Pse në Shqipëri pagat janë më të ultat në rajon?
Sipas DW, 21 nëntor 2016
Orientimi i investimeve të huaja në tregun Ballkanik lidhet me një sërë arsyesh, mes tyre dhe kostoja e ulët e fuqisë punëtore. Hendeku mbetet i madh. Nëse p.sh., në vendet e BE-së çmimi mesatar për një orë pune përllogaritet në 24 Euro, në shtetet e rajonit ballkanik mesatarja e këtij treguesi shkon në 4.4 orë Euro. Sipas studimit më të fundit që ka publikuar EuroStat, kur vjen fjala për Shqipërinë shifra është akoma edhe më e ulët: një orë pune ka koston mesatare 2.2 Euro.
Ekspertët e ekonomisë bëjnë arsyetime nga më të ndryshmet, për rrjedhojat e këtij polariteti, si dhe për faktin se sa ky indikator shfrytëzohet në favor të nxitjes së investimeve të huaja – investime për të cilat Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë të përhershme.
Profesori i Ekonomisë, Selami Xhepa, zëvendësrektor për kërkimin shkencor në Universitetin Europian të Tiranës, mendon se pagat e ulta në Shqipëri më shumë se konkurueshmëri të ekonomisë, reflektojnë dobësi të saj. Duke e parë në planin teorik, profesor Xhepa thotë se pagat reflektojnë nivelin e produktivitetin të ekonomisë, për rrjedhojë një nivel më i ulët i tyre është shprehje e një produktiviteti më të ulët të ekonomisë në raport me fqinjët.
Fuqia punëtore pa kualifikim të mjaftueshëm
Nëse për njësi të kohës një punëtor shqiptar prodhon më pak se një punëtor, të themi maqedonas, është e natyrshme që investitori do të paguajë një pagë në raport me atë që merr në këmbim, thotë për Deutsche Welle-n zëvendësrektori i Universitetit Evropian të Tiranës. “Pagat e ulëta ishin një faktor konkurues në fillimet e tranzicionit, atëherë kur vendi dispononte një fuqi punëtore me kualifikime të mjaftueshme dhe të pranueshme për industri të caktuara, që ishin pjesë e trashëgimisë pozitive nga sistemi mëparshëm. Ndërsa sot, pagat e ulëta nuk mund të konsiderohen më të tilla. Fakti që shumë projekte investitorësh të huaj vitet e fundit kanë zgjedhur vendet fqinje dhe jo Shqipërinë, është dëshmi e faktit se fuqia jonë punëtore nuk ka kualifikime të mjaftueshme në raport me kërkesat e investitorëve, pra dhe nivel me të ulët produktiviteti. Nga ana tjetër, tërheqja nga Shqipëria vetëm e investimeve të tipit fason dhe call center, do ta mbajë vendin në një gjendje varfërie, të pagave të ulëta dhe nënzhvillimi permanent”.
Profesor Selami Xhepa rekomandon ndërmarrjen masave të forta që, sipas tij, vendi ta thyejë këtë zinxhir të ekulibrit “të keq” ekonomik dhe të futet në një cikël të ekonomisë konkuruese me paga të larta dhe produktivitet të lartë. “Vetëm atëherë vendi realisht do të futet në rrugën e progresit dhe modernizimit”.
Aspak shqetësim nga qeveria për papunësinë e lartë
Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, dr Zef Preçi, koston e ulët për orë pune në Shqipëri e përshkruan si një problem të komplikuar dhe që në analizë të tij reflekton dy anë: njëra është karakteri i theksuar rural i popullsisë – e cila ka shërbyer si ofertë krahu i lirë pune në periudhën nga viti 1990 e deri më sot, dhe tjetra reflekton ngadalësinë me të cilën në vend është përmirësuar infrastruktura dhe dobësitë e funksionimit të sistemit ligjor. Infrastruktura dhe sistemi ligjor mundësojnë futjen e teknologjive bashkëkohore si dhe thithjen e investimeve të huaja direkte, thotë dr Preçi për Deutsche Welle-n.
“Pra, duke përshpejtuar privatizimet në favor të kapitalit të huaj përmes shitjes e aseteve strategjike publike të trashëguara nga regjimi komunist, siç ka ndodhur shumicën e rasteve, apo thjesht shfrytëzimin e lëndëve të para nga burimet natyrore si nafta, kromi bakri, etj, që në fakt i kanë dhënë ekonomisë shqiptare tiparet e dallueshme të një ekonomie postkolonialiste, si dhe sistemin arsimor problematik në vend – për këto arsye nuk janë krijuar premisat e nevojshme për rritjen reale të çmimit të punës apo pagesës orare të punës”.
Për drejtorin e Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike qeveritë shqiptare të kësaj periudhe, në mungesë edhe të sindikatave, apo dhe duke shfrytëzuar trashëgiminë negative të periudhës komuniste në marrëdheniet e punës, pak ose aspak janë shqetësuar për pasojat e papunësisë së lartë. Ka një “kompensim” të këtij treguesi nga emigracioni masiv jashtë vendit dhe që ka absorbuar kryesisht krahun e punës në moshë të re dhe vitet e fundit edhe të pjesës së shkolluar të fuqisë punëtore vendase.
