Komisioni europian ka rekomanduar sot hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë

Sipas mediave, 9 nëntor 2016

hahn-batuta-2

Komisioni europian ka rekomanduar sot hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë duke vlerësuar përparimin e bërë lidhur me përmbushjen e 5 përparësive kyçe e duke e kushtëzuar me ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi e veçanërisht me ligjin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Ky është thelbi i formulimit që pritet të zyrtarizohet nga komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Bisedimet për Zgjerimin Johannes Hahn, të cilin e ka siguruar Zëri i Amerikës. Teksti nënvizon se:

“Shqipëria ka vazhduar të bëjë përparim të qëndrueshëm drejt përmbushjes të të gjithë pesë prioriteteve kyçe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Ndryshime thelbësore kushtetuese u miratuan njëzëri në korrik 2016, duke i hapur rrugë një procesi të plotë dhe gjithëpërfshirës për reformën e sistemit gjyqësor. Ky proces do të përfshijë një rivlerësim të thellë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Po ashtu duke vlerësuar përparësitë e tjera, rekomandimi i Komisionit europian thekson se “Reforma e administratës publike ka vazhduar të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Puna drejt krijimit të të dhënave të qëndrueshme lidhur me hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka vazhduar. Të drejtat themelore të vazhdojnë të respektohen gjerësisht në vend”.

Teksti përmbyllet duke saktësuar se “duke marrë në konsideratë progresin e mësipërm në përmbushjen e prioriteteve kyçe, dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në drejtësi, në mënyrë të veçantë të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Komisioni rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Pas këtij hapi, e gjithë vëmendja do të përqendrohet në vendimmarrjen e Këshillit europian në muajin dhjetor. Shqipëria, siç kanë deklaruar dhe më parë autoritetet e saj, kërkon që edhe për rastin e tyre të ndiqet rruga që u përcaktua më Malin e zi Varianti më i favorshëm për të përshpejtuar procesin do të ishte që Këshilli, së bashku me pranimin e rekomandimit për hapjen e bisedimeve, të linte dhe detyra specifike për vetë Komisionin që paralelisht të niste me anën teknike të procesit, që praktikisht do të ishin kapitujt 23-24 të bisedimeve që lidhen drejtpërdrejtë me reformën në Drejtësi, si dhe që Komisioni të përgatiste platformën e bisedimeve.

Reforma e administratës publike
Raporti vlerëson se pozitivisht “zbatimin e procedurave më transparente të rekrutimit të punonjësve të shërbimit civil si dhe zbatimin e reformës së administratës publike dhe reformës së menaxhimit të financave publike ka vazhduar”. Nga ana tjetër Komisioni thekson se “përparimi i mëtejshëm është thelbësor për të konsoliduar arritjet drejt një administrate publike me efikase, më të depolitizuar dhe më profesionale”

Sistemi gjyqësor
Raporti vë në dukje se “janë miratuar amendamentet kushtetuese lidhur me funksionimin dhe organizimin e sistemit gjyqësor. Kjo i hap rrugën një reforme gjithëpërfshirëse e të plotë. Puna lidhur me legjislacionin për vënien në zbatim të reformës ka ecur përpara: ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe një set ligjesh kyçe për riorganizimin e strukturave të drejtësisë, janë miratuar. Po ashtu, tekstet për rreth 40 ligje të tjera janë në faza të ndryshme të përgatitjes”. Brukseli ndërkaq vë në dukje se “Përparim i mëtejshëm nevojitet për të miratuar dhe zbatuar këto ligje. Administrimi i gjyqësorit vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo efikas: korrupsioni mbetet mbizotëruese në të gjithë sektorin”.

Lufta kundër korrupsionit
Raporti vëren se “është miratuar ligji për mbrojtjen e bilbil-fryrësve. Prokurorët dhe punonjësit e policisë fituan më shumë akses në regjistrat kombëtarë elektronikë, më qëllim që të shkëmbenin informacione sensitive dhe të rrisnin efikasitetin e hetimeve”. Por Brukseli kërkon “përparim të mëtejshëm për të konsoliduar një historik të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve. Më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Hetimet proaktive, vlerësimet sistematike të rriskut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të përmirësohen. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.

Lufta kundër krimit të organizuar
Në raport theksohet se “disa përparime janë bërë, në veçanti në identifikimin dhe shkatërrimin e plantacioneve me cannabis sativa. Policia është modernizuar dhe bashkëpunimi policor ndërkombëtar është intensifikuar”. Ndërkaq, sipas Komisionit “bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet forcuar më tej për të shkatërruar në mënyrë efikase rrjetet kriminale. Numri i dënimeve për rastet e krimit të organizuar mbetet ende i ulët, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë vitet e fundit. Hetimet financiare ndaj grupeve të organizatave kriminale nuk përdoren sistematikisht dhe në mënyrë efikase. Historiku i ngrirjes apo konfiskimit të pasurive të vëna ilegalisht mbetet shumë i varfër”.

