Trump President i SHBA, fitore e “self made president”
Sipas Huffington Post, 9 nëntor 2016
Një fitore e bujshme, një triumf që mund të shënojë një pikë kthese epokale në histori. Rruga për të shkuar dhe për të arritur në Shtëpinë e Bardhë ishte shumë e ngushtë, por Donald Trump e ka çarë si një buldozer, duke marrë pothuajse të gjitha shtetet e lëkundura.
“Unë nuk jam politikan. Politikanët flasin, por nuk veprojnë. Unë jam e kundërta”, tha ai në fillim të garës presidenciale. Kurrë më parë nuk është folur për një “self made president.” Kjo është bërë nga ai vetë, si sipërmarrës i suksesshëm – nga qyteti i vogël Queens në kullën joshëse Trump në Manhattan – dhe aq i pasur. Ka pushtuar i vetëm presidencën e Shteteve të Bashkuara duke pastruar gjithçka dhe të gjithë: ai nuk kishte në krah të tij drejtuesit e Partisë Republikane, asnjëherë kaq të ftohtë me kandidatin e saj, duke tentuar edhe braktisjen e tij gjatë fushatës. Ai kurrë nuk kishte në anën e tij shtypin, armiqësor deri në demonizimin e tij si në Amerikë ashtu dhe jashtë vendit. Ai nuk kishte mbështetjen e kancelarive të huaja dhe të operatorëve financiar ndërkombëtarë, të cilët me përjashtime të rralla kanë mbështetur garën e Hillary Clinton. Ai nuk ka pasur shtytjen e VIP-ve amerikanë, shumë aktivë në mbështetjen e ish zonjës së parë gjatë gjithë kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore dhe deri në ditën e fundit. Ai nuk ka pasur gjithashtu mbështetjen e Presidentit aktual Barack Obama dhe kjo ka provuar të jetë një armë në favorin e tij, sepse SHBA i kanë kthyer shpinën përvojës demokratike.
Fitorja e Trump ka kapërcyer çdo gjë. Ai ka përgënjeshtruar parashikimet e anketuesve, të cilët e panë atë gjithmonë prapa, pavarësisht ngjitjes në javët e fundit, duke treguar edhe një herë paaftësinë e sondazheve për të lexuar deri në fund disponimin e popullit, si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe vende të tjera në të kaluarën. Ka fshirë muaj të fushatës aktive të shtypit amerikan dhe ndërkombëtar, që asnjëherë nuk kanë qënë kaq të rrjeshtuara në një garë presidenciale dhe kurrë në mënyrë kaq kompakte në mbështetje të Hillary Clinton: vetëm dy gazeta amerikane kanë mbajtur anën e kandidatit republikan, kundrejt 57 në në krah me kandidaten demokrate, numri më i ulët për miratimin e një kandidati në historinë amerikane. Edhe për shtypin lind një pikpyetje pothuajse ekzistenciale për aftësinë e analizës së ndjenjave popullore, npër leximin e pakënaqësisë në zonat rurale, zonat industriale, të klasës punëtore gjithnjë e më të varfëruar dhe të etur për ndryshim.
Triumfi i Donald është një humbje përvëluese për Hillary Clinton, e cila provoi të jetë një kandidate e dobët dhe pak e dashur. Thuhet se në Shtetet e Bashkuara për të fituar një kandidat duhet të jetë këmbëngulës, duhet të jetë i bukur dhe i afërt me popullin, Hillary nuk arriti t’I kishte këto tiparë, por jo vetëm kaq. Hillary ka qenë konsideruar si e vjetër, pjesë e vazhdimësisë, e establishment, ajo u konsiderua si Clinton III, eksponente e Dynasty që tashmë kishte zgjedhur dy herë burrin e saj Bill. Humbja e saj është gjithashtu dhe mbi të gjitha dështimi politik i Barack Obama dhe i aventurës së tij politike, që lindi me sloganin e “ndryshimit”. Një ndryshim që i dha fitoren përtej 2008, por që Amerika thellë nuk e pa në xhepat e vet dhe nuk e imagjinoi në të ardhmen e saj.
Donald Trump u paraqit gjërësisht me pozicione ekstreme, të cilat nuk e frikësuan elektoratin. Ekstremi kundër emigrantëve, nga muri në kufirin me Meksikën deri në kontrollet e rrepta mbi muslimanët. Ekstremi në ekonomi, me premtimin e një ulje të përgjithshme të taksave, sidomos për ndërmarrjet, dhe heqja e Obamacare për ta zëvendësuar me një zgjidhje të tregut, me reduktimin e rregulloreve dhe një plani për rritjen e punësimit, beteja kundër zhvendosjes së kompanive të mëdha dhe rishikimin e marrëveshjeve të mëdha të tregtisë kyç anti-globalizimit. Ekstremi në politikën e jashtme, me një dorë të zgjatur ndaj Rusisë së Vladimir Putinit, por edhe me synimin për të reduktuar peshën e Shteteve të Bashkuara si xhandar ndërkombëtar. Për më tepër pozicionet e tij të turpshme mbi gratë ose pohimet e pakëndëshme për latinos kanë shoqëruar garën e tij. Edhe përballjet rreth problemeve me autoritetet tatimore kanë njollosur mjaft imazhin e tij.