“Është thelluar hendeku mes nevojave të tregut dhe prirjes së përbotshme të rritjes së fuqisë konkurruese të ekonomisë së vendit, pjesë e së cilës është edhe kostoja e fuqisë punëtore. Shqiperia shquhet për punëtorë krahu të lirë, por të pakualifikuar përkatësisht dhe gjithnjë e më të papërshtatshëm për tregun perëndimor. Ndërsa brenda vendit, rritja e ndikimit të oligarkisë e lobeve të biznesit në vendimmarrjet e qeverisë dhe të parlamentit ka bërë që gjithë barra e krizës pas vitit 2008 të bartet në familjet e varfëra dhe statusi social ekonomik i të punësuarve të përkaqësohet më tej. Këtu ka ndikuar edhe politika qeveritare e mosngritjes së pagave në sektorin publik prej vitit 2012, si dhe i ashququajturi ‘aksion i qeverisë kundër informalitetit’”.
Sipas tij, nga kombinimi i të gjithë këtyre faktorëve, aktualisht vendi nuk ka një minimum jetik të shpallur, të njohur dhe të respektuar nga qeveria e nga punëdhënësit. Ka nivelin më të ulët të pagës mesatare krahasuar me vendet e rajonit.
Tërheqja e investimeve jo vetëm tek promovimi i krahut të punës
Edhe drejtori i Qendrës Shqiptare per Gazetari Investiguese në Tiranë, Shpëtim Luku mendon se kostoja e lirë e fuqisë punëtore ka qenë nje avantazh konkurues në fillimet e tranzicionit demokratik në Shqipëri. Në analizë të tij fatmirësisht apo fatkeqësisht edhe pas rreth një çerek shekulli, kostoja e lirë e fuqisë punëtore vijon të mbetet avantazh. Duke parë anën pozitive, Luku në një bisedë më Deutsche Welle-n shprehet se kostoja e fuqisë punëtore është një faktor i rëndësishëm për joshjen e investitorëve të huaj potencialë. Kurse duke parë anën negative, kosto e lirë e fuqisë punëtore evidenton, se zhvillimi në 26 vitet e fundit nuk ka qenë i tillë dhe se polarizimi social është rritur ndjeshëm.
“Të joshur e të stimuluar prej këtij fakti janë kryesisht sektorë me produktivitet dhe vlerë të shtuar të ulët, si call center-at apo biznesi me material porositësi, fason. Kjo dëmton konkurueshmërine e vendit në terma afatgjatë. Referuar një botimi të përvitshëm të Qendrës Shqiptare për Gazetari Investiguese rezulton se në grupin e 100 kompanive punësuese më të mëdha në vend gjatë vitit 2015, 14 prej tyre ishin call center-a dhe kompani të fasonit, që në total punësojnë rreth 14 mijë vetë ose afro 18 % të totalit të të punësuarve mes 100 kompanive”.
Bazuar në shifrat e studimit që ka realizuar Qendra që drejton, Luku thotë se për vitin 2015 investimet e huaja direkte janë rritur rreth 2 % krahasuar me vitin pararendës, numri i kompanive me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj 13 %, kurse numri i punonjësve në këto kompani afro 33 %.
“Megjithatë këto duken rritje modeste, krahasuar me atë çfare pret Shqipëria, sepse vendi vijon të ketë akoma nivel papunësie të lartë, sidomos në rradhët e të rinjve. Mirëpo nuk mund të bazohet tërheqja e investimeve të huaja vetëm tek promovimi i krahut të lirë të punës. E rendesishme është ajo klima e të berit biznes, e cila ndonëse mund të figurojë e përmirësuar, sikurse raportohet, sërish mund të mos jetë aq e përmirësuar sa investitoret e huaj të preferojnë Shqiperinë përpara vendeve të tjera të rajonit”.
Përmirësimi i klimës së biznesit
Për dr Zef Preçi nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike kapërcimi i situatës kërkon ende një dekadë, gjatë së cilës nevojitet të ndërmerren politika publike që arritjet e shënuara në permiresimin e infrastrukturës fizike të vendit të shoqërojnë me zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor. Sidomos të detyrimeve kontraktuale, që përmirësojnë në përgjithësi të klimës së biznesit.
“Po kaq e rëndësishme mbetet ndërmarrja e politikave publike që futin në qarkullim ekonomik dhe që rritin e shkallën e përpunimit në vend të pasurive natyrore që zotëron Shqipëria, reformimi i thellë dhe jo vetëm retushimi i sistemit arsimor, shtimi i investimeve publike në kërkim-zhvillim, si dhe reduktim i ndërhyrjes së oligarkisë në veprimtarinë e ekzekutivit për të rivendosur një balancë të re në marrdhëniet mes punëdhënësve, punëmarresve dhe të qeverisë”.