Një shtet i vonuar
Nga Flir Mosho, botuar në Panorama, 25 tetor 2016
Shpesh edhe më shpesh në muajt e fundit po “qëllon” që të kapen, arrestohen apo deri edhe të aksidentohen si kamikazë, individë që, megjithëse udhëtojnë me makina luksi, bëjnë jetë luksi dhe ngarkojnë faqe luksi në “Facebook” e “Instagram”, rezultojnë të papunë. Të paregjistruar në asnjë regjistër të shtetit shqiptar, përveç atij të shtetasve. Në vitin 2008, Ministria e Financave hartoi ligjin që është ende në fuqi të procedurave tatimore.
Ligj që me gjithë përthyerjen klienteliste që i është bërë në vite pas miratimit, reziston ende si korpus dispozitash që ofrojnë zgjidhjen edhe kur ajo nuk është përdorur kurrë. Në atë kohë, stafi teknik i Ministrisë së Financave hartoi dhe insistoi fort që si pjesë e dispozitave të atij ligji të bëheshin edhe dispozitat që rregullojnë deklarimin vjetor të të ardhurave. Me gjithë insistimin e teknicienëve të Ministrisë së Financave për të futur në skemë deklarimi pa përjashtim të gjithë shtetasit shqiptarë rezidentë në Republikën e Shqipërisë, vendimi politik deformoi rëndë dhe siç rezulton sot edhe me pasoja, mekanizmin klasik të detyrimit për deklarimin vjetor të të ardhurave.
Sot për shkak të atij vendimi politik që kufizoi detyrimin për deklarim në kufijtë e mbi 2.000.000 lekë të ardhurash në vit, ato dispozita janë pa asnjë efekt konkret. Më tej, edhe vlerësimi u la në dorë individit dhe dispozitat u zbrazën plotësisht nga qëllimi i hartimit të tyre. Dhe vijmë sot…. Tetë vjet më vonë, nëse ligji do të ish lënë i lirë të funksiononte me logjike standarde, do të mund të kishim një bazë të bollshme dokumentare për të hartuar edhe një databazë për të gjithë shtetasit.
Tetë vjet më vonë, nuk do të prisnim aksidentin vrasës-vetëvrasës në autostradën Tiranë-Durrës, për të investiguar postmortum për njeriun që shkaktoi tragjedinë. Tetë vjet më vonë mund t’u kishim dhënë kuptim marrëveshjeve të bashkëpunimit midis institucioneve dhe shkëmbimit të të dhënave bazë dhe policia sot mund të ishte duke kryer hetime proaktive, pa pritur rrëzave të rrugëve nacionale për të ndaluar çdo makinë që u duket atyre e dyshimtë (edhe ata mbi bazën e gjykimit individual të përpunuar mbi bazën e shkollimit e dijes që i kushtëzon detyra për të cilin paguhen).
Tetë vjet më vonë, kontingjenti trafikant që jeton i papunë me zinxhirë floriri në qafë e duar, të paktën nuk do e bënte kaq hapur dhe kaq keq karshillëkun për njeriun që ka zgjedhur të punojë, të paguajë taksa e të jetojë me besim te shteti. Tetë vjet më vonë do të kishim sigurisht mbledhur më shumë të ardhura nga këngëtarë që nuk ruhen fare të deklarojnë fitimin në një dasmë, aq sa është minimumi i detyrueshëm për deklarim që dispozitat e cunguara, parashikuan si kufi vjetor.
Tetë vjet më vonë do të kishim formalizuar tregun e sportit dhe tallavasë të paktën, sepse do të mund të vinim në balancë shumat e deklaruara si të ardhura dhe apartamentet e regjistruara në emër personal. Tetë vjet më vonë dhe me një mekanizëm të thjeshtë shtesë incentivimi, do të mund të kishim bashkë me deklarimin e çdo studenti edhe të dhëna për shpenzimet që paguajnë për qiranë mujore për të gjitha ato apartamente nga të cilat shteti mbledh zero taksa.
Tetë vjet më vonë nuk do të kishim nevojë të fusnim për herë të parë në kontroll pasurie, gjithë familjarët e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, një pjese të të cilëve pas ndryshimeve kushtetuese thjesht u ka rënë fati i keq të kenë një të afërm gjyqtar apo prokuror. Tetë vjet nuk janë shumë, por tetë vjet dokumentacion i munguar dëshmon për një gjë! Për atë se sa false mund të jetë një dispozitë ligjore apo edhe një korpus dispozitash.
Dhe sot, mbase ato tri vajza fatkeqe do të ishin ende gjallë dhe unë do të isha këtu duke shkruar diçka tjetër dhe jo për temën më fillestare të deklarimit të të ardhurave personale. Atë që shumë shqiptarë rezidentë të rregullt në shtete të tjera e plotësojnë çdo vit. Ata nuk kanë humbur kohë. Ne kemi humbur të paktën tetë vjet.