Negociatat dhe kryenegociatorja

Nga Ilva Tare, botuar në javanews.al, 11 nëntor 2016

ilva-tare-002Për herë të parë pas shumë vitesh pjesëmarrja në ditën e prezantimit të progres raportit nga ana e Komisionit Europian në Bruksel më kaloi me një dozë më të lehtë turpërimi përpara kolegëve serb, malazez, kosovarë, maqedonas, boshnjak dhe turq. Rekomandimi edhe pse i kushtëzuar me zbatimin e vettingut për hapjen e negociatave me vendin tonë e bëri austriakun Hahn të dukej i apasionuar me zgjerimin dhe në bisedën paraprake me gazetarët të shfaqej entuzist për Shqipërinë si lajmi i vitit, por duke këmbëngulur për domosdoshmërinë e kthimit të ligjeve në letër në vendime gjyqësore jo vetëm për peshq të vegjël dhe të mesëm që mbushin statistikat e të ndëshkuarëve. Tani, duhen peshq të mëdhenj.

Në krahasim me gazetarët e tjerë të rajonit, sërish shqiptarët nuk kanë shumë arsye për t’u ndjerë mirë për gjendjen ku janë dhe ku mund të ishin. Edhe sikur Brukseli të mos kishte përdorur dy standardet që e akuzojnë shpesh të pakënaqurit, Shqipëria është vendi i fundit që mori rekomandimin për hapjen e negociatave, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjes që kanë plagë të pambyllura nga luftërat etnike. Kosova sërish nuk e mori liberalizimin e vizave. Ndërkohë që Serbia edhe pse nuk e njeh shtetin e Kosovës vazhdon negociimin e kapitujve me Bashkimin Europian dhe punët duket se u shkojnë relativisht mirë, perderisa Brukseli nuk ka më c’tu ofrojë as teknikisht. Tanimë gjithcka është në dorë të serbëve.

Malazezët pavarësisht ikje-ardhjeve në pushtet të Gjukanovic, korrupsionit dhe investimeve të dyshimta, gjendjes së lirisë së mediave është duke përparuar me shpejtësi në mbylljen e kapitujve të negociatave. Maqedonasit ishin të shqetësuar për fatin që e pret vendin dhe të frikësuar për lirinë e shprehjes. Më keq nga të gjithë ishin kolegët nga Turqia. Ata nuk kishin frikë të flisnin, pasi në Bruksel e dinë ç’po ndodh nga pushteti i Erdogan. Ata dukeshin sikur kishin frikë të dëgjonin cfarë u thuhej për realitetin e tyre. Ndëshkimi mund t’i priste në kthim.

Vitin tjetër ky udhëtim i gazetarëve nga rajoni nuk do të bëhet. Radiografia më e afërt e Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë në pranverën e vitit 2018. Sipas shpjegimit të Komisionerit Hahn ka ndryshuar koha e përgatitjes së raportit për t’ju përshtatur kalendarit të aktiviteteve të institucioneve të tjera të Bashkimit Europian. Ky detaj është i parëndësishëm për Shqipërinë pasi nëse reforma në drejtësi do t’i shpëtojë pengmarrjes nga të prekurit e drejtpërdrejtë të zbatimit të saj, asgjë nuk mund t’a ndalë Këshillin e Ministrave të BE të hapë negociatat në vjeshtën e 2017-tës. Asgjë, përveç vetë shqiptarëve. Jo popullit. Ai e ka bërë detyrën e tij. Dhe nëse do të garantohet vota e lirë dhe ndershme do të shprehet sërish për ato parti të cilave do t’u besojë më shumë.

Deri në formalizimin e vendimit për hapjen e negociatave shqiptarët duhet të informohen për çfarë do të negociojnë. Sa të aftë janë të negociojnë, kur kapacitetet e administratës publike janë të kufizuara edhe kur ja dalin të mos jenë të politizuara. Do të duhet të ngrihet një ekip ekpertësh apo teknicineësh që të ketë besimin e maxhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe bekimin e Brukselit. Veteranët e thashethemeve në Tiranë duhet t’a dinë se nuk është një pozicion politik dhe se për nga rëndësia është më vogël se e një ministri pa portofol. Nuk paguhet me euro por me lekë dhe sigurisht është në borderonë e shtetit shqiptar. Me pak fjalë asgjë për t’u lakmuar, përvecse një pune voluminoze dhe të mërzitshme për ata që nuk kanë durim të lexojnë e korrektojnë me qindra faqe projekt ligjesh dhe ecejakjesh Tiranë-Bruksel. Sa më parë ta gjejnë një individ të tillë dhe të investojnë në trajtimin profesional aq më mirë do të jetë.

Por nuk ka nxitim. Armiqtë e vërtetë të integrimit të shqiptarëve në BE kanë qenë vetë shqiptarët. Më saktë, të zgjedhurit e tyre. Edhe këtë radhë gjasat janë që nuk do të zhgënjejnë. Edhe pse më në fund po afrohet shansi që shteti shqiptar të ngrejë institucione të besueshme dhe të qëndrueshme, të ndërtojë shtet ligjor dhe drejtësi të barabartë të interesuarit për t’a larguar këtë ditë nuk do të dorëzohen. Megjithatë, rekomandimi është një realitet i pakthyeshëm që edhe në këtë Bashkim Europian të paqartë për të ardhmen e tij, jo miqësor me zgjerimin dhe aq më shumë me anëtarësime të reja nga vendet e Ballkanit, Shqipërisë po i shndërrit ylli i fatit. Me hir apo pahir, prania e burokratëve dhe standardeve të Brukselit do t’i marrë përpara me presion, me karrotë, me shkop, më krahu, për flokësh si të jetë e nevojshme për të mos e lënë vendin e bekuar me burime natyrore e njerëzore në dorë të interesave të errëta. Negociatat nuk janë hapur ende dhe do të kalojnë shumë muaj përpara se të hapen. Por negociata mes shqiptarëve për të vendosur se cfarë të ardhme duan për veten dhe fëmijët e tyre është e vonuar dhe duhet të fillojë përpara se të dalin partiza të reja që duan të eksperimentojnë me votën e shqiptarëve stilin artistik të lojës me pushtetin.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi