Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim / ShtetiWeb: Bashkëpunimi rajonal nga Parisi në Romë
Konferenca “Nga Parisi në Romë – Perspektiva shqiptare mbi procesin e bashkëpunimit rajonal”, 26 tetor 2016
Filloi sot punimet Konferenca “Nga Parisi në Romë – Perspektiva shqiptare mbi procesin e bashkëpunimit rajonal”. Kjo Konferencë organizohet nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim / ShtetiWeb, së bashku me partnerët e tij Fondacionet Gjermane Friedrich Ebert, Hanns Seidel dhe Konrad Adenauer. Konferenca u përshëndet nga Ministrja e Integrimit Evropian, Znj. Klajda Gjosha dhe nga Ambasadorët e Gjermanisë, Italisë, Austrisë dhe Francës.
“Procesi i anëtarësimit në BE është po aq i rëndësishëm sa dhe rezultati final”, është një nga mesazhet kryesore të konferencës. Në këtë kuadër, Procesi i Berlinit me investimet strategjike në infrastrukturën lidhëse ballkanike marrin një rëndësi të dorës së parë.
A zëvendëson Procesi i Berlinit procesin e ngadalësuar të anëtarësimit, apo thjesht e plotëson? Përse përfundimi i reformave të nisura janë më të rëndësishme se kurrë për këtë dinamikë? Si preket BE dhe Ballkani nga Brexit? Në cilin Bashkim Evropian do anëtarësohen vendet e Ballkanit dhe kur? A do të anëtarësohen një nga një apo në grup? Këto pyetje – pjesë e debatit të kësaj konference – kushtëzojnë mes të tjerash suksesin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE.
Nisur në Gusht të 2014 si një inisiativë e Kancelares Merkel në vazhdën e procesit të Brdo-Brijuni, Procesi i Berlinit ka mundësuar në këto dy vjet një dinamikë të re bashkëpunimi në nivelin politik, teknik dhe mes qytetarëve të gadishullit ballkanik. Takimet e shpeshta mes Kryeministrit Rama dhe Vucic, mbledhjet e përbashkëta qeveritare Shqipëri – Kosovë, takimet e rregullta në nivel ministrash dhe stafit teknik, janë bërë pjesë përbërëse e kontekstit të zhvillimeve në rajonin tonë. Ky koordinim politik dhe teknik ka mundësuar nisjen e projekteve qindra-milionëshe që lidhin vendet e rajonit. Bashkëpunimi rinor dhe strukturimi i kontributit të shoqërisë civile në Samitet Qeveritare të Vienës dhe Parisit, e kanë sjellë procesin e bashkëpunimit rajonal më afër shqetësimeve të qytetarëve.
ShtetiWeb dhe partnerët e tij gjermanë përgatisin çdo dhjetor një raport monitorimi mbi progresin e Shqipërisë në Procesin e Berlinit. Rezultatet e konferencës janë pjesë e raportit, konkluzionet e së cilit do të jenë gjithashtu pjesë e platformës së Samitit Rajonal të Shoqërisë Civile, i cili do t’i paraprijë Samitit të Romës dhe do të organizohet në Tiranë, në pranverën e vitit 2017.
Shih analizën The strategic importance of Berlin Process for the Western Balkans: A view from Albania