BE-ja para bllokadës së procesit të vendimmarrjes

Nga Augustin Palokaj, botuar në koha.net, 26 tetor 2016

augustinpalokajAto që janë konsideruar deri vonë si vlera të larta të BE-së, përfshirja e parlamenteve nacionale por edhe atyre rajonale në vendimmarrje në nivel evropian, sot po dëshmohen si pengesa serioze në politikat efikase të Bashkimit Evropian. Holanda nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e asociimit me Ukrainën, një rajon i Belgjikës, Valonija, ka pamundësuar që të nënshkruhet marrëveshja e BE-së me Kanadanë. Negociatat me SHBA-në për Marrëveshjen e madhe tregtare janë në qorrsokak. Kjo e ka vënë BE-në në një situatë në të cilën, siç ka pranuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, po e vë në dyshim edhe reputacionin në botë.

Kur në Kosovë, por edhe në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit, flasin për perspektivën e anëtarësimit në BE, duhet të kenë parasysh shumë kritere të cilat duhet përmbushur, shumë kushte, shumë reforma dhe shumë punë që duhet bërë. Vetvetiu procesi i integrimit në BE është shumë i vështirë, i gjatë, i komplikuar dhe pa një përfundim të garantuar. Të gjitha vendet e rajonit janë shumë larg anëtarësimit në BE. E Kosova në mesin e tyre është bindshëm e fundit. Aq më shumë, për Kosovën vështirë se mund të thuhet se është fare në proces pasi nuk njihet nga 5 shtetet anëtare, e anëtarësimi në BE është një proces mes një shteti kandidat dhe të gjitha shteteve ekzistuese anëtare. Prandaj, pos që janë bërë bajate fjalët dhe deklaratat pas takimeve që kanë me diplomatë të huaj, prej atyre të nivelit më të lartë deri te ai i nëpunësve, se “ u garantua mbështetja për procesin integrues në BE”, janë bërë edhe joserioze. Sepse ky proces nuk është i tillë që të mundë të ketë garanci në të.

Përmbushja e kritereve që kërkon reforma dhe ndryshime rrënjësore, zhvillim ekonomik, respektim të rendit dhe ligjit, depolitizim të institucioneve publike, natyrisht është kushtëzimi që BE-ja u jep vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë. Nëse ato nuk përmbushen, nuk do të ketë lëvizje përpara. Por ka edhe një anë tjetër që e bën procesin të paparashikueshëm. Ajo është gatishmëria e BE-së për të pranuar vende të reja anëtare. Dhe këtu kanë ndodhur ndryshime serioze në Bashkimin Evropian gradualisht që nga refuzimi i Kushtetutës evropiane në referendume, në Francë dhe Holandë, në vitin 2005, e deri tek situata aktuale në BE, ku zgjerimi është çështja e fundit që njerëzve u bie ndërmend, e kur u bie ndërmend kryesisht janë kundër.

BE-ja, e detyruar të merret me veten, nga viti 2095 e deri më sot, ka pranuar në anëtarësi vetëm Bullgarinë dhe Rumaninë, me të cilat puna ishte kryer edhe para këtyre referendumeve, dhe disi ka arritur ta pranojë edhe Kroacinë në vitin 2013. Ndërkohë ka pasur lëvizje në procese me vendet e tjera, por gjithmonë duke e vënë në dyshim përfundimin e procesit. E gjithë kjo ka ndikuar që të ketë kushtëzim të dyfishtë në procesin e zgjerimit. I pari, që vendet e reja të jenë të gatshme të hyjnë në BE, e i dyti, që BE-ja të jetë e gatshme t’i pranojë. Gatishmëria e vendeve kandidate për të hyrë në BE nuk dëshmohet me deklarata politike dhe shprehje dëshire, por me rezultate që mund të maten dhe dëshmohen.