Trump ka triumfuar në zonat e vendit me prani të fortë të votuesve të bardhë, ndërsa Clinton ka dështuar për të tërhequr votat e pakicave që ishin çelësi për sukseset e Obamës. Duke analizuar exit pollet, Washington Post thekson se Clinton ka regjistruar një avantazh 54 pikësh mes votuesve jo të bardhë, një avantazh i madh, por më i ulët se ajo e regjistruar nga Obama, 61%. Në anën tjetër Trump mori 60% të votave të njerëzve të bardhë, dhe gjithashtu fitoi tek gratë e bardha, duke marrë 52%. Dhe pavarësisht ndeshjeve të brendshme të fushatës, manjati fitoi 88% të votave Republikane, si dhe 78% të ungjillorëve.
Në Shtëpinë e Bardhë është Donald Trump dhe presidenti i ri nuk duhet të falenderoj askënd. Me Kongresin në duart e republikanëve do të ketë dorë të lirë që të ketë një efekt të thellë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të ketë përpara një vend të përçarë, dhe një krizë të thellë sociale e cila, në qoftë se nuk do të dij të qepi, rrezikon të bëhet shkatërruese. 8 Nëntor 2016 është padyshim një datë e cila mund të shtrembërojë historinë.
Ja pesë arsyet sipas BBC: Pse fitoi Trump në SHBA
Donald Trump i kishte bërë të dituara pritshmëritë e tij që në nisje të fushatës presidenciale, por askush nuk e besoi. Nuk e besuan që do garonte, as që republikanët do ta zgjidhnin si kandidat. Menduan se nuk do të ngjitej nëpër sondazhe por arriti kokë më kokë me rivalen Clinton, Të shumtë ishin edhe ata që nuk e besuan se do të fitonte, por ai përsëri ia doli!
Tani Trump është president i zgjedhur dhe sipas BBC-së janë pesë arsyet pse atë e besoi shumica e amerikanëve:
1.TREGTIA E LIRË
Nëse Donald Trump do të ndjekë politikat e tij të tregtisë kjo do të sjellë një ndryshim të madh në mënyrën se si Amerika bën biznes me pjesën tjetër të botës në dekada. Ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga numër marrëveshjesh ekzistuese të tregtisë së lirë, duke përfshirë Marrëveshje të Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, Kanadasë dhe Meksikës, të cilat i fajëson për humbjet e vendeve të punës. Ai ka sugjeruar edhe tërheqjen e SHBA-ve nga Organizata Botërore e Tregtisë. Ai është gjithashtu në favor të vendosjes së tarifave tatimore për importet me vendet e tjera, 45% për Kinën dhe 35% për mallrat e dërguara nga Meksika.
2. DEKLARATA PËR NDRYSHIMET KLIMATERIKE
Zoti Trump ka deklaruar se do të anulojë marrëveshjen e nënshkruar nga më shumë se 195 vende në dhjetor të 2015-ës për ndryshimet klimatike në Paris. Ai madje ka thënë se do të ndërpresë të gjitha financimet e SHBA për programet e ngrohjes globale të Kombeve të Bashkuara. Trump ka bërë thirrje të bëhen më shumë kërkime për lëndë djegëse si dhe të miratohet naftësjellësi Keystone XL nga Kanadaja.
3. MBYLLA E KUFIJVE, DHE EMIGRANTËT
Të gjithë i mbani mend deklaratat e tij të ashpra mbi emigracionin. Ai e filloi fushatën e tij zgjedhore me një premtim për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit të SHBA me Meksikën si dhe deportimin e 11 milionë emigrantëve pa dokumenta. Trump insistoi që Meksika do të paguajë për murin, por refuzoi të përmendë pagesën, kur shkoi atje për vizitë. Ai foli edhe për një mbyllje të kufijve për të gjithë myslimanët, ndërsa e ka justifikuar më pas si sugjerim dhe jo politik që do ndiqet.
4. DEKLARATAT PËR NATO-n
Zoti Trump ka “fishkulluar” NATO-n, kur deklaroi se përbëhet nga anëtarë mosmirënjohës që përfitojnë nga bujaria e SHBA-ve. Ai thotë se SHBA nuk mund përballojë mbrojtjen e vendeve në Evropë dhe Azisë pa kompensim të përshtatshëm. Pra, ka shprehur shqetësimin e shumicës së amerikanëve se nëse shumica e vendeve të NATO-s duhet të plotësojnë qëllimin e tyre të shpenzimeve të paktën 2% të GDP-së për mbrojtjen.
5. RUSIA
Trump ka deklaruar se beson në zbutjen e tensioneve me presidentin Vladimir Putin, dhe e ka vlerësuar atë si një lider të fuqishëm me të cilin ai do të donte të kishte marrëdhënie të mira.
DW: Fitorja në zgjedhje e Trumpit është shok e moment kthese
Fitorja – fitorja e papritur e thellë – e Donald Trumpit ka sjellë një paralizë shoku. Të paktën në Evropë dhe në Gjermani. Këtu mbizotërojnë dallueshëm – me gjithë përpjekjet për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike – një qëndrim mosbesues për atë që ka ndodhur, hutim dhe tmerr. Motoja, motoja e duhur e këtyre orëve të para megjithatë është: askush nuk e njeh me të vërtetë Donald Trumpin. Natyrisht që planet e tij, ato që ka ndërmend, idetë e tij në fushatën elektorale u regjistruan – edhe stili i tij prej huligani, teprimet e tij, retorika e shpresave të gënjeshtërta, masohizmi i tij, racizmi i tij. Por natën e zgjedhjeve u pa edhe gatishmëria ose përpjekja e tij që pas kësaj lufte sharjesh e hedhjesh baltë SHBA të pajtohen me veten dhe që t’i trajtojnë partnerët në të gjithë botën me korrektesë. Për ta thënë thjesht: duhet pritur njëherë.
Askush nuk ishte i përgatitur për Trumpin
Megjithatë, në kryeqytetet perëndimore – dhe vetëkuptohet edhe në Berlin – zgjedhja e Trumpit është “worst case” (rasti më i keq). Për të nuk ishte përgatitur askush. Dhe askush nuk e di se kush do të vendosë së shpejti në politikën e jashtme, në politikën e sigurisë dhe në politikën e ambjentit. Sepse Trumpi është një person jashtë sistemit në Partinë Republikane. Pra ai nuk mbështetet në mendjet dhe në korifejtë e njohur. Me ata nuk ekzistojnë kanale, nuk ekzistojnë njohje joformale. Kjo nuk i bën gjërat më të lehta, sepse Trumpi ndoshta do të rrethohet ndoshta me njerëz që nuk kanë përvojë në parketin diplomatik dhe nuk kanë rrjetin e tyre.
Kjo vetëkuptohet që ka pasoja: në politikën ekonomike, në të cilën bëhet fjalë për tregtinë e lirë të përbotshme. Në politikën e jashtme dhe të sigurisë: këtu bëhet fjalë për Iranin; për Izraelin; për një veprim të mundshëm ushtarak kundër terrorizmit xhihadist, për imazhin e vetvetes të Uashingtonit në Lindjen e Afërme; për raportin e brishtë me Rusinë dhe me Kinën; për çështjen nëse e sheh veten si partner apo si rival të dy fuqive të tjera të mëdha – apo për kthim në izolacionizëm të theksuar. Fjala është edhe për raportin me aleatët. A është NATO-ja për SHBA edhe më tej sistemi kolektiv i sigurisë i Perëndimit? A do të deklarohet Trumpi pro politikës së aleancës? Apo beson ai se evropianët duhet të paguajnë më shumë për sigurinë e tyre? Ky është testi i rezistencës për Perëndimin.
Trumpi nuk është njeri i elitave të deritashme
Donald Trump është i panjohuri i madh. Ai përfaqëson – në mënyrë pak paradokse si miliarder nga New Yorku – triumfin e provincës mbi metropolet, fitoren e fshatit mbi qytetet. Në politikën e brendshme ai nuk është njeri i elitave të deritashme. Prandaj nuk do të jetë kaq e lehtë të gjendet qasje tek ai.
Por paraliza nga shoku ka edhe të mirat e saj. Ajo çon në qendrim të matur. Derisa Trumpi të hyjë në janar në Shtëpinë e Bardhë si Presidenti i 45-të i SHBA, do të kalojë mjaft kohë, për t’u përshtatur me të. Zgjedhja e Trumpit është një moment kthese, mbase edhe një vendosje historike piketash. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë e barabartë me fundin e bashkëpunimit të deritashëm të Perëndimit. Por më e parehatshme gjendja do të bëhet padyshim, sepse një gjë Trumpi është me siguri: jokonvencional.