Idealet kombëtare

Nga Klementin Mile, botuar në Mapo, 5 nentor 2016

klementin-mile-300x177Po të pyesësh sot një shqiptar se cilat janë idealet e kombit të vet, vështirë të marrësh përgjigje. Po të vësh re mënyrën se si sillet dhe vepron sot shqiptari, vështirë ta lidhësh dot me idealet kombëtare. Nuk ndodh e njëjta gjë në vende të tjera. Le të marrim për krahasim Francën. Francezët i njohin mjaft mirë idealet e kombit dhe sjellja e tyre, që nga qytetari i thjeshtë e deri te presidenti francez, duket se orientohet mjaftueshëm nga ato ideale.

Vështirësia për të thënë se cilat janë idealet kombëtare shqiptare prek edhe autorin e këtij shkrimi, për arsye që do të trajtohen më poshtë. Në këto kushte pasigurie për idealet, është e udhës të orientohemi nga elementet bazë të një kombi: flamuri dhe himni. Është e lehtë për francezët: ata kanë tri ngjyra në flamurin e tyre – blu, e bardhë, e kuqe – të cilat simbolizojnë idealet e revolucionit borgjez francez dhe njëkohësisht të republikës franceze – përkatësisht liri, barazi, vëllazëri. Ndërsa në flamurin shqiptar gjen dy ngjyra dhe një formë që kanë nevojë për interpretim. Na është thënë që e kuqja simbolizon gjakun, sakrificën, ndërsa e zeza e shqiponjës nuk duket të ketë domethënie: shqiponja mund të kishte edhe ngjyrë tjetër, por e zeza mbase i përshtatet më shumë vetë shqiponjës empirike – pra e zeza e flamurit është ikonë, jo simbol. Por vetë shqiponja, si formë, është simbolike. Fakti që shqiponja është dykrenare na është thënë se simbolizon gegët dhe toskët të bashkuar në një. Pra, kuptimi i flamurit shqiptar duket të jetë ‘bashkimi dhe sakrifica’; ideali që përcjell ky flamur është ai i ‘sakrificës për bashkim’ ose i ‘bashkimit përmes sakrificës’.

Këtë ideal e konfirmon edhe himni shqiptar, ku gjen fraza si ‘të përbashkuar’, ‘vdes si një dëshmor’ etj. Përveç këtyre frazave që shprehin idealin, i pranishëm është edhe termi ‘besë’, që mbahet si njëra nga vlerat themelore shqiptare, së bashku me bujarinë dhe mikpritjen (mbase prandaj thuhet ‘bukë e kripë e zemër’). E megjithatë, autorit të këtij shkrimi iu desh t’iu futej interpretimeve për të kuptuar idealet e kombit të vet. Kjo pasi në Shqipërinë e sotme dhe ndoshta edhe në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarë, nuk është evidente dhe e vetvetishme se cilat ideale kombëtare duhet t’i orientojnë sjelljet dhe veprimet tona.

Në gjykimin tim kjo gjendje është prodhuar kryesisht nga dy faktorë. Së pari, idealet kombëtare shqiptare – sakrifica për bashkim – nuk udhëzojnë në terma parimorë ndonjë gjë tjetër veç mbrojtjes së kombit me çdo kusht dhe kosto dhe, si të tilla, në kuptimin e filozofisë politike i japin jetë vetëm nacionalizmit. Por nacionalizmi nuk mjafton për të organizuar jetën brenda kombit, ai është indiferent ndaj saj, duke lënë hapësirë për thuajse të gjitha doktrinat politike: fashizmin, komunizmin, socializmin, liberalizmin e kështu me radhë. Si të thuash, ideali i ‘sakrificës për bashkim’ është apolitik, ai informon vetëm politikën e jashtme, vetëm marrëdhëniet me kombet e tjera. Për informimin e politikës së brendshme nuk ndihmojnë as ato që i quajmë vlera themelore të shqiptarëve: besa, bujaria dhe mikpritja. Këto vlera janë mirëfilli apolitike dhe nuk është bërë ndonjëherë përpjekje serioze për t’i interpretuar politikisht. Përkundër këtyre, idealet franceze të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë janë vërtet nocione politike, të tilla që mund të shërbejnë për të gjykuar performancën e qeverive, parlamenteve dhe vetë qytetarëve francezë në raport me to.

Së dyti, këtë gjendje e ka prodhuar muzealizimi i idealeve dhe i vlerave kombëtare. Ndërsa francezët i diskutojnë dhe i ri-interpretojnë idealet e tyre, duke nxjerrë kuptime dhe aplikime të reja për praktikën, shqiptarët i vendosin idealet në muze për t’ua treguar të huajve dhe, në këtë mënyrë, i shkëpusin nga sfera praktike, ku këto ideale nuk kanë më fare efekt. Me këtë rast kujtoj një film francez, Tri ngjyrat, ku ri-interpretohen liria, barazia dhe vëllazëria në kontekstin e shoqërisë franceze bashkëkohore. Por po ashtu kujtoj disa filma shqiptarë që flasin për besën dhe trajtojnë veçanërisht atë pjesë të Kanunit që u duket interesante të huajve, gjakmarrjen. Asnjë ri-interpretim të besës nuk gjen në ata filma, por vetëm imazhe ekzotike që ‘shesin’ në Perëndim.

Përveç kësaj, nuk duhet harruar se gjithçka iu nënshtrohet efekteve të kohës, e cila, duke na përballur me sfida të reja, ushtron presion për t’i ndryshuar mënyrat e vjetra. Kështu francezët, duke ndryshuar, kanë mbetur të njëjtët; ndërkohë që shqiptarët, duke mbetur të njëjtët, kanë ndryshuar. Është e vështirë të gjesh lidhje ndërmjet sjelljes së Isa Boletinit dhe një shtetari shqiptar të sotëm, por ama është shumë e lehtë ta bësh këtë lidhje ndërmjet Napoleon Bonapartit dhe një presidenti francez sot.

Ky shkrim ngre më shumë pyetje se sa jep përgjigje. Por konkluzioni është i qartë: paaftësia jonë për ta marrë seriozisht idealen, paaftësia për ta lejuar të udhëzojë praktikat tona sociale dhe politike, na ka lënë pa udhë. Më keq akoma, na ka shpënë drejt besimit se vlen vetëm materialja. Si ta shpjegojmë ndryshe faktin që për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë në 2012, nuk u gjet tjetër gjë për t’i bashkuar shqiptarët përveçse një tortë gjigante? Gjithçka tjetër që supozohej të kishte vlerë simbolike (bashkuese) – emra, data, ngjarje – prodhoi vetëm konflikt në opinionin publik, ndasi të thella dhe efekte diabolike. Dhe kur materialja propozohet si simbolike, në vend të ideales, ajo përfundon gjithmonë e abuzuar, e shfytyruar dhe e nëpërkëmbur – tamam si ajo torta e pavarësisë.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi