat, shpenzimet e bëra për vitin financiar në fjalë. 25% e këtij fitimi kalon në fondin e rezervës së përgjithshme ndërsa pjesa tjetër e mbetur nga fitimi neto do të përdoret për të kompensuar letrat me vlerë që i janë dhënë Bankës së Shqipërisë. Fitimi neto, që mbetet pasi bëhen zbritje fondi i rezervës së përgjithshme dhe kompensimet e lartpërmendura, kalon në të ardhurat e buxhetit të shtetit brenda katër muajsh pas mbylljes së vitit financiar.
Fitimi i transferuar nga Banka e Shqipërisë klasifikohet në grupin e të Ardhurave Jotatimore në Buxhet. Tre vitet e fundit pesha që zë fitimi i transferuar nga Banka e Shqipërisë në të ardhurat jotatimore ka rënë nga 21.47% që ishte në vitin 2013, në 3.14% në vitin 2015. Në vitin 2016 ky indikator është parashikuar të jetë 3.49%.
Pesha e Fitimit i Bankës së Shqipërisë transferuar në buxhetin e shtetit 2013-2016
Vlera ne milionë leke
Në vitin 2015, Banka e Shqipërisë ka transferuar në buxhetin e shtetit 962 milionë lekë, rreth 51% më pak se në vitin 2014. Për vitin 2016, është parashikuar që në buxhetin e shtetit do të transferohen nga fitimi i Bankës së Shqipërisë 1 miliardë lekë. Fitimi i transferuar sipas Aktit Normativ 2015 është dhe vlera më e vogël e fitimit të Bankës së Shqipërisë transferuar në buxhetin e shtetit që prej vitit 1993.
Fitimi i transferuar nga Banka e Shqipërisë në buxhetin e shtetit zë një pjesë të vogël të të ardhurave totale buxhetore. Në vitin 2015, fitimi i transferuar në buxhet kishte një peshë prej 0.24% ndaj totalit të të ardhurave buxhetore. Kjo vlerë ka ardhur në rënie që prej viti 1999. Në vitin 2016, është parashikuar që kjo peshë të jetë e njëjtë me atë të vitit 2015.