Lidhur me zhvillimet në Shqipëri raporti thekson se “duke kapërcyer polarizimin e mëparshëm, Parlamenti miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për të nisur një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe përjashtimin e shkelësve me rekorde kriminale nga funksionet publike”. Ndërsa lidhur me reformën zgjedhore nënvizon se “Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të 2017, Shqipëria pritet të adoptojë në kohën e duhur amendamentet e Kodit elektoral dhe reformat e lidhura me të. Këto duhet të adresojnë në veçanti mungesën e pavarësisë dhe profesionalizmit në administratën elektorale”.

Për të tretin vit me radhë Komisioni vlerëson politikën e jashtme shqiptare dhe qëndrimin e saj konstant në përputhje me atë të Bashkimit europian. Politika e jashtme e vendit vlerësohet të ketë “një nivel të mirë përgatitjeje” dhe se “ka bërë disa përparime gjatë vitit të fundit. Lidhur me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët, Shqipëria ka qenë de facto plotësisht në linjë me të gjithë deklaratat e rëndësishme të BE-së dhe vendimet e Këshillit. Shqipëria u përshtat me të gjitha masat kufizuese të ndërmarra nga BE-ja”.

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama mesditën e kësaj të mërkure, progres-raportin e BE për Shqipërinë.

Sipas saj, këto arritje bindën Komisionin Europian që t’i rekomandojë Shqipërisë çeljen e negociatave.

“Uroj popullin shqiptar për këtë arritje të madhe. Rekomandimi i sotëm është një hap tjetër i madh përpara në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. BE do vazhdojë t’ju mbështesë në të gjitha reformat“, tha Vlahutin.

Vlahutin tha se këtë vit Shqipëria ka shënuar progres në rreth 95% të çështjeve, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kemi parë progres në thuajse 95% të çështjeve. Nuk kemi pasur hapa pas në asnjë prej kapitujve. treguesit ekonomikë po ashtu janë të mirë, tregu financiar është i prekshëm. Zbatimi i reformës në drejtësi presim të ketë një ndikim pozitiv për ndikimin e mjedisit. Ka dyfishim të përpjekjeve për përparuar më tej. Thelbi i çështjes është sundimi i ligjit e duhet të ketë përpjekje në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, dënimin e zyrtarëve të lartë, luftës kundër kultivimit të kanabisit.

Në kapitullin e politikës së jashtme dhe sigurisë, Shqipëria shkëlqen. Vendi juaj është një partner i rëndësishëm, besnik dhe kontribuues për stabilitetin në rajon”, vlerësoi Vlahutin.

Ndersa Kryeministri deklaroi se pavarësisht se dukej një mision i pamundur, Shqipëria ka marrë sot rekomandimin për çeljen e negociatave duke theksuar ‘pa kushte’. Sipas Ramës, ka vetëm një mirëkuptim që deri në tryezën e negociatave të vijojë puna për zbatimin e refomrës dhe konkretisht vettingut.

“Kur erdhëm në qeveri Shqipëria ishte refuzuar 3 herë rresht. Vendi ynë e mori statusin dhe sot pas 2 vitesh, Shqipëria sapo ka marrë rekomandimin e KE-së për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. 3 vjet më parë kjo arritje kaq domethënëse dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës. Por axhenda jonë reformiste dhe një betejë e paepur për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda dhe me kosto në çdo sektor, ja ku na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. KE e ka vlerësuar aq pozitivisht progresin e bërë sa ka ndezur dritën jeshile për hapjen e negociatave. Kazani i broçkullave zhurmoi me të madhe për kushtet që do t’i viheshin, madje edhe për kanabisin se do të vihej kusht. Dy ditë më parë dolën hapur kundër rekomandimit për hapjen e negociatve. Shqipëria e ka marrë pa kushte rekomandimin, por me mirëkuptimin e natyrshëm që deri në ulejn në tryezën e negociatave të vijojë puna për zbatimin e reformës, konkretisht vettingut”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se: “E vetmja pikë, quajeni dhe kusht po të doni, po kjo është ecuria për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe vecanërisht, Vettingu. Vetting është kushti që Shqipëria ia ka vënë vetes. Kjo nuk do mend as kalem që kjo premisë, që kjo qeveri i ka vënë vetes në rrugën drejt BE ashtu sikundër kemi kryer të gjithë detyrat e BE është jo se na i kërkon Brukseli, por se ua kemi borxh fëmijëve tanë”.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi