Demokracia e brëndëshme në partitë politike shqiptare
Në Konferencën “Shqiptarët dhe Modeli Social Europian” të organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert, në bashkëpunim me disa organizata JQ shqiptare, midis të cilave edhe Shtetiweb/CDI, Afrim Krasniqi dhe Ardian Haçkaj, prezantojnë punimin e tyre: “Demokracia e brëndëshme në partitë politike shqiptare”.
Këtu po paraqesim një përmbledhje ekzekutive, si dhe të dhënat e plota të intevistave të kryera me 351 anëtarë të partive, të cilat autorët i kanë përdorur në punimin e tyre.
Teksti i plotë i librit (shqip dhe anglisht)
Përmbledhje Ekzekutive
Në një shtet demokratik partitë politike duhet të jenë para së gjithash demokratike brenda vetes së tyre, në mënyrë që ato të mund të prodhojnë demokraci për vendin dhe për të gjithë shoqërinë gjatë ushtrimit të pushtetit politik. Në Shqipëri partitë politike kanë bashkudhëtuar bashkë me shtetin që prej krijimit të tij në fazat e konsolidimit. Organizimi i tyre politik i ka reflektuar origjinën e krijimit të tyre dhe ideologjitë mbizotëruese të periudhës kur kanë vepruar. Por faktori përcaktues në krijimin e identitetit dhe formësimin të rolit të tyre në sistemin qeverisës ishte dhe mbetet konteksti i brendshëm shqiptar me historinë, kulturën, normat dhe vlerat e tij.
Partitë e para politike shqiptare u shfaqën fillimisht më 1920. Tipar i modelit të tyre proto-demokratik ishte organizimi i ngushtë rreth themeluesve, individëve të rëndësishëm dhe lidhjeve klanore të dominuara nga familje ose personalitete publike. Partitë e para funksionuan deri me 1924; një periudhë e shkurtër dhe përvojë e brishtë e sistemit shumëpartiak, e cila u pasua nga modelet e sistemeve politike pa parti dhe pushtimet gjatë Luftës II Botërore. Regjimi komunist që pasoi sanksionoi modelin parti-shtet, gjurmët e të cilit janë ende të dukshme sot. Roli dhe fuqitë e liderit brenda partisë dhe në pushtetin ekzekutiv (kur është në qeveri), e gjejnë shpjegimin në trashëgiminë e kësaj periudhe. Pushteti i tij në vendimmarrje, propozime, marrjen e iniciativës, kooptimin, etj, si dhe pranimi i këtyre akteve nga anëtarësia e partisë pasqyrojnë fuqinë absolute të “sekretarit të partisë”,- institucion dominues i mbajtur për 50 vjet në jetën politike të Shqipërisë dhe në psikikën e shqiptarëve .
Vetëm pas ndryshimeve politike të vitit 1990, organizatat politike në Shqipëri do të mund të zhvillonin dhe ushtronin ligjërisht funksionet e tyre në të njëjtat kushte ligjore si homologët e tyre perëndimorë. Fillimisht pluralizmi politik u shfaq nën mbikqyrjen e partisë së vetme politike të asaj kohe. Si rezultat i konflikteve të brendshme, nga dy partitë fillestare u ndanë shumë fraksione e grupime minore, të cilat më pas krijuan parti të reja politike duke marrë me vete dhe modelin e organizimit të tyre politik, si dhe duke ndikuar në jetësimin dhe funksionimin e sistemit shumëpartiak në Shqipëri.
Konteksti ligjor përkatës u hartua nga zero. Ai pasqyroi vullnetin dhe pritshmërinë e madhe të shqiptarëve për të aplikuar parimet demokratike në çdo strukturë vendimmarrëse të tyre. Statutet e reja moderne të partive politike dhe ligjet e reja mbi to janë hartuar kryesisht edhe me ndihmën e organizatave simotra nga demokracitë perëndimore. Bashkë me to u krijuan strukturat e reja, u përcaktuan procedura dhe procese rutinore të tjera të organizimit të brendshëm.
Leximi retrospektiv është dëshmi e plotë se demokratizimi i këtyre partive politike u kushtëzua dukshëm nga ritmi i demokratizimit të gjithë vendit dhe nga kultura politike e anëtarëve të tyre. Për rrjedhojë, mbetjet e së shkuarës bashkëjetuan për një kohë të gjatë me elementë dhe risi moderne organizimi dhe sjelljeje politike. Procedurat dhe strukturat patën evoluim të ngadalshëm, si dhe të skicuara në atë formë që i përshtatet interesit të figurës së liderit partiak. Kultura e munguar e dialogut politik do të linte gjurmën e saj në mungesën e tolerancën dhe të debatit kritik brenda partive, në luftën e pamëshirshme ndaj fraksioneve të brendshme, etj. Tensionet e brendshme nuk u zgjidhën përmes instrumenteve demokratike, por përmes përjashtimit, shkarkimit, ndarjes, dhe krijimit te partive më të vogla alternative politike. Statutet fillestare me elementë pozitivë dhe risi moderne vazhdimisht u interpretuan, plotësuan dhe ndryshuan me aktet të tjera rregullatore në varësi nga nevojat e ditës, ose u injoruan tërësisht në përputhje me interesat politike partiake të lidershipit dhe momentit politik.
Modeli i sotëm partiak ofron argumente të shumtë të ikjes nga modeli kushtetues transparent dhe demokratik në funksionimin shumëplanësh brenda tyre, të kontrastit midis bazës ligjore dhe statusore dhe sjelljes faktike përgjatë aktivitetit politik, si dhe të mbi-pushtetit që partitë politike kanë në vendimmarrjen politike dhe institucionet kushtetuese, publike dhe politike. Tradita demokratike e brishtë dhe keqkuptimet mbi kulturën politike dominuese, e cila i referohet partive si burim pushteti e privilegjesh, ka rritur pritshmëri direkte dhe të menjëhershme të qytetarëve ndaj partive, duke u transferuar këtyre të fundit monopolin e vendimmarrjes pa pjesëmarrje direkte qytetare.
Për më tepër vendosja e pluralizmit në Shqipëri përkoi me aplikimin e modelit të ekonomisë së tregut në vend. Ideologjia neo-liberale dhe “fundi i historisë” tingëllonin pozitive dhe u mirëpritën. Si pasojë, partitë e reja të krijuara përfshinë në ADN-në e tyre parimet themelore të tilla si konkurrencën dhe efikasitetin në mënyrë që të mbijetojnë në “tregun politik”. Si rezultat, aktualisht, nga modeli i partive që përfaqësojnë grupime sociale e shoqërore dhe identifikohen me shtresime klasore, po evoluon drejt modelit të organizimit politik elektoral, si projekte individësh apo grupesh rreth liderësh, me objektiv të qartë synimin e asaj forme organizimi që garanton fitore në zgjedhje dhe ushtrim pushteti në qeverisjen e vendit.
Partitë politike sot në Shqipëri janë maturuar, konsoliduar, dhe janë bërë pjesë integrale e organizimeve ndërkombëtare të partive simotra. Kjo u jep atyre mundësinë për të përshtatur për kushtet e shekullit të 21, në mënyrë që të bashkëpunojnë, të zgjerojnë bazën përfaqësuese dhe të dhe përfaqësojnë interesat e opinionin dhe të elektoratit të tyre.
Pothuajse të gjitha partitë kryesore kanë kaluar nëpër një procesi intensiv riorganizimi gjatë viteve të fundit, kryesisht përmes ripërtëritjes së strukturave të tyre të qeverisjes dhe zgjedhjes së liderëve apo ekipeve politike të reja. Faktorë ndikues në zhvillimet e jashtme në shoqëri, siç janë fillimi i fundit të fazës së tranzicionit në Shqipëri, ankorimi i fortë dhe i pakushtëzuar i vendit tek Bashkimit Evropian, migrimi masiv i pothuajse një të katrës së shtetasve shqiptarë në demokracitë perëndimore, mundësimi i procesit të lëvizjes së lirë, eksodi rural dhe trendi i shndërrimit në shoqëri urbane, shfaqja e një brezi të rinj të votuesve që kanë lindur në vitet e demokracisë, etj, do të kenë ndikim të madh në ecurinë e modelit, misionit dhe organizimit të brendshëm të partive politike, si dhe do ndikojnë në orientimin e imazhit dhe rolit të ri të tyre në përputhje me sfidat shqiptare në shekullin XXI.