Ndërkohë po ashtu shumë vende kanë ndryshuar edhe ligjet dhe përmes këtyre ndryshimeve kanë hapur mundësi edhe për pengesa të reja në procesin e zgjerimit. Në Francë do të ketë referendum për pranimin e secilit vend të ri anëtar në të ardhmen. Në Holandë mjafton dikush të mbledhë disa qindra mijëra nënshkrime dhe të organizohet referendum. Më shumë se 70 parlamente të ndryshme në BE, nga ato nacionale e deri tek ato rajonale në disa raste, mund të refuzojnë hyrjen e një vendi në BE. Në secilin hap gjatë procesit të negociatave vendet anëtare, në disa raste mjafton përmes komisioneve parlamentare, mund të ndalin negociatat. Kjo mundësi ekziston së paku 70 herë gjatë procesit. Dhe, siç po shohim kohëve të fundit, kryesisht përmes bllokadave të marrëveshjeve të cilat nuk kanë edhe aq shumë lidhje me përmbajtje sa me rritje të euroskepticizmit, ka rritje të gatishmërisë që të përdoren mundësitë për bllokada. Kjo edhe e ka sjellë BE-në në një proces ku e ka pothuajse të pamundur të bëjë edhe marrëveshje me vendet e tjera, edhe kur ato marrëveshje janë qartë në të mirë të qytetarëve të BE-së, siç është Marrëveshja e asociimit me Ukrainën apo Marrëveshja tregtare me Kanadanë.

Sot fitohet përshtypja se për çfarëdo që do të votonin qytetarët në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, e që ka lidhje me BE-në, do të votonin kundër. Për shembull, raportet tregtare mes BE-së dhe Kanadasë nuk kanë ndonjë ndikim negativ në jetën e përditshme të qytetarëve, por ato kanë vendosur të gjejnë arsye për ta bllokuar. Në Holandë kur kanë votuar në referendum për të kundërshtuar Marrëveshjen me Ukrainën, qartë kanë thënë se po votojnë kundër BE-së. Referendumi në Holandë ka qenë vetëm këshillëdhënës dhe ai nuk e obligon në aspektin juridikë qeverinë. Por në një vend me demokraci serioze qeveria e respekton vullnetin e qytetarëve edhe pse nuk i pëlqen. Tash si mundësi për të dalë nga kjo bllokadë dhe për ta shpëtuar një marrëveshje për shkak të së cilës Ukraina edhe hyri në luftë me Rusinë, për të dëshmuar se është në anën e BE-së, në Holandë përmendin opsionin që nga BE-ja të kërkohet një deklaratë e qartë se me këtë marrëveshje Ukraina nuk do të ketë mundësi të bëhet anëtare e BE-së.

Edhe në Britani të Madhe qytetarët kanë votuar kundër mbetjes në BE. Në Sllovaki, Hungari dhe Poloni nuk ka mbështetje për politikën e BE-së ndaj migracionit. Për çfarëdo që të bjerë ndërmend gjithmonë mund të dalë ndonjë rajon, ndonjë qeveri, ndonjë shtet, ndonjë parti, që mund të gjejë arsye për të bllokuar. Dhe kjo e ka vënë në pikëpyetje edhe mundësinë e përgjithshme të Bashkimit Evropian për të bërë marrëveshje. Kjo gjithsesi do të ndikojë negativisht edhe në zgjerim, sepse mund të ndodhë shumë lehtë që një ditë, kurdo që të vijë ajo, t’i përmbushin ndoshta të gjitha kushtet për anëtarësim në BE, të nënshkruajnë edhe Traktatin e anëtarësimit, por të mbeten pa u bërë anëtare të BE-së.

Ato që janë konsideruar deri vonë si vlera të larta të BE-së, përfshirja e parlamenteve nacionale por edhe ato rajonale në vendimmarrje në nivel evropian, sot po dëshmohen si pengesa serioze në politikat efikase të Bashkimit Evropian. Holanda nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e asociimit me Ukrainën, një rajon i Belgjikës, Valonija, ka pamundësuar që të nënshkruhet marrëveshja e BE-së me Kanadanë. Negociatat me SHBA-në për Marrëveshjen e madhe tregtare janë në qorrsokak. Kjo e ka vënë BE-në në një situatë në të cilën, siç ka pranuar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, po e vë në dyshim edhe reputacionin në botë. Nëse me një shtet aq të zhvilluar, demokratik dhe me standarde aq të larta si Kanadaja nuk mund të bëjnë marrëveshje, si mund ta bëjnë këtë me dikë tjetër. Prandaj ka mundësi që e gjithë kjo situatë ta çojë BE-në në një drejtim të ri, ndoshta edhe duke krijuar grupime të cilat, duke mos pritur të tjerët, do të mund të veprojnë.

Thënie për Shtetin

  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi
  • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
    - Harry S. Truman
  • Paul Valery
    - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
  • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
    - Harold MacMillan